Vasfije Krasniqi viziton vendin ku u dhunua: Këtu mu shuan ëndrrat si 16 vjeçare

Vasfije Krasniqi-Godman është kthyer në vendin ku u dhunua para 20 vjetësh nga forcat serbe.

Në përkrahje të saj dhe të gjitha viktimave të luftës u mblodhën edhe disa qytetarë, të cilët kërkuan drejtësi, njofton Klan Kosova.

Krasniqi-Godman këtë herë si një 16 vjeçare që iu shkatërrua fëmijëria kërkoi drejtësi për dhunën që përjetoi.

“Në tetor unë e ndava rrëfimin tim, por sot po flas si një 16 vjecare. Këtu mu shuan ëndrrat e fëmijësisë, nuk e dita se çka po ndodh me mua, por kur ja nisi dhunimi më ranë ndërmend familjarët që i lash në shtëpi”.

“Drejtësi kërkova prej vitit 1999 në UNMIK, në 2010 në EULEX. Drejtësia mu ka mohuar por nuk do të ndalojë dhe jo vetëm për veten, por edhe për 20 mijë tjera. Dhe jo vetëm për viktimat e Kosovës por edhe të tjera vendeve”.

“Këto krime kanë ndodhë para familjes, para baballarëve dhe nënave tona. Të gjithë e dimë që ky krim ka ndodhur dhe në po ja u mbulojmë serbëve.

Familjarët i lus që së pari ta kenë një mendje më të hapur dhe të lejojnë viktimat që të flasin dhe të kërkojnë mbrojtje nga institucionet. Shpirti jonë do të rehatohet atëherë kur do të ketë drejtësi”. / KultPlus.com


Në 20 vjetorin e tmerrit të përjetuar, Vasfije Krasniqi viziton vendin e krimit

Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës. 20 vjetorin e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për tmerret e përjetuara.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, me ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018 foli për herë të parë publikisht për përjetimin e saj gjatë luftës.

Më 14 prill 1999, Vasfije Krasniqi Goodman (në atë kohë 16 vjeçare) u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost (komuna e Obiliqit), ku u dhunua seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.

Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuara drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.

Andaj, QKRMT ju fton që të ju bashkangjiteni në shënimin e 20 vjetorit të këtij krimi të pandëshkuar, ku sot në ora 13:00, përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, së bashku më Vasfije Krasniqi Goodman do të bëjnë një vizitë në vendin ku ka ndodhur krimi, në fshatin Babimost, përballë Hotel Amazona (Komuna e Obiliqit).

Krasniqi Goodman do të ketë një fjalim rasti para të pranishmëve. / KultPlus.com

Para 20 viteve e dhunoi policia serbe, Vasfije Krasniqi Godman do të rikthehet në vendin e krimit

Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës, njofton QKRMT, shkruan KultPlus.

“20 vjetorin e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për tmerret e përjetuara.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Znj.Vasfije Krasniqi Goodman, me ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018 foli për herë të parë publikisht për përjetimin e saj gjatë luftës”, thuhet në këtë njoftim.

Më poshtë po e sjellim në vazhdim njoftimin e QKRMT për vizitën e Vasfije Krasniqi Godman në fshatin Babimost.  

Më 14 prill 1999, znj.Vasfije Krasniqi Goodman (në atë kohë 16 vjeçare) u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost (komuna e Obiliqit), ku u dhunua seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.

Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuar drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.

Këtë të diele më 14.04.2019, ora 13:00, përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, së bashku më znj.Vasfije Krasniqi Goodman do të bëjnë një vizitë në vendin ku ka ndodhur krimi, në fshatin Babimost, përballë Hotel AMAZONA. Znj.Krasniqi Goodman do të ketë një fjalim rasti para të pranishmëve.

“Para se të ma shkatërronin fëmijërinë”, Vasfije Krasniqi publikon fotografi kur ishte 16 vjeç

Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka rikujtuar kohën para se të përjetonte tmerrin nga paramilitarët serbë. Ajo në Facebook ka publikuar një fotografi kur ishte veç 16-vjeçe.

“Para se të ma shkatërronin fëmijërinë’’, ka shkruar Vasfija sipër fotografisë.

Në tetor të vitit të kaluar, për herë të parë, Vasfije Krasniqi kishte rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë luftës. Ajo me lot në sy kishte treguar për torturat që kishte përjetuar në luftë, e që në atë kohë ishte po ashtu 16-vjeçare.

Ajo tregon se gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe rasti kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë… Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyeti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shku në luftë’”, tregon Vasfija, e cila aktualisht jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici… Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër”, rrëfen ajo.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin 36-vjeçarja.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, shprehet Krasniqi.

Vasfija thoshte se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.

“E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit dhe aty kishte pasur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thojke: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.

Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur është kthyer ky i vjetri prapë në makinë, ka kaluar një ushtar aty pranë. I kam thënë që unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më ka thanë: ‘Mos trego ku je kanë, thuaju në shtëpi se ke qenë me dhënë deklaratë në polici’. Më ka thanë që nëse u tregon familjarëve ne kemi me të vra”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.

Ndryshe, 36-vjeçarja, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve. / KultPlus.com

Feride Rushiti dhe Vasfije Krasniqi-Goodman do të flasin në New York për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës së Luftës, Feride Rushiti së bashku me të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman do të flasin në New York për ekspertizën e Kosovës në trajtimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Rushiti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se kjo është si fazë fillestare për themelimin e fondit #GlobalReparationsFund për viktimat e dhunës seksuale përgjatë konflikteve.

“E nderuar të jem pjesë e kësaj iniciative globale së bashke me laureatët e Nobelit,  Dr. Denis Mukwege  dhe Nadia Murad”, ka shkruar Rushiti./ KultPlus.com

Jehona e zërit të Vasfije Krasniqit Goodman shtrohet si tryezë diskutimi

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), do të organizojë diskutimin “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike të zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Pjesë kryesore e ngjarjes është lansimi i video-mesazhit sensibilizues realizuar nga zonja Krasniqi Goodman ku ajo bën edhe një herë thirrje për një mbështetje më të fuqishme për të gjithë të mbijetuarit.

Në vazhdim, paneli i përbërë nga aktivistë të kësaj çështje do të paraqesin opinionet e tyre për ndikimin e rrëfimit të Vasfijes në fuqizimin e të mbijetuarve dhe më gjerë.

Diskutimi ka për qëllim sensibilizimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës për të mbijetuarit, adresimin e diskriminimit, stigmës, si dhe kërkesën për qasje në drejtësi të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe integrim të barabartë në shoqëri.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të kampanjës Bëhu zëri im, që implementohet nga QKRMT dhe Medika Gjakova. Aktiviteti fillon në ora 14:00 më 5 dhjetor 2018, në Kino Armata./ KultPlus.com

Feride Rushiti në Hagë, flet për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) Feride Rushiti, bashkë me drejtoreshën e QPDG-së, Kadire Tahiraj dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, po marrin pjesë në ngjarjen “From words to action: repairing the wounds of wartime sexual violence”, organizuar nga Denis Mukwage Foundation, në Hagë.

Rushiti do të flasë për dhunën seksuale si mjet lufte që është përdoruar masivisht nga forcat armike gjatë viteve 1998-1999; vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale; ballafaqimin me të kaluarën, stigmatizimin e kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore, si dhe promovimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale; njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale; pensionin personal i cili njeh vuajtjet dhe dhimbjet e tyre; si dhe vështirësitë që viktimat po hasin për qasjen në drejtësi.

“Sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zë i fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë zë më së miri është duke e përçuar vetë e mbijetuara znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila përmes rrëfimit të saj po përcjell vuajtjet dhe mesazhet e shumë të mbijetuarve tjerë nga koha e luftës, në mbarë globin”, thuhet në njoftim.

Denis Mukwage është fitues i Çmimit Nobel për Paqe 2018, i cili përmes fondacionit të tij, programeve të ndryshme dhe avokimit ndërkombëtarë, ka mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale në betejën e tyre për njohje dhe pjesëmarrje aktive në zhvillimin e politikave nacionale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë, paqen dhe të drejtat e grave. /Telegrafi/KultPlus.com

Vasfije Krasniqi dekorohet nga Thaçi, kërkon drejtësi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka ndarë titullin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës” për Vasfije Krasniqi-Goodman. Derisa i ka ndarë medaljen, Thaçi ka thënë se burrat e Kosovës ndihen të turpëruar që s’kanë bërë më tepër për këto raste, raporton KTV .

“Kam përjetuar momente të rënda, prekëse emocionale dhe të dhimbshme në rast të tragjedive e masakrave nga ushtria serbe drejt popullsisë shqiptare. Një nga brengat më të dhimbshme ka qenë dhunimi i rreth 20 mijë grave dhe burrave shqiptarë nga forcat paramilitare të forcave serbe. Sot është një moment emocionues dhe rrëqethës. Rrëfim që thërret për ndërgjegje në Kosovë dhe thërret ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare se e vërteta po thuhet, por drejtësia nuk po zbatohet. Për heroinën e gjallë, Vasfijen, për guximin e saj të jashtëzakonshëm ndaj Medalje për trimëri dhe guxim”, ka thënë Thaçi.

E vetë Vasfije Krasniqi Goodman ka falënderuar presidentin për dekoratën duke i kujtuar atij që për të dhunuarat e luftës duhet drejtësi. “Ju falënderoj për dekoratën në emër të të gjithave. Neve na duhet mbrojtje dhe drejtësi juridike”, ka thënë Krasniqi -Goodman./ KultPlus.com