Promovohet libri ‘Kabatë me gërnetë e violinë’ i studiuesit Vasil S. Tole

Paraditen e sotme në Teatrin e Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe të instrumentistëve u zhvillua veprimtari me karakter të dyfishtë, promovuese dhe kulturore.

Akademia e Shkencave bashkë me Orkestrën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore promovuan librin ‘’Kabatë me gërnetë dhe violinë’’ të akademikut të shquar Vasil S. Tole.

“Kabatë me gërnetë dhe violinë” është konceptuar nga autori si një përmbledhje dhe dokumentim i trashëgimisë së mjeshtrave më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në këtë gjini muzikore.

“Antologji do ta quaja, tha autori: antologji e mjeshtrave më të mëdhenj të kësaj muzike, të cilët kanë krijuar identitetin shqiptar në muzikë. Libri është multifunskional, pasi shërben edhe si guidë, edhe si libër studimor, në mënyrë të veçantë për dokumentim. Në libër janë të dokumentuara 30 kabatë më të mira në klarinetë e violinë”.

Vepra vjen me një risi: tashmë të gjithë dashamirësit e kabasë, përmes një kodi skanimi, do të kenë mundësi të njihen me të gjitha krijimtaritë e autorëve në libër përmes platformës youtube.

“Me mundësitë teknologjike të krijuara, mjafton të skanohet nga celulari “QR code” që gjendet në libër dhe të lidhesh direkt me kabanë e mjeshtrit. Në këtë mënyrë ai që ka në dorë librin vë në punë edhe leximin, edhe të dëgjuarin”, u shpreh Tole.

Kabaja e luajtur me gërnetë apo me violinë, e njohur prej më shumë se 150 vitesh, është llojformimi më i plotë e i konsoliduar në muzikën popullore me vegla të Shqipërisë së Jugut.

Në fjalën hapëse të këtij aktiviteti, drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, theksoi rëndësinë e promovimit të trashëgimisë sonë muzikore.

Të pranishëm ishin edhe mjeshtërit e sazeve: Aleks Xhelili, Josif Shukallari, Telando Feto dhe Aurel Qirjo, të cilët interpretuan së bashku me Orkestrën dhe Korin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore.

Libri ‘’Kabatë me gërnetë dhe violinë’’ u botua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale dhe MediaPrint./atsh/KultPlus.com

Maqedonia e Veriut zgjedhë sërish artistin Vasil për ta përfaqësuar në ‘Eurovision’

Këngëtari Vasil ishte përzgjedhur të përfaqësonte Maqedoninë e Veriut në “Eurovision” vitin e kaluar me këngën “You”, para se të anulohej festivali shkaku i pandemisë.

Tani, Radiotelevizioni maqedonas (MKRTV) i ka kënaqur fansat me njoftimin e rikthimit të tij për në “Eurovision 2021”, transmeton KultPlus.

Udhëtimi i Vasilit në “Eurovision” filloi në vitin 2019 si një vokalist mbështetës për artisten Tamara Todevska në Tel-Aviv. Ai shpejt bëri një emër të madh për veten e tij kur në janar të vitit të kaluar, MRT-ja (transmetuesi publik i Maqedonisë së Veriut) njoftoi pjesëmarrjen e tij në “Eurovision 2020”. Kënga e tij, “You”, u publikua më vonë, në fillim të marsit.

Pas anulimit të “Eurovision 2020”, Vasili mori pjesë në episodin e dytë të “Eurovision Home Concerts” që u shfaq në prill. Ai këndoi këngën “You” dhe një përmbledhje të disa këngëve të famshme të “Eurovisionit” ndër vite, shkruan Eurovision.Tv.

Vasili ka qenë mjaft i zënë gjatë muajve të fundit. Ai po punon për albumin e tij të ri, “Vasil Sudbina”, i cili do të dalë në treg në vitin 2021./ KultPlus.com