Sopranoja Adelina Paloja, artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj në Pantheon të Romës: Është absolutisht një ëndërr

Jeta Zymberi

Në skenën e muzikës klasike, një emër që po shkëlqen çdo ditë e më shumë është ai i sopranos Adelina Paloja. Kjo artiste e mrekullueshme ka arritur të krijojë një ndikim të vërtetë në audiencë me zërin e saj të butë, të pastër dhe emocionues. Talenti i saj kësaj radhe po e dërgon për interpretim në dy vende të shquara – në Vatikan dhe Pantheon, në monumentin antik kult të Romës, shkruan KultPlus.

Si një soprano e njohur në skenën shqiptare, Adelina Paloja është një shembull i rrallë i pasionit, talentit dhe përkushtimit për muzikën. Zëri i saj që ngjall magji është i pajtueshëm me zërin e engjëjve, dhe ajo ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimit të saj të mrekullueshëm.

Tashmë, një sukses i ri po shënohet në karrierën e artistes. Si rrjedhojë e interpretimit të saj në celebrimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me meshën “JOSEPH VELLA, MESSA PER LA PACE KOSOVA HYLAND PEACE MASS” erdhi edhe bashkëpunimi në Romë – Itali me ftesë të vet Hyland pasi dëgjoi interpretimin e Meshës nga sopranoja kosovare.

Përveç interpretimit në Vatikan, Paloja do të performojë edhe në monumentin antik kult të Romës, duke u vendosur mes thellësive të historisë dhe mrekullive të artit të lashtë. Në këtë ambient të veçantë, zëri i saj do të përjetësohet në një bashkëpunim të pazakontë mes kohës së sotme dhe të kaluarës së largët.

“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në Pantheon – Romë, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën! Mund të them që nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik”, shprehet Paloja për KultPlus.

Sopranoja gjithashtu ka thënë se ky interpretim do i dedikohet imazhit të Kosovës në Vatikan, Romë dhe në botë andaj edhe do jetë i mbështetur nga “Albanian Diaspora Business Network”.

Në këtë paraqitje, Adelina do të interpretoj edhe premierën e veprës “Kosova Hope” të Hajrullah Sylës.

Koncerti do dirigjohet nga Michele Manganelli, soliste vokal, në organo Roberto Marini si dhe International Opera Choir shoqëruar nga Orkestra “Orchestra Sinfonica Romana” Direttore Michele Manganelli.

Përtej pjesës artistike, Adelina ka shpalosur për KultPlus edhe peshën që bart ky koncert.  

“Përgjegjësia është edhe më me peshë pasi në Pantheon do jem artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj. Pantheon në Romë si një destinacion për çdokënd jo vetëm për turistët dhe regjisorët por edhe për arkitektët, dizajnerët dhe artistët nga e gjithë bota është pasuri dhe i mbrojtur. Legjendat thonë se ishte pikërisht vendi ku themeluesi i Romës, Romulus, u ngjit në parajsë ku edhe sot mbetet akoma i hapur për të gjithë si objekti më i vjetër në botë që është ende i hapur përgjatë ditëve të sotme”, tregon artistja.

Shekuj më vonë, arkitektët neoklasikë do t’i referoheshin kombinimit të portikut dhe kupolës së Panteonit për të mbushur ndërtesat e tyre me të njëjtat vlera, nga Kapitoli i SHBA-së në Uashington, DC., deri te Somerset House në Londër, ku në plan është që edhe ky koncert të shfaqet në USA dhe në Britani të Madhe.

“Jam e bindur që do mirëpritet kjo premierë e veprës në Itali, me prezencë të aktereve kyç nga jeta kulturore, diplomatike, politike dhe religjioze duke përfshirë prezencën e Kardinalit të Romës dhe kardinalëve të tjerë të Italisë, përfaqësuesve nga Shtetet e ndryshme etj.”

Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për Palojën e cila tash po i shijon frytet e karrierës mbi 27 vjeçare.

Prezantimet e sopranos kosovare në Itali, Milano me Orkestra Simfonike në Teatro, Koncerti dedikuar 100 Vjetorit jubilar të dives Maria Callas, koncertimet në Zagreb, Kroaci dhe në rajon e Evropë, janë vlerësuar lartë nga kritika dhe të pranishmit. Por puna për të vazhdon me projekte të reja, me angazhim të përditshëm në kontroll rigoroz të teknikës së të kënduarit e me detaje të stërholluara muzikaliteti e studimi të literaturës nga opusi i kompozitorëve për të qenë gjithherë në formë optimale që ti dhurojë audiencës interpretime të nivelit të lartë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani fillon vizitën e saj në Vatikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Osmani, së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.

Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.

Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej. / KultPlus.com

Osmani bashkë me Gërvallën në Vatikan, do të takohet me Papa Françeskun

Presidentja Vjosa Osmani sot udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Osmani, së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.

“Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera”, njoftoi Presidenca.

“Gjatë qëndrimit në Romë, presidentja Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej”, thuhet në komunikatë.

Vatikani nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com

Portreti i rrallë i Pjetër Budit në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë përsa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politiko-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishtërimin e këtyre trojeve.

Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shtypshkruara që nga shekulli i XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin.Njëra ndër veprat e shumta albanologjike, është edhe “Paschyera et refyemit” e Pjetër Budit e cila ruhet në signaturën: Racc. Gen. Liturgia. V. 35, int. 3. [Dh. Shuteriqi, K. Ashta, B. Gjoka]. Në këtë vepër, e cila është e lidhur së bashku me dy vepra të tjera të Budit, “Rituale Romanum…” dhe “Cuscthote Mesce…” në faqen 1v ka një portret të Pjetër Budit, të datuar më 24 korrik 1621. Portreti [gravura], është një punim fin, me elementë të shumtë, të cilat paraqesin simbolikë domethënëse dhe të shumëfishtë. Dimensionet e portretit janë: 8.5 x 13.7cm.

Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij. Portreti i Budit është i vetmi imazh që është i njohur dhe na është ruajtur deri sot. Është shumë konkret, duke na ofruar pamjen e tij fizike, fytyrën, veshjen, por edhe begatinë e elementeve kulturore, të pasuruar me elemente fetare dhe laike, gjë që e lartëson edhe më shumë këtë emër të nderuar të kulturës shqiptare. Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin, sepse ai në këtë portret na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt, siç shkruhet e njihet deri sot, por ishte me përgatitje të lartë profesionale, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Romë.

Hulumtimet arkivore të bëra vitet e fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit (sot Archivio Apostolico Vaticano), Bibiliotekën Apostolike dhe Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, kanë plotësuar shumë mozaikun e figurës komplekse dhe shumëdimensionale të Pjetër Budit.Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit në vitin 1566.

Studimet e para i mbaroi në Collegium Illyricum, të Zonjës Sonë, në Ankonë. Në moshën njëzetëjëvjeçare shugurohet për prift, [më 1587] dhe i vëhet kryeipeshkvisë së Tivarit në shërbim, për teritoret e Kosovës dhe Maqedonisë [Dardanisë së Lashtë]. Për dymbëdhjetë vjet shërbeu në këto teritore, ndërsa në vitin 1599 emrohet Vikar i përgjithsëm i Serbisë, kurse në vitin 1610 përmendet si kapelan në Shkup, ndërsa në vitin 1615 si kapelan në Prokuple, ku këto territore ishin të banaura me shqiptarë të besimit të krishterë.

Në vitet 1616-1618 qëndroi në Romë, ku studioi teologji dhe filozofi dhe në të njëjtën kohë përgaditi për botim veprën e tij “Dottrina Christiana.” Në fund të vitit 1618 dhe gjatë tërë vitit 1619, ishte për pelegrinazh tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela, në Spanjë. Nga fundi i vitit 1619 e deri më 20 korrik 1621 qëndron në Romë, kur emrohet ipeshkëv i Sapës dhe Sardës, përkatësisht i tërë krahinës së Zadrimës. Disa ditë para Krishtëlindjeve, duke kaluar lumin Drin, mbytet në ujërat e ftohta, duke lënë vend për hamendësime se ishte një komplot i pregaditur ndaj tij nga kundërshtarët e shumtë.

Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti (Center for Albanian Studies – Budapest) /Dielli/ KultPlus.com

Në Vatikan mbahet konferenca “At Gjergj Fishta midis historisë, poezisë dhe fesë”

Me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Seli e Shenjtë dhe 150 vjetorit të lindjes së Atë Gjergj Fishtës, Ambasada e RSH-së pranë Selisë së Shenjtë ka organizuar konferencën ” At Gjergj Fishta midis historisë poezisë dhe fesë”. Konferenca u mbajt në Sallën Vasari të “Palazzo della Cancelleria” Romë, aty ku ndodhen Gjykatat e Vatikanit.

Pas përshëndetjeve të Kreut të Misionit Majlinda Dodaj, fjalë përshëndetëse mbajti dhe Prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini.

Të pranishmit sollën dëshmi të ndryshme nga jeta dhe vepra e fratit franceskan Gjergj Fishta. Blerina Suta Profesoreshë e Albanologjisë në Universitetin e “Napoli l’Orientale”, diskutoi kumtesën e saj me temë “La Poetica Europea di un Frate Francescano Balcanico: Gjergj Fishta e la Cultura Albanese”. Profesoresha Evalda Paci nga Akademia e Studimeve Albanologike – Tiranë, solli kumtesën me temë “Alcuni Aspetti Peculiari dell’Arte Scrittoria di Padre Gjergj Fishta”. Moderator i Konferencës ishte gazetari i të përditshmes ACI STAMPA Andrea Gagliarducci. Nga Këshilli Papnor për Kulturën (Ministria e Kulturës) mori pjesë SH.T. Imzot Carlos Azevedo.

Aktorja dhe dramaturgia e njohur italiane Isabel Russinova, recitoi poezitë e Atë Gjergj Fishtës në gjuhën italiane. Fragmentet që u përzgjodhën ishin nga kryevepra e At Gjergj Fishtës “LAHUTA E MALCISË”.

“Jemi në alpet shqiptare në kufi me Malin e Zi – u shpreh Isabel Russinova perpara leximit të këngës së XII të Veprës “Lahuta e Malcisë” – Jeta e banorëve udhëhiqet nga Kanuni, Kodi tradicional i cili karakterizon një sens të thellë të barazisë. ‘Një frymë vlen sa një tjetër; përpara Zotit nuk ka dallim”.

Më tej aktorja Isabel Russinova lexoi poezitë: “Gjuha Shqipe”, “Një Lule Vjeshte”, “Zana e Madhe qan Tringën” etj.

Poezitë e përzgjedhura u recituan edhe në gjuhën shqipe nga gazetaria e Radio Vatikanit programi shqip, Klaudia Bumci.

Të pranishëm në Konferencën për të përkujtuar Atë Gjergj Fishtën në 150 vjetorin e lindjes ishte Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, autoritete të Vatikanit, autorite italiane, arbëresh dhe shqiptarë. / KultPlus.com

BE-ja synon ta largojë fjalën ‘Krishtlindje’, Papa reagon me krahasim me nazizmin

Papa Françesku e ka krahasuar tërthorazi Bashkimin Evropian me diktaturën naziste për shkak se po përpiqet që të vendosë disa rregulla për përdorimin e gjuhës, përfshirë ndalimin e fjalës “Krishtlindje”.

84-vjeçari e paralajmëroi Bashkimin Evropian që “të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik”, pasi u kthye nga vizita 4-ditore në Greqi, shkruan Daily Mail.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian u ankua se po përpiqet që t’i “anulojë” Kërshëndellat, pasi i tha stafit që ta shmangë këtë fjalë dhe në vend të saj ta përdorë togfjalëshin “periudhë festash”, sepse ajo mund të jetë fyese për ata që nuk janë të krishterë.

“Është diçka që nuk ka funksionuar përgjatë tërë historisë. Në histori, shumë diktatura janë përpjekur që t’i bëjnë këto gjëra. Po mendoj për Napoleonin, diktaturën naziste, atë komuniste”, tha Papa përderisa po kthehej me aeroplan në Vatikan.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian është i nevojshëm, por duhet ta shmangë nxitjen e përçarjeve në mesin e vendeve anëtare. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik. Kjo mund të përfundojë në përçarjen e shteteve dhe shkaktimin e dështimit të BE-së”, tha Papa.

Në dokumentin e javës së kaluar të BE-së i thuhet stafit që të shmanget supozimi se të gjithë janë të krishterë dhe se “jo të gjithë i festojnë festat e krishtera dhe jo të gjithë të krishterët i festojnë ato në datat e njëjta”.

Në vend se të thuhet “periudha e Krishtlindjeve mund të jetë stresuese”, stafi u udhëzua që të thotë “periudha e festave mund të jetë stresuese”.

Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit i Vatikanit, e akuzoi Bashkimin Evropian se po mundohet “t’i prishë rrënjët tona” duke e injoruar – e jo duke e respektuar – trashëgiminë e krishterë të Evropës./GazetaExpress/KultPlus.com

Çfarë fshehin arkivat e Vatikanit?

Për Selinë e Shenjtë misteri dhe intrigat janë më se të natyrshme. Njerëzit përherë do të pyesin se, për çfarë po komplotojnë autoritetet fetare pas dyerve të mbyllura, çfarë thesaresh gjenden brenda kupolave të Vatikanit. Pavarësisht pretendimeve, se Papa zotëron prova për jashtokësorët dhe demonët, të strukura në katakombet e tij, e vërteta e arkivave sekrete është shumë më pranë reales.

Pikërisht kjo e bën të jetë gjithashtu shumë më interesante. Nga letrat e shkruara me dorë të personazheve historikë si Mbretëresha Meri e Skocisë dhe Abraham Linkolni te dekretet që shkishërojnë Martin Luterin, përmbajtja e arkivave mjafton për ta lënë studiuesin me gojëhapur. Megjithatë, po kjo natyrë e nivelit të lartë, që i bën përmbajtjet të duken kaq magjepsëse, njëherazi është ajo që i bën ato të ruhen kaq me fanatizëm. Në të vërtetë, nuk janë provat e alienëve që Vatikani rri larg syrit të publikut, por më shumë dokumentet që mund të provojnë se Kisha ishte bashkëpunëtore në terrorin e sponsorizuar nga pushteti i Musolinit dhe, ndoshta, edhe në masakrat antisemitiste të Hitlerit.

Archivum Secretum

E vërteta prapa arkivave sekrete buron nga përkthimi në mënyrën e gabuar nga latinishtja. Emri aktual i arkivave të Vatikanit është Apostolicum Vaticanum Archivum Secretum. “Secretum” në latinisht nuk do të thotë “sekret”, siç mund të hamendësojnë disa. Më saktësisht, mund të përkthehej në kuptimin “personale” ose “private”. Në fakt, arkivat përbëhen nga letra private dhe të dhënat historike të papëve të mëparshëm përgjatë katër shekujve. Arkivat u krijuan nga Papa Paul V. Papa e kishte të qartë domethënien e rëndësisë historike të letërkëmbimit papnor dhe e dinte që dokumente të tilla duheshin ruajtur. Sidoqoftë, shekulli i 17-të ishte absolutisht i mendimit që njerëzit e thjeshtë nuk duhet të ishin të vetëdijshëm për letërkëmbimet e mretërve dhe papëe. Kështu që arkivave iu vu dryni.

Hyrja në Arkivat Private

Studiuesit u lejuan të shikonin disa nga përmbajtjet e arkivave vetëm në 1881, me lejen e Papa Leo XIII. Sidoqoftë, nuk ishte aspak e lehtë që dikush të shihte dokumentet, për më tepër procedura nuk ka ndryshuar shumë gjatë 200 viteve të fundit. Para së gjithash, gazetarëve, studentëve dhe historianëve amatorë nuk u lejohet qasje. Sapo pala e interesuar të provojë, se ai ose ajo është një studiues mjaft serioz, i jepen letrat kredenciale që duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj. Për të hyrë në arkiva, “studiuesit hyjnë përmes Porta Sant’Anna, kalojnë Rojet Zvicerane, ecin nëpër Oborrin e Belvederes dhe paraqesin letrat kredenciale”, (O’Loughlin, 2014).

Me t’u pranuar, studiuesit duhet të kërkojnë, se cilat dokumente specifike dëshirojnë të rishikojnë. Atyre u lejohet të kërkojnë vetëm tri në ditë. Pra, në vend që të shfletojnë përmbajtjen e arkivit, ata duhet të zgjedhin artikuj nga katalogët ku artikujt janë shkruar me dorë në italisht ose latinisht. Këta katalogë janë mjaft madhështorë, duke marrë parasysh se arkivat përmbajnë “50 milje [80km] rafte dhe dokumente që datojnë nga shekulli VIII” (Keyser, 2015).

“Nëse në vetëm disa minuta ata e kuptojnë se ajo që po kërkojnë nuk është në dosjet e kërkuara, ata janë të detyruar të mbledhin plaçkat për atë ditë – një sfidë për studiuesit që kanë afat ose ata që kanë udhëtuar në distanca të largëta” (O’Loughlin, 2014). Kompjuterët lejohen, por jo fotografimi, kështu që studiuesit e kalojnë shumicën e seancave në sallat e leximit duke mbajtur shënime.

Arkivat e Vatikanit përmbajnë perla me rëndësi historike

Nëse një person ka fatin të ketë qasje në Arkivat e Vatikanit, ai ose ajo do të jetë në gjendje të gjurmojë perla historike të tilla si:

– Rrotulla dorëshkrimi 60 metra të gjatë, që përmban minutat e gjykimit të Kalorësve Tempullarë, i cili zgjati për disa vjet, duke filluar në 1307.

– Inter caetera, dekretin e lëshuar nga Papa Aleksandri VI në 1493, që ndau botën midis spanjollëve dhe portugezëve.

– Një letër të Mikelanxhelos për Papën Julius II.

– Dekreti i vitit 1521 i Papa Leos X, që shkishëron Martin Luterin.

– Lutja që i dërgoi Henry VIII Papës Clement VII në vitin 1530, duke i kërkuar anulimin e martesës së mbretit me Katerinën e Aragonit, e cila përfshin nënshkrimet dhe vulat e mbi 80 lordëve dhe klerikëve anglezë (Papa refuzoi).

– Një letër drejtuar Papës Sixtus V nga Meri, Mbretëresha e Skocisë, që i lutet Kishës të ndërhyjë pak para ekzekutimit të saj.

– Shënime në lidhje me procesin e vitit 1633 kundër Galileut.

– Një letër për Papën Inocent X nga Perandoresha e Madhe Trashëgimtare Helena Wang e Kinës.

– Një letër nga Papa Klementi XII drejtuar Dalai Lamës së Shtatë, që kërkon mbrojtje për misionarët françeskanë në Tibet.

– Letra nga Abraham Linkolni dhe Xheferson Davis (të dyja të shkruara në 1863, asnjëri prej tyre katolik) në përpjekje që Papa Pius IX të jetë në favor të Unionit ose Konfederatës.

Papa Piu XII në ligë me nazistët?

David Kertzer, historiani nga universiteti “Brown”, qe në gjendje të shqyrtonte dokumente nga mbretërimi i Papa Piut XII (1922- 939) dhe arriti në përfundimin se Papa “bëri marrëveshje me Musolinin për të mbrojtur interesin e Kishës në këmbim të heshtjes ndaj antisemitizmit të sponsorizuar nga shteti, një përfundim që bie ndesh me deklaratat e Kishës” (O’Loughlin, 2014). Grupet i bënë presion Papa Françeskut, që të vinte në dispozicion të plotë përmbajtjen në lidhje me Papën Pius XII (1939-1958), në mënyrë që bota të njihej përfundimisht me siguri nëse ishte i përfshirë apo jo me nazistët./Konica.al

Ka zëra se ai e mbështeti Hitlerin, apo ngjashëm me mbështetjen e Kishës për Musolinin, mbase-mbase edhe më thellësisht. Apo, se Papa punoi kundër nazistëve dhe ndihmoi për të fshehur hebrenjtë dhe objektivat e tjerë të agresionit nazist. “Njerëzit flasin, studiuesit flasin. A ka gjëra që nuk po vihen në dispozicion, sepse ato shihen si të pahijshme nga kënvështrimi i Kishës?” – shprehet Kertzer. “Sërish Arkivat Sekrete janë të pajisur me profesionistë, pra ka një vlerësim të njohurive serioze historike”. (O’Loughlin, 2014)

Në mars të vitit 2020, Papa Françesku vuri në dispozicion të historianëve “dokumentacionin themelor të papnatit të Pius XII”, duke u shprehur se kisha “nuk ka frikë nga historia”. Kur studiuesit u mblodhën këtë vit në një webinar, për të diskutuar mbi vlerësimin e arkivave deri më tani, u shprehën: “Ka të ngjarë, të duhen vite për të vlerësuar materialin që Vatikani ka vënë në dispozicion”, – sipas National Catholic Reporter. […]

Arkiva, pak më pak “sekrete”?

Në vitin 2012, me rastin e 400-vjetorit të arkivave, u vunë në dispozicion të publikut 100 dokumente në ekspozitën “Lux në Arcana”. Megjithatë, tradita e dhënies së lejes vetëm për rreth 1000 studiues në vit, për të pasur akses në arkiva vazhdon.

Sipas Papa Françeskut, Arkivat e Vatikanit tashmë nuk janë “sekrete”, përkundrazi ato janë “apostolike”. Në 2019, ai vendosi ta ndryshojë emërtimin shekullor të Archivum Secretum Vaticanum, Arkivat Sekrete të Vatikanit në Arkivat Apostolike të Vatikanit, sepse “në latinisht si secretum (që do të thotë i veçuar, privat) dhe apostolicum (që i përkasin domnus apostolicus, vetëm Papës) i referohen të njëjtit realitet, madje edhe juridik”.

Papa e mori këtë vendim bazuar në nevojën për të përmbushur “ndjeshmëritë” moderne, që shpesh e lidhin fjalën sekretum me idetë e mistereve dhe artefakteve të fshehura të mbyllura në qemere.

Sidoqoftë, Arkivat e Vatikanit mbeten arkivat private të Papës – “varen vetëm prej tij dhe qeverisjes së tij ekskluzive”, – siç konstaton “Vatican News”. / Konica.al / KultPlus.com

1622, Pjetër Budi i dhuron “Doktrina e Krishterë” Bibliotekës së Vatikanit

Më 29 janar 1622, ipeshkvi e shkrimtari shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës së Vatikanit kopjen e veprës së parë të tij “Doktrina e Krishterë“ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” . (Autori ia dha këtë kopje dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.

Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe.

Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Studioi në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore.

Në moshën 21-vjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i të krishterëve’ në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore.  Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.

Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të vështirw.

Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por ipeshkvi imzot Pjetër Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.

Më 1616 imzot Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta.  Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. Kur u kthye në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake, çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt  gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetare e Kishtare dhe e natyrës kombëtare e politike.

Një nga synimet e imzot Pjetër Budit ishte që  të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat  shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminaret, Kishat dhe shkollat filozofie e teologjike, deri tek mjetet për mirëmbajtjen e studentëve e tjera.

Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjes, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar lumin Drin.

Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta.

Të dhënat biografike për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: “… gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona.”

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë, tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?

Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është ‘Dottrina Christiana’ ose ‘Doktrina e Kërshtenë’, një përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: “Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de’ Superiori.”

(Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe i shpallur doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin dhe në mbrojtje të të vërtetave të doktrinës së krishterë, sipas Kishës katolike romake. Vepra ‘Doktrina e Kërshtenë’ e vogël e tij, një vepër që kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh tjera. Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’ prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.

‘Doktrina e Kërshtenë’ në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata  e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të librit.

Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e ‘Doktrina e Kërshtenë’, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrina e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin: “Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv.”

(Rituali Roman dhe Pasqyra e të Rrëfyemit, përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)/Vaticannews/ KultPlus.com

Vatikani: Krishtlindje online për shkak të virusit

Festimet e Krishtlindjeve do të transmetohen në internet këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, konfirmoi një anëtar i ambasadës gjermane në Vatikan.

Ambasadave në Selinë e Shenjtë u është thënë se liturgjitë do të mbahen “privatisht, pa praninë e anëtarëve të trupit diplomatik” dhe do të transmetohen në internet.

Oliver Lahl, përfaqësues i ambasadës gjermane, deklaroi se Vatikani i kishte dërguar një mesazh të tillë në lidhje me periudhën e Krishtlindjeve.

Më 24 dhjetor, papa Françesku zhvillon një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në prani të diplomatëve të akredituar të Vatikanit dhe anëtarëve të zgjedhur të publikut./ atsh/ KultPlus.com

Katër vite nga performanca e magjishme e Rita Orës në Vatikan (VIDEO)

Të gjithë ishin të emocionuar dhe prisnin me padurim mbrëmjen e 3 shtatorit të vitit 2016, mbrëmje kjo e cila kishte mbledhur artistët më me nam shqiptarë në një vend, shkruan KultPlus.

Ishte ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan ajo që bëri bashkë shumë figura të artit dhe sportit shqiptar. Ky koncert madhështor erdhi i organizuar nga Dijana Toska e mbështetur nga Qeveria e Kosovës.

Artistët shqiptarë me famë botërore, si: Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Zajmir Pirgu, Ramë Lahaj e Gëzim Mushketa, u paraqiten me pika muzikore në këtë mbrëmje që për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, do të mbahet mend gjatë. Kurse kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, recitoj poezinë e Nënës Terezë “Dua të kthehem në Shqipëri”, duke bërë kështu që çdo shqiptarë të emocionohet e krenaria të arrijë kulmin.

Por, mos të harrojmë të cekim se në këtë ceremoni morën pjesë edhe dy aktorët e rinj nga Prishtina, Lum Veseli dhe Andi Bajgora.

Ndërsa këngëtarja shqiptare Rita Ora këndoi “What Child Is This” duke mahnitur kështu me performancën e saj.

Papa Françesku firmosi atë kohë dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe ceremonia e shenjtërimit u mbajt në bazilikën e Shën Pjetrit. Sipas këtij vendimi, Nënë Tereza do të ishte shenjtëri ditën e diel, më 4 shtator të vitit 2016.

Data 4 shtator është shënuar në Kalendarin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Më poshtë po ju sjellim performancën e Rita Orës në koncertin humanitar i cili u mbajt për nderë të shenjtërimit të Nënës Terezë më datë 3 shtator 2016. / KultPlus.com

Dy vite nga performanca e magjishme e Rita Orës në Vatikan (VIDEO)

Të gjithë ishin të emocionuar dhe prisnin me padurim mbrëmjen e 3 shtatorit të vitit 2016, mbrëmje kjo e cila kishte mbledhur artistët më me nam shqiptarë në një vend, shkruan kultPlus.

Ishte ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan ajo që bëri bashkë shumë figura të artit dhe sportit shqiptar.

Artistët shqiptarë me famë botërore, si: Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Zajmir Pirgu, Ramë Lahaj e Gëzim Mushketa, u paraqiten me pika muzikore në këtë mbrëmje që për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, do të mbahet mend gjatë. Kurse kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, recitoj poezinë e Nënës Terezë “Dua të kthehem në Shqipëri”, duke bërë kështu që çdo shqiptarë të emocionohet e krenaria të arrijë kulmin.

Por, mos të harrojmë të cekim se në këtë ceremoni morën pjesë edhe xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, si dhe dy aktorët e rinj nga Prishtina, Lum Veseli dhe Andi Bajgora.

Ndersa këngëtarja shqiptare Rita Ora këndoi “What Child Is This” duke mahnitur kështu me performancën e saj.

Papa Françesku firmosi atë kohë dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe ceremonia e shenjtërimit u mbajt në bazilikën e Shën Pjetrit. Sipas këtij vendimi, Nënë Tereza do të ishte shenjtëri ditën e diel, më 4 shtator të vitit 2016.

Data 4 shtator është shënuar në Kalendarin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Më poshtë po ju sjellim performancën e Rita Orës në koncertin humanitar i cili u mbajt për nderë të shenjtërimit të Nënës Terezë më datë 3 shtator 2016. / KultPlus.com