Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- PrizrenFest po vazhdon të shpalosë programin e pasur artistik.
Mbrëmë rrugët e qytetit të Prizrenit ishin mbushur me ngjyra nga mysafirët artistë të Prizren Festit.
Transformimi brilant i personazheve të EKSCENTRIKËVE dhe TEATRISK kanë krijuar situata atraktive dhe komike në rrugët e qytetit të Prizrenit!



Tek sheshi i Lidhjes së Prizrenit janë shfaqur edhe dy shfaqje për fëmijë.
E para ishte PETRUSHI I HUAJ me regji nga Meli Qena, që solli adrenalinë për më të vegjlit e PRIZREN FEST, një shfaqje që fliste për një djalosh çapkën që dëshironte në çdo mënyrë t’i shmanget shkuarjes në shkollë, por që më në fund, e sheh se secila rrugë është më e vështirë dhe më e padobishme se sa mësimi.
Shfaqja tjetër në PRIZREN FEST KIDS ishte MAGJISTARI NGA OZI nga teatri i qytetit të Gjakovës. Një shfaqje e mahnitshme e cila bëri që fëmijët të përjetojnë një udhëtim emocionues në botën e magjisë.



Ndërsa në skenën për të rritur u dhanë dy shfaqje po ashtu. njëra në Kino Lumbardhi dhe tjetra tek Autostrada Biennale Hangar.
Në një udhëtim emocionues të bazuar në histori personale, me dhembje e dashuri deri në momentet e fundit të aventurës jetësore dhe miqësisë, dërgoi shfaqja nga produksionini Francës “ VOYAGE A ZURICH”.
Me një lojë të mrekullueshme të aktorit të shkëlqyeshëm Boyan Arsov, na solli një natë të paharrueshme me satirë, komedi e muzikë shfaqja nga Bullgaria “LUCIFERI”.



PRIZRENFEST falenderon Misionin e OSBE-së në Kosovë, të cilët me mbështetjen e tyre po bëjnë të mundur punëtorinë 5 ditore për fëmijë e cila po vazhdon ende në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të hapur- PrizrenFest./ KultPlus.com
