Filmat e vjetër shqiptar që duhet t’i shohë secili

Komedi, drama dhe filma historikë. Nëse s’keni parë këto filma, bëni mirë të uleni dhe t’i shikoni me radhë.

Skënderbeu (1954)

– Sergei Yutkevich – Filmi flet për jetën e Skënderbeu, nga lindja deri në vdekje. Bazuar kryesisht në veprën e Marin Barletit, filmi nis me rrëmbimin e Skënderbeut nga turqit dhe trajnimin e tij për t’u bërë një nga luftëtarët më mbreësëlëns në Perandorinë Otomane. Më pas, Gjergj Kastrioti kthehet në Atdhe ku edhe organizon rezistencën heroike që zgjati më shumë se 30 vite. Prej tij, perandoria më e madhe në tokë e asaj kohe, nuk arriti të pushtojë Shqipërinë.

Lulëkuqet mbi mure (1976)

– Dhimitër Anagnosti – Filmi është i vendosur në një jetimorë të Tiranës gjatë viteve të pushtimit fashist italian në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Është bazuar në romanin Bonjakët të Petraq Qafëzezit dhe interpretohet mrekullisht nga Timo Flloko, Kadri Roshi, Pavlina Mani, etj. Jetimët e strehës vorfnore, nën urdhërat e drejtorit dhe kujdestarit, detyrohen të pastrojnë parrullat në mure të komunistëve. Katër shokë protagonistë organizojnë plane kundër bashkëpunëtorëve të urryer të fashistëve dhe që këtu filmi zhvillohet gradualisht.

Përrallë nga e kaluara (1987)

– Dhimitër Anagnosti – Për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e prindërve, Gjino 14-vjeçar martohet me mblesëri me Marigonë 20-vjeçare. Gjino bindet, se është fëmijë, ndërsa Marigoja që dashuron një tjetër, përpiqet me lloj lloj mënyrash për t’u larguar. Filmi eksploron rolin e gruas në shoqëri, shfrytëzimin dhe emancipimin e saj. Hajrie Rondo, Robert Ndrenika dhe Elvira Diamanti janë të shkëlqyer në rolet e tyre.

Nëntori i dytë (1982)

– Viktor Gjika – Nëntori i dytë është një film dramatik që shpalos rrugën e ndjekur nga patriotët shqiptarë drejt shpalljes së pavarësisë. Personazhe janë figurat më të famshme të kombit si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi luajtur nga më të mirët e skenës shqiptare.

Zonja nga qyteti (1976)

– Pirro Milkani – Komedia për zonjën dhe të bijën që shpërngulen nga qyteti në fshat është një perlë e kinematografisë shqiptare. E bija e Teto Ollgës, zonjës nga qyteti, bie në dashuri me një djalë nga fshati. Ndërkohë, Ollga s’lë gurë pa lëvizur që të bijën ta martojë me dikë nga qyteti. Një histori e vjetër sa kohë, një komedi që të bën për të qeshur çdo herë që e sheh.

Vdekja e kalit (1992)

– Saimir Kumbaro – Një ndër filmat e parë antikomunistë shqiptarë, Vdekja e kalit flet për Agronin (Timo Flloko), i cili shpëton një kal nga ekzekutimi dhe dënohet nga gjyqi ushtarak. Gruaja e tij, e cila luhet nga Rajmonda Bulku vendos të ndërmarrë masa ekstreme. Të lë një ndjesi të hidhur, të nevrikos dhe është fantastik.

Kapedani (1972)

– Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi – Në Shqipërinë e viteve ’70, një hero i Luftës së Dytë Botërore kthehet në shtëpinë e tij në fshat dhe has probleme me revolucionin kulturor dhe të drejtat e grave dhe të burrave. Në një kontrast brilant mes të resë dhe të vjetrës, Kapedani mund të jetë fare mirë komedia më e dashur shqiptare.

Njeriu me top (1977)

– Viktor Gjika – Bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Dritëro Agolli, Njeriu me top ndjek historinë e konfliktit mes Mato Grudës dhe plakut Mere. Në hangar, Mato mban një top të braktisur nga italianët që ëndërron ta përdorë kundër plakut Mere. Filmi është poetik dhe i paharrueshëm.

Dy herë mat (1986)

– Bujar Kapexhiu – Një tjetër komedi e mrekullueshme me regji dhe rol kryesor nga Bujar Kapexhiu. Ilo Pinci, specialist i midhjes dhe peshkut, njëherazi shahist i njohur, ftohet në një qytet bregdetar për një konkurs shahu. Në të vërtetë, Ilo është më i interesuar për kultivimin e midhjeve dhe i futet konkursit pa teklif, me idenë se do t’i mundë të gjithë pa problem. Rudina e vogël i vërteton të kundërtën.

Koncert në vitin 1936 (1978)

– Saimir Kumbaro – Një këngëtare e re Donika dhe një pianiste Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken oksidentalë por që në thelb janë të konfrontuar me njëri tjetrin.

Liri a vdekje (1979)

– Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj – Komitët të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat te njerëzit e tyre para se të ekzekutojnë bimbashin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër Mashkullorës krahinë e cila kthehet në një lapidar të rezistencës Shqiptare për pavarësi. Nën interpretimin brilant të Timo Fllokos, Kadri Roshit, Kastriot Çaushit, Bujar Asqeriut, Reshat Arbanës, e plot të tjerëve.

Prefekti

– Besim Levonja – Artisti i Popullit Robert Ndrenika interpreton Qazim Mulletin. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla. /anabel/ KultPlus.com

30 vite pas premierës së parë, shfaqet i restauruar për publikun filmi ‘Vdekja e kalit’

“Vdekja e Kalit” drama e parë filmike pas rënies së diktaturës  rishfaqet 30 vite pas , tashmë i restauruar, me cilësi të re të figurës por edhe zërit nga Arkivi i Filmit.

Protagonistët nuk fshehin emocionet e ringjalljes së filmit.

Regjisori Saimir Kumbaro, kujton problemet e shumta të filmit për shkak të buxheteve të ulta.

Timo Flloko, e cilëson rol të veçantë atë të Agron Kurtit.

Vdekja e kalit shkak i problemeve teknike, nuk u mundësua vite më parë që të marr pjesë në festivalin e Canës, kujton Flloko.

Rajmonda Bulku, në këtë premierë, kujton porosinë e kritikëve të huaj  për ruajtjen e autenticitetit në kinemanë shqiptare.

Filmi realizuar në vitin 1992 mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës she syrin e drejtorit të fotografisë Bardhyl Martiniani. Me interpretim Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri.

Tashmë “Vdekja e kalit“ mund të ketë një jetë të re ne festivalet e filmit në retrospektiv./abcnews/KultPlus.com

Filmi i restauruar ‘Vdekja e Kalit’ me audiencë nga e gjithë bota

Filmi shqiptar me titullin “Vdekja e Kalit” pas restaurimit u shfaq për publikun me cilësi të re të figurës por edhe të zërit.

Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992. Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri janë ndër aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.

Ky film u mendua që të rishfaqet edhe një herë tjetër për publikun, por tashmë me këtë cilësi maksimale. Shfaqja u bë në kanalin zyrtar të YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga datat 19 deri më 26 maj. Për publikun ndërkombëtar u mendua edhe shoqërimi i tij me titra në anglisht.

Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Gjithashtu filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori, dhe kineastit australian, Steven Kastrissios.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën me dije se “gjatë ditëve që u shfaq ky film, u ndoq nga 2977 shikues kudo në botë. Shikuesit ndër të tjera ishin nga Japonia në Gjeorgji, të cilët e  ndoqën online restaurimin Vdekja e Kalit, ndërsa vijnë lajme të mira nga partnerët tanë në laboratorin Cinegrell, Zvicër – ku po restaurohet filmi i parë artistik shqiptar, Tana”.

AQSHF falënderon Cinegrell dhe supervizoren Louise Burkart. /atsh/ KultPlus.com

Sonte shfaqet preimera e restaurimit të filmit ‘Vdekja e Kalit’

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të prezantojnë online versionin e restauruar të filmit artistik ‘Vdekja e Kalit’ i vitit 1992 me regji nga Saimir Kumbaro, përcjell KultPlus.

Filmi shfaqet falas në të gjithë botën, me titra anglisht, për një javë nga data 19 deri më 26 maj me fillim nga ora 19:00 në kanalin në YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Titullarja e Arkivit, Iris Elezi, do të mbajë një prezantim hyrës mbi filmin e parë dramatik të realizuar pas rënies së regjimit komunist.

Restaurimi dhe prezantimi i filmit ‘Vdekja e Kalit’  (The Death of a Horse) u mundësua falë programit Sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) që AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA.

Filmit u restaurua falë punës së ekspertit Izraelit të restaurimit, Shai Drori, dhe kineastit Australian, Steven Kastrissios./ KultPlus.com

 

Filmi “Vdekja e Kalit” projeksion të veçantë në “Season of classic films”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili vitin e kaluar u bë anëtar i Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE) këtë vit do marrë pjesë në “Season of classic films” (Një sezon i filmave klasik).

Lajmit është bërë i ditur nga vetë Arkivi në faqen zyrtare në Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive 2020.

Mes 50 filmave klasikë evropian që do të shfaqen nga Dhjetor 2020 në Qershor 2021, do të jetë edhe versioni i restauruar i filmit shqiptar “Vdekja e Kalit”.

“Season of classic films” është një seri shfaqjesh falas të planifikuara nga dhjetori 2020 deri në qershor 2021 në të gjithë Evropën për të rritur ndërgjegjësimin për punën e arkivave evropiane të filmave kombëtar dhe rajonal, veçanërisht tek të rinjtë. Shumica e filmave janë restaurime të reja dixhitale dhe disa shfaqje përfshijnë elemente emocionuese të tilla si shfaqje të drejtpërdrejta ose muzikë elektronike eksperimentale. Me 22 institucione pjesëmarrëse, nisma synon gjithashtu të mbështesë rihapjen e arkivave evropianë të filmit, të gjithë të prekur nga kriza COVID-19.

Filmi “Vdekja e kalit” është prodhuar në vitin 1992 me regji të Saimir Kumbaro dhe skenar Nexhati Tafa.

Në 1975 një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili kishte ngritur fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Pas dënimit të të gjithë të implikuarve në grushtin e shtetit, kalohet në zhdukjen e çdo lloj vepre për të cilën mund të mbajnë meritë “puçistët”. Kjo shënon fillimin e ekzekutimit të kuajve. Bëhet fjalë për kuajt e racës Arba. Agroni (protagonisti) shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Pas kësaj jeta e tij fillon të copëtohet.

E shoqja, nën presionin e prindërve dhe motrës, kërkon divorcin dhe aborton fëmijën që priste. Për pasojë vdes nga një hemorragji, pasi aborti ishte kryer në mënyrë klandestine. Mbas përmbysjes së sistemit, të dënuarit politikë lirohen dhe Agroni, të cilin nuk e pret askush te dera e burgut, kërkon prindërit në shtëpinë ku banonin, por mëson se i kanë internuar menjëherë pas dënimit të tij. Më në fund takon “xhelatin” e tij, që në sistemin e ri ka bërë përsëri karrierë dhe është zgjedhur deputet. Filmi mbyllet me protagonistin “në rrugë të madhe” dhe antagonistin duke ngjitur shkallët. Ky është filmi i parë shqiptar që ve në dukje anët negative të sistemit komunist për shoqërinë shqiptare. Ai përfaqëson një nga pasqyrimet më realiste të përndjekjes politike gjatë Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri./ KultPlus.com