Vdes regjisorja shqiptare Drita Agolli

Ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare, regjisorja e njohur shqiptare Drita Agolli.

Drita Agolli (Strazimiri) lindi më 2 qershor të vitit 1927 në Maqellarë të Peshkopisë, ishte aktore, regjisore dhe pedagoge e njohur shqiptare.

Në vitin 1950 filloi punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951. Në 1954 Drita Agolli ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të 1956 vijon studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunaçarskit për regji teatri. Pasi diplomohet në atdhe, në 1960 emërohet në Teatrin Popullor, si aktore, por pas vitit 1963, e emëruar tashmë regjisore në Teatrin Kombëtar, ve në skenë disa pjesë të suksesshme të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.

Ndër rolet e saj janë Marieli te “Zëri i Amerikës”, Bianka tek “Otello”, Gertruda te “Hamleti”, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë”, Ortensia te “Zonja e Bujtinës”, Drita te “Mbi gërmadhat”, Anarda te “Qeni i kopshtarit”, Elena Andrejevna te “Qeni i kopshtarit”, etj.

Si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar disa vepra, si “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Tokë e zjarrtë”, “Lumi i vdekur”, “Pabesia”, “Luiza Miler”, “Familja e peshkatarit”, etj. Në vitin 1974, ajo u emërua shefe e Katedrës së Dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura.

Ceremonia e varrimit për aktoren e regjisoren e mirënjohur do të zhvillohet të enjten në orën 14:00. / KultPlus.com