Vdes aksidentalisht gjatë performancës një pjesëtar i teatrit ‘Bolshoi’ në Moskë

Nga një aksident ka vdekur një interpretuese në teatrin Bolshoi të Moskës derisa ishte duke marrë pjesë në një operë, deklaruan nga teatri.

Bolshoi, një nga teatrot më prestigjioz në Rusi, tha se incidenti ndodhi gjatë një ndryshimi të peisazhit skenik në Sadko, një operë nga kompozitori rus, Nikolai Rimsky-Korsakov.

“Opera u ndal menjëherë dhe auditorit iu kërkua të largohej”, thanë nga teatri në deklaratat e transmetuara nga agjencia e lajmeve Interfax.

Komiteti Hetues, organi që heton krimet e rënda, ka deklaruar se janë duke i hetuar rrethanat që lidhen me vdekjen e interpretuesit 37-vjeçar, të cilit nuk ia kanë bërë të ditur identitetin./en/ KultPlus.com

Vdes John Cornell, komediani i njohur australian

Personaliteti i njohur australian, John Cornell ka vdekur në moshën 80 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

I lindur në Kalgoorlie në vitin 1941, Cornell u zhvillua shpejt në fushën e gazetarisë, ku u bë pjesë e Daily News në Perth, ku më pas u bë redaktor në moshën 26 vjeç.

Më vonë ai shfaqi talentin e tij përmes gazetarisë duke u bërë producent i “A Current Affair”.

Gjatë punës në këtë program, ai u takua me aktorin australian, Paul Hogan dhe të dy formuan një dyshe të njohur komedie, ku Cornell luajti personazhin shumë të dashur “Strop”, transmeton KultPlus.

Cornell gjithashtu punoi me Kerry Packer me të cilin krijoi Cricket World Series.

Në një deklaratë të lëshuar nga familja, Cornell u cilësua si “një nga dritat kryesore të Australisë”.

Ai vdiq të premten në mëngjes në shtëpinë e tij në Gjirin e Bajronit, në Bregun e Veriut të New South Wales./ KultPlus.com

Vdes Tom O’Connor, komediani i njohur britanez

Komediani i njohur Tom O’Connor ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

Ai ishte diagnostifikuar me sëmundjen e Parkinsonit para 14 vitesh, ndërsa ka ndërruar jetë të dielën në spital, transmeton KultPlus.

O’Connor lindi në Bootle, ndërsa para karrierës së tij si comedian ai ka dhënë mësime në matematikë dhe muzikë.

Ai ishte pjesë e shfaqjeve si “The Comedians”, “I Got Got a Secret”, “The Zodiac Show” e “Gambit dhe Pick Pockets”. / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur, Ned Beatty

Ned Beatty një nga figurat më emblematike e televizonit amerikan ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare.

Sipas TMZ, Beatty vdiq në shtëpinë e tij në Los Angeles dhe po si pas kësaj faqeje vdekja e tij nuk ka lidhje me COVID-19.

Familja e aktorit ka deklaruar se nuk duan të japin shumë detaje për publikun në lidhje vdekjen e aktorit dhe kërkuan nga njerëzit që të respektojnë privatësinë e tyre.

Beatty u bë i famshëm në 1976 përmes filmit ‘Rrjeti’’ ku ai kishte një monolog 6 minutësh.

Gjithashtu ai ka marrë pjesë dhe në filmat e njohur si ‘Supermen’ dhe ka dubluar filmat e animuar ‘Rango’ dhe Toy Story 3.

Dhe televizioni ishte një terren shumë i njohur për aktorin i cili ishte i ftuar në shumë shfaqje të njohura si Gunsmoke , MASH , Hawaii Five-O , The Rockford Files , The Streets Of San Francisco , Highway To Heaven , It’s Garry Shandling’s Show .

Aktori ishte i martuar katër herë dhe ka 8 fëmijë: katër fëmijë me gruan e tij të parë Walta Abbot, dy nga martesa e tij me Belinda Beatty dhe dy nga gruaja e tretë Dorothy Lindsey. / KultPlus.com

Vdes Lucinda Riley, mbretëresha e romaneve rozë

Vdiq sot në moshën 55-vjeçare Lucinda Riley, mbretëresha e romanit të famshëm rozë ”Shtatë motrat”, dhe jo i vetmi, që e bëri të famshme në të gjithë botën.

”Me shumë keqardhje që po ju komunikojmë që Lucilda ndërroi jetë paqësisht këtë mëngjes e rrethuar nga familja e saj që ishte aq e rëndësishme për të”, shkroi familia e saj përmes një postimi në rrjete sociale, përcjell KultPlus.

”E kuptojmë që kjo do të jetë një tronditje e tmerrshme për shumë njerëz që nuk ishin në dijeni të gjendjes të saj shëndetësore në luftë me kancerin”, shtuan familjarët.

Në vitin 2020 ajo mori çmimin ”Dutch Platinum” për shitjen e mbi 300 000 kopjeve për një roman të vetëm në një vit.

”Lucinda preku jetën e të gjithëve që takoi dhe e atyre që kanë lexuar faqet e tregimeve të saj. Ajo lëvdoi dashurinë dhe mirësinë në gjithçka që ajo bëri dhe do të vazhdojë të jetë na frymëzojnë përgjithmonë”, deklaroi familja e saj.

E lindur në Lisburn, Irlandë më 16 shkurt 1966, Riley, e cila pati edhe një karrierë aktrimi në film, teatër dhe televizion, e kishte shkruar librin e saj të parë në moshën 24-vjeçare.

Romanet e saj janë përkthyer në 37 gjuhë dhe janë shitur në mbi 30 milionë kopje në të gjithë botën. / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur, Norman Lloyd

Aktori i njohur, Norman Lloyd është ndarë nga jeta në moshën 106-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë djali i Lloyd, Michael Lloyd, i cili tha se i ati vdiq të martën në shtëpinë e tij në lagjen Brentwood të Los Angeles.

Karriera e Lloyd daton që në dramat më të hershme amerikane, si ajo e vitit 1939, “On the Streets of New York”, deri tek projektet e shekullit të 21, si “Modern Family” dhe “The Practice”.

Roli i tij më i famshëm është ai në filmin e vitit 1942, “Saboteur”, drejtuar nga Hitchcock, i cili gjithashtu e përfshiu Lloyd edhe në thrillerin klasik të vitit 1945, “Spellbound”.

Role të tjera të tij përfshijnë filma si: “The Southerner” të Jean Renoir, “Limelight” të Charlie Chaplin, “Society Poets Dead” me Robin Williams, “In Her Shoes” me Cameron Diaz dhe “Gangs of New York” me Daniel Day-Lewis. / KultPlus.com

Vdes këngëtarja e njohur, Anita Lane

Dje është bërë e ditur se në moshën 61-vjeçare ka vdekur Anita Lane, përcjell KultPlus.

Lane ka qenë kantautore dhe bashkëpunëtore e kahmotshme e Nick Cave and the Bad Seeds. Ndërkaq, shkaku i vdekjes së këngëtares akoma nuk është bërë i ditur.

Ajo u kujdes të shkruante tekste të këngëve dhe prodhoi dy albume të artistit: Dirty Pearl 1993 dhe Sex O’Clock 2011. / KultPlus.com

Vdes aktori shqiptar Koço Devole

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur i humorit shqiptar Koço Devole. Ai ishte shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë pasi ishte infektuar me Covid-19.

Pasi shfaqja shenja përmirësimi ai u rikthye në shtëpi. Por gjendja e tij u rëndua sërish, ndonëse djali i tij tha për ABC se i ati kishte rezultuar negativ në tamponin e parë. Devole u shtrua sërish në spitalin Infektiv rreth një javë më parë ku u fut në intubim.

Gjendja shëndetësore e tij ishte e komplikuar për shkak edhe të sëmundjes së leuçemisë nga e cila aktori vuante prej vitesh. Ai jetonte në Tiranë me djalin e tij, ndërkohë që bashkëshortja dhe vajza janë zhvendosur në SHBA. Kjo e fundit kishte ardhur në Shqipëri përgjatë ditëve të fundit për t’i qëndruar pranë të atit.

Koço Devole ishte një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karrikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skeçe dhe komedi janë nga më të njohurit për publikun shqiptar. / KultPlus.com

Vdes në moshën 73-vjeçare gazetari Jusuf Salihu

Në moshën 73 – vjeçare, sot, ndërroi jetë Jusuf Salihu, gazetari shumëvjeçar i Rilindjes, prijësi e organizatori i krijimi të sistemit paralel shqip në komunën e Podujevës.

Në moshën e ri filloi punën si arsimitar i gjuhës shqipe, në Bradash e Bajçinë të Podujevës, për të nisur pastaj një karrierë të bujshme në gazetari, fillimisht si korrespodent i “Rilindjes” nga Podujeva, e pastaj si gazetar, redaktor e zëvendëskryeredaktor i Rilindjes.

Gjatë periudhës së okupimit serb, ishte në ballë të organizimit të sistemit paralele të arsimit shqip në Llap, duke u vënë shkollave emrat e dijetarëve e heronjëve tanë, në rrugën te pakthyeshme të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Ishte model në nivel të Kosovës për këtë organizim.

Për shkak të aktivitetit të tij kombëtar e patriotik, në vitin më të errët të gjenocidit serb ndaj kuadrove intelektuale Jusufi përjetoi një golgotë të vërtetëduke u ndodhur nën peshën e pendrekut dhe shufrave të hekurta të policisë, gjë që e la me pasoja tërënda shëndetësore.

Shënim biografik për autorin:

Jusuf Salihu u lind më 27 mars të vitit 1947, në katundin Peran të Llapit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Podujevë, ndërsa Fakulztetin filologjik, dega letërsi, në Prishtinë. Punoi në arsim në katundet Bajçinë dhe Bradash.

Herët u inkuadrua në gazetari, deri në pensionim. Me shkrime letrare filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme, bashkëpunoi me të gjitha organet letrare e reviale të kohës. Mori pjesë në shumë konkurse letrare dhe u laurua edhe me shpërblime për krijime në prozë dhe eseistikë.

Librin e parë me tregime “Ora pa numra”e botoi në vitin 1979, të cilin kritika e priti me admirim.Të dytin “Shën Vetja” në vitin 2013.

Vdiq njëri prej kitaristëve më me nam të botës, Eddie Van Halen

Eddie Van Halen, një nga kitaristët më të mëdhenj të botës, bendi i të cilit, Van Halen, ishte një prej më të njohurve të të gjitha kohëve, ka vdekur të martën në moshën 65-vjeçare.

I biri i tij, Wolfgang ka thënë përmes një deklarate se babai i tij kishte “humbur betejën e gjatë dhe të mundimshme me kancer”.

Van Halen kishte qenë një prej kitaristëve më me nam të brezit të tij.

Eddie dhe vëllai i tij, Alex e themeluan grupin Van Halen në fillimin e viteve shtatëdhjetë në Los Angeles, që do të debutonte me album më 1978.

Albumi do të zinte menjëherë numrin 19 në Billboard, duke u bërë një prej debutimeve më të suksesshme të dekadës./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta regjisori i njohur Gjergj Xhuvani

Është ndarë nga jeta ditën e sotme, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani.

Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ‘Liqeni im’. Ai ishte gjithashtu, autori i filmave të suksesshëm pas viteve ‘90, ndër të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.

Xhuvani do të përkujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë shqiptare./Gazeta Liberale / KultPlus.com

Vdes poeti e përkthyesi Nehat Hoxha

Është ndarë nga jeta sot Nehat Hoxha, poeti, që në vitin 1990 kishte shkruar veprën “Vdekja e poetit”. Hoxha ishte edhe ekonomist, si dhe përkthyes e redaktori i shumë librave. Ishte edhe autor i shumë teksteve të këngëve.

Anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ishte po ashtu laureat i shumë çmimeve letrare.

Lajmin për vdekjen e poetit e ka bërë me dije vëllai i tij, kitaristi i njohur Shefqet Hoxha.

“Lamtumirë Vëlla… Shihemi në një jetë më t’mirë…!”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook, të cilën e ka shoqëruar me një foto të përbashkët me tashmë të ndjerin.

Nehat S. Hoxha u lind në Ferizaj, më 1951. Edukimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe Provimin e posaçëm profesional për punë të tregtisë së jashtme (specializim) në Beograd.

Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi, tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka përkthyer edhe shume filma artistikë, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor.

Pos veprës “Vdekja e poetit”, ai ka shkruar edhe veprat “Lindje në plojë”, Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992; “I mërguar në atdhe”, Druck Art, Prishtinë, 1996; “Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996; si dhe “Oguri”, roman, Ministria e Kulturës, 2003.

Vepra të përkthyera nga anglishtja:

1. T. Williams, “Menaxheria e qelqtë” (dramë), 1983
2. L. Hjuz, “Mbretëria e frushkullit”, (Poezi), 1985
3. R. Tagore, “Bukurezat”, (Poezi), 1986 4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
5. O. Uajlld, “Kallëzime”, (Tregime për fëmijë), 1988
6. U. B. Jejts, “Ringjallja” (Katër drama), 1989
7. E. A. Poe, “Politiani”, (Dramë), 1989
8. L. Gillis, “Korb midis egërsirash”, (Dramë), 1987
9. S. Beket, “Fundi i Lojës”, “Jehona, Shkup, (Dramë), 1987
10. K. Marlo, “Dr. Fausti kobzi”, (Dramë), 1989
11. N. Shop, “Furka e mistershme”, (Dramë), 1990
12. A. Gajtani, “Lule më lule”, (poezi, nga shqipja në gjuhën serbo-kroate, Tuzla, BH) 1989;
13. O. Uajlld, “Je ai që je”, (Dramë), 1988
14. F. A. Hajek, “Individualizmi dhe rendi ekonomik”,“Eureka, Prishtinë, 1996;
15. Panteon i Laureatëve të Çmimit Nobel për ekonomi: prej klasikëve deri në shekullin tonë;
16. O. Uajlld, “Saloma”, (Dramë) 1985 17. T. S. Eliot, “Vrasja në Katedrale”, (Dramë), 1988 18. Kënga e Rolandit, 1987

Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri

Sot në moshën 67 vjeçare ndërroi jetë albanologu Robert Elsie. Kësisoj mëngjesin e së hënës shumë shkrimtarë, studiues e artdashës përmes rrjeteve social shprehën ngushëllimet e tyre për albanologun Elise.

Një i tillë vjen edhe nga shkrimtarja Flutura Açka, e cila përpos të tjerash ka treguar edhe amanetin e Robert Elsie, i cili donte të prehej në Shqipëri, shkruan KultPlus. Me këtë rast Açka, i ka kërkuar ministres Mirela Kumbaro dhe kryeministrit Edi Rama, që ta bëjnë të mundur këtë gjë.

Po sjellim të plotë shkrimin e Flutura Açkës:

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”, ka shkruar Açka./ KultPlus.com