Mbrëmë në Pallatin e Rinisë të Kosovës, u shënuar një ngjarje historike për kulturën muzikore të vendit. Ishte hera e parë që Radio Televizioni i Kosovës organizoi Festivalin e Këngës, një manifestim i madh që ka për qëllim të bëjë një kthesë serioze për muzikën shqipe dhe duke e shtruar rrugën për në Eurosong, shkruan KultPlus.
Edicioni i parë zyrtar i këtij festivali filloi në orën 21:00 dhe nisi në mënyrë spektakolare. Pallati i Rinisë u bë ambienti ku u mblodhën artistë, muzikantë, pjesëmarrës, dhe mysafirë të ndryshëm për të festuar muzikën dhe talentet e Kosovës.
Një moment i veçantë i kësaj mbrëmje ishte edhe paraqitja e këngëtares Dafina Zeqiri, e cila solli një performancë të mrekullueshme live me këngën e saj të njohur “Veç ti”.
Me zërin e saj të fuqishëm dhe emocionin e transmetuar nëpërmjet këngës, ajo bëri të pranishmit ta duartrokisnin fort.
Dafina Zeqiri është një artiste e njohur në skenën muzikore kosovare dhe performanca e saj në këtë festival sigurisht që ishte e mirëpritur nga ana e publikut të cilët ka kohë që e kanë kërkuar Dafinën që të jetë edhe garuese në këtë festival dhe jo vetëm mysafire. / KultPlus.com