Nëse hipizmi në Shqipëri do të kishte qenë një sport po aq popullor sa futbolli, padyshim që emrat e dy vëllezërve me origjinë arbëreshe Piero dhe Raimondo D’Inzeo, do të ishin shumë të njohur.
Dominues në gjysmën e parë të shekullit të XX në arenën ndërkombëtarë të këtij sporti, ata ishin triumfues në pothuajse të gjitha kampionatet e kohës, dhe me të drejtë konsiderohen ndër kalorësit më të rëndësishëm të shekullit të XX-të.
Piero i datëlindjes 1923 (Romë) dhe Raimondo D’Inzeo (Rieti), dy vite më i vogël, iu përkushtuan hipizmit që në moshë shumë të re nën kujdesin gjithnjë e më vigjilent të babait Costante, marshall i kavalerisë italiane dhe themelues në 1934 i Società ippica Romana.
Origjina e tyre është nga Montecilfone (Munxhufuni në shqipen e arbëreshëve), në provincën e Campobasso-s, ku shtëpia e familjes D’Inzeo ndodhet në sheshin Skënderbej.
D’Inzeot janë me emër në komunitetin arbëresh të zonës. Pasquale D’Inzeo, gjyshi i dy kampionëve, ka qënë kryetar i bashkisë nga 1896 deri më 1902 në kohën e monarkisë italiane. Duke ndjekur gjurmët e të atit Piero do bëhej major i kavalerisë ndërsa Raimondo kavalier në rradhët e armës së Karabinierëve. Me kalimin e viteve të dy do të rafinonin teknikën duke lënë të kuptohej se tashmë ishin gati për ç’do sfidë.
Pjesmarrës në tetë lojra olimpike rresht, nga Londër 1948 e deri në Montreal 1976, rekord për atletët italian, dy vëllezërit do të fitonin gjashtë medalje secili. Dy argjendi dhe katër bronzi për Pieron, ndërsa një ari, dy argjendi dhe tre bronzi per Raimondon i cili do shpallej dhe dy herë rrjesht kampion bote. Ky i fundit do të përzgjidhej si “kalorësi më i mirë në histori” nga një grup gazetarësh dhe ekspertësh të hipizmit botëror.
Të panumërta janë triumfet e tyre në kompeticione të ndryshme. Një ndër garat e preferuara nga Piero qe padyshim konkursi i përvitshëm ndërkombëtar Piazza di Siena, që mbahet nga 1926-ta, në të cilin rezulton të jëtë kalorësi me më shumë fitore, plot shtatë kundër katër të të vëllait. Duke filluar nga viti 2014 kompeticioni Piazza di Siena ka marrë emrin Master Fratelli D’Inzeo për nder të dy vëllezërve arbëresh legjenda të hipizmit botëror. Sot ata nuk jetojnë më por mësimet dhe veprat, jo vetëm sportive, që kanë lëne pas janë emblematike. Vlerat familjes, të sportit dhe të uniformës, si dhe dedikimi i jetës ndaj një disipline kaq fisnike janë receta e suksesit të këtyre figurave, ambasador, në një farë mënyre, të një “shqiptariteti” që na bën të ndjehemi krenar. /diasporashqiptare/ KultPlus.com