Mediat italiane: ‘Syri i Kaltër’ parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë (VIDEO)

“Syrin e Kaltër”, ky vend i cili tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota, mediat italiane e kanë quajtur si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për të iu uruar një ditë të mbarë ndjekësve të tij në Facebook ka zgjedhur një mënyrë më të veçantë. Ai ka shpërndarë një artikull për atraksionin turistik në Shqipëri, “Syrin e Kaltër” i publikuar në mediat italiane.

Një pjesë nga reportazhi mund ta lexoni më poshtë:

“Burimi i Syrit të Kaltër”, një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë. Duket tamam si një sy i bukur ngjyrë blu. Quhet “Burimi i Syrit të Kaltër” falë ngjyrës së kristaltë të ujërave të tij dhe formës e cila ngjan tamam si një sy të madh. Syri i Kaltër, në gjuhë origjinale, është një burim natyror në zemër të Shqipërisë, një perlë e re e turizmit veror Mesdhetar e cila të surprizon vazhdimisht. Bëhet fjalë për një burim karstik vetëm njëzet e dy kilometra në lindje të Sarandës, vendpushimi bregdetar më i famshëm dhe i gjallëruar përgjatë “Rivierës Shqiptare” në shpatet perëndimore të Malit të Gjerë. Temperatura e ujërave të këtij burimi është rreth 12°C, por thellësia e tij ende nuk dihet.

Shkëmbi i bardhë gëlqeror që i bën sfond këtij burimi, e ngjyros atë me ngjyra të mrekullueshme dhe, sipas legjendave, ai mund të vizitohej vetëm nga anëtarët e partisë gjatë periudhës komuniste. Ndërsa pjesa e brendshme e burimit ka një ngjyrë blu të errët, të ngjashme me beben e një syri, pjesa e jashtme ka tonalitete më të hapura, njësoj si një iridë. Për të mbërritur aty mjafton një shëtitje në këmbë prej rreth dy kilometrash prej udhëkryqit në rrugën kryesore që lidh Sarandën dhe Gjirokastrën dhe, edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë, tipike të Shqipërisë.

Gjelbërimi i dendur i lisave që rrethojnë burimin, ku fluturojnë të lira qindra flutura dhe pilivesa, edhe ato me një ngjyrë blu elektrike, e bën atë vendin ideal për të organizuar një piknik, ose për të konsumuar diçka në barin dhe restorantin e zonës ku gatuhen pjata tipike dhe të shijshme, ndërsa nga tarraca mund të sodisni pamjen e burimit./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=NwVe803_a78