Shtatorja e Skënderbeut do të vendoset në Sicili

Në Sicili të Italisë do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Kështu ka njoftuar shoqata shqiptare “Hora e Skënderbeut”, raporton Klan Kosova.

Në Zvicër, kohë më parë u themelua Shoqata Shqiptare “Hora e Skënderbeut”, në përputhje me të gjitha normativat ligjore të shtetit helvetik.

Ideja për themelimin e  shoqatës ishte projekti për dërgimin e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në komunitetin arbëresh në Itali, ku në mbi 50 ngulime ka rreth 30 buste të Gjergjit, por asnjë shtatore.

Ndërsa që heroi kombëtar në mesin e arbëreshëve prej shekujsh trajtohet si “Mbret i Arbërisë”.

“I prirë nga dashuria për Kryetrimin tonë, aktori me banim në Zvicër, Veli Berisha, ishte i pari shfaqi dëshirën duke kontribuar edhe materialisht për këtë monument, vepër e skulptorit të mirënjohur prishtinas, Gëzim Muriqi. Kryesia e shoqatës vendosi që kjo vepër ti dhurohet vëllezërve të një gjaku në Hora të Arbëreshëve në Sicili, që njihet si kryeqendra e identitet arbëror, e ku me dashuri e fanatizëm ruhet gjuha, traditat dhe simbolet kombëtare. Kryesia e Shoqatës sonë vuri që në fillim kontakt me kryetarin e Bashkisë së Horës z. Rosario Petta dhe personalitetet e fushave të artit e kulturës në Hora të Arbëreshëve të cilët këtë lajm e mirëpritën dhe u zotuan edhe për sigurimin e lokacionit”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Shtatorja, me një pamje madhështore prej 3 metrash është relativisht e kushtueshme, ndaj edhe shoqata ka hapur një llogari bankare për mjete financiare.

Pritet që për këtë të kontribuojnë sa më shumë mërgimtarë, pavarësisht ku jetojnë e ç`shumë paguajnë, që kjo të jetë një vepër e përbashkët për mërgatën më të hershme shqiptare, siç është kjo e arbëreshëve në Itali.

“Tash kur po e promovojmë faqen e shoqatës sonë me rastin e përvjetorit të kalimit në pavdekësi të Heroit tonë Kombëtar, Kryesia e Shoqatës ‘Hora e Skënderbeut’, nga nesër deri më 21 janar do ti bëjë një vizitë Horës së Arbëreshëve për të biseduar për veprimet e konkrete rreth dërgimit të shtatores, me që rast pritet të caktohet edhe termini i inaugurimit. Kësaj vizite do ti bashkohet edhe studiuesja e botës arbëreshe, Dr. Ornela Radovicka”, thuhet tutje në komunikatë.

‘Guri i Nënës Pashkë’ vendoset në listën e trashëgimisë kulturore

Guri i Nënës Pashkë, dhe asete të reja i janë shtuar listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore të Gurit të Nënës Pashkë, ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj qështjeje.

Kësaj liste i janë bashkangjitur edhe  Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut.

Postimi i plotë i Kryeministrit Kurti në facebook:

Guri i Nënës Pashke, Spitali ushtarak i Gradicës, Përmendorja e Minatorëve, lokali “Panda” në Pejë, Xhamia e Sfircës, Varri i Don Mikel Tarabulluzit, afreskat romake të Dresnikut, pasurojnë listën e trashëgimisë kulturore

Kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore. Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë “shpirtërore” ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse.”

Derisa procesi i mbrojtjes së përhershme po vazhdon me dinamikë të shtuar, listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme i shtohen edhe 23 asete të reja.

Doktor Lec Gradica nuk u ndalë së ushtruari profesionin e tij deri në momentin që ra dëshmor për lirinë e Kosovës. Oda e familjes së tij në Gradicë të Drenasit ishte shndërruar në spital ushtarak të zonës ku ai i shëronte ushtarët e plagosur të UÇK-së. Kjo shtëpi tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit për t’u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për doktor Lecin dhe mjekët e tjerë dëshmorë të Kosovës.

Në mbrojtje shtetërore merret edhe Përmendorja e Minatorëve në komunën veriore të Mitrovicës, e ndërtuar më 1973 dhe që për autor ka disidentin serb, njërin ndër kundërshtarët më të guximshëm të Millosheviqit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq.

Më 14 dhjetor 1998 në lokalin “Panda” në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën.

Xhamia e Sfircës, e ndërtuar në vitin 1890, është objekti më i vjetër në komunën e Kamenicës. Ky simbol i identitetit kulturor e fetar, konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të kësaj ane.

Don Mikel Tarabulluzi ka qenë mësuesi i parë shqiptar në Kosovë. Në një ambient ku jetonin shqiptarë dhe kroatë, ai hapi shkollën e parë shqipe dhe shërbeu edhe si prift edhe si mësues.

Afreska të periudhës romake të gjetura në Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut në Klinë, shtëpi tradicionale e kulla shqiptare që i kanë rezistuar shekujve, mullinj, shkolla, kisha, janë pjesë e listës së fundit të aseteve që morën statusin e mbrojtjes ligjore./KultPlus.com