Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës çelën ekspozitën “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo ekspozitë është një ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet organizuar nga BKSH-ja. Rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800, janë pjesë e kësaj ekspozite dhe pjesa më e madhe e tyre shfaqen për herë të parë në publik.
Ekspozita ndahet në disa seksione. Seksioni i parë, i kushtohet historisë së Venecias, si një prej qendrave më të rëndësishme të Rilindjes Europiane, e cila në periudhën mes viteve 1400 dhe fundit të viteve 1700, ishte qendra e shtypshkrimit në Europë. Qendër e cila luajti një rol të madh për të risjellë në Europë mjaft prej autorëve të antikitetit greko-romak, apo dhe bizantinë, të përkthyer në latinisht apo italisht. Në këtë seksion prezantohen një sërë veprash të rralla, disa prej të cilave janë botuar prej disa prej tipografëve dhe botuesve më të famshëm venecianë, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali, Girolamo Albrizzi etj.
Seksioni i dytë, i kushtohet Shqipërisë dhe Greqisë, vende këto ku Venediku pati një ndikim të madh për disa shekuj me radhë. Në këtë seksion prezantohen disa prej dëshmive të para të shqipes së shkruar, si ato të Buzukut e të Bogdanit. Venecia ishte po ashtu vendi ku u botuan një numër i madh veprash kushtuar Skënderbeut, apo historisë së Shqipërisë, duke nisur që nga ato të Barletit, Marin Beçikemit, Dhimitër Frangut etj. Seksioni përmban edhe një numër hartash origjinale të Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare.
Një seksion i veçantë i kushtohet librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane, vepra të cilat mund të shërbejnë si një burim i jashtëzakonshëm informacioni për historinë e shqiptarëve.
Venecianët njihen para së gjithash si udhëtarë e gjeografë, ndaj një seksion i veçantë i kushtohet kësaj teme. Dy seksionet e fundit i janë kushtuar botimeve që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë. -Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më të reja kushtuar raporteve historike të shqiptarëve me Venecian.
Ekspozita vjen nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë./atsh/KultPlus.com
Venecia dëshiron të vazhdojë të aplikojë pagesën e një tarife hyrjeje për vizitorët ditorë, pas përfundimit të periudhës së provës, programi i parë i këtij lloji në botë, i cili përfundon këtë fundjavë.
”Qyteti planifikon të marrë parasysh kërkesën në çmimin e ri dhe të dyfishojë tarifën nga 5 euro në një maksimum prej 10 eurosh, kur qyteti lagunar të jetë veçanërisht i ngarkuar me turistë”, deklaroi Michele Zuin, një këshilltar bashkiak i qytetit.
Procesi i provës, i cili zgjati gati një muaj, arkëtoi më shumë se dy milionë euro (2,1 milionë dollarë) në arkat e qytetit.
Para së gjithash, të dhënat e mbledhura do të vlerësohen.
Gjatë periudhës së provës, një tarifë hyrjeje prej pesë eurosh, u vendos midis orës 08:30 dhe 16:00.
Vizitorët mund të skanojnë një kod QR nëpërmjet internetit dhe ta shkarkojnë atë në telefonat e tyre celularë për ta paguar.
Me rreth 15 milionë turistë në vit, Venecia është ndër qytetet më të vizituara në botë.
Turizmi masiv sjell shumë para në arkat e qytetit, por shkakton edhe dëme të konsiderueshme./KultPlus.com
Tirana binjakëzohet me qytetin e Venecias. Në një ceremoni të veçantë, autoritetet më të larta vendore të Venecias pritën sot Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit në çdo sektor me interes të përbashkët.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky binjakëzim do të rrisë shkëmbimet, jo vetëm për Bienalen e Kulturës dhe të Artit, por edhe në shumë fusha të tjera, veccanërisht në turizëm.
“Një vizitë e shpejtë në Vencia, me të cilën do të binjakëzohemi dhe do të fillojmë një histori të re bashkëpunimi, jo vetëm për Bienalen e Kulturës dhe të Artit, meqë vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, por edhe në shumë fusha të tjera, sidomos turizmi. Kemi për të mësuar nga më të mirët. Venecia është padyshim kryeqyteti botëror i turizmit. Dua të falënderoj jo vetëm kryetarin e bashkisë, por edhe të gjithë shqiptarët dhe të gjithë ata miq italianë që mundësuan që Tirana të ketë një binjakëzim me një nga kryeqytetet botërore të kulturës dhe të turizmit”, thekson Veliaj.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë një marrëdhënie të vjetër bashkëpunimi dhe shkëmbimi me qytetin e Venecias, ku jeton edhe një komunitet i rëndësishëm i shqiptarëve. Ky binjakëzim do të çojë në një nivel më të lartë bashkëpunimin mes dy qyteteve, sidomos në çështjet e artit dhe kulturës, por edhe në shkëmbimin e përvojave më të mira.
Këshilli botëror i klimës thotë paraprakisht se deri në fund të këtij shekulli niveli i ujrave të qytetit do të rritet me 60 centimetra. Edhe pse prej vitesh po funksionon sistemi i mbrojtjes së Venecias nga përmbytjet, laguna vazhdon të jetë në rrezik.
Këshilli botëror i klimës thotë paraprakisht se deri në fund të këtij shekulli niveli i ujrave të qytetit do të rritet me 60 centimetra. Edhe pse prej vitesh po funksionon sistemi i mbrojtjes së Venecias nga përmbytjet, laguna vazhdon të jetë në rrezik.
Ka më shumë se 1600 vjet që Venecia mrekullon botën. Po kaq e hershme është edhe frika se qyteti mund të përmbytet dhe mund të zhduket nën ujë. Përpjekja e fundit për ta mbrojtur qytetin nga uji i tepërt ka të bëjë me ngritjen e një sistemi të nënujor të 78 mureve të hekurta që bëjnë ndarjen e lagunës nga deti, sistem që quhet MOSE.
Elisabetta Spitz, Arkitekte dhe komisare për mbrojtjen e Venecias nga përmbytjet: „Po të mos ishte MOSE, Venecia do të ishte shkatërruar më 22 nëntor të 2022 në mënyrë të pariparueshme. Atë ditë ne patëm përmbytjen e dytë më të madhe në historinë e qytetit, por pasoja nuk pati dhe ne arritëm ta mbronim lagunën dhe Venecian.”
52 herë ka dhënë Elisabetta Spitz urdhërin për të ngritur portat e ujit. MOSE është duke u përdorur gjithnjë e më shumë. Tani sistemi është duke u vënë krejtësisht në punë.
Elisabetta Spitz: “Tani ne e dimë se MOSE është një instrument fleksibël që nuk mbyllet gjithnjë dhe në të njëjtën kohë. Sot ne dimë shumë më tepër për valët e përmbytjeve dhe erërat, prandaj ne jemi në gjendje që të luftojmë përmbytjet, jemi në gjendje ta përdorim MOSE edhe pjesërisht, duke garantuar kështu kalimin e ujrave midis detit dhe lagunës.“
A mbrohet pra Venecia në këtë mënyrë? Këshilli botëror i klimës thotë paraprakisht se deri në fund të këtij shekulli niveli i ujrave të qytetit do të rritet me 60 centimetra. Nëpërmjet sistemit MOSE Venecia vetëm sa ka fituar kohë, thotë oqeanografi Georg Umgiesser. “A mjafton MOSE për të shpëtuar Venecian? Po, tani për momentin dhe në dhjetë, njëzetë dhe tridhjetë vjetët e ardhshme, me siguri. Por nëse niveli i ujrave rritet me 50 centimetra, atëherë sistemi duhet të vihet në përdorim 300 deri 400 herë në tviz, që do të thotë përditë nga një herë. Por sistemi i tejkalon kështu kapacitetet e veta. Ai nuk është më në gjendje të funksionojë. Nuk është më MOSE në gjendje të funksionojë, por nuk është më në gjendje as laguna, sepse laguna ka nevojë për qarkullimin e ujrave.”
Në Institutin për studimin e ujrave punon edhe Marco Sigovini që merret me studimin e sistemit ekologjik të lagunës. Frekuenca me të cilën vihet MOSE tani në përdorim nuk ka pasoja të mëdha, thotë biologu. Por kjo gjë do të ndryshojë, kur pas disa vitesh laguna të ndahet gjithnjë e më shpesh dhe për një kohë gjithnjë e më të gjatë, nga deti. “Mund të ndodhë që të vijë një ditë që të duhet të marrim vendim nëse ka kuptim që të vazhdosh ta mbash lagunën si lagunë uji të kripur. Me mbylljet për një kohë të gjatë të portave qarkullimi i ujrave midis lagunës dhe detit, që është fundamental për Venecian, do të ndërpritet. Nëpërmjet këtij qarkullimi formohet bazamenti i lagunës dhe prej tij varen llojet e bimëve dhe kafshëve që jetojnë atje. Ne do të ndodhemi para marrjes së vendimeve të vështira.”
Dhe duhet pasur guxim. Shpesh harrohet, thotë Umgiesser, se 150 vitet e fundit niveli i Venecias ka rënë 30 centimetra. Arsyeja: nga bazamenti i qytetit është pompuar shumë ujë nga ujrat bazë nëntokësorë. Por niveli i ujrave bazë nëntokësorë mund të ndihmojë për shpëtimin e qytetit nga rrënimi. “Nëse ujrat që janë nxjerrë me pompë nga ujrat nëntokësorë, kthehen sërish aty ku ishin atëherë niveli i Venecias do të rritej sërish me 30 cm. Dhe kjo rritje niveli do të thoshte që në këtë mënyrë ne do të fitonim 30 cm që kemi humbur 150 vitet e fundit, pra si të thuash ne do të ktheheshim sërish në nivelin zero.”
Por Venecia nuk do të jetojë përjetësisht kështu siç e njohim ne, thotë studiuesi i ujrave. Dikur do të vijë dita që deti të ndahet nga laguna.
Një vendim i vështirë. Venecianet dhe venecianët shpresojnë që ta shtyjnë sa më shumë marrjen e vendimit.
Të shpëtohet laguna apo të shpëtohet qyteti? Venecianët do donin t’i shpëtonin të dyja./DW/ KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Hajrulla Çeku pjesëmarrjen e kineastëve kosovarë në Festivalin e Filmit në Venecia e ka vlerësuar lart, duke shtuar se kineastët tanë po shfaqin talentin dhe kreativitetin e tyre në mesin e krijuesve të shquar nga e gjithë bota, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e ministrit Çeku.
Kineastët tanë po shfaqin talentin dhe kreativitetin e tyre në mesin e krijuesve të shquar nga e gjitha bota, në ngjarjet më të mëdha të filmit e artit në botë.
Premiera e filmit “Bota Jonë” nga regjisorja Luana Bajrami u dha mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venedik. Gjithashtu u shfaqën “House keeping for beginners”, me aktore Ilire Vinca dhe Rozafa Çelaj, si dhe “A Short Trip” i Erenik Beqirit.
Gjithmonë krenarë me përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Suksese në garë!/ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka marr pjesë në premierën botërore të filmit “Bota jonë”, me regji të Luana Bajramit, e cila në festivalin e Venecias po prezantohet në kategorinë “Orizzonti Extra”, shkruan KultPlus.
Për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti kanë njoftuar edhe nga MKRS, njoftim që mund ta lexoni të plotë.
“Bota jonë” shfaqet krahas filmave të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik në Festivalin e Venedikut
“Bota jonë” filmi i regjisores 22 vjeçare, Luana Bajrami, u shfaq mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venedik, dhe po garon në kategorinë “Orizzonti Extra”.
Filmin e ndoqën kryeministri Kurti, bashkë me regjisoren Bajrami, producentët Valbone Rahmani dhe Eric Toledano, aktorët e roleve kryesore, Elsa Mala, Albina Krasniqi, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani, Uratë Shabani dhe Tristan Halilaj, ambasadoren Lendita Haxhitasim, Blerta Zeqirin, drejtoren e QKK-së si dhe Rozafa Imamin, këshllitare politike në MKRS.
I gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, Presidenti i Bienales së Venedikut gjatë koktejit të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Itali.
“Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan në Festivalin e Filmit në Kanë 2022. Para tij, në Venedik janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj./ KultPlus.com
Filmi “House keeping for beginners”, me regji të regjisorit maqedonas Goran Stolevskit, si bashkëprodhim minor midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, është prezantuar me premierë në pasditen e së mërkurës në festivalin e Venecias, shkruan KultPlus.
Në këtë film, si rezultat i këtij bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me role të tyre janë paraqitë dy aktore kosovare, nënë e bijë: Ilire Vinca e Rozafa Çelaj, të cilat edhe kanë parakaluar në tapetin e kuq të këtij festivali prestigjioz./ KultPlus.com
“Bota jonë” është filmi i fundit i regjisores së re kosovare Luana Bajrami, e cila do të prezantohet sonte me premierë botërore në Festivalin e Venecias, shkruan KultPlus.
Ky film është realizuar në bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës dhe për audiencën e Venecias do të shfaqet në ora 21:00, në sallën Giardino, në kategorinë “Orizzonti”.
Me role kryesore në këtë film do të paraqiten aktorët: Don Shala, Tristan Halilaj e Armend Smajli, kurse me role janë përfshirë edhe aktorët: Uratë Shabani, Elsa Mala, Aurora Ferati, Albina Krasniqi, Gani Rrahmani…
Luana Bajrami ka treguar sukses edhe me filmin e saj debutues “Luaneshat e Kodrës”, dhe pritjet janë që edhe me këtë film të shënojë sukses./ KultPlus.com
Nga 2024 turistët do të paguajnë 5 euro për të hyrë në Venecia
Rezoluta do të dërgohet në Këshillin Bashkiak për miratim më 12 shtator.
Kjo rezolutë synon të dekurajojë turizmin e përditshëm në periudha të caktuara, për të parandaluar që qyteti të mbytet dhe të bëhet i pajetueshëm për vizitorët dhe banorët.
Rregullorja e re për vitin 2024 do të jetë rreth 30 ditë, dhe do të vendoset në javët në vijim.
Mekanizmi, është mjaft i thjeshtë dhe parashikon përjashtime për ata që jetojnë në komunë apo punojnë atje.
Biletën, fillimisht 5 euro, duhet ta paguajë çdo person fizik mbi 14 vjeç që hyn në qytet për një vizitë ditore.
Rregullorja përfshin ata që qëndrojnë në ambientet e akomodimit që ndodhen brenda zonës komunale, banorët e rajonit Veneto, fëmijët deri në 14 vjeç, ata që kanë nevojë për trajtim, ata që marrin pjesë në garat sportive, oficerët e zbatimit të ligjit në detyrë, familjaret, të afërmit deri në shkallën e tretë të banorëve në zonat ku zbatohet tarifa e hyrjes.
Edhe venecianët, megjithatë, nuk do të kenë një jetë të lehtë, pasi rezoluta do të qartësojë gjithashtu metodat e detyrueshme të rezervimit për disa kategori që përjashtohen, në modalitetin inteligjent dhe telematik.
Në këtë rast ata nuk do të paguajnë asnjë kontribut, por do të kenë detyrimin të rezervojnë në portalin përkatës./KultPlus.com
UNESCO rekomandon përfshirjen e Venedikut, qytetin italian të famshëm për kanalet dhe gondolat e tij, në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, shkruan trt.net.tr.
Sipas CNN, që Venecia të hyjë në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, do të duhet miratimi i shteteve anëtare të mbledhur në një takim të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të planifikuar për 10 deri më 25 shtator në Riad të Arabisë Saudite.
Ekspertët shpresojnë se ky regjistrim do të nxisë angazhim më të fortë dhe mobilizim më të gjerë të aktorëve vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të trajtuar këtë problem të gjatë.
Megjithatë, sipas raportit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, këto masa deri më tani kanë qenë të pamjaftueshme për të luftuar përkeqësimin e situatës në Venecia dhe janë “të pamjaftueshme” veçanërisht për shkak të turizmit masiv që po pushton Serenissima dhe ndaj ndryshimeve klimatike.
Qendra e Trashëgimisë Botërore beson, ndër të tjera, se “ndërtesat” e larta, të cilat mund të “kanë një ndikim të rëndësishëm negativ vizual” në qytetin lagunor, duhet të ndërtohen larg qendrës së Venecias.
Venecia, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe jetën artistike evropiane, ka pritur shumë artistë.
Shkurtin e kaluar, për shkak të thatësirës së madhe, gondolat, taksitë e ujit dhe autoambulancat nuk mundën të lundronin në disa nga kanalet e famshme të saj, ndërsa pas përmbytjeve të nëntorit 2019, disa ndërtesa historike ishin në rrezik./atsh/KultPlus.com
Ekspertët e UNESCO-s kanë rekomanduar që qyteti italian i Venecias dhe laguna e tij të futen në listën e rrezikut të trashëgimisë së organizatës, duke përmendur kërcënime të shumta.
“Efektet e përkeqësimit të vazhdueshëm për shkak të ndërhyrjes njerëzore, përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme universale të saj”, paralajmëruan dje ekspertët nga agjencia e Kombeve të Bashkuara.
Shpresohet që përfshirja e Venecias në listën e rrezikut do të nxisë më shumë angazhim nga aktorët vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar strategji korrigjuese efektive dhe të qëndrueshme.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s do ta shqyrtojë rekomandimin në takimin e tij në shtator.
Dy vjet më parë, komiteti hodhi poshtë një rekomandim të ngjashëm ekspertësh për vendosjen e Venecias në të ashtuquajturën listë të kuqe.
Venecia dhe laguna përreth saj janë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të OKB-së që nga viti 1987.
Venecia ka parë përmbytje të përsëritura gjatë dekadave, veçanërisht në muajt e vjeshtës dhe të dimrit, megjithëse një sistem mbrojtjeje nga përmbytjet tani po mbron rregullisht qytetin, i cili gjithashtu po lufton kundër turizmit masiv./ atsh / KultPlus.com
Gjysmë milioni vizitorë të çuditshëm që u grumbulluan në Venecia për festimet e Carnevale javën e kaluar u ndeshën me një pamje të pazakontë. Kanalet e saj piktoreske përfunduan me një rrjedhje balte. Si pasojë, festivali me pjesëmarrësit të veshur me kostume madhështore, humbi pak shkëlqimin e tij.
Sado i mrekullueshëm që është, qyteti ka problemet e vtea. Anijet e lundrimit kanë shkaktuar prej kohësh probleme, megjithëse anijet më të mëdha që dikur kalonin pranë Sheshit të Shën Markut, duke dëmtuar ekosistemin delikat janë dëbuar në ujërat më të largëta. Megjithatë, rreziku mbetet ende i madh.
Baticat e ulëta ekstreme, nga ana tjetër, priten më pak./abcnews.al/KultPlus.com
Venecia ka shtyrë vendosjen e tarifave për vizitorët pasi këshilli i qytetit nuk e ka miratuar ende plotësisht procesin e ri të biletave, njoftoi sot zëdhënësi i kryebashkiakut Luigi Bruniaro.
Në përpjekje për të vënë nën kontroll turmat e mëdha të shkaktuara nga turistët, zyrtarët njoftuan në korrik se nga 16 janari 2023, të gjithë që vijnë në Venecia për atë ditë do të duhet të rezervojnë vizitën e tyre në internet dhe të paguajnë nga tre deri në 10 euro për të hyrë në qytet, raporton Reuters.
Zëdhënësi i kryebashkiakut, megjithatë, tha se këshilli bashkiak ende nuk ka miratuar rregulloret e nevojshme, që do të thotë se data e prezantimit dhe grumbullimit të biletave do të shtyhet.
Ai shtoi se i gjithë procesi do të zgjasë së paku gjashtë muaj.
Plani për vendosjen e tarifave të hyrjes u prezantua për herë të parë në vitin 2019, por zbatimi i tij fillimisht u shty për shkak të pandemisë së coronavirusit, e cila çoi në uljen e numrit të turistëve.
Këtë vit fluksi i turistëve drejt Venecias është rritur dhe numri i të huajve që vijnë shpesh i kalon 50 mijë banorët që jetojnë në qendër të qytetit.
Kjo ka sjellë turma të mëdha në rrugët e ngushta të qytetit, ndaj çështja e tarifimit të biletave ditore është sërish në axhendën e kryebashkiakut./euronews.al/ KultPlus.com
Do të jetë “White noise”, i shkruar dhe me regji të Noah Baumbach, me aktorët Adam Driver, Greta Gerwig, Don Cheadle, Raffey Cassidy, Sam Nivola, May Nivola, Jodie Turner-Smith, André L. Benjamin dhe Lars Edinger, filmi i hapjes së Festivalit të 79 të Filmit të Venecias, që hap siparin më 31 gusht.
Ky film përbën edhe një rikthim të Noah Baumbach, pasi ka paraqitur në 2019 filmin “Marriage Story”.
Për regjisorin Alberto Barbera ”ia vlente të pritej kaq gjatë”.
Baumbach ka krijuar një vepër origjinale, ambicioze dhe imponuese, sipas kritikëve.
Ndërkohë, Italia do të konkurrojë me pesë filma, të përzgjedhur nga drejtori artistik, Alberto Barbera dhe presidenti, Roberto Cicutto.
Ata janë: ”Il signore delle formiche” i Gianni Amelios, me Luigi Lo Cascio, Elio Germano dhe Sara Serraiocco, ”Bone and all” i Luca Guadagnino, me Timothée Chalamet, ”Chiara” i Susanna Nicchiarelli, me Margherita Mazzucco, ”Monica” i Andrea Pallaoro dhe ”Immensity” i Emanuele Crialese, me Penelope Cruz. / KultPlus.com
Qyteti Italian i Venecias do të jetë i pari në botë që do të krijojë një regjistër për turistët e huaj që do të vizitojnë vendin dhe që do të paguajnë një tarifë hyrjeje për në qytet. Teksa qeveria lokale thotë se e sheh këtë si zgjidhjen e vetme për të frenuar turizmin e tepërt, vizitorët dhe pronarët e bizneseve thonë se ky sistem i ri është i padrejtë e madje i mbushur me sfida logjistike.
Venecia është një nga qytetet më të vizituara në botë, që tërheq çdo vit mbi 20 milionë turistë të huaj, falë kanaleve dhe sheshit të saj të famshëm. Por tashmë, kushdo që mendon ta vizitojë, duhet të parashikojë edhe një kosto ekstra, teksa qyteti po bëhet gati për të vendosur një taksë hyrjeje. Këshilli lokal i qytetit synon që përmes kësaj takse, të mund të menaxhojë më mirë fluksin e turistëve, sidomos në muaj që konsiderohen piku i turizmit.
Aktualisht, diskutimet janë për një taksë që varion nga 3 deri në 10 euro dhe debatet këtu janë përqendruar. Po mendohet që taksa të paguhet vetëm nga turistët ditorë, të cilët taksën do ta paguajnë në faturën e akomodimit. Ndërsa nga taksa do të përjashtohen ata që drejt Venecias udhëtojnë për punë apo për studime, ata që vizitojnë familjarët apo turistët që udhëtojnë drejt qytetit si pjesëmarrës në evente kulturore apo sportive. Nëse deklarata që ata firmosin për motivin përse do të vizitojnë Venecias dhe provohet që arsyeja është false, mund të përballen edhe me akuza kriminale. Taksa e re pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm./A2CNN / KultPlus.com
Numërimi mbrapsht ka filluar. Nga 16 janari 2023, vizitorët në Venecia, i njohur si xhevahir i turizmit të Italisë do të duhet të paguajnë për privilegjin e hyrjes në qytet.
Është vendosur që Venecia të bëhet qyteti i parë në botë që kërkon një tarifë hyrjeje. Data e nisjes u njoftua nga këshilltari i Venecias për turizmin, Simone Venturini, në një konferencë për shtyp të premten.
Venturini e quajti masën e re “revolucion të madh” dhe një zgjidhje për problemin e mbiturizmit me të cilin qyteti lagunor ka luftuar për dekada.
Kostoja e biletës do të variojë nga një minimum prej tre euro deri në 10 euro. Çmimi nuk do të jetë fiks, por do të ndryshojë sipas numrit të vizitorëve: Sa më shumë kërkesa për hyrje, aq më e lartë është kostoja.
Qëllimi, shpjegoi Venturini, nuk është të mbyllë qytetin, por t’i bëjë njerëzit të rezervojnë praninë e tyre për të reduktuar “majat turistike”. “Venecia është një qytet i gjallë dhe duhet të qëndrojë i tillë”, tha ai. /abcnews.al
Bienalja e 59-të e Artit që hapet në Venecia do të jetë ndryshe: Lufta po lë gjurmë në botën e artit – dhe kjo nuk shihet vetëm në Pavijonin e Ukrainës.
“Sky”, “Serenity” ose “Audiction” janë emrat e jahteve të mëdhenj që ankorohen çdo vit në Riva Sette Martiri, shtegu kryesor për pelegrinët e artit në Venecie, që ndodhet midis pikave të takimit Arsenale dhe Serra dei Giardini. Por oligarkët artdashës të Rusisë këtë herë nuk do ta popullojnë Lidon. Ata nuk do të jetë rusët e vetëm që do të mungojnë sivjet: Edhe pavijoni i Rusisë në Bienale do të mbetet bosh. Kirill Savçenkov dhe Aleksandra Sukhareva, të cilët do të performonin aty, e kanë anuluar pjesëmarrjen në Venecia. Aleksandra Sukhareva me origjinë ruse shkroi në Facebook: “Nuk ka vend për art kur civilët po vdesin nga goditjet e raketave, kur qytetarët e Ukrainës fshihen në bunkerë, kur protestuesit rusë heshtin”. Kuratori lituanez Raimundas Malasauskas tha se nuk mund të vazhdonte me projektin për shkak të invazionit rus të Ukrainës. Ashtu si 27 vende të tjera, Rusia ka pavijonin e saj në Giardini, ekspozita kryesore e Bienales.
Pavlo Makov në pavijonin e Ukrainës
Për një kohë të gjatë ishte e pasigurt nëse do të hapej pavijoni i Ukrainës. Por kuratorja Kateryna Khueva dhe artisti ukrainas i lindur në Kharkiv, Pavlo Makov, arritën ta transportonin punimin nga Ukraina në Venecia. Makov arriti të mbërrinte në qytetin lagunor së bashku me nënën e tij 92-vjeçare. Khueva e transportoi instalacionin e tij nga Kharkivi në Itali – një udhëtim gjashtë-ditor, përmes Rumanisë. Ekipi ndodhet në Venecia që prej datës 16 prill.
Makov e sheh veten “jo si artist, por si qytetar”, siç tha ai në një intervistë për televizionin zviceran. Ai nuk përfaqëson një vend në luftë, por simbolizon vitalitetin e kulturës së Ukrainës. Sipas Makovit, instalimi i tij është një shenjë e rraskapitjes së shoqërisë.
Një italiane kuratore e ekspozitës kryesore në Bienale
Një tjetër risi: Cecilia Alemani është kuratorja e parë italiane që kuron ekspozitën kryesore në Bienalen e Artit. Ekspertja e artit, e cila jeton në Nju Jork, kishte patur më shumë kohë për ekspozitën, që u shty vitin e kaluar për shkak të virusit korona. Pse ka kaq pak ukrainas apo rusë në listën e artistëve të zgjedhur prej saj? Është shumë e thjeshtë: sepse është e pamundur të marrësh parasysh çdo komb, qoftë edhe në një ekspozitë kaq të madhe sa Bienalja, thotë ajo. Alemani ka përzgjedhur vetëm tre pozicione historike të Ukrainës dhe gjithashtu artisten bashkëkohore ruse Zhenya Mahneva. “Fatmirësisht, – thotë Alemani, – askush nuk mendoi ta përjashtonte Mahnevën sepse është ruse!
Bienalja e 59-të e Artit dominohet nga gratë
Diçka e rrallë është që Bienalja e 59-të, e cila çelet këtë të shtunë, më 23 prill, përkon sërish me documenta-n, që mbahet çdo pesë vjet në Kassel. Në qytetin lagunor, arti shtrihet në 79 pavijone vendesh, në pavijonin qendror në Giardini dhe, natyrisht, mbi muret historike të Arsenales, ku dikur pluskonin anijet me vela të flotës së fuqishme venedikase. Publiku i artit pamor do të shohë këtë vit fuqinë e performancës femërore. Për herë të parë në historinë 127-vjeçare të Bienales, shumica e artisteve janë gra.
Motoja e Bienales së këtij viti është “Qumështi i ëndrrave”. Titulli është huazuar nga një libër për qeniet fantastike të surrealistes angleze, Leonora Carrington (1917-2011). Piktorja, skulptorja dhe shkrimtarja emigroi nga Evropa në Meksikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Poezia, teknologjia, ekologjia dhe feminizmi janë, siç paralajmëroi Alemani, “temat kryesore” të ekspozitës qendrore. Përveç kësaj, kuratorja, e cila ka një diplomë në filozofi, po shfaq vepra të 213 artistëve nga 58 vende. Më shumë se dy të tretat e artistëve marrin pjesë për herë të parë në Venecia.
Listat e emrave përmbajnë artiste të njohura, si Nan Goldin, Rosemarie Trockel dhe Barbara Kruger, si dhe skulptoren e re dhe artisten multimediale Monira Al Qadiri, një kuvajtiane e lindur në Senegal, e shkolluar në Japoni dhe që tani jeton në Berlin. Edhe Sandra Mujinga prezanton punën e saj në Venecia. Kongolezja e përball vizitorin me një gjuhë vizuale shumë femërore, amorfe, e cila përshtatet mirë me mjedisin artistik të Bienales. Vetëm në shtator ajo mori çmimin e Nationalgalerie Berlin.
Luani i Artë për gjermanen Katharina Fritsch
Në pavijonin gjerman, të kuruar nga drejtori i muzeut të Këlnit, Yilmaz Dziewior, është ftuar të performojë koncept-artistja nga Berlini, Maria Eichhorn. Arti i saj konsiderohet disi i rëndë, ndoshta për shkak të dembelizmit të publikut për të menduar. Sepse sipas Eichhorn-it, të lindur në vitin 1962, një vepër përbëhet nga një ide, hulumtim dhe vizualizim: çdo vepër arti përmban kërkesën “Mendo njëherë!”.
Temat e saj: tregu i artit në epokën naziste dhe shpronësimi i koleksionistëve hebrenj. Në përgjithësi, çështja e pronësisë e përshkon si një fije e kuqe punën artistike të Eichhorn-it, ashtu si konceptet e punës, vlerës dhe kohës. Edhe këtu, Bienalja mund të krijojë një lidhje me luftën në Ukrainë, ku ushtarët rusë po rrëmbejnë thesaret kulturore të Ukrainës. Me interes pritet të jetë vepra e Eichhornit në Pavijonin Gjerman, një ndërtesë përfaqësuese e kohës së nazizmit.
Artistja gjermane Katharina Fritsch dhe artistja kiliane Cecilia Vicuña nderohen me Luanin e Artë për veprën e tyre të jetës. “Kontributi i Fritsch në artin bashkëkohor, veçanërisht në skulpturë, është i pakrahasueshëm”, tha drejtori i Bienales Alemani, i cili do ta dorëzojë çmimin në ditën e hapjes. Ndër të tjera, Fritsch është bërë e njohur me “Rat King” (1993), një skulpturë gjigante me gjashtëmbëdhjetë minj të zinj, bishtat e të cilëve takohen në një nyjë. Bienalja e 59-të e Artit në Venecia do të jetë e hapur nga 23 prilli deri më 27 nëntor 2022./DW/KultPlus.com
Me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Bienalen e Venecias, nën organizimin e Ambasadës shqiptare në Itali, në “Chiesa della Pietà” të Venecias mbrëmë është mbajtur koncerti “Perlat shqiptare”, me jare e muzikë bashkëkohore shqiptare.
Në këtë koncert sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, e shoqëruar nga kolegët nga Shqipëria të kuartetit të harqeve, Abigeila Voshtina dhe Xhoan Shkreli, në violinë, Herida Duro, violë, dhe Mario Goralumi, violonçel, interpretuan vepra nga kompozitorët Giacomo Puccini, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Vasil S. Tole, si dhe perla të këngëve shkodrane.
E veçanta e këtij koncerti ishte interpretimi i dy veprave nga artistë dhe kompozitorë të njohur kosovarë, “Lamtumirë“ nga Muharrem Qena dhe “Mallëngjimi“ nga Rashid Krasniqi, vepra këto të përpunuara nga kompozitori i njohur, profesor Valton Beqiri.
Pas koncertit, sopranoja kosovare Besa Llugiqi u shpreh se koncerti “Perlat shqiptare“ kishte lënë përshtypje të mirë tek vendas.
“Ishte një kënaqësi e veçantë të interpretoj vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe italianë, së bashku me miqtë nga Shqipëria, me rastin e inaugurimit të Bienales së 59-të të Venecias. Interpretuam në kishën e njohur “Chiesa della Pietà”, që daton nga shekulli i pesëmbëdhjetë, një xhevahir i arkitekturës veneciane, një pikë referimi për artistët dhe turistëë. Kjo kishë kishte shërbyer edhe si shkollë në të cilën kompozitori italian me famë botërore, Antonio Lucio Vivaldi kishte jetuar dhe u kishte dhënë mësim vajzave bonjake“, ka thënë sopranoja kosovare Besa Llugiqi pas koncertit “Perlat shqiptare“ në Venecia të Italisë. / KultPlus.com
“Perlat shqiptare” titullohej koncerti i shfaqur mbrëmjen e djeshme në “Chiesa della Pietà” në Venecia, Itali me jare e muzikë bashkëkohore shqiptare.
Koncerti me muzikë dhome ishte pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, organizuar nga Ambasada shqiptare në Itali me rastin e pjesëmarrjes së dy vendeve tona në Bienalen e Venecias.
Në koncertin ku u mblodhën shumë miq, ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Një atmosferë e ngrohtë mes perlash të muzikës shqiptare dhe botërore, në Venecia. Chiesa della Pietà në Venecia priti “Perlat shqiptare” jare e muzikë bashkëkohore. Kuarteti i harqeve, i përbërë nga Abigeila Voshtina dhe Xhoan Shkreli, në violinë, Herida Duro, violë dhe Mario Guralumi violonçel, shoqëruar nga sopranoja Besa Llugiqi interpretuan vepra nga kompozitorët Puccini, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Vasil S. Tole si dhe disa perla të këngëve shkodrane. Sot Venecia foli shqip”, tha Margariti. / atsh / KultPlus.com
Turistët në Venecia nuk mungojnë kurrë, por pamja e saj më e re synon të shfrytëzojë problemin e mbiturizmit të qytetit duke i drejtuar vizitorët drejt përgjegjësisë sociale.
Procuratie Vecchie në sheshin e San Marco, një nga ndërtesat më të famshme në një nga hapësirat më të famshme të qytetit në botë, është hapur për publikun për herë të parë në histori.
E ndërtuar në fillim të viteve 1500 në fund të Bazilikës së San Marco, duke krijuar sheshin, pasi një ndërtesë e mëparshme u shkatërrua nga zjarri, fasada neoklasike e ndërtesës 500 metra është një nga imazhet më të famshme të Venecias. Portikat e saj në katin e parë strehojnë kafene historike si Quadri.
Tani, për herë të parë, vizitorët mund të hyjnë në katin e katërt dhe të fundit të saj, ku një ekspozitë e përhershme është instaluar nën çatinë me trarë të pjerrët të ndërtesës.
Ish selia qendrore e kompanisë italiane të sigurimeve Generali që nga viti 1832, ndërtesa i është nënshtruar një rinovimi pesë-vjeçar të kryesuar nga arkitekti David Chipperfield.
Ndërsa Generali ka mbajtur zyra në katin e dytë të pallatit me afreske dhe do të japë me qira të tretin (përfshirë ekspozitat, të cilat do të jenë të hapura për publikun), i katërti do të bëhet selia e Rrjetit të Sigurisë Njerëzore, një projekt që ndihmon personat dhe familjet në rrezik, përfshirë refugjatët.
Pjesë e kësaj është një ekspozitë e teknologjisë së lartë e llojit që rrallë shihet në Venecia. Në vend që të mbulojë historinë ose artin, “Bota e Potencialit” shikon aftësitë sociale nëpërmjet teknologjisë. Ekspozitat praktike, të krijuara për të ngjallur mendim dhe ndjeshmëri tek vizitorët, përfshijnë lojëra të punës në grup dhe një ushtrim në të cilin vizitorët mund të ngrenë një top në ajër vetëm me fuqinë e përqendrimit.
Blerja e një bilete për ekspozitën (gjysma e së cilës shkon te The Human Safety Net) gjithashtu u mundëson vizitorëve hyrjen në kafenenë e katit të katërt, e cila ka dy tarraca në çati që drejtohet drejt kupolës së Bazilikës së San MArcos dhe kambanores së famshme (kambanë ).
Tarracat nuk kanë pamje nga sheshi, pasi janë poshtë vijës së çatisë së ndërtesës. Megjithatë, dhomat e katit të fundit kanë dritare që shikojnë në zonën që Napoleoni thuhet se e ka quajtur “dhoma e pritjes së Evropës”./ Lapsi.al / KultPlus.com
Një nga monumentet më ikonike të Venecias po hap dyert e saj për herë të parë në 500 vjet pas një projekti restaurimi nga një arkitekt britanik, duke zbuluar arkitekturën e epokës së Rilindjes dhe tavanet mahnitëse të praruara.
Procuratie Vecchie në sheshin e Shën Markut është një nga fasadat më të njohura të qytetit italian, duke formuar perimetrin me kolona të sheshit.
Por, pavarësisht se është fotografuar nga miliona turistë që zbresin në qytetin lundrues çdo vit, brendësia e tij ka qenë e mbyllur për publikun për shekuj me radhë.
David Chipperfield po udhëheq një projekt rinovimi i cili do të mirëpresë turistët nga prilli i këtij viti.
Vendi pjesërisht i braktisur do të shndërrohet në një qendër ekspozite të teknologjisë së lartë me shkallë të reja dhe trarët prej druri të epokës së Rilindjes të restauruara.
Ky restaurim përfshin 11.000 metër katrorë, në katër kate. / KultPlus.com
Të realizoni ëndrrën e juaj të madhe duke qenë vetëm një fëmijë i vogël është diçka e jashtëzakonshme, e këtë fat dhe arritje të madhe ka realizuar vajza e vogël me emrin Arona Zyberi, e cila u bë shumë e dashur për publikun në ekspeditën e saj në Itali me kastën e aktorëve të filmit “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.
Aktorja më e re në moshë në këtë film, tregon në një intervistë për KultPlus se fillimisht ka qenë pjesë e një projekti së bashku me Teuta Krasniqin, e nga aty ka dëgjuar që po kërkohet një fëmijë i vogël për të luajtur në një film me regji të Kaltrina Krasniqit.
“Mami kishte dëgjuar për audiconin dhe më ka njoftuar mua, e më pas edhe kemi vazhduar aty”, thotë Zyberi.
Kur ishte në moshën shtatë-vjeçare, Arona filloi aventurën e saj për të qenë pjesë e një filmi të madh dhe kësisoj aplikoi e u pranua të bëhej pjesë e kastës së këtij projekti.
“Fillimisht regjisorja më ka pyet që ta bind mamin me ma ble një arush, e unë i kam thënë që nuk e kam arushin e bardhë dhe duhet me ma ble një të tillë”.
Ka mjaftuar pjesa e një arushi që Arona të jetë pjesë e një filmi me suksese ndërkombëtare tanimë, “Vera Andrron Detin”.
“Ata e kanë lajmëru mamin në telefon dhe më ka njoftu mami që e kom fitu rolin. Kam qenë duke i bërë detyrat dhe e kam marrë lajmin si në befasi. Kam dashtë me ia bo befasi, por në fund nuk doli”, e thotë ajo me shumë ngazëllim në fytyrë.
Mirëpo, përpara se ta fitonte rolin, Arona ndau një vlerë të jashtëzakonshme që ajo posedon në karakterin e saj.
“Aty ka pasur edhe fëmijë të tjerë e unë nuk kom besu që kam me marrë rolin. Kur kam dalë prej audicionit unë i kam tregu edhe fëmijëve të tjerë për ato se çfarë më pyetën pasi nuk besoja se mund ta fitoja rolin, e kur kam fituar më kanë uruar”.
Pasi ka arritur të fitojë këtë audicion dhe është bërë pjesë e kastës së filmit, Arona tregon se kishte filluar xhirimet në moshën tetë-vjeçare, por për arsye se disa skena kërkonin qëndrimin në një vend, ishin pak të mërzitshme për të.
“Në moshën tetë -vjeçare e kam filluar aktrimin, xhirimet kanë ndodhur në disa vende e jo vetëm në një lokacion. E kemi filluar në shtëpi e më pas kemi lëvizë, përveç Kosovës edhe në Shqipëri. Për pjesën time kanë qenë 11 ditë xhirime, e për të tjerët më shumë. Kanë zgjatë më shumë se që e kam pritë, e pak të lodhshme. E kam pasë një rol me qëndru shtritë duke fjetur dhe është dukë vetëm një këmbë, nuk më ka pëlqy edhe shumë kur kam qëndruar veç në një vend”.
Vajza me një karrierë në aktrim tanimë, pohon se bashkëpunimi me një regjisore siç është Kaltrina Krasniqi ka qenë shumë i mirë dhe madje është gëzuar shumë kur e ka përzgjedhur në film.
Marrëdhëniet e krijuara në film kanë ndikuar që Arona të bëjë disa shoqe të reja në jetën e saj.
“Me Teutën e kam një marrëdhënie më të mirë në film sesa me nënën edhe pse në film kam dashuri për të dyja, por me gjyshen kam bërë më shumë skena dhe është kujdesur më shumë për mua”.
Përshtatja e jetesës për një film është paksa e vështirë, kjo për shkak që një fëmijë ka edhe angazhime të tjera në jetë, por shkolla e ka mirëkuptuar një gjë të tillë.
“Ka pasur disa ditë kur nuk kam qenë në shkollë për shkak të filmit, por në fund filmi ka qenë shumë i mirë. Kur e kam përfunduar filmin, në shkollë dhe në klasë isha njeri i famshëm”.
Derisa nëna e saj shpjegonte nga afër se si ishte pjesa e shkollimit të Aronës, aty ishte e përfshirë edhe pjesa e vizitës në Venecia, si një gjë e jashtëzakonshme e që ndodhë shumë rrallë nëpër Festivale të Filmit.
Prezantimi dhe pjesëmarrja e Aronës në festival ishte magjike për vetë faktin që presidenti i festivalit ishte në emocion dhe ngazëllim kur e pa atë.
“Çdo aktorë ka qenë në lot pas përfundimit të filmit në Venecia, duke më përfshirë edhe mua. Eksperienca në Itali shumë e mirë, njerëzit në rrugë na ndalnin dhe gjithnjë po na komplimentonin për filmin, ndjenjë e veçantë”.
Ajo gjithashtu tregon se gjatë ekspeditës në Itali ka marrë edhe komplimentin që është aktorja më e mirë, gjë për të cilën është ndjerë shumë mirë.
“Kam qef me shku edhe në festivalet e tjera dhe shpresoj që më ftojnë edhe atje i gjithë ekipi”.
Hera e parë kur Kosova dërgoi dy fëmijë të vegjël për të bërë paraqitje në tapetin e kuq në një festival të madh të filmit ishte në edicionin e 88-të të Oscar, kur aktorët Andi Bajgora dhe Lum Veseli bënë paraqitjen e tyre në tapetin magjik.
E rrethuar nga një numër i madh i aktorëve eminent të skenës shqiptare, Arona shihet e buzëqeshur dhe në disponim të mirë në disa fotografi që u publikuan gjatë ecjes në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia.
“Regjisorja më ka tregu që ka ndodhë shumë rrallë një përfaqësim i tillë. Jam ndje krenare që kemi përfaqësu Kosovën, jam ndje krenare përveç me filmin por edhe me veten. Jam ndje shumë mirë kur është përfundu filmi dhe eksperienca në Venecia, shumë persona na kanë uru për filmin. Shpresoj që edhe personat e tjerë kanë me marrë pjesën e këshillës që me bo çka të dëshirojnë dhe me arritë gjithçka”, ka thënë në vazhdim dhjetë vjeçarja.
Rreth karrierës dhe të ardhmes së saj, Zyberi thotë se do të vazhdojë tutje të merret me film në qoftë se ka role për fëmijë, por tani ajo thotë se ka më shumë filma të dhimbshëm sesa për fëmijët.
E pyetur se ku e gjen veten më mirë, në aktrim apo balet, Arona thotë se këto dyja dallojnë shumë mes veti.
“Aktrimi shumë më i vështirë pasi duhet të kesh talent, edhe baleti është i vështirë por unë mendoj që në aktrim është më vështirë”.
Dëshira e madhe e Aronës për vitin 2022 është që filmi ku ajo merr pjesë të vijë në Kosovë dhe klasa e saj ta shohë këtë pjesë.
“Po pres me padurim që të shfaqet filmi, dua t’i bëj ftesë të gjithë klasës me ardhë e me e pa e gjithë filmin, është dëshirë e imja”.
Përveç aktrimit, ajo ka marrë pjesë edhe në disa reklama të ndryshme, derisa me KultPlus, Arona ndan edhe ëndrrën e saj më të madhe.
“Ëndrra ime është të bëhem e famshme, por jo ta lavdëroj shumë vetën. Kam dëshirë të bëhem një aktore e famshme, ose këngëtare ose edhe një mjeke”.
Mesazhi i Aronës për fund ishte që gjithmonë të ndjekni ëndrrat e juaja dhe të mos i leni diku tjetër, sepse në fund ato realizohen.
Mbështetja e vazhdueshme e prindërve ka ndikuar që një fëmijë i vogël siç është Arona të arrijë diçka të jashtëzakonshme dhe të marrë pjesë në një festival kaq prestigjioz.
Ndërkaëq, filmi “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’. Ky film pritet që gjatë janarit të vitit 2022 të fillojë të shfaqet edhe në Kosovë. /KultPlus.com
Artistja shqiptare e muzikës xhaz, Elina Duni do të nis këtë të shtunë turneun e saj në Festivalin e Ethnos në Napoli. Më pas më datë 23 shtator këngëtarja shqiptare do të performojë në Firence, dhe një ditë më pas më 24 shtator në Venecia.
Gjatë kësaj vere artistja Elina Duni zhvilloi një tur ballkanik, ku sigurisht nuk mund të mungonte Shqipëria. Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, interpretoi me Rob Luft, Gent Rushin dhe Viktor Filipovski.
Në vitin 1991 Elina u largua në Zvicër së bashku me mamanë e saj, shkrimtaren Besa Myftiu.
“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com
Kur ka filluar xhirimet për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Vera andrron detin”, Arona Zyberi ishte vetëm shtatë vjeçe, dhe me këtë moshë të vogël kishte hyrë në sheshxhirim me aktorë shumë profesionistë shqiptarë, shkruan KulPlus.
Dhe tashti, pikërisht ky film me regji të Kaltrina Krasniqit që premierën botërorë e pat në festivalin më të vjetër të filmit në botë, në festivalin e Venecias, për flokëkuqen duket që titulli i këtij filmi po përkon shumë. Përderisa filmi bart një titull shumë provokues “Vera andrron detin”, për Aronën po shihet se po ëndërron dyert e mëdha të kinematografisë, pasi që, me vetëm dhjetë vjet, ajo parakaloi në tepihun e kuq të Festivalit të Venecias, për tu shndërruar kështu aktorja më e vogël në historinë e kinematografisë kosovare që merr pjesë në një festival kaq prestigjioz.
“Kur kam kuptuar se filmi “Vera andrron detin” ka me marr pjesë në një festival të madh, e kam kuptuar se paskam bërë një punë të mirë, përderisa më kanë ftuar në Venecia”, ka thënë Arona Zyberi për KultPlus, e cila shprehet të jetë e emocionuar për parakalimin e saj në këtë festival kaq të madh, e cila ka qenë e shoqëruar me regjisoren Kaltrina Krasniqi dhe aktorët e filmit.
“Parakalimi në tepihun e kuq më ka dhënë një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, sepse më kanë treguar se kjo nuk ndodhë shpesh”, ka thënë Arona, e cila këtë projekt nuk e ka të parin, por më të rëndësishmin për karrierën e saj të sapo nisur.
Ajo tregon se deri tash ka marr pjesë edhe në filma të tjerë dhe në disa reklama televizive, por filmi “Vera andrron detin” i ka dhuruar njërin nga rolet kryesore, atë të Hanës, dhe me këtë rol duket se po shkëlqen bashkë me ekipin tjetër të filmit.
Xhirimet për filmin, Arona i ka përfunduar në vitin 2019, dhe tash si dhjetë vjeçe po shijon angazhimin e saj në këtë film, që për dhjetë ditë ka qenë në sheshxhirim.
“E mësoj tekstin shpejt, dhe rrallë më ndodhë që të më përsëriten skenat, ndoshta edhe për këtë arsye po e kanë të lehtë me punu me mua”, ka thënë Zyberi, e cila kujton se ka xhiruar nga shtatë deri në tetë orë, por nuk është ankuar. Ajo atë periudhë e kujton si të lodhshme, por shumë argëtuese.
Arona Zyberi po qëndron bashkë me ekipin e filmit në Venecia, film që është nominuar në disa kategori, dhe mbrëmjen e ndarjes së çmimeve është duke e pritur me mjaftë emocion, duke uruar që të kthehen për Kosovë me ndonjë çmim./ KultPlus.com