Një skulpturë e re e titulluar “Rrënjët” është vendosur në një nga hapësirat e shëtitores “Taulantia”. Kjo skulpturë e derdhur në bronz është realizuar nga skulptori i mirënjohur Adrian Dule dhe i është dhuruar qytetit të Durrësit.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, së bashku me artistin, i cili ia dhuroi këtë vepër arti Durrësit, prezantuan para qytetarëve domethënien e saj dhe vlerën që ka arti në hapësirën publike dhe për turistët.
Sako tha se, ”Arti në hapësirat publike” është një qasje e qeverisë shqiptare dhe ne duam ta përqafojmë në mandatin që vjen. Është e rëndësishme për ne që çdo pjesë të qytetit, jo vetëm në shëtitoren “Taulantia”, në sheshin “Liria”, por dhe në lagje të tjera të qytetit të bëjmë të mundur vendosjen e veprave artistike të artistëve tanë, pse jo dhe të huaj, në mënyrë që të emocionojmë ata që janë vizitorë të qytetit tonë, turistët, jo vetëm me bukuritë që ka natyra, plazhi, shërbimin e mirë dhe të sigurt që japim në qytetin tonë. Mbi të gjitha për të dhënë dhe emocionet e një qyteti 2700-vjeçar. Kultura dhe arti do të jenë në fokusin tonë gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm”.
Kuptimi parësor i kësaj skulpture, sipas autorit të veprës, janë rrënjët që zgjaten nga toka në det ashtu siç është vetë qyteti, i cili është i lidhur përjetësisht me detin.
Artisti Dule tha se, “kjo vepër arti tregon në thelbin e saj rrënjët në tokë dhe tentakulat në det, siç ka Durrësi një të përbashkët mes tokës dhe detit. Sa i përket pjesë së kulturës së qytetit ajo që më ka pëlqyer shumë tek Emiriana kur kemi biseduar është se ka disa plane interesante përsa i përket anës së artit vizual të aplikuar në sheshet dhe paraqet e Durrësit. Do të ketë mbështetjen time të plotë jo vetëm si artist por dhe si këshillues sesi mundet që gjithë ky plan i saj me vlerë të realizohet”.
Nga ana tjetër, simbolika e kësaj skulpture flet për lidhjen e bashkëatdhetarëve tanë me vendin e tyre. Për këtë arsye kjo vepër arti është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com