Ideator dhe regjisor i shfaqjes më të bujshme të sezonit veror, “Nga posti sundues- Dinamika e Fjalës Publike”, me emrat më të famshëm të artit skenik vendas, Enke Fezollari sjell në Athinë nga tetori veprën shqiptare të Ornela Vorpsit “Vendi ku nuk vdiset kurrë”.
Enke Fezollari, regjisor dhe aktor i lindur në Shqipëri e rritur në Greqi sundon sërish skenën dramatike, me një shfaqje unike, bazuar në veprat e helenizmit të lashtë.
Integrimi i saktë dhe i plotë në shoqërinë greke përfshihet ndër hapat e hedhura me ndjeshmëri e mprehtësi nga artisti Enke Fezollari, si një formulë sekrete për shumicën prej nesh. Memoria e tij shpalos shpesh grimca të fëmijërisë së hershme në Pogradec dhe Tiranë, me një mbidozë talenti e guximi shprehës, që rrëmben si ujëvarë vëmendjen dhe ngjall vetëm adhurim sa herë referohet në Shqipërinë e tij. Ashtu si të njëjtat gjenerata greke gjunjëzohen para altarit të galerisë së pasur rolesh e fatesh, jetëkrijimesh e përjetësime të klasikëve, që ngjallen vazhdimisht në një plejadë krijimtarie të Fezollarit, ekskluzivisht për të apasionuarit e artëdashësit.
Dekadën e fundit Enke Fezollari është fenomeni i padiskutuar i artit skenik grek, mjeshtër në çdo qelizë i skenës dhe passkenës, i miratuar unanimisht edhe nga më skeptikët, ndërsa mitet përulen gradualisht me çdo iniciativë të re.
Këtë verë, ndoshta më të rrallën ndër dekada, harku i Fezollarit qëllon sërish në shenjë. Në një “flashback” ndërmerr guximin të copëzojë retorikën e lashtësisë greke, për të zgjuar nga gjumi letargjik, i pandemisë apo jo, neve, bashkëkohorët, modernët, të gjunjëzuarit pa perspektivë…
Ideatori dhe regjisori i shfaqjes më të bujshme të sezonit veror, sundon lehtësisht skenat e teatrove të lashtë grekë, nga veriu i Greqisë e në çdo kënd, në një shëtitje mbresëlënëse, dedikuar qytetarëve dhe politikanëve, mbarë opinionit publik, ndërsa media vendase thjesht i dorëzon pa hezitim faqen e parë, titujt kryesorë, me duartokritje të kristaltë. Jehonës së helenizmit i bashkohen tingujt e kompozitorit Jorgos Andreu dhe aktorët e mirënjohur Filareti Komninu, Ana Mas’ha Kaliopi Evangjelidhu dhe Alekos Sisovitis.
Sa kemi fatin të ndodhemi në territorin grek, në shkallët e ngurtësuara nga shekujt të skenave të lashta, përmes “Nga posti sundues-Dinamika e Fjalës Publike” do të dëgjojmë kumbimin e zërit të Thukididit në “Elegjinë e Perikliut”, të Platonit, Aristotelit, Arianos, Diodorus Siculus e të tjerë.
Një shfaqje retrospektivë në epokën e Athinës së uritur të Perikliut, luftrat e Peloponezit, pasionin e Alkiviadhis dhe helenëve për Sicilinë, dialogun e Meneksenos me Sokratin nga filozofia e Platonit. Në vijim, lideri botëror Aleksandri i Madh, nxënës i Aristotelit, i drejtohet popullit me dhurata e premtime të vyera në përjetësi. Udhëtimi ideor tërthurret me vlerat e demokracisë, të drejtësisë, të virtytit, por flet dhe për skifterët që rrëmbejnë me çdo mënyrë famën dhe prestigjin e pamerituar. Takim me të varfërit e të munduarit që, gjithsesi, në ato shekuj të pluhurosur tashmë, gëzonin të drejtën të ndryshonin nivelin e jetesës, të kandidonin për poste drejtuese, të konkurronin për lidership si të barabartë. Përulje për të guximshmit e trimat që duhen gjykuar jo nga rezultati, por nga ndershmëria e qëllimit fillestar. Me një finale mrekulli nga gjeneral Perikliu gjatë leximit të “Epitafios” për të vdekurit e nderuar të një sistemi demokratik të vërtet, real e të prekshëm. Një zhytje e thellë pa oksigjen, pa frymë, në epokën më madhështore të njerëzimit, duke marrë sërish mësimet e domosdoshme nga tekstet që adhuruam fëmijë, por mesa duket harrojmë duke u rritur. Kjo është shfaqja që përgatiti e korr sukses këto ditë e javë në Greqi, artisti Enke Fezollari.
***
Me një buzëqeshje të çiltër e dashamirëse, Fezollari është “dhuratë” për çdo gazetar. E vetmja kërkesë e panegociueshme që ka për median vendase është të shkruhet saktë emri i tij. Greqishtja moderne nuk ka bashkëtingëlloren “ll”, Enke këmbëngul se mbiemri i tij shkruhet me dy “l”. Përveç këtij detaji që shkakton veç buzëqeshje dhe vulos vërtetësinë e artistit për identitetin e tij të pamohueshëm, çdo bisedë tjetër është një eksperiencë shkëlqyese si rrezet e diellit pas ngricës së dimrit të acartë. Nuk e teproj aspak, është një mik shumë i mirë, ndër të rrallët që gjithmonë ndjehem krenare e përmend plot sadisfaksion “A po, Enken e njoh, është i Yni”.
Vera e sivjetshme nuk përbën përjashtim për veprimtarinë teatrale, as pandemia nuk i pengoi asnjë plan. Fatmirësisht, media sociale lehtëson kontaktet dhe Enke, që ndodhej në veri për bashkëpunimin me teatrin shtetëror të Seres, gjithmonë i gatshëm e euforik, kërkesës për një intervistë së largu i’u përgjigj me hapin guximtar të këtij tetori: “Do të sjellim në Athinë veprën e Ornela Vorpsit, do duhet patjetër diçka edhe për gazetën e diasporës” përgjigjet e unë mendoj se thjesht më arriti edhe këtë radhë.
Ka lindur në Shqipëri në vitin 1981, ndërsa pas viteve 90’ emigroi në Greqi. Nga viti 2005 e deri në vitin 2017 ka bashkëpunuar me regjisorët më të famshëm të Teatrit Kombëtar grek, Teatrit të “Neos Kosmos”, “Apo Mihanis”, “Chora” etj. Nga viti 2010 angazhohet si regjisor, në vitin 2013 vlerësohet me çmim në Festivalin e Sarajevës për veprën “Lista” e Kleris Lionakis sëbashku me Manos Karaxhojanis. Në të njëjtin festival prezantoi dhe “Hekubën” e Euripidit me aktorë grekë e shqiptarë emigrantë. Në rolin e Hekubës aktorja e mirënjohur Vefi Redhi me të cilën do të bashkëpunojë sërish për shfaqjen “Vendi ku nuk vdiset kurrë”.
Në vitin 2017 përfaqësoi në Festivalin e Berlinit, në kuadrin e programit “Endlich Theatre” Teatrin Eksperimental Kombëtar Grek, ku brenda 24 orëve realizuan regjinë e një vepre turke.
Viti 2015 rikthen Enken në Shqipëri, këtë herë në rolin e merituar, të regjisorit të dramës së Shekspirit “Hamlet”. Bashkëpunimi me Teatrin Eksperimental Kombëtar të Shqipërisë dhe aktoren e madhe Luiza Xhuvani, në një shfaqje hipnotizuese shkruan histori.
Po në vitin 2017, prezanton për publikun artdashës të Festivalit të Athinës “Virgjëreshat e Betuara” të Elvira Dones, ideuar e realizuar përmes monopateve të veriut shqiptar.
Veprimtaria vijon me shfaqje prestigjioze, klasike, moderne, si dhe interpretime monologësh apo rolesh të gjithanshme, si dhe bashkëpunime me figurat më të rëndësishme të teatrit bashkëkohor grek, autorë, kompozitorë, regjisorë, ndërsa nga ministria e Kulturës së vendit e çdo institucion shtetëror apo privat tashmë ofrojnë mbështetje haptazi me bindje e vullnet të plotë në gjykimin e krijimtarinë e Enke Fezollari.
Gjuha bisturi e Ornela Vorpsit pushton skenën greke
Provat kanë filluar, aktorja greke Amalia Arseni dhe shqiptare Vefi Redhi imtëzohen nën petkun e heroinave të librit me opinione më të polarizuara, por edhe të shumëvlerësuar të shqiptares Ornela Vorpsi, “Vendi ku nuk vdiset kurrë”.
Vetë regjisori dhe gjithmonë ideatori i shfaqjes, Enke Fezollari, shprehet për krijesën e tij të fundit:
“Mjaftojnë 2 orë të përshkruash një jetë, një trup, një vend, gjithë Ballkanin? Kush janë detyrimet, kush është detyra, çfarë fshihet ndërmjet, pyes veten ndërsa riformuloj një varg të Seferit. Cilin identitet social e politik veshim? Përse dhe për cilin? Cilat parime e iluzione mbartim? Me sa iluzione lindim e sa të tjera linden duke u rritur? Kaq e vështirë të flasësh për historinë e vendit tënd. Sa e vështirë të realizosh shpalosjen e trupit të paprekur të heroinës tënde, brenda dy orëve skenike. Të transmetosh historitë e jetëve të copëtuara, anullime, qytete ku mbizotërojnë ligje të posaçme. Spektatori përballet me rritjen e një vogëlusheje të izoluar në rregullore, në përkufizime të pakapërcyeshme socialo-politike, të një vendi që nuk vdes kurrë. Por është shumë më tepër se një betejë në botën maskile të dhunshme dhe në një sistem totalitar. Është beteja e vetë njeriut për triumfin e pavarësisë e dinjitetit, të çlirimit nga prangat e “është” që të eci më në fund drejt monopatit të realizimit të vetvetes. “Vendi ku nuk vdiset kurrë” është një shfaqje mbartëse e hartës së atdheut tim në hemoragji, por që gjithmonë rilind nga hiri i tij. Cilit vend? Atij që nuk vdes kurrë!
Nga tetori në skenën teatrale të Athinës, si një eksperiencë mbresëlënëse për publikun vendas e një udhëtim në pafajësinë e të kaluarës, për komunitetin shqiptar të vendit./ Diasporashqiptare.al / KultPlus.com