Festivali “Pianodrom” organizoi mbrëmjen e djeshme një koncert me 11 vepra të kompozitorëve shqiptarë, në Universitetin e Arteve të Tiranës.
Drejtuesi i festivalit, kompozitori Aleksandër Peçi, në përfundim të aktivitetit është shprehur me superlativa për studentët që interpretuan e njëkohësisht dhe për profesoret e pianos Merita Rexha Tërshana, Kristina Petrollari e Rudina Ciko, për dashurinë e madhe që kultivojnë tek studentët për gjuhën shqipe në tinguj.
Një vend të konsiderueshëm në përbërjen e programit zunë kompozitorët e traditës, që hodhën themele të forta në zhvillimin e artit muzikor profesionist shqiptar, bazë në të cilën vijuan, kompozitorët e mëvonshëm. Por krahas tyre edhe veprat e kompozitorëve të rinj, me tendencën e tyre gjithmonë në kërkim për shprehjen e ideve e koncepteve të reja krijuese, drejt një gjuhe më bashkohore e avangard.
Ishte një koncert me mjaft interes, jo vetëm në aspektin e kuriozitetit njohës, por dhe me interpretimin ekselent të pianistes Kristina Petrollari Laço. Në këtë koncert të “Pianodromit” u intrepretuan vepra premierë për publikun tonë të kompozitorëve K.Aliçkaj, V. Beqiri, L. Jupolli, I. Mehmetaj, B. Shehu, D. Zyberi, E. Bejo, dy vepra Th. Simaku, dy vepra R. Rudi.
Koncerti u mbyll me dy vepra” Stakato brilante” mbi motivet e filmit “Në shtëpinë tonë” dhe “Valle brilante Çame “ nga kompozitori Aleksandër Peçi. E para për dy piano luajtur nga duo Zdrava e Gjura dhe e dyta luajtur nga Armando Nunka./ atsh / KultPlus.com