Naum Veqilharxhi krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, që e quajti Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.
U lind në fshatin e Vithkuqit, pranë Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. I ati, Panajot Bredhi qe njeri i oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.
Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar “Evëtori Shqip Fort i Shkurtër”. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.
Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare. Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës.
Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).
Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.
Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.
Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçarë për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.
Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.
Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.
Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi.
Muzeu Historik Kombëtar ka kujtuar sot në 224 vjetorin e lindjes Naum Veqilharxhin (1797-1854), ideologun e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përcjell KultPlus.
Ai lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.
Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.
Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur.
Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.
Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.
Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.
Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patriarkana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com