Lansohet Vera e Kosovës në Suedi

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, përmes një programi të pasur, në praninë e shumë të ftuarve nga institucionet suedeze, bota e biznesit, mediet dhe përfaqësitë diplomatike, bëri Lansimin e Verës Kosovare për herë të parë në Suedi. Ky eveniment u organizua në bashkëpunim me ndërmarrjen Dardania Wine, me bazë në Suedi.

Ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi, pasi përshëndeti mysafirët, nuk kaloi pa e përmendur edhe luftën në Ukrainë, të shkaktuar nga agresioni rus, ndër të tjera, duke shtuar se, askush nuk mund të bashkëndjejë më shumë me popullin e Ukrainës, se sa ai i Kosovës, i cili në një të kaluar jo të largët, ka përjetuar terror të ngjashëm. Më pas ajo bëri një prezantim rreth mundësive për investime në Kosovë.

Programi u pasua nga fjala e përfaqësuses së Stone Castle🇽🇰, znj. Teuta Kurshumlija.

Mysafirëve iu drejtua me një fjalim mbresëlenës edhe drejtoresha ekzekutive e Dardania Wine🇸🇪, znj. Valbona Shala.

Programi kulmoi me performancën fantastike të Trios muzikore përbërë nga Pia Ternström, Johanna Halvardsson, udhëhequr nga Rudina Hatipi. Ato performuan pjesë nga muzikali “Tri Verat” autore dhe tekstshkruese e të cilit është Rudina Hatipi, artiste teatrale me origjinë nga Kosova. E veçanta e kësaj performance muzikore-teatrale ishte se një pjesë e saj u këndua edhe në gjuhën shqipe./ KultPlus.com