75 etiketa vere shqiptare në Veronë, në panairin më të madh të verërave në botë

Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cila theksoi se “mes 4900 ekspozuesve, disa qindra njohësve profesionistë dhe dhjetëra mijëra dashamirës të verës, në stendën “Wine vision by Open Balkan”, do të promovojmë së bashku me prodhuesit tanë shijet, territorin, karakteristikat dhe autenticitetin e verës ekselente shqiptare”.

“Në këtë ekspozitë Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues”, tha Krifca.

Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë edhe rajonin si destinacion turistik.

Në stendën e Shqipërisë 20 prodhuesit më të mirë të verës, ekspozojnë verërat “Made in Albania” me etiketa tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku ekportojnë prej vitesh. Ata prezantohen në këtë event të rëndësishëm, me synimin për vendosjen e bashkëpunimeve të mundshme për hapjen e tregjeve të reja të eksportit të verës “Made in Albania”.

Vreshtaria dhe verëtaria mbeten në fokus të qeverisë shqiptare për të nxitur zhvillimin e sektorit. Nëpërmjet programeve të mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, kantinat vendase kanë përfituar financim për rikonstruksion dhe ngritje ambientesh për, linja dhe makineri për paketimin dhe standardizimin, investime të cilat kanë shërbyer në përmirësimin e cilësisë së verës./atsh/KultPlus.com

Verë

Poezi nga Nerimane Kamberi

Qetësi, mesnatë,
në fund të bahçes, vetëm lumi ndëgjohet,
por as ai nuk bën zhurmë,
rrjedh me përtaci,
sikur edhe atë ta ketë lodhur vapa.
Pulat kanë fjet.
Kaloi një ditë përvëluese,
e nga mali, mbrapa majës së shelnës,
del hëna, kadale kadale, si një nuse e turpshme.
Magji e natës,
xixëllonjat si një mijë yje,
vallëzojnë pranë hanëmelit,
aromë dehëse, më merren mendtë, gjumi , lodhja.
Natë e mirë, natë e embël.
Një ditë e re do të agojë,
me shije bosileku.
Poshtë katundit,
grunaja lëkundet valë valë nga era e lehtë
përkëdhel lulëkuqet,
ditë vere. / KultPlus.com

Vera e ruajtur në hapësirë mund të shitet për 1 milion dollarë

Një shishe vere “Bordeaux” që ka qëndruar për 14 muaj në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar është nxjerrë në shitje, për një shumë që mund të arrijë deri në 1 milion dollarë.

Vera “Château Pétrus 2000” ishte pjesë e një eksperimenti për të parë sesi ndikojnë kushtet në hapësirë te vera.

Kompania e ankandeve “Christie” tha në deklaratë se me paratë e siguruara nga shitja do të financojë misione të tjera hapësinore. Tim Triptree, drejtori ndërkombëtar për pijet alkoolike i “Christie”, tha për CNN se shuma që firma pret të arkëtojë shkon te rreth 1 milion dollarë.

Kutia e shishes është realizuar me dru nga firma “Les Ateliers Victor” dhe brenda saj ka gota dhe një hapëse vere të bërë nga një copë meteoriti. Gjithashtu në kuti gjendet edhe një shishe identike, por që ka qëndruar në Tokë, në mënyrë që blerësi të bëjë dallimin.

Në total, në hapësirë janë dërguar 12 shishe, por Triptree tha se vetëm njëra do të shitet. Tetë të tjera do të mbahen për kërkime të mëtejshme, ndërsa 3 janë hapur tashmë dhe janë pirë./a2/KultPlus.com

“Verë dhe portokalle”, spektakli i humorit shkon në Bulqizë

Aktorët e humorit zgjodhën Bulqizën, si destinacionin e radhës.

Mes duartrokitjeve dhe larg tensioneve politike, qytetarët e Bulqizës mbushën pedonalen e qytetit, teksa shijuan një spektakël që u mungon prej shumë kohësh banorëve.

Banorët shijuan për më shumë se dy orë spektaklin dhe në jo pak raste shoqëruan aktorët në batutat e roleve të tyre.

Të gjithë protagonistët e spektaklit shijuan duartrokitjet dhe vlerësuan mikpritjen.