Vermoshi, 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit, vitet e fundit është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara alpine.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale pamje nga bujtinat e ndërtuara në Vermosh.
“Columbus Villas është një nga sipërmarrjet më të reja në Vermosh të Malësisë së Madhe mes peizazhit të mrekullueshëm që i shtohet ofertës turistike të kësaj zone”, tha Rama.
Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Limit. Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./atsh/KultPlus.com


