Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cila theksoi se “mes 4900 ekspozuesve, disa qindra njohësve profesionistë dhe dhjetëra mijëra dashamirës të verës, në stendën “Wine vision by Open Balkan”, do të promovojmë së bashku me prodhuesit tanë shijet, territorin, karakteristikat dhe autenticitetin e verës ekselente shqiptare”.
“Në këtë ekspozitë Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues”, tha Krifca.
Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë edhe rajonin si destinacion turistik.
Në stendën e Shqipërisë 20 prodhuesit më të mirë të verës, ekspozojnë verërat “Made in Albania” me etiketa tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku ekportojnë prej vitesh. Ata prezantohen në këtë event të rëndësishëm, me synimin për vendosjen e bashkëpunimeve të mundshme për hapjen e tregjeve të reja të eksportit të verës “Made in Albania”.
Vreshtaria dhe verëtaria mbeten në fokus të qeverisë shqiptare për të nxitur zhvillimin e sektorit. Nëpërmjet programeve të mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, kantinat vendase kanë përfituar financim për rikonstruksion dhe ngritje ambientesh për, linja dhe makineri për paketimin dhe standardizimin, investime të cilat kanë shërbyer në përmirësimin e cilësisë së verës./atsh/KultPlus.com