Flonja Haxhaj
100-vjetori i lindjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, u shënua mbrëmë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës, e cila për të nderuar këtë figurë që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, i parapriu edhe sezonit që do t’iu kushtohet tërësisht veprimtarisë së kompozitorit Mulliqi, shkruan KultPlus.
Koncerti i organizuar për të shënuar një ditëlindje jubliare, solli magjinë e veprave që u përkasin stile të ndryshme, por në fund emocionet më të shumta publiku i përjetoi kur në skenë u jetësua ‘Baresha’ për orkestër simfonike.
Para një publiku që kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antoin Marugier, u përcoll magjia e veprave të Beethoven, Prokofiev dhe Mulliqit.
Po ashtu, në rolin e solistit u rikthye edhe koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili luajti “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.
Pas performancës që dhuroi pafund emocione në publik, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili drejtoi Filharmoninë e Kosovës për herën e tij të dytë. E ndonëse skena në të cilën ai performoi mbrëmë mund të jetë shumë më e vogël nga ato që ai është mësuar të punojë, Marguier shprehet se më shumë se kaq për të është e rëndësishme emocioni që përçohet e që jo gjithmonë ka të bëjë me përmasat e skenës.
“Nuk ka skenë më të vogël, çdo skenë është e madhe, skena është vendi ku shpreh dëshirën e kompozitorit, kështu që ka gjithmonë të njëjtat përmasa kudo që të jetë sepse gjithmonë është më i rëndësishëm emocioni që shfaqet kur takohen interpretuesit, kompozitori e që nuk është në mesin tonë dhe publiku”, tha Marguier.
Më tutje ai foli edhe për kompozitorin Rexho Mulliqi, muzikën e të cilit, Marguier thotë se filloi ta studiojë pak javë më parë.
“Unë nuk e kam njohur deri më tani kompozitorin Rexho Mulliqi. Fillova të studioja për të pak javë më parë dhe pata kohën të zbuloja këtë lloj muzike dhe shprehjet e tij. Gjithashtu njerëzit këtu dhe orkestra më treguan për të dhe sigurisht nuk është kurrë e lehtë të vij si i huaj nga një kulturë tjetër dhe të vendos këmbët e mia në një muzikë të re në vendin e muzikës”, tha më tutje Marguier duke falënderuar edhe pjesëtarët e orkestrës për bashkëpunimin.
Në këtë koncert të një rëndësie të madhe kombëtare, pjesa e parë ishte e rezervuar për pianisten Vesa Berisha, e cila në vitin e kaluar fitoi garën ‘Pianisti i ri 2022’. Ajo u paraqit suksesshëm duke iu bashkëngjitur orkestrës në interpretimin e kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.
Ndërkaq, ajo ndau për KultPlus emocionet e kësaj nate, e që sipas saj përjetohen rrallëherë.
“Ka qenë një emocion që rrallëherë mund të përjetohet. Jam shumë me fat dhe e vlerësoj shumë mundësinë që më është dhënë që të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha pianistja Berisha, e cila më tutje vlerësoi lart edhe punën me dirigjentin Antoine Marguier.
Për të folur rreth këtij koncerti që iu kushtua kompozitorit që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është një koncert kompleks, marrë parasysh stilet e ndryshme të veprave që u luajtën.
“Ky është një koncert kompleks meqë janë shpalosur stile të ndryshme, vepra të kompozitorëve të ndryshëm duke filluar nga Bethoveeni që është një botë në vete, më pas Prokofievi i cili në botën e muzikës artistike konsiderohet si një kompozitor shumë i veçantë në stilin e tij dhe natyrisht këtu Visar Kuçi ka bërë një punë të mrekullueshme. Është e pashmangshme të përmendet që meqë është edhe ditëlindja e kompozitorit tonë të madh Rexho Mulliqi, e kemi parë të arsyeshme që në vigjilje të 100-vjetorit t’ia kushtojmë këtij kompozitori”, u shpreh Jashari, i cili mes tjerash tha se Filharmonia e Kosovës do të mundohet që me mundësitë e sa të bëjë promovimin e veprave të Mulliqit edhe jashtë vendit.
Ndërkaq, në sezonin artistik të vitit 2023, Filharmonia e Kosovës do t’ia kushtojë veprimtarisë artistike muzikore të Rexho Mulliqit./ KultPlus.com