Restaurimi i veshjeve tradicionale në Gjirokastër, mjeshtrit e zonës po punojnë për kostumet tradicionale që tërheqin turistët

Në Gjirokastër dhjetëra kostume traditcionale janë duke u restauruar prej mjeshtrave lokalë e njëherazi po frymëzojnë krijimin e kostumeve të reja sipas modeleve origjinale. Gjirokastra me shtatë zona etnografike kishte të zhdukur pothuajse deri tek ekzemplarët e fundit më shumë se dhjetë kostume të zonave të ndryshme.

Lizeta Hatika që po risjell në jetë elementë të veshjes të disa zonave prej vitesh realizon qëndisjen e tyre për porosi që vijnë nga grupet  folklorike, emigrantët dhe qytetarë që i kanë rikthyer ato si pjesë e ritualeve të festave dhe dasmave.

“Pjesa më e madhe e porosive vijnë nga emigrantë jashtë Shqipërisë të cilët bëjnë porosi për evente të ndryshme familjare. Vitin e kaluar dhe sivjet janë bërë shumë porosi për fejesat dhe dasmat që ata bëjnë në vendet ku jetojnë.

Sipas saj ngjyrat dhe motivet origjinale të këtyre veshjeve shekullore duhen kuruar nga ekspertë të etnografisë për të mos patur deformime ndërsa së fundi ka edhe përpjekje për risjelljen e materiale origjinale.

“Duhen përpjekje akoma më të mëdha dhe duhet të mblidhen komisione apo grupe etnografësh të cilët janë të njohur në këtë fushë për të vënë në vend çdo gjë që ne kemi si pjesë e trashëgimisë kulturore. Rëndom po shohim që po deformohen shumë kostume.

Ka përpjekje për të krijuar materiale autentike siç kanë qenë dikur. Janë disa artizanë që e kanë marrë shumë seriozisht dhe kanë filluar të punojnë ato materiale ashtu siç kanë qenë fijet dhe materialet e linit dhe shajakut.”

Vitet e fundit kostumeve të grupeve folklorike i janë rikthyer elementë të rrezikuar të traditës që nga kalcat e burrave, bohçatë e grave, përparëset, shamitë, këmishat dhe opingat e qëndisura. Ekspertët pranojnë se me vitet shumë materiale po ndryshojnë për shkak të humbjes së prodhuesve të shajakut e përpunuesve të leshit por besohet se humbja e pandalshme e elementëve të trashëgimisë  që vihej re gati një dekade më parë tashmë është ndërprerë./tema/KultPlus.com

Veshjet tradicionale të Lumës, ngjyra dhe elegancë

Një vend të rëndësishëm në punët e dorës dikur zinte përgatitja e kostumeve tradicionale. Gjithnjë e më të paktë janë personat që i veshin apo dinë t’i realizojnë veshjet tradicionale dhe për këtë arsye ruajtja e tyre, e përçimi i dijes janë thelbësore për trashëgiminë. Në kohët moderne, kostumet popullore shpalosen kryesisht në festivale folklorike apo raste gëzimesh familjare si dasmat. Ka ende shumë familje që i ruajnë ato si pasuri kulturore e shpirtërore.

DRTK Shkodër, në vazhdën e një projekti për prezantimin e veshjeve të veriut me publikun, sjell disa veshje të zonës së Lumës. Ato shquhen për bukurinë, elegancën e kombinimin e ngjyrave.

Në njërën nga fotot e publikuara në rrjetet sociale, DRTK Shkodër sjell një jelek të ruajtur me fanatizëm nga familja Doçi, punuar në dorë në vitin 1935 kur po përgatitej paja për vajzën e familjes.

Ky jelek ruan elementë të veshjes së Lumës e ruhet me fanatizëm në fshatin Nangë, nga kjo familje.

Në foton e dytë tregohet pjesa e pasme e jelekut lumjan, veshje e shekullit XX.

Më pas prezantohen edhe disa çorapë të Lumës në fshatin Vilë, punuar gjatë përgatitjeve për pajën, në familjen Hasa. Këto trashëgohen sot  nga e bija e shtëpisë. Për endjen e tyre janë përdorur lesh nga delja rudë që është racë 100 % e Kukësit dhe Dibrës.

Përveç veshjeve, DRTK Shkodër sjell edhe foton e një instrumenti muzikor që në Kukës quhet dahire dhe i përket familjes Gjana, në Ujmisht të Kukësit. Dahirja është realizuar nga i zoti i shtëpisë me rastin e fejesës së tre djemve të familjes./atsh/KultPlus.com

Në Shkodër, zhvillohet sfilata me veshje tradicionale frymëzuar nga Marubi

Katër stilistë të huaj janë frymëzuar nga krijimet e Marubit. Përmes kësaj, ata realizuan një sfilatë të veshjeve tradicionale të sjella në kohën e sotme.

“Marubi” është frymëzues. Nxit imagjinatën e të sjell në kohë etnosin tonë përmes veshjeve. Katër stilistë nga vendet e ndryshme të botës, me një sfilatë veshjesh tradicionale në rrugën Kole Idromeno. Organizatorja e aktivitetit Klodi Mengri thotë se kush më mirë se Marubi mund të të frymëzojë.

Klodi Mengri, organizatore, u shpreh: “Shumë e kënaqur, e lumtur. Tani do të doja që të gjithë ta përcjelli e gjithë Shkodra këtë kënaqësi që unë ndjej në shpirt”.

Për Luçjan Bedenin, Marubi ka joshur arkitektët e inxhinierët, pse jo edhe për stilistët. Ajo që synohet është kthimi i kësaj sfilatë në një traditë.

“Unë besoj që Marubi prej 2 vitesh po e ndryshon bindshëm qytetin”, tha Bedeni, shkruan Abcnews.

Me burim nga etnografia shqiptare e pasqyruar në veshjet e personazheve të fotografuar nga Marubët dhe e riparë sot nga stilistë të rinj që frymëzohen prej saj, ku përmes stilit, e kaluara dhe e tashmja vijnë së bashku në përfaqësimin e trashëgimisë e identitetit tonë kulturor.

Sfilata u shfaq në pedonalen e Shkodrës dhe vjen si bashkëpunim i Muzeut Marubi, Ti Institut dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com