“Vet ke mbet” është një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat janë përçuar tek publiku nga zëra unik shqiptarë, shkruan KultPlus.
Ndërkaq, së fundmi është publikuar edhe një version tjetër i kësaj kënge të papërsëritshme. Është sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi e cila ka risjell këtë këngë në një mënyrë mahnitëse.
Zëri i saj i pastër dhe vija melodike janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron aranzhimi magjik i dirigjentit Edon Ramadani.
Në përcjellje të pianos nga vetë Ramadani, sopranoja Kajtazi ka arritur që kësaj kënge t’i dhurojë plot emocion e jetë. Qysh nga fillimi e deri në fund, meloditë dhe tingujt të ndjekin pas dhe me patjetër të detyrojnë që të rikthesh këngën nga fillimi, pa ndalë.
Ky interpretim është shfaqur më herët në festivalin e mirënjohur “ReMusica”, por vetëm dje është publikuar në faqen zyrtare të festivalit në kanalin YouTube.
E kjo këngë sipas sopranos Kajtazi, është një nga këngët më të dashura për të.
“Miq të dashur kam kënaqësinë të ndaj me ju interpretimin tim të një prej këngëve ma të dashtuna për mua “Vet’ ke mbet “
Kujtim i bukur nga festivali ReMusica Festival
Një aranzhim dhe intepretim i mrekullueshëm nga Edon Ramadani”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale. / KultPlus.com