Ms. Indefinite ka sjell një video-performancë të titulluar “Labirinti i barazisë”, ku trajton diskriminimin gjinor, përcjellë KultPlus.
Video-Perfomanca “Labirinti i barazisë”, në mënyrë artistike “kontradiktore” avokon në çmitizimin e mitit të martesës si konstrukt shoqëror dhe familjar, mbi teoritë dhe konceptet e shkrimtares, filozofes dhe aktivistes feministe, Simone de Beauvoir, rreth martesës si kurthim për gratë, në privimin e zhvillimit të karrierës së tyre. Kurse, “paradoksalisht” nëpërmjet performimit nëpër pesë rrugët që mbajnë emrat e figurave të grave që kanë kontribuar ndër gjenerata, adreson alegorikisht diskriminimin gjinor që është prezent edhe në emërtimin e rrugëve dhe shesheve, përmes simbolikës si dëshmi që kontributi i madh i shumë grave, diskriminohet nga sistemi dhe shoqëria patriarkale.
Bazuar në hulumtimin e Organizatës joqeveritare EC Ma Ndryshe, më pak se 4% të rrugëve në Kosovë mbajnë emra grash, kjo përqindje e emërtimit të rrugëve në komunat e Kosovës ofron dëshmi për diskriminimin gjinor në sferën publike të vendit, edhe pse dispozitat e Kushtetutës përkufizojnë se Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.
Ndërkohë, edhe Ligji për Barazinë Gjinore garanton, mbron dhe promovon barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Neni 5 i këtij ligji që përkufizon masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore, përshkruan një numër masash që duhen zbatuar nga institucionet e të gjitha niveleve me qëllim të parandalimit dhe eliminimit të diskriminimit gjinor si dhe arritjes së barazisë gjinore. Mirëpo, në bazë të listës së Agjencisë Kadastrale të Kosovës del se në 32 komuna të Kosovës nga 21,508 rrugë, 13,840 mbajnë emra burrash ose 57,3%, dhe vetëm 707 ose 3.6% mbajnë emra grash.
Për më tepër, ndiqeni video-performancën artistike të realizuar mjeshtërisht Ms. Indefinite. / KultPlus.com