Artisti shqiptar, Skender Beck publikon këngën e parë në gjuhën shqipe (VIDEO)

Artisti shqiptar Skender Beck, i cili jeton në Los Anxhelos të Kalifornisë, ka publikuar këngën e tij të parë në gjuhën shqipe të titulluar “Sa Larg…”, shkruan KultPlus.

Kënga është e shkruar dhe komponuar nga Skenderi. Në daulle është Brian Petry, baterist zyrtar i GMS Drums. Në kitarë ekzekuton Andreë Timothy, muzikant nga Nashville, Tennessee. Inxhiner zëri është legjenda e miksit Chris Wonzer që punoj artin e zërimit për yjet botërore (Pink, Stone Temple Pilots, Phil Collins, Sting, R.E.M., Deep Purple). Kënga është incizuar në Melrose Studios, Los Anxheles.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip ku Skender Beck shfaqet i shoqëruar me kitarën e tij si gjithmonë.

Skender Beck përveçse këngëtarë është edhe një aktor me përvojë. Aktualisht jeton në Los Angelos, por dashuria e Beck për muzikën u kultivua në Kosovë. Që në fëmijëri është marr me muzikë dhe aktrim në Kosovë, duke njohur famën që në fëmijëri. U rrit duke dëgjuar muzikë rock dhe nisi të performonte muzikë me disa grupe muzikore. Skender Beck studioi teatër dhe ka marrë dy çmime nga Teatri Kombëtarë i Kosovës për aktrimin e tij.

Në vitin 1997, Beck migroi në New York City për të vazhduar shkollimin në Institutin e Teatrit Lee Strasberg, dhe që prej asaj kohe ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Këngët në album janë një kulm i karrierës së shqiptarit Beck, pas shumë viteve që këto këngë i kishte në mendje ai vendosi t’i bëj bashkë në një album.

Për disa nga këngët në album, Beck ka punuar me Marc DeSisto, nominuar nga Grammy, eksperiencat e të cilit përfshijnë punë me gjigandët klasikë të rokut si Pink Floyd dhe U2.

Përvojat e jetës, puna e madhe dhe përkushtimi i Beck janë faktorët kryesorë që krijuan albumin e shqiptarit Beck. / KultPlus.com