Nën organizim të drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës sot është bërë promovimi i librave ‘Kosova VI,VII dhe VIII’ nga publicisti dhe historiani i njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi.
Historiani dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, u shpreh i lumtur që iu dha mundësi që të bëjë promovimin e librave të tij në vendlindjen e tij, ku edhe ka kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij.
Duke diskutuar me të pranishmit për librar, ai u shpreh se historianët ia kanë borxh popullit që ngjarjet e mëdha historike ti dokumentojnë. Sipas tij e vërteta duhet të bartet tek brezat e ri dhe mbi themelet e saj të ndërtohet shteti i Kosovës dhe e ardhmja e tij. Në kuadër të qëndrimit të tij në Pejë, Jusuf Buxhovi, do të vizitoj edhe Bibliotekën “Azem Shkreli” ku edhe do të dhurojë 100 libra ndërsa nesër ai do të ketë edhe bashkëbisedim së bashku me të rinjtë e kësaj komunë.
Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë tre vëllime të reja. Libri i gjashtë përfshin ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.
Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi. Këto tetë vëllime i kanë mbi 5 mijë faqe, projekt i përbashkët i Shtëpisë Botuese “Jalifat Publishing”, dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica”./KultPlus.com