“Continuum” është emri i revistës shkencore të Qendrës së Studimieve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Tashmë është botuar numri i parë i kësaj reviste vjetore që është konceptuar në përputhje me misionin e QSPA, si pjesë e botimit të studimeve të specializuara për historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
Në këtë kuadër, revista synon të nxisë bashkëpunimin mes studiuesve vendas dhe atyre në Diasporë e më gjerë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e strukturës së studimeve mbi komunitetin arbëresh, dhe shërben si një forum për shkëmbimin e ideve dhe debateve shkencore. Realizimi i saj bëhet i mundur nga Drejtoria e Studimeve dhe Publikimeve pranë QSPA, në bashkëpunim dhe me studiues të tjerë brenda dhe jashtë vendit.
Zgjedhja e titullit nga latinishtja “Continuum” (“Vijimësia”), mëton të ngërthejë një simbolikë të dyfishtë: nga njëra anë, lidhjen e pashkëputur ndonjëherë të arbëreshëve nga trungu amë, pavarësisht aspektit fizik territorial dhe, nga ana tjetër, vijimësinë që kjo Qendër Studimesh dhe Publikimesh synon të realizojë.
Revista është strukturuar në këto rubrika:
– Artikuj studimorë të studiuesve të QSPA, por edhe të figurave të tjera të arealit akademik shqiptar, mbi çështje të ndryshme që ngërthejnë retrospektivën, aktualen apo edhe të ardhshmen e problematikave me natyrë historike, gjuhësore, letrare etj., të arbëreshëve;
– Forum: “Arbërishtja – gjuhë në rrezik”. Kjo rubrikë, e menduar si një fillim agora-je për studiuesit e çështjes arbërore, është konceptuar mbi bazën e parashtrimit të të njëjtave pyetje që kërkojnë përgjigjen e disa studiuesve albanologë në disa vende (Shqipëri, Kosovë, Itali, Gjermani) mbi debatin më të ndjeshëm të sotëm, atë të gjuhës arbërisht në rrezik.
Ky format risi mëton të vjelë mendimin e studiuesve të disiplinave të ndryshme e me një përhapje gjeografike të larmishme, në mënyrë që kjo çështje që është përzgjedhur edhe si moto e vitit të punës së QSPA, të konvergjojë në një ide të qartë e të artikuluar mbi mendimin akademik aktual të albanologëve kudo që ndodhen;
– Almanak: siç edhe vetë fjala e tregon, kjo rubrikë paraqet kontributet e disa figurave të rëndësishme të universit arbëresh që kanë pasur përvjetorë lindjesh apo vdekjesh në këtë vit kalendarik, nëpërmjet shkrimeve mbi ta;
– Dokumente dhe materiale, të pabotuara më parë;
– In memoriam: shkrime përkujtimore të studiuesve arbëreshë apo të atyre që kanë studiuar arbëreshët, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë këtij viti kalendarik;
– Kritikë dhe bibliografi: recensione kritike mbi botimet e fundit të QSPA si dhe të botimeve të tjera mbi arbëreshët;
– Veprimtaria e QSPA gjatë vitit 2020–2021: një përmbledhje e historisë së themelimit të këtij institucioni, e platformës, vizionit, objektivave, qëllimeve e synimeve, po aq sa e veprimtarive të Qendrës në vitin e parë të krijimit, në tri drejtimet kryesore të saj: studime, botime, përhapje dhe sensibilizim i kulturës arbëreshe në mjedisin shqiptar.
Revistën e plotë në versionin online, mund ta gjeni në linkun vijues: http://qspa.gov.al/continuum/ / KultPlus.com