660,000 flamuj të bardhë në nderim të 660 mijë viktimave që humbën jetën në SHBA për shkak të COVID-19 u vendosën para Qendrës Kombëtare në Uashington.
Ekspozita e titulluar, “Në Amerikë, mbaje mend” synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat që po shkakton pandemia e cila ende vret mesatarisht rreth 2,000 qytetarë çdo ditë.
Ndërkohë që Londra ka lehtësuar masat e kufizimeve anti-Covid për udhëtarët.
Nga 4 tetori, personat e vaksinuar nuk do të kenë më nevojë të testohen para se të nisen për në Angli, me kusht që ata të mos vijnë nga vendet të përfshira në listën e kuqe.
Më shumë se dhjetë mijë të rinj midis moshës 12 dhe 15 vjeç u vaksinuan të premten. Mijëra të tjerë priteshin gjatë fundjavës në qendrat e vaksinimit dhe zyrat e mjekëve. / KultPlus.com
Në 24-orëshin e fundit, 36 persona në Kosovë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka cilësuar si një ditë të rëndë për Kosovën, shkruan KultPlus.
Ajo tutje i fton institucionet e Kosovës të mblidhen sot në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
Postimi i plotë:
Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë!./KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka ndarë një lokacion për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në shenjë nderimi të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.
Ata që vdiqën nga COVID-19 në Kosovë do të mund të kujtohen çdo herë, nëpërmjet një simboli që pritët të ndërtohet në nderim të tyre.
Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm e Komunës së Prishtinës ka shqyrtuar kërkesën, drejtuar Kryetarit të Komunës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë (Oda e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, Oda e Infermierëve dhe Oda e Fizioterapeutëve) të Kosovës, për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në nderim të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.
Kjo drejtori sipas kërkesës së lartcekur nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës dhe në bashkëpunim me zyrtarët e kësaj drejtorie, ka identifikuar lokacionin e kërkuar për vendosjen e këtij obelisku, i cili gjendet në kuadër të Planit rregullues urban “Prishtina e Re – Zona Perëndim” i miratuar me Vendimin e KK të Prishtinës,01. nr.35-186850, dt. 02.10.2013, sipas të cilit kjo zonë është paraparë të jetë për infrastrukturë rrugore.
“Lokacioni i kërkuar/propozuar shtrihet në pjesë të parcelës kadastrale,nr.2723-0, ZK Prishtinë, në pronësi – Pronë shoqërore, KK Prishtinë. Është propozuar që obelisku në fjalë të vendoset në hyrjen kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, andaj në aspektin e planifikimit nuk paraqet ndonjë pengesë për caktimin e lokacionit sipas kërkesës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës, të cilin e ka parë lajmi.net, e i cili do të miratohet edhe në Asamble.
Sipas këtij vendimi, bazuar në gjendjen faktike, konstatohet se hapësira ku do të vendoset obelisku është pjesë e infrastrukturës rrugore, përkatësisht sipërfaqe e gjelbëruar, andaj gjatë vendosjes së tij duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë ambientit. Propozohet që të vendoset në madhësi, formë dhe material të përcaktuar sipas kërkesës së parashtruar (gjerësi 2.5 m dhe gjatësi 10 m). / KultPlus.com
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i përkujtoi 400.000 viktimat amerikane të koronavirusit në mbrëmjen e së martës në Washington DC, ndërsa shumë qytetarë u solidarizuan në rrjetet sociale për përkujtim kolektiv.
Shifra e tmerrshme e viktimave u arrit të martën. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në ShBA ka shkuar në 401.128 persona, ndërsa mbi 24 milionë janë infektuar. Të dyja shifrat janë bindshëm më të lartat në botë.
“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë. Nganjëherë është vështirë të kujtojmë, por kështu shërohemi. Është me rëndësi që ta bëjmë këtë si komb”, tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë ceremonisë për përkujtimin e viktimave të pandemisë.
Ceremonia u organizua nga komiteti inaugurues i Bidenit, i cili ngjarjen e përshkoi se mundësi për të reflektuar dhe për t’i nderuar ata që nuk janë më. Ky komitet bëri thirrje për një moment kombëtar të unitetit, duke kërkuar nga amerikanët që të ndezin qirinj në dritare, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Shumë amerikanë publikuan në rrjete sociale mesazhe të përkujtimit dhe fotografi të qirinjve. “U prehshin në paqe familja ime dhe miqtë e mi që humbën ndaj Covid-it. Lutem për babanë tim dhe shumë të tjerë që ende janë duke vuajtur dhe për ata që i kanë humbur të dashurit. Faleminderit, Biden, për nderimin e 400 mijë jetëve të humbura”, shkroi një përdoruese e Twitter-it.
Përkujtimit të viktimave nga presidenti Biden dhe nënpresidentja Harris iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë të lartë në mbarë vendin. Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se ky është një moment unitetit për qytetin dhe vendin. “Në mbarë Amerikën në këtë moment, njerëzit janë bashkuar me një qëllim të përbashkët: për t’i kujtuar ata që kemi humbur, për të ndier atë që familjet e tyre janë duke ndier”, shtoi ai. / KultPlus.com
“Dritë…për nesër” titullohej koncerti homazh i organizuar mbrëmjen e djeshme nga bashkia e Tiranës për viktimat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri.
E ftuar e veçantë në këtë koncert ishte sopranoja e mirënjohur Linda Kazani, por dhe emra të tjerë të muzikës operistike, si sopranot Marina Kurti, Elira Hoxha e Anita Kerhani, si dhe dy baritonët Artur Vera dhe Erjon Sherri, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e këtij Universiteti.
Sheshi përpara Universitetit të Arteve u ndriçua nga qirinjtë në nder të të gjithë atyre që kanë humbur jetën nga sëmundja që ka prekur mbarë globin.
Që në muajin mars, kur u shënua rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë, deri ditën e sotme e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës 493 persona. /atsh/ KultPlus.com