QKRMT fiton rastin në gjykatë ndaj Komisionit Qeveritar për refuzim të statusit të viktimës së dhunës seksuale

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka fituar rastin e parë në Gjykatë ndaj vendimit të Komisionit qeveritar për refuzim të statusit të viktimës, shkruan KultPlus.

“Në janar të këtij viti është ftuar në shqyrtim gjyqësor rasti i parë i përfaqësuar nga QKRMT, ku dje kemi pranuar Aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar Padia në tërësi dhe rasti është kthyer për RISHQYRTIM dhe RIVENDOSJE në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar QKRMT në facebook.

Tutje, kjo Qendër e cila merret me të mbijetuarit e dhunës seksuale thekson se kanë paraqitur dhjetëra raste për mos njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë vepron mbi bazën e aplikimeve të të mbijetuarve, teksa njohja e statusit iu mundëson atyre ndihmesa financiare dhe të tjera. / KultPlus.com