Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon Fokus: Viktor Gjika – një program i kuruar në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival.
Filmi “Rrugë të bardha” prodhim i viti 1974 me regji nga Viktor Gjika u shfaq mbrëmë për publikun për t’ia lënë pas vendin dhe tre filmave të tjerë. Në vijim për publikun do të jenë filmat “I teti në bronz” i viti 1970, “Në çdo stinë” i vitit 1980 si dhe i fundit do të jetë filmi “Njeriu me top” i vitit 1977. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i cili nuk ka munguar me role në filmat e Viktor Gjikës pohon se regjisori Gjika në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme në kinemanë shqiptare.
“Viktor Gjika ka krijuar historinë e shekullit 20 të shqiptarëve përmes ekranit. Në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme, të cilët me anë të veprimeve artistike kanë bërë përgjithësime të pashlyeshme të shqiptarëve”, u shpreh regjisori i njohur Mevlan Shanaj.
Sipas tij para kamerës së Viktor Gjikës u shpalon mjeshtëria e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare ndër vite.
“Viktor Gjika foli përmes heronjve dhe njeriut të thjeshtë gjuhën e përpjekjes për rezistencë. Para kamerës së regjisorit Gjika u shpalosën mjeshtria e Sandër Prosit, Rikard Ljarjes, Bujar Lakos, Timo Fllokos, Pandi Raidhit, Robert Ndrenikës, e dhjetëra-dhjetëra të tjerë”, vijon në reagimin e tij regjisori Shanaj, i cili e vlerëson jo pak dhe shfaqjen e filmave në kinemanë e AQSHF. Edhe vetë Arkivi i Filmit fton publikun që deri më datë 9 nëntor të ndjekë filmat e regjisorit të njohur.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se rikthehen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit projeksionet në 35mm, me risinë e subtitrimeve në anglisht, për të gjithë dashamirësit e kinematografisë shqiptare. Ju mirëpresim, ju dhe miqtë e huaj, në kinemanë e AQSHF-së nga data 6 -9 Nëntor 2017, ora 17:30 në Fokus: Viktor Gjika në kuadër të TIFF. Katër filma nga mjeshtri ynë”, thuhet në njoftimin e arkivit.
Vepra filmike e Viktor Gjikës
Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar Viktor Gjika (1937-2009). Me këtë rast, TIFF paraqet katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekran të madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit). Këto katër tituj; “Rrugë të bardha” “I teti në bronz”. “Në çdo stinë” dhe “Njeriu me top” sipas AQSHF përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”. “Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës”, vijon njoftimi i arkivit. I lindur në qytetin jugor të Korçës, “Parisit të Vogël” të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit “Debatik” (1961) dhe Detyrë e posaçme” të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin “Komisari i dritës” (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si “Horizonte të hairta” (1968), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Gjeneral gramafoni” (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma. Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit “Nëntori i dytë” (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com