Nga Jusuf Buxhovi
Rruga e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet) pa mëdyshje se lidhen edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur publicistin e njohur gjerman Viktor Majer, asokohe korrespodent i gazetës së njohur gjermane “Frankfuter Allgemeine”, akademik Gazmend Zajmin dhe profesor Fehmi Aganin.
Kjo treshe intelektuale, me Viktor Majerin – i cili inkurajoi drejtpërdrejt “grupin” e gazetarëve të “Rilindjes” që t’i hynin punës dhe këtë e bëri me shkrime në gazetën FAZ ose me kontakte të drejtpërdrejta me disa prej tyre; me akademik Gazmend Zajmin, që ishte referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, paçka se ai nuk dëshironte që kjo të bëhej publike; si dhe profesor Fehmi Aganin – i cili shfaqej si fuqi e madhe kohezive politike e këtij projekti, që ishte në gjendje të pajtonte të gjitha rrymimet shoqërore pa marrë parasysh kahun e tyre, pra kjo treshe ndërtonte trekëndëshin më të rëndësishëm të themeleve mbi të cilin do të ndërtohet ngrehina politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si një faktor që do të marrë përsipër lëvizjen kombëtare, që do të vejë në binarët e pandalshëm historik dy procese njëherësh: atë të rrënimit të strukturave të Lidhjes Komuniste e me këtë edhe të komunizmit si dhe të shkëputjes nga Serbia.
Viktor Majeri prej vitesh do të bëjë të njohur gjendjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe planet e Beogradit që nëpërmes rrënimit të autonomisë së Kosovës të vitit 1974, të marrë përsipër timonin e një Jugosllavie unitariste, që pas vdekjes së Titos, hap pas hapi, vendin do ta kthente në taborin sovjetik. Me shkrimet e tij analitike nga viti 1981 e këndej, veçmas me ato nga 23 marsi i vitit 1989, kur Beogradi do të rrënojë me dhunë autonominë e Kosovës, Viktor Majer, duke e quajtur veprimin e Millosheviqit puç kundër Jugosllavisë evropiane, drejtpërdrejt do të alarmojë opinionin botëror me rrezikun që po i kërcënohej. Madje, ai ishe nder ata që ngulmonin se demonstratat e vitit 1981, sado që ishin të drejta nga ana e shqiptarëve, vlerësoi se në forma të ndryshme, u dirigjuan nga forcat serbe dhe ato ruse që kërkonin shkas për ndezjen e fitilit Jugosllavisë së Titos, pikërisht nga shkaku pse Kosova si njësi e barabartë federative ruante balancimet që ajo të mbetej kah perëndimi, pra të parandalonte rikthimin sovjetik të humbur nga viti 1949. Po ashtu, me anën e lidhjeve me disa intelektualë të Kosovës (kryesisht gazetarë të “Rilindjes”), Majer do të angazhohet që si kundërpërgjigje Beogradit që ia kishte arritur të rrëndonte autonominë e Kosovës sipas planit të saj perfid nga viti 1981, të dilet me themelimin e një partie politike, që do të formulonte kërkesat fillimisht për Republikën e Kosovës, ndërsa pas Deklaratës së 2 korrikut 1990, Kuvendit të Kaçanikut dhe veçmas pas konferencës së Hagës të gushtit të vitit 1992 kur Komisioni i Badinterit shpalli federatën jugosllave në shpërbërje, kërkoi që Kosova të luftojë për statusin e njësisë së pavarur, pra të shtetit që ka të drejtë të vendos për fatin e vet si njësitë tjera federative. Me të njëjtin përkushtim Viktor Majeri do të vazhdojë të këshillojë dhe ndihmojë dr. Rugovën dhe intelektualët tjerë në rrethanat para dhe pas Dejtonit, si dhe ato gjatë dhe pas Rambujesë, duke kërkuar që si pozicion të mbrohet Kushtetua e Kaçanikut si shprehje e vullnetit demokratik të shqiptarëve. Në dy librat e tij “Si u shpërbë Jugosllavia” 1992 dhe “Trashëgimia e Jugosllavisë”, 2020, Majeri e ritheksoi të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur që buron nga kushtetua e vitit 1947 kur ishte pjesë e tetëshes federative, pa marrë parasysh statusin dual. Po në këtë gazetë, në gusht të vitit 1989 paralajmëroi formimin e partisë nga intelektualët shqiptarë që do ta marrin përgjegjësinë politike për vendin. Një javë pa u themelua LDK-ja, në FAZ “zbuloi” edhe emrin e partisë si dhe kryetarin e mundshëm (Rugovën) si të përzgjedhur amerikan.
Akademik Gazmend Zajmi, po ashtu ishte ndër intelektualët e merituar, që jo vetëm themelimit të LDK-së, por në përgjithësi procesit të shtetndërtimit (infrastrukturës demokratike siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetua e Kaçanikut), i dha impulset të fuqishme profesionale, paçka se përherë deshi të mos i përmendej emri. Kjo e bën edhe më të fuqishëm rolin e tij në gjithë procesin.
“Kosova duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e Jugosllavisë”, më tha kur iu drejtova për konceptin e programit, ku çështja e statusit duhej të ishte më e rëndësishmja. Në hamendjen time se mos duhej përmendur “Republikën” ose ndonjë formulim tjetër, qetas tha se “formula e avancimit në federatë i përfshinte që të gjitha, qoftë që të mbetej gjendja e tanishme e rregullimit federativ, qoftë të vijë te ndonjë lidhje konfederative. E rëndësishme që përjashtohet çfarëdo lidhjeje me Serbinë…”
Kur i thashë se edhe amerikanët përjashtojnë çfarëdo lidhjeje me Serbinë ma ktheu:
“Epo, mendojmë njëjtë. Kjo është inkurajuese, meqë pa amerikanët nuk bëhet gjë”. Me këtë rast më tha se Dr. Rugova duhet ta marrë posti e partisë, por pasi që të marrë garanci nga amerikanët.
”Kjo ka rëndësi të madhe”.
Profesor Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur. Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i pakapërcyeshëm në ato rrethana që shfaqeshin me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë së re ta përfshinte. Profesori dëgjoi me vëmendje ato që ia thashë rreth partisë, që jo vetëm i miratoi, por tregoi gatishmëri që të kyçej në të nga nënshkrimi në listën e themeluesve e deri ku duhej. Madje, kur u njoftua për ndihmesën që kishte dhënë akademik Gazmend Zajmi rreth çështjeve juridike, u trimërua edhe më shumë, jo vetëm nga respekti i madh që kishte për Gazmendin, me të cilin kishin punuar bashkë prej vitesh në Universitetin e Prishtinës në programet arsimore dhe shkencore drejt forcimit të nivelit akademik të këtij institucioni dhe të tjerave, që do t’i shërbenin edhe emancipimit politik dhe shoqëror në të gjitha nivelet, por edhe për atë se Zajmi ishte ndër autorët e kushtetutës së vitit 1974, autoritet juridik me autoritet në gjithë vendin. Si Rektor i Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, me arsyetimin se universiteti kudo shfaqej si bartës i ndryshimeve pozitive, që shoqëritë duhet t’i dëgjojnë me vëmendje, pra si forcë elitare, ishte tërhequr sapo ishte kërkuar gjykimi i tyre dhe diferencimi.
Tha se Gazmendi ishte i saktë dhe formulimet e tij duhej ndjekur. Në kërkesën time rreth një formulimi për sistemit politik, i cili duhej të mbështetej mbi pluralizmin politik, kërkoi që në qetësi të formulojë një tekst, të cilin do të ma sillte pas dy ditësh.
“Do të përpiqem të jam më koprrac se Gazmendi”, tha si me mahi.
Duket se edhe emri “Lidhja Demokratike e Kosovës”, i kishte tingëlluar paka i madh. Pyeti se a mund të rrudhej në “Parti Demokratike”.
Më vonë, kur ia bëra me dije se rreth emrit kisha biseduar me gjermanët dhe amerikanët (përfaqësuesit e ambasadave në Beograd që ato ditë përherë i kishim pranë) dhe se ata ishin pajtua, madje (amerikani) e kishte vlerësuar si tejet të qëlluar këtë meqë i asocionte me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku ishte kërkuar autonomia shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane, kërkesë kjo që, si tha, kishte prodhuar “Shqipërinë osmane”, gjëqë nuk përjashtohej mundësia edhe e shfaqjes se një Kosove perëndimore, profesori u pajtua.
“Nëse kështu mendojnë amerikanët, atëherë pse jo”, tha si me shaka. “Koha po na ngarkon me një përgjegjësi të madhe që duhet marrë me përkushtim…”
Profesor Agani kishte marrë me përkushtim punën më themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, por edhe transformimin e saj nga një parti në Lëvizje Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve kur në të do të anëtarësohen mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë e tij që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë e tij politike që t’i bashkojë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht luftë për t’iu kundërvënë represionit serb, profesor Agani jo vetëm që u bë dorë e djathtë e presidentit Rugova, por mund të thuhet se mori përsipër çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet diplomatike çarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1987, kur rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në Rambuje.
Natyrisht se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor Aganin rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar. Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.
(Shkëputur nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, e përpunuar dhe e plotësuar me dokumente nga Kuvendi Themelues. Gjendet gratis në faqen: jusufbuxhovi.com). / KultPlus.com