Nga Milena Selimi
Cili je ti Viktor Zhusti? Pyes veten sa herë më trondit në skenë e sa herë të lexoj. Më pëlqen të them: Një histori e gjallë. Në teatër dhe bezen e bardhë. Në fakt këtë e sigurojnë ata pak, në të vërtetë shumë pak artistë, të cilët gjatë viteve u kanë dhënë reflektim, dashuri dhe buzëqeshje publikut. Mjeshtëri aktori Teatrit. Besim kolegëve dhe regjisorit. Sukses produksionit skenik e filmik. Mjaft të thuash emrin e tij: Viktor Zhusti. E përreth do të ndjesh: Heshtje. Nderim. Admirim, që rezervohet për yjet e mëdhenj të skenës, që i kemi aq pak sot në gjallje e që rrezikojnë të zhduken.
Ndryshe nga shumë kolegë të tij që janë aq pranë masave adhuruese dhe intervistave “Unë ju zbuloj gjithçka për veten” Zhusti i para dhe pas viteve ’90 mbetet i paarritshëm. Dhe ai nuk është aq i zakonshëm, pavarësisht nga çfarë pohon “Njerëzit nxitojnë pas shfaqjes të më urojnë dhe unë i pres me buzëqeshje për të treguar që jam i kënaqur. Në të vërtetë jam dyshues dhe pakëz i trishtuar për atë që kam bërë”. Çfarë i bën skenës një artist si Zhusti? Asgjë më shumë veç asaj që do të bënte një artist i madh, i cili herë pas here, përmes fjalës, gjestit dhe veshjes së një karakteri që ndryshon vazhdimisht, arrin të kapë personazhin e ta hedh tek publiku, ta prekë e ta emocionojë. Interpretimet e tij të pafundme të ekzistencës njerëzore na bëjnë të kuptojmë thelbin e tij të vërtetë, duke komunikuar diçka të fuqishme, e cila të befason. Ai di të përcjellë forcën e jashtëzakonshme të teatrit dhe kinemasë, ai di si ndërtohet një urë mes tregimit jetësor e jetës skenike.
Zhusti, ky Mjeshtër i skenës nis thjesht të mbjellë farën e personazhit, vijon me vazhdimësinë e veprimit, pastaj na çon në proceset e brendshme psikike që e ‘rrezikojnë’ aktorin në shtresa të errta, jo lehtësisht të kapërcyeshme, por ai mundet, personazhi i tij nuk është qëllimi, por mjeti për të konfirmuar idenë e vënies në skenë dhe punën e aktorit. Sepse Zhusti nuk është thjesht një përkthyes, pas aktorit-interpretues qëndron aktori-autori, aktori që mendon. Unë besoj se një tekst i madh dramatik organizohet si një mekanizëm që ingranon çdo pajisje që të jetë në punë. E Zhustit nuk i mjafton veç të punojë. Atij i duhet të gjejë një mënyrë për të ndezur fitilin dhe për ta bërë atë të shpërthejë në fjalë, ndjesi, mendime, që mbrrin drejt e në publik, nga spektatori i parë tek i fundit. Është e sigurt që prej disa vitesh Zhusti është vlerësuar shumë në pothuajse çdo rol në kinema apo teatër: dhe sigurisht është i vetmi që mund të ishte edhe profesor Leo edhe Mbreti Lir. Ai di të shmangë vëmendjen e medias, refuzon çdo lloj lajke , përshëndet aq ngrohtë me atë ecje elegante, tipike për disa Artistë të urtë, të matur e të kulturuar që edhe pse në ‘ vjeshtën e katërt’ e tejkalon trishtimin e vjeshtës. I dashur Viktor, sa herë të duartrokas kur jam në sallë mendoj se qenia jote skenike na shndrron në spektatorë të bukur, të mençur, që dalin nga shfaqja me pyetje në kokë. Përtej skenës na bën të vlerësojmë thelbin që sheh zemra dhe argumentin që jep mendje e urtë si ty. Personalisht e di që do vazhdosh t”më trondisësh në skenë. FALEMINDERIT MBRETI LIR ! Ditë me diell, energjie dashuri të uroj.. deri ne takimin tjetër me personazhin e radhës!
Fotot: Arkiv nga Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana. / KultPlus.com