“Vila 31” – qendër arti, Rama: Projekti më i pjekur dhe shërues në raport me të kaluarën

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot vendimin për ta kthyer rezidencën e ish-diktatorit Enver Hoxha, e njohur si “Vila 31”, në një hapësirë në funksion të artistëve shqiptarë e të huaj.

Duke iu përgjigjur interesimit të medies të pranishme në hapjen e rezidencës artistike, “Vila 31 x Art Explora”, Rama shprehu bindjen se ripërdorimi i këtyre hapësirave duke përqeshur historinë e tyre, por pa e fshirë atë është gjëja më e pjekur dhe më shëruese në raport me të kaluarën.

Rama shprehu bindjen se kjo ishte gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë.

“Kjo hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë motoja shtytëse në mendjen tonë, që çfarëdo qoftë që do të bëjmë aty do të bëjmë një gjë, që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti deri në një pendesë ekstreme se pse jetoi aty”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin degjenerim modernist.

Në këtë aspekt, Rama u shpreh se “kjo do jetë një shtëpi e degjenerimit modernist”.

“Nuk ka më bukur sesa këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj dhe të jetë një vend dialogu e ndërveprimi. Për krimet dhe përgjegjësitë për to, në kuptimin e muzealizimit të së shkuarës, kemi Muzeun e Gjethes në qendër, keni Bunk’Art, jemi duke punuar projektin e Muzeut të Përndjekjes në Shkodër”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe kontestimet që kanë pasur këto projekte.

“Çfarëdo uji t’i japësh gomarit, i ke dhënë ujin me temperaturën e gabuar. Kur bëmë Bunk’Artin shpërtheu histeria që po kthehet e shkuara. Për Bunk’Art 2 u bë një protestë e vazhdueshme derisa vajtën me kazma e dy gishta që të shembnin bunkerin. Edhe kur u vu statuja e Stalinit dhe Leninit si një gjest vetironie me të shkuarën. Ne kemi bërë këtë zgjedhje dhe jam i bindur se kemi bërë zgjedhjen më të mirë. Ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi. E njëjta gjë edhe për vilën tjetër që është bërë tani shtëpi mikpritëse për vizitorë e takime zyrtare”, tha Rama./atsh/ KultPlus.com

Shfaqja “Makbeth”, një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit

Shfaqja “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet.

Me praninë e një publiku të vogël në numër për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Në rolet kryesore janë aktorët e njohur Alfred Trebicka -Makbeth, Loredana Gjeçi-Ledi Makbeth si dhe 4 aktorë ndihmës Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se është një shfaqje, që nuk duhet humbur. “Një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit. “Makbeth”, një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Enton Kacës dhe interpretim në rolet kryesore nga Alfred Trebicka dhe Loredana Gjeci na rikthyen edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të lakmisë për pushtet…Një shfaqje që nuk mund ta humbisni!”, shprehet ministrja.

Kjo pjesë është rindërtuar dramaturgjikisht duke pasur parasysh vendosjen e saj në kohën e sotme dhe është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore, dhe specifikisht hapësira e mundshme dhe më e përshtatshme të ishte vila 31, ish -rezidenca e diktatorit Enver Hoxha.

Shfaqja teatrale do të vijojë edhe në datat, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor. / KultPlus.com