Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin martir, Vilson Blloshmi.
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.
Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.
Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd dënoi poetin Vilson Blloshmi dhe poetin Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.
Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.
Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronxi në qytetin e Librazhdit.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale, “agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”. Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë./atsh/KultPlus.com