Shpirti lirik i një poeteshe

Nga Agim Vinca

Pas librit të saj të parë, “Do vij me hijen e erës” (2020), Ajne Ibërhysaj del para lexuesve me vëllimin e saj të dytë poetik Gravurë me ngjyrat e kohës. Sikurse edhe në librin e parë, edhe këtu Anja vazhdon të shpalosë në vargje botën e saj intime, dashurinë për jetën dhe dhimbjen për humbjen e njerëzve të saj të dashur, pa lënë mbas dore as përkushtimin për atdheun.

Poezia e Ajne Ibërhysajt nuk është poezi e mjeshtërisë a zanatit, por e ndjesisë dhe përjetimit të çastit. Fjalë kyçe e poezisë së saj është fjala shpirt, ndërsa togfjalëshat: “dridhjet e shpirtit”, “britmë shpirti”, “psherëtimë shpirti” e të tjerë të ngjashëm, shfaqen shpesh në vargje edhe si tituj vjershash, që, herë-herë, ngjajnë si variacione të njëra-tjetrës.

E tërë poezia e Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë. Po qe se bëjmë një krahasim me fenomenet e natyrës, do të thoshim se rrëfimi poetik rrjedh lirshëm, ashtu siç ndërrohen stinët e motit, siç bien gjethet në vjeshtë dhe siç rrjedhin ujërat e lumenjve. Edhe pikat e shiut që lëshojnë retë dhe lotët që rrjedhin nga sytë janë pjesë e kësaj “gravure”.

(Të themi në parantezë se titulli i librit: Gravurë me ngjyrat e kohës i përgjigjet përmbajtjes së veprës: frymës së përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë përbërësve të saj ideotematikë dhe

gjuhësorë-stilistikë).

Ndoshta bukuria e kësaj poezie qëndron pikërisht këtu, te kjo natyrshmëri, që është shprehje e botës së pasur shpirtërore të poetes dhe e përvojës së saj jetësore. Në harmoni me këtë përcaktim është edhe fjalori i kësaj poezie, si dhe motivet e saj, që, edhe kur duket se largohen në mitologji (Troja, Prometeu, Sizifi, Itaka), i qëndrojnë besnikë kohës dhe mjedisit që i ka lindur.

Edhe kur ndeshet me ftohtësinë e rrethit, poetesha jonë përpiqet ta zbusë atë me ngrohtësinë e ndjenjës, të tingujve e ngjyrave, që nuk e lënë indiferent për asnjë çast lexuesin. Duke i lejuar vetes ta mbyllim këtë fjalë të shkurtër në mënyrë pak a shumë të figurshme, metaforike, do të thoshim se lirika e Ajne Ibërhysajt ka shpirt dhe kolorit: ajo i ngjan një kopshti shumëngjyrësh, ku secili gjen diçka pas shijes së vet.

Prishtinë, 25 qershor 2024/ KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

Natë në Prishtinë

Poezi nga Agim Vinca

Natë në Prishtinë
(Para bustit të Pjetër Bogdanit e Hasan Prishtinës)

Kur bie nata në Prishtinë
E dimri derdh shi e borë
Mblidhen kokë më kokë të dy
E kuvendojnë deri vonë

Kur bie nata në Prishtinë
E merr ngricë e bën acar
Pip mbi gur në çdo stinë
Ata – kryesogjetarë

Kur bie nata në Prishtinë
Qyteti ka ethe, e zë kolla
Ata s’shtinë gjumë në sy
Njëri te Kisha, tjetri te Shkolla

Kur bie nata në Prishtinë
E zjarri shuhet, bëhet hi
Ata na ngrohin shpirt e frymë
Tash treqind vjet a tre mijë

Rrafsh treqind a tre mijë
Të dy bashkë ata rrinë
Err e terr pa gjumë në sy:
Sa zgjat nata në Prishtinë?

1987 /KultPlus.com

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.
Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.
Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.
Ç’rastësi !
Të tre kemi njohur nga një diktaturë
(unë dy a tri)
dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:
Gëzuar!
Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)
Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë !

(Paris, 22 maj 2002)/ KultPlus.com

Agim Vinca: Kadare është Emblemë e Kulturës Kombëtare

Agim Vinca

Është nder dhe kënaqësi e veçantë, por edhe përgjegjësi e shkallës më të lartë, të flasësh – para një auditori të nderuar, siç jeni Ju dhe në një ceremoni solemne, siç është kjo – për jetën dhe veprimtarinë e protagonistit të kësaj ceremonie, shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit ka marrë tashmë, në kulturën shqiptare, ashtu sikurse vepra e Naim Frashërit dikur, përmasat e një bible nacionale.

Në auditoret e këtij Universiteti dhe veçanërisht të Fakultetit në të cilin ndodhemi emri i tij shqiptohet çdo ditë, kurse veprat e tij lexohen e komentohen gjerësisht; idetë e tij kanë qenë për ne dhe vazhdojnë të jenë ende, në masë të madhe, udhërrëfyese në kohë e në hapësirë, ndërsa arti i tij tregues i nivelit dhe i pjekurisë sonë shpirtërore dhe intelektuale.

Ne që punojmë dhe studiojmë në Universitetin e Prishtinës, të rinj e të moshuar, studentë dhe profesorë, poetë dhe shkencëtarë, nuk mund t’i harrojmë vargjet që laureati ynë i sotëm i shkroi në mbrojtje të atyre që në vitin e madh 1981 u ngritën të kërkonin të drejtat e tyre; të kërkonin të bëheshin njerëz të lirë e të barabartë me të tjerët:

U ngritët ju, viganë, fisnikë

Me korrektesë e madhështi

Ngaqë kërkuat republikë

U shtypët si në monarki.

Ne që punojmë e studiojmë në këtë institucion të lartë shkencor që quhet Universitet i Prishtinës, aq të dashur e të çmuar për ne e të urrejtur aq shumë nga ata që urrejtjen e patën shpallur ideologji të vetën, nuk mund ta harrojmë novelën Krushqit janë të ngrirë, personazhi më mbresëlënës i së cilës, studenti Shpend Brezftohti, bie i masakruar nga dhuna policore në demonstratat e studentëve të Kosovës, që kërkonin, në mënyrë të qetë e paqësore, avancimin e statusit politik të saj në shkallë të Republikës, e aq më pak veprën Bisedë përmes grilash, hero i së cilës është jo një personazh fiktiv, por një personazh real, profesori i këtij Universiteti, politikologu i shquar Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë as sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar më se katër vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Në këtë çast solemn, kur shkrimtari ynë i madh, autori i më se pesëdhjetë veprave letrare të zhanreve të ndryshme dhe i adhuruari i mijëra e miliona lexuesve anembanë botës, ndodhet në mesin tonë, për të marrë titullin e merituar “doctor honoris causa”, nuk mund të anashkalojmë as triptikun e njohur Tri këngë zie për Kosovën, që flet për fatin tragjik të Kosovës, të cilën autori e konsideron me të drejtë pjesë të pandashme të Shqipërisë, as poezinë Mundja e ballkanasve nga turqit…, që çmistifikon mitin serb mbi “betejën e Kosovës”, ndërkohë që burimet relevante

historike flasin për një luftë të përbashkët të “koalicionit ballkanik”, as poezinë Terrori në Kosovë, ku, sikurse edhe te Krushqit e ngrirë, shfaqet fytyra e krimit të ricikluar në shekuj, as tregimin Baladë për vdekjen e J. G., që evokon jetën dhe vdekjen e veprimtarit të lëvizjes kombëtare të Kosovës, Jusuf Gërvallës, i cili ishte njëherësh edhe një krijues i hollë e subtil dhe sa e sa krijime të tjera në poezi e prozë, që trajtojnë temën e Kosovës, sepse Kadareja dhe Kosova, siç është thënë edhe në një rast tjetër (në promovimin e librit Ra ky mort e u pamë në vitin 1999), janë një binom i pandashëm.

Nuk do mend se tema e Kosovës dhe preokupimi me fatin e saj, paraqet një segment të rëndësishëm të veprës së gjerë e shumëdimensionale të Ismail Kadaresë, porse unë jam këtu për të thënë diç, aq sa më lejon koha që më është dhënë në dispozicion, për opusin letrar kadarean dhe, natyrisht, edhe për personalitetin e tij si njeri dhe krijues në përgjithësi.

I vetëdijshëm se veprimtaria e Ismail Kadaresë dhe sidomos vepra e tij letrare është aq e madhe dhe aq e gjerë sa që për të mund të flitet me orë të tëra, më lejoni që, me këtë rast, të mjaftohem me disa vlerësime e konsiderata të përgjithshme.

Vepra letrare e Kadaresë është e madhe si vëllim dhe e madhe si vlerë. Ajo përbëhet nga disa vëllime me poezi, që i takojnë kryesisht fazës së parë të krjimtarisë së tij, asaj të viteve ’60; nga dhjetëra vëllime me tregime, novela e romane që trajtojnë një gamë të gjerë temash e subjektesh dhe ofrojnë një galeri të tërë personazhesh; nga mbi dhjetë vepra eseistike, që ngrenë probleme të rëndësishme letrare, kulturore, politike e shoqërore; nga një dramë me subjekt nga mitologjia antike, ku, brenda kornizës mitike, strukturohen gjedhe të gjithkohshme ekzistenciale e historike; nga dy-tri vepra për fëmijë, ndonjëra prej të cilave paraqet vlerë kulmore në këtë degë të letërsisë dhe nga shumë tekste të tjera të shkruara në formë ditarësh, kujtimesh, intervistash, letrash e polemikash, të cilat në instancën e fundit kanë karakter homogjen dhe rrahin në një pikë: te shqetësimi i përhershëm i shkrimtarit për fatin e Atdheut dhe te ideja e lirisë si vlera më sublime e jetës njerëzore. Nuk është e rastit që një numër i madh i veprave të Kadaresë (Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh etj.), shfaqen në dy e më shumë variante, që shumë motive e ide rimerren nga një vepër tek tjetra, që disa personazhe dalin në dy e më shumë romane etj., gjë që ta kujton atë mendimin e njohur se krijuesite mëdhenj krijojnë gjatë tërë jetës një vepër të vetme.

Vepra letrare e Kadaresë është e madhe me vëllimin e saj dhe e madhe me kuptimin e saj. Ajo përfshin periudha të ndryshme historike dhe hapësira të ndryshme gjeografike, sado që pikë nistore e saj është pothuajse gjithmonë atdheu i shkrimtarit, Shqipëria (në kuptimin etnik e jo politik të saj), kurse ngjarjet e disa veprave të tij, siç janë, fjala vjen, romanet Koncert në fund të dimrit dhe Pallati i ëndrrave, novelat Shkaba dhe Ikja e shtërgut etj., zhvillohen, si te Homeri e Dante jo vetëm në tokë, por edhe në qiell e në nëntokë.

Vepra e Kadaresë është e madhe me pasurinë e saj ideore e tematike dhe e madhe me vlerën dhe bukurinë e saj artistike.

Duke e lexuar veprën e Kadaresë të huajt e njohin Shqipërinë, kurse shqiptarët e njohin botën dhe vetveten.

Duke e lexuar veprën e Kadaresë mësojmë si duhet atdheu; sa e shtrenjtë është liria; sa e bukur, por edhe sa e vështirë, është jeta; sa komplekse, e ulët dhe madhështore njëkohësisht, është qenia njerëzore dhe ç’kuptim ka metafora “art i dhembjes universale”.

Kur i lexojmë dhe rilexojmë veprat: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Koncert në fund të dimrit, Ura me tri harqe, Pashallëqet e mëdha, Viti i mbrapshtë, Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën, Pallati i ëndrrave, Piramida, Spiritus e sa e sa të tjera, që tashmë kanë hyrë në fondin e përhershëm të kulturës shqiptare e, pjesërisht, edhe të asaj botërore, bindemi se vepra e Kadaresë është vepër me vlera të mëdha artistike dhe me konotacione të gjera kuptimore e semantike. Me peshën e ideve dhe të vizioneve të saj, me mesazhin e qartë dhe cilësinë e lartë artistike, me strukturën komplekse gjuhësore e stilistike, me zgjidhjet origjinale kompozicionale dhe me poetikën e saj moderne, ajo e ka të sigurt vendin e saj në historinë e letërsisë shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet, pak a shumë, edhe për poezinë e tij lirike, për pjesën më të mirë të saj, që sjell nota të reja e individuale në poezinë shqipe dhe sidomos për veprat e tij eseistike si: Autobiografia e popullit në vargje, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Eskili, ky humbës i madh, Ftesë në studio, Nga një dhjetor në tjetrin, Pesha e kryqit, Legjendja e legjendave, Dialog me Alen Bosquet-në etj., që veprën e Kadaresë e bëjnë edhe më komplekse, kurse interesimin e lexuesit për të e mbajnë përherë të gjallë.

Duke lexuar veprën e Kadaresë, përfshirë këtu edhe dy veprat e tij më të reja, Vajza e Agamemnonit dhe Pasardhësi, të cilësuara si “diptik”, mësojmë se ç’mund të bëjë me fjalën një mjeshtër i rryer i saj, i cili është në gjendje t’i vërë pranë njëra-tjetrës, fjalët me kuptim krejt të kundërt, siç bën në një rast i dashuri i Suzanës, të bijës së Pasardhësit, një Agamemnoni modern shqiptar, në përsiatjet e tij: “ E yllta, ogurzeza ime!”.

Por, ç’është në të vërtetë ajo që këtë vepër, veprën e Kadaresë, e bën të veçantë dhe për shumëçka edhe të papërsëritshme?

Teoricieni i njohur i romantizmit gjerman dhe përkthyesi i veprave të Shekspirit në gjermanisht, August Vilhelm Shlegel, duke folur për dramaturgun e madh anglez, të cilin ai e konsideronte edhe shkrimtar gjerman, pat thënë se Shekspiri zbuloi kaosin origjinal të natyrës njerëzore. Shëmbëllyeshëm këtij cilësimi inventiv të shekullit XIX, ne do të mund të thoshim sot, në fillim të mijëvjeçarit të dytë, se shkrimtari bashkëkohor shqiptar Ismail Kadare zbulon në veprat e tij kaosin origjinal të historisë shqiptare.

Vepra letrare e Ismail Kadaresë është një freskë e madhe e historisë mijëvjeçare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që kap nyjat kyçe të ekzistencës së kombit shqiptar në Ballkan dhe trajton në mënyrë autentike origjinalitetin e jetës së tij si Komb.

Vepra e Kadaresë është një metaforë e gjerë e kuptimplote e totalitarizmit komunist dhe e gjithë totalitarizmave të tjerë, të majtë dhe të djathtë. Me mjetet e artit letrar, nëpërmjet simbolit, metaforës, alegorisë, aluzioneve, parabolave, miteve, arketipeve etj., ai arrin t’u çjerrë maskën regjimeve shtypëse, që cenojnë lirinë e dinjitetin e njeriut, duke i zhvidhosur pamëshirshëm mekanizmat e tyre, temë kjo që është bërë një lajtmotiv i veprës së këtij shkrimtari. Në kushtet e censurës e të mungesës së lirisë së shprehjes, që kishte instaluar në Shqipëri regjimi stalinist

shqiptar, klimë kjo në të cilën Kadare e krijoi pjesën dërrmuese të veprave të veta, në mesin e të cilave edhe disa kryevepra, ai e trajtoi këtë temë duke e hedhur shumë herë subjektin në periudha të tjera historike dhe veçanërisht në atë të Perandorisë Osmane, siç vepron, fjala vjen, në veprat Ura me tri harqe, Kamarja e turpit, Pallati i ëndrrave, Qorrfermani e të tjera.

Krijues me talent e imagjinatë të rrallë, Kadare fluturon lirshëm nga një epokë në tjetrën dhe nga një vend në tjetrin. Rrallë ndonjë shkrimtar tjetër i kohës sonë di ta zotërojë kohën dhe historinë si ai: të gjejë përjetësinë në të përditshmen dhe të krijojë legjendën nga realiteti, aq sa për të mund të thuhet, ashtu siç është thënë për Borhesin dhe disa shkrimtarë të tjerë latino-amerikanë, se arrin t’i lidhë epokat, duke fshehur perin.

Si çdo vepër e madhe letrare e artistike, vepra e Kadaresë është, siç do të thoshte bashkëkohësi i tij i madh matanë Adriatikut, shkrimtari dhe semiologu italian, Umberto Eko, vepër e hapur. Me strukturën e saj të hapur e dinamike ideore, tematike, gjuhësore e stilistike, ajo është një vepër që lejon mundësinë e qasjeve, leximeve dhe interpretimeve të ndryshme, nga leximi i parë, i drejtpërdrejtë, deri tek ai alegoriko-simbolik, që zbërthen kuptimin e dytë a të tretë të veprës, duke i shpalosur shtresat kuptimore për të cilat flasin teoricienët e interpretimit të tekstit letrar.

Sikurse pararendësit e tij të mëdhenj, Naimi, De Rada, Fishta, Konica, Noli, Lasgushi, Koliqi, Kuteli e Migjeni dhe bashkëkohësit e tij, Xoxa, Agolli, Qosja, Camaj e të tjerë, Kadareja me veprën e tij të gjerë, rikonfirmon faktin e njohur se gjuha shqipe është gjuhë me mundësi të mëdha shprehëse.

Krijues që ka theksuar sa e sa herë (në ese, intervista etj.) se gjuha shqipe është pasuria më e madhe e kombit shqiptar dhe se ajo është njëra ndër dhjetë-dymbëdhjetë gjuhët themelore të botës, ai ka dëshmuar në mënyrë elokuente se me këtë gjuhë mund të shprehen ndjenjat e ndjesitë më të holla dhe mendimet e gjykimet më të thella.

Në serinë e veprave të tij të plota, që po boton tash sa vjet, paralelisht, shqip dhe frëngjisht, botuesi i njohur frëng Fayard (deri tani me sa dimë kanë dalë gjithsej 11 vëllime), autori ka ndërmarrë një aksion të gjerë për rishikimin estetik dhe gjuhësor të veprës së tij në tërësi, duke e pastruar rrënjësisht fjalorin e saj nga fjalët e huaja dhe veçanërisht nga orientalizmat, gjë që flet për respektin që ka ky shkrimtar ndaj gjuhës shqipe dhe për seriozitetin me të cilin i qaset punës krijuese.

Sipas të dhënave që ofron studiuesi Bashkim Kuçuku te vepra Kadare në gjuhët e botës (botim i vitit 2000), vepra letrare e Kadaresë është përkthyer në më se 30 gjuhë dhe është botuar në më se se dyzet vende të botës. Mirëpo, këto të dhëna mund të thuhet se tanimë janë vjetruar, sepse në botë mesatarisht çdo javë botohet një vepër e Kadaresë.

Në një kolokuiumin shkencor të mbajtur në Paris në vitin 1993, Kadare është quajtur “gardien de mémoire”, që në shqip do të thotë “ruajtës i kujtesës”, ashtu siç është quajtur edhe Promete zjarrsjellës, demiurg dhe Shekspir shqiptar.

Askush si ai nuk ka ditur ta trajtojë në poezi e në prozë dhe veçanërisht në disa romane të tij motivin e shkombëtarizimit dhe të bjerrjes së identitetit nëpërmjet përftesash stilistike të tipit “zona kra-kra”, “nul kujtesa”, “nul bytyn” e të tjera të ngjashme.

Vepra e Kadaresë është kujtesë, etnos, botëkuptim dhe mendësi; ajo është emblemë e kulturës kombëtare, me përmbajtje, domethënie e vlerë universale.

(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e shpalljes së Ismail Kadaresë “Doctor honoris causa” i Universitetit të Prishtinës, 21 nëntor 2003)/ KultPlus.com

Vinca: Nuk thuhet ‘zotëri’, por ‘zoti’, hoxhallarët e kanë imponuar ndryshimin

Profesori Agim Vinca tha se t’i drejtohesh dikujt me “zotëri” është gabim, ai tha se duhet t’i thuhet “zoti”. Por këtë ndryshim tha e kanë imponuar hoxhallarët.

“Gjuha standarde mësohet është gjuhë e qytetërimit”, tha profesori Vinca.

“Jemi të prirur t’i shkelim vlerat dhe e shkelim gjuhën shqipe në çdo mënyrë”, u shpreh ai.

Teksa profesori Vinca po fliste, iu drejtua autorit të Pressngut me “Zoti Kërquki”. Këtu ndërhyri analisti Shkëlzen Gashi, duke thënë “nuk është Zoti, po zotëri”.

E Vinca ia ktheu Gashit:  “Gabim është të thuhet zotëri, këtë e kanë imponu hoxhallarët”.