Hyrja e violinistit shqiptar Daniel Vlashi Lukaçi në sallën emblematike “Berliner Philharmonie”, e ka ngritur në këmbë DSO-Berlin (Deutsches Symphonie-Orchester Berlin) nën duartrokitjet e platesë gjigande plot simpati e vlerësim.
Megjithëse është normal si protokoll koncerti, por kjo paraqitje që vjen prej garave aq konkurruese, ngjan si kryefitore e betejave.
E kush nuk do të emocionohet kur ta shohë këtë video se si një djalosh 26 vjeçar, violinisti virtuoz, performon me DSO- Orkestrën Simfonike në Berlin.
Gjithë kjo arritje që i bën krenar çdo shqiptar është fryt i talentit, punës kolosale mbi 20 vjeçare, i edukatës, traditës e kulturës familjare nga babai dhe nëna.
Danieli ka lindur në Spanjë dhe sipas ligjit spanjoll ai i mban dy mbiemrat Vlashi – Lukaçi. / KultPlus.com
Pjetër Gaci, kompozitori, violinisti dhe pedagogu i muzikës klasike, sot do të festonte 92 vjetorin e lindjes, përcjell KultPlus.
Pjetër Gaci lindi në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës, më 27 mars të vitit 1931. Ai ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”.
Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).
Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe”.
Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com
Ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare Hetem Qerimaj, mjeshtri i njohur i violinës shqiptare.
Lajmin e ka bërë të ditur i biri i tij, Fatos Qerimaj përmes rrjeteve sociale.
“Te nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jete te babit tim te dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranofte ne parajse.”
Qerimaj la pas një dinasti të tërë muzikore që do të mbijetojë gjatë e merr me vete duartrokitjet e shumë brezave që e kanë ndjekur në skenë lojën e tij në muzikë.
Hetemi, “Harku i Triumfit të Qerimajve”, siç e quajtën në koncertin e përvjetorit të tij të 85-të, e la muzikën të trashëguar në 9 artistë e 3 breza.
Hetem Qerimaj luajti violinën popullore nga skenat e mëdha në ato të improvizuarat. Muzikën tironse e mbante në zemër edhe pse luante melodi nga të gjitha trevat, ballkanase e më gjerë. / KultPlus.com
Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami rikthehet në skenën e kryeqytetit, në datën 19 qershor për një koncert recital me violinë dhe piano. Pjesa e tretë dhe e fundit e sonatave për violinë dhe piano të Beethoven vjen interpretuar nga Papavrami dhe François-Frédéric Guy.
Vlorent Xhafaj drejtor artistik i festivalit “Different Trains” bën me dije se këtë mbrëmje programi përmban vepra nga Ludwig van Beethoven, për të mbyllur ciklin e plotë të sonatave të autorit të madh gjerman.
“Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze dhe mbahet në kuadër të hapjes së festivalit muzikor “Different Trains” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, datë 19 qershor, ora 20.00”, shprehet ai në njoftimin për festivalin.
Biletat gjenden në www.myticket.al. Festivali “Different Trains” është një prej aktiveve muzikore që zhvillohet në vendin tonë prej disa vitesh, ku në skenë janë ngjitur artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë.
Tedi Papavrami në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J.C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
“Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”.
Elvin Hoxha është djali i muzikantit të shquar shqiptar nga Shkodra, Hajredin Hoxha, i cili është larguar nga Shqipëria në vitet ’90. Ai është gjithashtu edhe djali i një artisteje të njohur nga Ajzerbaxhani, Nermin Ganijev.
Elvini është cilësuar si “Paganini shqiptar” dhe në një konkurs ndërkombëtar që është zhvilluar në Shangai të Kinës, me më të mirët e më të mirëve, ai është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës. Ai është vetëm 24 vjeç dhe me performancat e tij ka pushtuar skenat botërore. Madje edhe Putin e pëlqen shumë.
Elvini ishte në një lidhje “Skype” nga Gjermani me emisionin “Shqipëria Live” për të folur rreth suksesit të tij, si dhe për objektivat që ka për të ardhmen. Elvini ka treguar se që kur ka qenë 4 vjeç, gjyshja e tij dëshironte që të bëhej violinist.
Ai u shpreh se më shumë luan në Evropën perëndimore dhe në Turqi. “Por kam qenë edhe në Shqipëri për të takuar familjarët e babait, por edhe për koncerte, në Shkodër dhe në Tiranë”, shtoi violinisti. I pyetur nëse është e vërtetë se Vladimir Putin e pëlqen shumë atë, Evini tregoi se si është njohur. “Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”, vijoi ai. I pyetur se pse jeton në Gjermani, duke qenë se është lindur dhe rritur në Turqi, Elvini tha se ka profesorin e tij në këtë shtet.
“Gjermania është një prej vende më të rëndësishme për muzikën klasike. Erdha për të studiuar me një profesor shumë të mirë të violinës. Dua që edhe emrin tim ta bëj më të njohur në Evropë”, rrëfeu violinisti. Gjithashtu Elvini tregoi se ka objektiva për të ardhmen e tij, ai dëshiron që të bëhet një solist. “Dua të jem një solist, më pëlqen orkestra, por dua të luaj në salla ta mëdha që të luaj vetëm. Dua të jem Elvin Hoxha nga Shkodra, dua të jem vetvetja, dua të krijoj emrin tim”, tha ai, i cili shtroi se për t’u bërë violinist i suksesshëm duhet të punosh të paktën 4-5 orë çdo ditë. Hoxha tregoi në fund se në prill do të vijë në Tiranë, pasi është i ftuar që të jetë pjesë e një koncerti. / KultPlus.com
Në vjeshtën e vitit 1981, në zyrat më të larta të shtetit shqiptar diskutohej për talentin e rrallë të një violinisti të vogël. Ai ishte Tedi Papavrami, 10 vjeç. Kishte disa vite që kishte rënën në sy me interpretimet e tij virtuoze në violinë e dhuntitë e rralla të tij kishin nisur t’i kapërcenin kufijtë.
Në një varg shkresash zyrtare të tetorit 1981 e në vijim deri në një vit më
vonë, në zyrat e regjimit diskutohej se si mund ta çonin këtë fëmijë me aftësi
të rralla për t’u shkolluar në Francë.
Si në çdo rast tjetër, burokracitë e shtetit komunist i zvarrisin
shkresat zyrtare për të dhënë lejen qëndrimi në Francë, e sidomos për të
lejuar të atin e violinistit të vogël që ta shoqëronte të birin të paktën në
periudhën e përgatitjeve për konkurs. Megjithatë, Tedi Papavrami arriti të
shkojë në kohë në Francë për t’u përgatitur për konkursin e parë, i cili ishte
në tre faza.
Konkursi i parë ku Tedi do të paraqitej mbahej më 12 tetor 1982, dhe
aty i vogli shqiptar do të konkurronte me 150-200 violinistë të tjerë të moshës
së tij nga e gjithë bota. Prej tyre, siç njoftohej nga ambasada shqiptare në
Paris, do të zgjidheshin vetëm 20 vetë, të cilët do të konkurronin mes tyre në
konkursin e dytë me 12 nëntor të atij vitit. Më tej, finalistët e përzgjedhur
do të nisnin menjëherë konservatorin, i cili zgjaste deri në 5 vjet.
Siç dëshmojnë shkresat zyrtare, Tedi Papavrami dhe i ati, profesor Robert
Papavrami, arritën të shkojnë në Paris dhe në konkursin e parë Tedi shkëlqeu.
Po ashtu edhe në konkursin e dytë, duke u përzgjedhur për të vijuar më tej
konservatorin.
Në vargun e gjatë të shkresave zyrtare këmbyer për këtë rast, vlen të veçohet
një sosh dërguar ministres Tefta Cami, ku i jepet lajmi se Tedi Papavrami e
kishte fituar konkursin e parë dhe në interpretim kishte shfaqur shfaqur aftësi
të jashtëzakonshme. Në radiogramin e dërguar në Minstrinë e Jashtme theksohej
se “në të ardhmen ai mund të bëhej violinist me famë botërore”.
Ja teksti i plotë i kësaj shkrese:
Shoqja Tefta,
me 18.10.82 erdhi ky radiogram i mbyllur nga Ministria e Punëve të jashtme:
“Tedi Papavrami e mori konkursin e parë. Të dytin e ka me 20 nëntor.
Profesori i tij i tha Thomait se djali ka të dhëna të jashtëzakonshme dhe mund
të bëhet violinist me famë botërore.
Por sipas tij është e nevojshme të ketë një tutor muzikant. Tani për
tani mendojmë që, patjetër, i ati të qëndrojë këtu edhe një muaj, deri në
konkursin tjetër, që është periudhë pune tepër intensive.
18.10.1982
Dega e jashtme
Në fund të dokumentit janë një varg shënimesh me shkrim dore, ku pjesa më e
madhe, mes tyre edhe vetë Ramzi Alia, shprehen se janë dakord që Robert
Papavrami të qëndronte në Francë me të birin deri në konkursin e dytë.
Ja disa prej shënimeve:
“Më 19.10.82 sh.Tefta porositi që R.Papavrami të mos kthehet deri në një
njoftim të dytë”.
“Jemi dakord që R. Papavrami të qëndrojë edhe një muaj në Francë”.
“Jam dakord që të qëndrojë i ati deri në konkursin e dytë”.
“Jam, dakord”
Ramiz Alia (firma) ….
Muzikanti i vogël virtuoz shkëlqeu edhe në konkursin e dytë dhe në fund e
fitoi bursën e shtetit francez, duke ndjekur një prej konservatorëve më të mirë
të muzikës në Europë dhe duke e plotësuar parashikimin e bërë pas
konkursit të tij të parë, e pikërisht nga Partia, “se një ditë ai mund të bëhej
një violinist me famë botërore”.
Por vite më vonë, ai “nuk do i ishte mirënjohës” Partisë, pasi profesor
Papavrami, së bashku me të birin vendosën të mos kthehen në Shqipëri. Ishte një
lloj arratisjeje nga ato që u shpeshtuan në fundin e viteve ’80, e që përfshinë
sidomos kategori prej atyre që ua donte puna të dilnin “jashtë shtetit”, mes të
cilëve veçoheshin sportistët.
Kujtojmë se krahas Tedi Papavramit, në vitet ’80 do ishin dhe dy emra të tjerë violonistësh nga Shqipëria që do merrnin famë botërore, bashkëmoshatarë të Tedi Papavramit; Arben Spahiu dhe Klodiana Skënderi. /tesheshi.com/ KultPlus.com
“Muzika Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit tonë. Studiuesit e huaj kanë arritur në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është Folklori Muzikor”, ka shkruar violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli i cili do të rikthehet sërish për publikun shqiptar, në një koncert të pagëzuar “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, që do të mbahet më 23 shtator në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.
“Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur. Në 23 Shtator në “Sheshin Skëndërbej”, një pjesë e materialeve muzikore, pjesë e folklorit muzikor Shqiptar, do të interpretohet LIVE nga Maestro Shkëlzen Doli dhe orkestra. “Sheshi Skëndërbej” do të jetë arena më e madhe e muzikës autoktone Shqiptare”, ka shkruar Doli në facebook.
Prezantimi i fundit dhe shumë mbresëlënës te publiku shqiptar i violinistit Doli ishte ai në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e 2 janarit.
Në shtator të vitit të kaluar Doli ishte dhe i ftuar special në koncertin e dhënë me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan. / KultPlus.com