Kultura është një rrugë shumë më e sigurt, por edhe më afatgjatë se sa politika e ditës për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ne që banojmë në Gjermani kemi pasur privilegjin të rrethohemi nga artistë të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia duke na dhënë emocione të veçanta sa herë i ndjekim nëpër koncerte të ndryshme, në ekspozitat që hapin me punimet e tyre apo në ekranet televizive si të ftuar. Ashtu siç e pati vënë në pah, ish ministrja e kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë një vizitë në Berlin, ne duhet t’u shprehim mirënjohjen atyre artistëve shqiptarë, të cilët në mënyrë individuale, me vullnetet e tyre, me talentin e tyre dhe pa mbështetjen e shtetit, kanë arritur ti bëjnë nder emrit të Shqipërisë.
Në Gjermani kanë pasur shansin shumë talente të Shqipërisë të vazhdojnë të shkollohen dhe specializohen duke arritur të gjejnë veten mjaft mirë në sektorë të rëndësishëm të artit dhe kulturës. Ndër to bëjnë pjesë edhe dy violinistet nga Tirana, të cilat talentin e zbuluan në atdhe, por suksesin po e gëzojnë në Gjermani.
Violinistja Ela Zagori i përkushtohet artit të muzikës në skenat e koncerteve dhe teatrove në Gjermani për më shumë se 25 vjet.
Ela Mahila Zagori filloi mësimet e para në violinë në Liceun Artistik “Jordan Misja“ nën pedagogjinë e violinistes Yllka Mishta dhe studimet e larta në Akademinë e Arteve me Prof. Bujar Sykja. Me pas, fitoi studimet në “Hochschule für Musik und Tanz“ në Këln me profesorin e njohur Prof. Gorjan Koshuta dhe i mbylli studimet me dy Diploma, përkatsësisht Koncert Violiniste dhe Pedagoge violine. Gjatë kësaj kohe ndoqi Master Class me violinistë dhe pedagogë me emër si B.Kushnir (Vjenë) dhe J.Busëell( Boston). Më pas ajo kreu studime me fokus muzikën e dhomës pranë “Royal Academy of Music“ në Kopenhagen, nën mbikqyerjen e violinistëve te dy kuarteteve me famë botërore: Amadeus Quartett dhe Alban Berg Quartett. Forca e saj, plot pasion e përvojë, në artin e interpretimit të mjeshtrave të mëdhenj të muzikës, arrin të “ringjallë“ muzikën e tyre dhe të krijojë përjetime impresionuese në debutim. Për veprimtarinë e saj artistike, Ela Zagori është vlerësuar me cmimin “Johanna Löëenherz“ me përshkrimin: “Me tonin e saj magjik, arrin të lumturojë njerëzit“.
Elda Teqja i kthehet dhe njëherë studimeve për violinë në vitin 2001 në Universitetin për Muzikë në Esen të Gjermanisë, një vendim, i cili do të ndryshonte rrjedhën e gjërave në jetën e saj. Tashmë përveç se është Tutorin në Orkestrën e Filarmonise së Bonit, orkestër, e cila ndihmon të rinjë e talentuar të marrin eksperiencën e duhur në orkestër, është dhe mësuese për fëmijët e talentuar, të përzgjedhur nga mosha 6 deri ne 16 vjeç në shkollën shteterore “Folkwang Musikschule“ në Esen. Ata përgatiten aty dhe më pas marrin pjesë në Konkursin e përvitshëm pë të rinjtë“Jugend Musiziert“, konkurs i cili behet me pjesëmarrjen e talenteve nga çdo Republikë (Land) i Gjermanisë. Elda i është mirenjohëse talentit që e ka burimin nga familja e saj, ne veçanti nga babai i saj Rifat Teqja, një nga figurat e mëdha të muzikës klasike në Shqipëri për të cilin ishte më se e qartë se dhe vajza e Eldës dhe mbesa e tij, Deborah, do të ndiqte po të njëjtën rrugë si dhe djali i tij, Redjan Teqja, Docent per pjano ne Akademine e Arteve në Lugano të Zvicrës. Deborah është vetëm 14 vjeçe dhe studjon sot në Universitetin për Muzikë në Mynster me Profesorin e njohur, Koh Gabriel Kameda. Elda merr pjesë në shumë projekte që kanë si synim ti ofrojnë çdo femije mundesinë për të mësuar një instrument, pavarësisht vështirësive ekonomike që ata kanë./KultPlus.com