Shkencëtarët: Nëse nuk ndalet shkatërrimi i natyrës, na presin pandemi edhe më të rënda

Disa prej ekspertëve më të njohur të biodiversitetit në botë kanë paralajmëruar se bota ka gjasa të përballet me përhapje të sëmundjeve edhe më shkatërruese se koronavirusi, nëse njerëzimi nuk tërhiqet nga shkatërrimi i natyrës.

“Vetëm një specie është përgjegjëse për pandeminë Covid-19 – ne, njerëzit. Pandemitë e fundit janë pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit njerëzor, veçanërisht e sistemeve tona financiare dhe ekonomike, që e synojnë rritjen ekonomike me çfarëdo çmimi”, thuhet në letrën e shkencëtarëve.

“Shpyllëzimi masiv, zgjerimi i pakontrolluar i bujqësisë, minierat dhe zhvillimi i infrastrukturës si dhe shfrytëzimi i specieve të egra e kanë krijuar një stuhi të përkryer për përhapjen e sëmundjeve”, theksohet më tej, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Profesorët Josef Settele, Sandra Diaz dhe Eduardo Brondizio e kanë udhëhequr hulumtimin më gjithëpërfshirës të planetit, i cili u publikua nga Platforma Ndërqeveritare për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemeve. Aty arrihet në përfundim se shoqëria njerëzore është në rrezik nga përshpejtimi i dobësimit të sistemeve natyrale të Tokës.

Ata thanë se aktivitetet e njerëzve shkaktojnë pandemi për shkak të rritjes së kontaktit me kafshët, sepse 70 për qind e sëmundjeve njerëzore e kanë prejardhjen nga to. Sipas tyre, urbanizimi dhe zgjerimi i madh i transportit ajror ndikuan që një virus i parrezikshëm i lakuriqëve u shkaktoi shumë vuajtje njerëzve në tërë botën dhe se Covid-19 mund të jetë vetëm fillimi i tyre.

“Pandemitë e së ardhmes kanë gjasa të ndodhin më shpesh, të përhapen më shpejt, të kenë ndikim më të madh ekonomik dhe të vrasin më shumë njerëz, nëse ne nuk jemi tepër të kujdesshëm për ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve që i bëjmë sot”, thanë shkencëtarët. / KultPlus.com