E bardha s’është veç një ngjyrë


Visar Emerllahu

“Bardhesitë” nuk janë më hiret e askujt
“Bardhësitë” parajsën zaptuan
Hapën pellgje ku fshihnin mortajën
Aty ku lahesha me ëndrra
Paqen kishin lyer me të bardhë
Mbi të shkrepnin rrufe gënjeshtrash
Derisa mashtrimi pikëlonte si rigë shiu.
Ngjyra që qenia prehet duke nusëruar ndjenjat
Uratat u bënë çamçakeza, përtypeshin lehtë
Fryheshin e plasnin si tullumbace.
Vdekja pikturon çdo moment
Nxin shpirtin për t’i dhënë jetë vuajtjes!
Gruri nuk e bën bukën, gatuajmë me pluhur
Jo të tokës, por të perjetësisë!
Une e ti, që vdesim e dhimbjen lëm jashtë
Ajo vazhdon të jetoj në vaje zemrash
Trëndafilat e bardhë mbështjellin varrin
Që hapën “bardhësitë”!

E bardha s’është veç një ngjyrë,,, / KultPlus.com

“Dhimbjet palosi me kujdes”

Visar Emerllahu

Pjatën e fshiu me kafshatën e fundit
Uria i kishte mbështjellë cipën e trurit
E mbante ngrohtë në gjirin e pangopësisë.
Valixhet po zvarriteshin në tokën e baltosur
Kryengritnin për të refuzuar harrimin
Dhimbjet palosi me kujdes, e shpirti lakuriq
ngrinte nga të ftohtit e zemrës.
Pak fjalë i jargaviteshin buzëve
Flokët i zgjateshin si litar ku kish lidhur ëndrrat
Mëria si një uragan i shkundte duke i përplasur
në fytyrën time.
Lamtumira për mirësjellje sish gjë veç ledhatim
fëmijëror, që ikjes i shpejtonte hovin.
Ajo, ish e tëra ëndrra ime, qenia saj labirinthi
ku doja të përhumbesha përjetësisht.
Iku, ndërsa unë s’po kuptoja se ikja qenka çmimi
i dhimbjes që nuk e bleva kurrë! / KultPlus.com