Për herë të parë me kompozime origjinale, “Prishtina Jazz Festival” rrëqeth audiencën e kryeqytetit

Era Berisha

“Prishtina Jazz Festival”, festivali më i madh i xhazit në vendin tonë mbrëmë ka shpalosë natën e parë për këtë edicion të ri. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë ka përhapur mbrëmë një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin t’i përjetojnë tingujt e meloditë e larmishme që përqafuan imtësitë e shpirtit të gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Gjithsej pesëmbëdhjetë muzikantë kanë shkelur skenën në Teatrin Oda, për të shfaq një program të bukur me plot nëntë vepra që rrëshqitshin ëmbëlsisht një nga një në koncertin e dhënë për gati dy orë të plota. Diversiteti i instrumenteve ka qenë diçka fenomenale, e që ka dalë përtej të imagjinueshmes. Nga momenti në moment, gjithçka ndryshonte dhe të rrëmbente pa pikë mëshire, për të t’dhënë diçka që jo lehtë harrohet nga zemra e njeriut. Interpretuesit në anën tjetër, jepnin gjithçka nga vetja, dhe kjo dallohej sa herë që ata mbyllnin sytë dhe dukeshin sikur muzika po ia pushtonte qenien e tyre. Në disa momente, ata edhe ndërlidheshin nëpërmjet tingujve dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit, asisoj që të krijonte një përshtypje se muzika është ajo fija e mëndafshit që po i ndërlidhte pasionet e tyre në një shpërthim ritmik, sharmant e tejet unik.

Fillimisht, para se gjithçka të gjente fillin, në skenë doli aktori i njohur Alban Ukaj, i cili tha se festivali më i dashur për të, përherë do të mbetet “Prishtina Jazz Festival”.

“Jam një ndër ata aktorët që ka pasur gjithmonë ëndërr të bëhet muzicient, por se kam arrirë dhe jam bërë aktor. Dëshira ime e kamotshme ka qenë që ta bëj hapjen e festivalit të xhazit në Prishtinë dhe Xhaferi ma plotësoi atë. Unë gëzohem pa masë që ky festival e ka një vazhdimësi të vetin dhe gëzohem që festivalin po e organizon Armendi, me të cilin njihemi shumë gjatë. Herën e parë që kam shkuar në Sarajevë, ka qenë pikërisht me të dhe më kujtohet që rruga ka qenë shumë e gjatë, por ai flinte gjithmonë shumë. Ai më thoshte se pavarësisht nervozes, gjithmonë vjen koha për të fjetur. Ashtu është edhe muzika e xhazit. Duhesh me qenë i gjerë në mendime, me e dashtë atë në aspektin shpirtëror, për të bërë diçka të tillë. Unë e kam pasur fatin që shumicën e kohës të shoqërohesha më shumë me muzicientë e me pak me aktorë. Kur në Sarajevë nëpërmjet intervistave më pyesin se cili është festivali më i dashur, gjithmonë i them që është Prishtina Jazz Festival”, thotë ai.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina Jazz Festival” ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social, andaj dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës.

“Është nder për mua që sonte ndodhem këtu bashkë me ju dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë, në Kosovë, me këtë festival. Ky festival sjell një gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore për pesë ditë të mbushura me performime dhe aktivitete. Xhazi ka lind në New Orleans dhe atje është zhvilluar përtej kufijve amerikanë duke iu falënderuar pionierit si Louis Armstrong, që ka sjellë një frymë të re. Meqenëse zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëherë. Në vitet e 60-ta, figura të ndryshme kanë përdorur xhazin për të drejtat civile për paqe në shtet. Në vitet e 70-ta e 80-ta, është dhënë një kontribut nga artistë të ndryshëm ku xhazin e kanë kthyer në simbol global të kualitetit artistik”, thotë ai.

Sipas tij, edhe në Kosovë, në vitet e 60-ta, elementet e xhazit janë interpretuar nga artistë si Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur. Ai ka thënë se ky zhanër ka filluar të rritet dukshëm, duke iu falënderuar pionierëve si Sheki Hoxha dhe artistëve nga gjenerata e parë, ndërkaq intensiteti i xhazit në Kosovë është shumë zhvilluar pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e “Prishtina Jazz Festival “që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vend.

“Në këto edicione të këtij festivali, duhet të theksojmë se improvizimi xhaz na mëson të provojmë të jemi të rehatshëm në mos-rehati sepse rehatia na largon prej dëgjimit. Pjesëmarrja e orkestrës në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së xhazit për kulturën tonë. Ky festival ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës. Ftoj që qytetarët që për këto ditë të vijnë në këtë festival dhe të takojnë artistë nga Kosova dhe të huaj e të marrin pjesë në punëtoritë e festivalit. Urimet më të përzemërta për organizatorët e festivalit që mundësojnë bashkimin nëpërmjet muzikës”, përfundon Kurti.

Tutje, pas disa falënderimeve ndaj të pranishmëve dhe artistëve pjesëmarrës e po ashtu edhe shakave të cilat janë të njohura nga kitaristi dhe drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi, nisi koncerti fiks në orën 20:35.

Terri mbuloi vendin për disa sekonda, më pastaj reflektorët në ngjyrë vjollcë ishin ato që shoqëruan të pranishmit brenda hapësirës gjatë gjithë koncertit. Të vendosura në vende të përshtatshme pos njërës në qendër, ato ndihmuan që ne të shihnim nga afër gishtërinjtë që lëviznin si krahë të fluturës, frymëmarrjet e shumta, lëvizjet e kokave që ndjenin emocion e shumëçka tjetër.

“Albinox” (swing) dhe “Lanugo” për violinë me kompozim nga Visar Kuçi, “As Indikalastros”, “Ni sendviq t’shpise” për xhaz orkestër kompozuar nga Librun Jupolli, “Mantija” kompozuar nga Taulant Mehmeti, “Nji Lule”, “Winds of Suxhuk”, “Sharllabuzllat” e “Çaji rus”, ishin veprat që u shpalosën e që arritën të krijojnë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë, më e gjallëruar dhe krejt madhështore.

Veprat vinin në një kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, por ato njëra pas tjetrës vazhdonin të tejkalonin perfeksionin e dhuruar. Pothuajse të gjitha veprave iu bashkëngjitej instrumenti i parë elektrik në botë, teremin, e që kontrollohej nga kompozitori Librun Jupolli, i cili kishte një fokus të vazhdueshëm ndaj qasjes që e dhuronte dhe kjo e bënte koncertin akoma më të mrekullueshëm. Më pastaj, fronin e merrte vazhdimisht instrumenti i violinës që luhej nga violinisti Visar Kuçi, i cili me një qetësi të paparë dhuronte spektakël mahnitës. Është evidente se violina për të është hyjni në të cilën ai beson plotësisht. Tutje, kitarat elektronike në krye me Armend Xhaferin e Taulant Mehmetin, po elektrizoheshin nga çasti në çast dhe kjo pasonte nga dashuria e dëlirë që ata kanë për muzikën. Sytë e tyre shndritnin vazhdimisht teksa muzika përçonte emocione të llojllojshme.

Përgjatë gjithë koncertit, instrumentistët thuajse ia pasonin “topin” secilit me radhë. Në secilën vepër, mbi secilin instrumentist vihej një “dritë” që i bënte ata fokusin kryesor përgjatë disa minutave.

Armend Xhaferi, Raynald Colom, Daniel Nosig, Dukagjin Muhaxheri, Jure Pukl, John Cushing, Philip Yaeger, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Librun Jupolli, Taulant Mehmeti, Driton Bejta, Enver Maxhuni, Nesim Maxhuni, Enes Beu dhe Sam Levin, mbështollën natën e mbrëmshme si një strofull lirike ku secila notë të bënte të çmendeshe por edhe të qonte në “qiellin e shtatë”. Boritë e instrumentistëve lëshoheshin këndshëm në atmosferë duke krijuar shpërthime e kthesa të vazhdueshme me ç’rast rrahjet e zemrave sa vinin e shtoheshin. Çdo notë e saksofonit, sintit, trumbetës, baterive të hynte në brendësi dhe krijonte shtëpinë e vetë.

Nën fishkëllima, brohoritje të kohëpaskohshme dhe duartrokitje të shumta, përfundoi koncerti i parë i “Prishtina Jazz Festival”, e që do të vazhdojë deri më 18 nëntor.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.

“Koncerti erdhi nën një kombinim të muzikantëve të Prishtinës dhe muzikantëve të huaj xhaz. Koncerti ka qenë një ide e jona për të krijuar një ansambël me veprat tona. Kësaj here vendosëm që kompozimet tona të jenë pjesë e këtij viti brenda orkestrës dhe ne kemi kontaktuar të gjithë shoqërinë tonë për këtë festival. Ka qenë një xhaz i kombinuar me folklorin tonë në një farë mënyre, pra kemi prezantuar atë se çfarë ne e kemi dëgjuar si fëmijë. Kryesisht, veprat tona janë ndryshe nga to, por ka elemente ngjashmërie. Këto vepra kanë fjetur shumë mirë në konceptin e bendit dhe në repertor. Është hera e parë që e kemi bërë këtë dhe po shpresoj që nuk është hera e fundit. Veprat vijnë të kompozuara nga unë, Taulant Mehmeti, Librun Jupolli dhe Visar Kuçi”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur akoma shumë vepra të tjera të kompozitorëve të tjerë që ishin dashur të luhen, mirëpo tani drejtimi i festivalit parashihet të eci në këtë frymë për të prezantuar muzikën shqiptare.

Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka shprehur emocionet e tij lidhur me paraqitjen e dy kompozimeve të tij.

“Në një farë mënyre më shumë përdoret violina elektrike në muzikën xhaz në këso lloj formacioni. Unë personalisht nuk luaj shumë shpesh në violinë në këto lloj projekte përveç nëse është diçka shumë e veçantë si sonte kur orkestra dhe të gjithë muzikantët i përkasin një niveli të jashtëzakonshëm, andaj edhe ka qenë shumë e përshtatshme me e përdorë violinën sonte. Mendoj që violina i ka dhënë një ngjyrë të veçantë komplet programit, momente-momente. Kur muzikantët i ke të mirë përreth atëherë krijohet një platformë ku edhe ti vetë personalisht shkëlqen, prandaj ishin edhe disa momente shumë të bukura gjatë koncertit. Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale, ku dy nga to ishin kompozime të mia. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare/ballkanike, dhe në një moment e kam cituar edhe një temë të njohur popullore, ndërsa tjetra ka qenë e vetmja vepër që erdhi si pardoi e xhazit swing”, thotë Kuçi.

Kujtojmë që nesër (16 nëntor), vjen koncerti i radhës me Erkand Morinën, Xavier Nikçin, Hugo Rehman Langemarnin duke filluar nga ora 20:00, pastaj pason bendi i Raynald Colomit duke filluar nga ora 21:30./ KultPlus.com

Shpat Deda, Visar Kuçi e Tomor Kuçi me një turne koncertesh si asnjëherë më parë

Shpat Deda vjen me një turne koncertesh bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin Visar Kuçi dhe muzikantin & producentin e njohur Tomor Kuçi me një format krejtësisht të për ri ta sjellë poezinë e gërshetuar me një udhëtim të paharrueshëm muzikor për herë të parë në Kosovë, përcjell KultPlus.

Aranzhuar enkas për këtë turne mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e albumit ‘Rrugës’ marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga udhëtimi poetik nëpër fjalë e tinguj.

Më poshtë gjeni datat e gjithsej gjashtë koncerteve në gjashtë qytete të ndryshme, gjegjësisht në gjashtë salla teatrosh të ndryshme.

5 DHJETOR – Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë), Prishtinë
6 DHJETOR – Teatri Adriana, Ferizaj
7 DHJETOR- Teatri i Qytetit, Vushtrri
12 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Hadi Shehu’, Gjakovë
13 DHJETOR – Teatri i Qytetit ‘Muharrem Qena’, Mitrovicë
16 DHJETOR – Teatri i Qytetit, Gjilan

Të gjitha koncertet do të fillojnë në ora 20:00 dhe hyrja në secilin qytet do të jetë 3€. Biletat do të mund të blehen në teatrat përkatës afër datave të koncerteve.

Turneu ‘Muzikë n’Teatër’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Koncerti i Prishtinës është përkrahur nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë përkujtoi Fahri Beqirin dhe solli tri premiera botërore

Era Berisha

Kryeveprat e jashtëzakonshme të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë u jetësuan mbrëmë nga talenti i shquar i Korit të Fakultetit të Arteve, Korit të Filharmonisë së Kosovës, kompozitorit Valton Beqiri, violinistit Visar Kuçi, Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli dhe baritonit Denik Prizreni, të cilët frymuan së bashku për të sjell një repertor sublim që përmbante tri premiera botërore si dhe tri vepra që përkujtuan kompozitorin Fahri Beqiri në një vjetorin e vdekjes së tij, me ç’rast koncerti krijoi një spektër të guximshëm të melodive dhe tingujve që mbrëmë dolën përtej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Ky koncert mahnitshëm portretizoi literaturën muzikore korale që në thelb përmbante disa nga veprat më të bukura shqiptare të kompozitorëve si: Fahri Beqiri, Mendi Mengjiqi, Arben Ramadani, Drinor Zymberi, Josif Minga dhe Valton Beqiri. Veprat e titulluara “Mars” nga Mendi Mengjiqi, “Të kesh mall” dhe “Vaj si qenka ba dynjaja” nga Arben Ramdani, erdhën mbrëmë si premiera botërore të cilat Kori i Filharmonisë i interpretoi në një mënyrë aq të bukur saqë publikun e futi në një gjendje të çuditur nga përsosmëria harmonizuese e tyre.

Pasi që të pranishmit tashmë kishin zënë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën në tërësi, pasoi qetësia tashmë e njohur nga ana e publikut. Ndërsa, ishin dy podiume të gjata që po pritnin hapat e pjesëmarrësve të Korit të Fakultetit të Arteve për të mbushur skenën e cila në prapavijë po mbizotërohej nga ngjyra e zezë e perdeve të gjata. Të veshur në të zezë kokë e këmbë, Kori i Fakultetit të Arteve priti lëshimin e parë të dorës të dirigjentit Edon Ramadani për të sjell veprat e fuqishme si: “Shkoj e vij fluturim si zogu” për kor femrash ku Kori ishte i vendosur edhe në hapësirën lart në katin e dytë, “Erdh Misiti” dhe “Madrigali i Ibrit plak” për kor të përzier, të cilat sollën një interpretim ku duart e dirigjentit luhatnin në harmonizim me intensitetin e vokalit të tyre, aty ku dallohej dhe veçantia më e bukur e tyre.

Tutje ishte Kori i Filharmonisë së Kosovës ai që mrekullisht pushtoi skenën me interpretimin e veprave si: “Mars”, “Të kesh mall”, “Shkoni krushqi”, “Vaj si qenka ba dynjaja” dhe “Paska çelur moj pranvera”. Të pozicionuar në hapësirën e tyre specifike tradicionale, për të sjell gjithsej pesë vepra sa ritmike po aq edhe melankolike ku tri nga të cilat ishin premierë, vokali i tyre arriti të prekë dhe hyjnoren e tingujve e melodive. Si çdo herë, Kori dëshmoi për talentin e tyre të pakrahasueshëm e të veçantë në stilin e tyre. Ndonëse të kufizuar në një hapësirë të vogël, ishte zëri i tyre i gërshetuar ai që depërtoi lehtësisht ndërmjet të pranishmëve dhe doli përtej sallës si një hije e pandashme që portretizonte dhuntinë e tyre.

Kësaj here dukshëm vërehej dhe programi tejet i pasur i koncertit me ç’rast në skenë doli violinisti Visar Kuçi dhe pianisti Valton Beqiri për t’iu bashkangjitur Korit e për të interpretuar veprën “Udhëtim sonor” nga Valton Beqiri, vepër kjo e cila solli ndërlidhjen e rrallë dhe tejet të nevojshme për një program unik. Një piano, një violinë dhe vokali i Korit, u shndërruan në një urë lidhëse të tingujve gërshetues të cilat ngërthyen publikun në strofullën e saktësisë të qartë dhe pastërtisë të kristaltë së magjisë poseduese që dhurohej nga ata.

Pas një pushimi dhjetë minutash, në skenë po shtoheshin disa karrige të tjera në një numër të madh, për të pritur kështu edhe Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranon Zana Abazi-Ramadani, tenorin Ismet Vejseli dhe baritonin Denik Prizreni. E pastër si loti dhe e gjatë mbi më shumë se njëzet minuta, u interpretua vepra e fundit për këtë natë “Mesha Nr.2 në G-dur, D.167” të kompozitorit të njohur, Franz Schubert. Lëvizjet ritmike të kokave dhe duarve të Orkestrës shpalosën një interpretim tejet të bukur të tyre ku me inkuadrimin e zërave po aq të bukur të sopranos, tenorit, baritonit si dhe me vokalin e njëtrajtshëm të Korit, shënuan fundin e një nate me copëza magjike të paharrueshme.

Teknika e duhur korale, harmonia e gërshetuar precize ndërmjet interpretuesve, programi unik që anonte nga meloditë shqiptare, dhënia e shpirtit të secilit anëtar të dy Koreve, instrumentistëve dhe treshes vokale që u paraqitën sonte, janë dëshmitarë të seriozitetit, punës së madhe dhe dashurisë për muzikën klasike, rrënjët e së cilës strehohen në Filharmoninë e Kosovës me të gjitha degët e saj.

Në anën tjetër, ishte vetë dirigjenti Edon Ramadani ai i cili gjatë gjithë këtij koncerti la gjurmë të paharrueshme. Përgjatë gjithsej dy orëve, vepër pas vepre, ai drejtoi kahjen e interpretimeve të njëpasnjëshme ku herë me një dorë e herë me dy, ai vazhdueshëm komandoi jo vetëm të dy Koret e paraqitura, Orkestrën, tingujt e violinës e pianos, vokalin e tre interpretuesve të Meshës por edhe vështrimin e fokusin nga të pranishmit mbrëmë. Qysh nga momenti i parë, skena ishte shndërruar në trupin e tij i dytë dhe ai arriti të fiksonte natën me artin e shenjtë të dirigjimit, mjeshtëria madhështore e së cilës u dallua në secilën vepër. Kështu, në përfundim të koncertit nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që vazhdonin pa ndalë, me ç’rast shpalosej dëshira që ky koncert të mos kishte një fund.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe veçantinë e tri veprave premierë, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.

“Programi ishte tre pjesësh dhe natyrisht ishte një përgjegjësi e madhe sepse kishim tre ansamble të mëdha duke nis nga Kori i Fakultetit të Arteve të cilët i kishim mysafirë këtu sonte. Pastaj Kori i Filharmonisë e pat pjesën e parë kryesisht me ‘A cappella’ dhe në fund përfundoi me veprën e profesorit Valton Beqiri i cili ishte dhe në piano së bashku me violinistin Visar Kuçi. Kisha kënaqësinë që sonte t’i kisha tri premiera botërore dhe në pjesën e tretë interpretuam Meshën me solistët e talentuar. Por më e bukura ishte se pas shumë kohëve, salla ishte përplot e mbushur”, thotë Ramadani.

Sipas tij, tri premierat ishin shumë të bukura, shumë të ndjeshme dhe stilistikisht të ndryshme nga njëra-tjera në secilin aspekt. Andaj, për të ishte dhe një përgjegjësi më e madhe sesa përsëritjet e zakonshme ngase xhirimi i parë mbetet një dokument për interpretimet e radhës.

Po ashtu, sopranoja Zana Abazi-Ramadani për KultPlus tha se Meshat janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme për t’u interpretuar.

“Fillimisht dua të falënderoj Filharmoninë e Kosovës dhe dirigjentin Edon Ramadani që më dhanë këtë mundësi për të performuar këtë Meshë. Meshat siç dihen nuk janë edhe aq të lehta të performohen për shkak të mjeshtërisë brenda tyre e po ashtu nuk mund të këndohen nga secili solist, ngase janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme njëkohësisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që të ndaj skenën me të gjithë këta njerëz të talentuar”, tregon Abazi-Ramadani.

Ndërsa, violinisti Visar Kuçi mbrëmë për veprën e kompozitorit Valton Beqiri tha se tani kishte marrë një kuptim të cilin e meritonte vepra.

“Perfomanca e sotme ishte më e mira prej atyre që i kemi bërë gjatë provave dhe gjatë përgatitjeve, edhe pse unë këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë para disa viteve. Sonte më është dukur se e ka marrë tamam atë kuptimin që e meriton vepra. Veçantia e veprës është që kompozitori ka arritur me fragmente ose tema të shkurtra për të na dhuruar një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare. Të gjitha ato tema që ishin të vendeve të ndryshme në fakt në partiturë ndodhen edhe emrat e tyre dhe secila karakterizohet me një ritëm dhe një melodi”, thotë Kuçi.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Shfaqet premiera e filmit ‘Afër’, një përplasje mes artit filmik dhe melodive muzikore

Performancat e mahnitshme të Agona Shportës dhe Visar Kuçit mbrëmë kishin zënë vend në ekranin e madh të Kino Armatës. Ishte filmi “Afër” i regjisorit Leart Rama që po shpaloste një “koncert” po në një formë ndryshe, kësaj radhe para një dëgjuesi të vetëm përballë syve të tyre. Melodia e instrumenteve la gjurmë melankolike në shpirtin e secilit njeri, kurse fragmentet e xhiruara në dy qytete u gërshetuan mes vete në imazhe unike, shkruan KultPlus.

Filmi “Afër”, dokumentoi performancat e violinistit, Visar Kuçi dhe këngëtares, Agona Shporta. Interpretimi i tyre ishte i hapur dhe u zhvillua në mesin e një boshllëku para një publiku njëanëtarësh, ku gjithsej ishin 15 dëgjues nga moshat më të ndryshme, të cilët u xhiruan në këndvështrime të ndryshme por që secilit iu vu në pah adhurimi, dashuria dhe pasioni për performuesin dhe talentin e tij.

Nën melodinë e pianos dhe zërit pushtues të Agona Shportës, ku me punën e dalluar të regjisorit, solli një ndjenjë aq të ngrohtë të cilën kohëve të fundit shumica nga ne nuk po e përjetonim. Magjia e saj bëri që mendjen dhe zemrën e të pranishmëve, ta ringjallë përsëri me shpresë apo qoftë edhe me dëshirë për të dëgjuar muzikën klasike më tepër se zakonisht.

Ndërthurja mes muzikës, instrumenteve dhe artit filmik ishte një eksperiencë e veçantë në vetvete, e cila solli një qasje unike, me ç’rast u personifikua si një dokumentim artistik i kohës dhe përjetimeve tona në një periudhë sensitive për secilin nga ne. Pikërisht këto performanca ngjasonin me ato që kemi përjetuar në koncerte por në këtë rast, protagonistëve iu desh që të mbanin 15 koncerte për 15 dëgjues, kurse sot gjatë shfaqjes së filmit ky koncert u shndërrua në një koncert për audiencën e pranishme. 

Filmimi i fragmenteve ndërhyrëse ndaj performancave të dy protagonistëve, solli një frymë terapeutike në të cilën shumica zbuloi vetën në të, e disa nga këto fragmente përfshinin hënën e plotë me ç’rast gjysma e saj ishte e mbuluar nga retë, ndërtesat mbi të cilat lulëzonin pemët të cilat arritën që shpresën ta rikthejnë përsëri me idenë se diçka e re do të lulëzojë së shpejti, e po ashtu edhe zogjtë që fluturuan dhe njëkohësisht transmetuan lirinë e botëve të brendshme të secilit njeri dhe llojllojshmërinë e tyre.

Sekuencat e secilit objekt, e secilit qiell shumëngjyrësh, e secilës fije të flokut, dhe syve mallëngjyes të dëgjuesve, të xhiruara nga kënde të ndryshme por në të njëjtën hapësirë boshe, sollën një mbizotërim pothuajse hyjnor në aspektin e përcjelljes së emocionit përmes ekranit digjital.  

Përpos sekuencave të këtij lloji, ishin edhe ato pjesët e shkurtra në film të cilat ngjasonin me pyetjet se ‘A mundem me t ‘përqafu?’, një pyetje e drejtuar nga një dëgjuese drejt Agonës, ku u pasua me një përgjigje: ‘Pas mbylljes së kamerave”, nëpërmjet së cilës publikun e futi në një moment argëtues, një ndërhyrje kjo po e njëjtë si ajo e regjisorit në mes të performancave dhe peizazheve. Po ashtu në film u bë pjesë edhe kënga e njohur ‘Qengji i vogël’, që iu dedikua një vogëlusheje për të cilën buzëqeshja ishte e pranishme gjatë tërë kohës. Kurse fundi i filmit përfundoi me një përqafim të zjarrtë dhe të ngrohtë mes dy protagonistëve, të cilët arritën të interpretojnë talentin unik të tyre, secili në formën e tij më të mirë.

I xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës ‘DAM’, në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi, regjisori Rama fitoi besimin e organizatorëve së pari me dokumentimin e periudhës së vetizolimit përmes “Corona Diary”, pastaj për të dokumentuar një periudhë me të cilën tashmë jemi akomoduar. Vizioni i tij i cili shpalosi përplasjen mes imazheve të cilat u përcollën nën tingujt e kitarës, pianos, violinës dhe jo vetëm, shpalosi një magji artistike.

Filmi nëpërmjet rrjedhës muzikore dhe peizazheve të paraqitura, formoi një ide se ishte pothuajse një përmbledhje e një viti pandemie. Prandaj në pamundësi të zhvillimit të edicionit të 16 të festivalit “DAM”, Dardan Noka për publikun tregoi që vështirësitë nuk munguan por as edhe falënderimet.

“I falënderohem Agonës dhe Visarit që kanë pranuar që të sfidojnë veten dhe të interpretojnë 15 paraqitje brenda një dite për 15 persona dhe Leartin që është dashur të dëgjojë 15 performancat rreshtazi”, u shpreh Noka.

Ndërsa, në mesin e diskutimit, pas filmit u shpreh edhe dëshira për perfomanca të tilla, ku edhe vetë këngëtarja u shpreh se do të kishe dëshirë të përsëriste lloje të performancave të tilla por shpreson për një audiencë më të madhe.

“Nëse sot do të performoja, do të kisha pasur dëshirë që secila ulëse të ishte e mbushur dhe të eksperimentoja edhe një herë po njëlloj”, thotë Shporta.

Po ashtu, për eksperiencën e tij gjatë xhirimeve, foli edhe vetë regjisori i cili tha se për herë të parë po përjetonte një gjë të tillë sepse ishte inspiruar shumë nga vetë performuesit, dhe e la veten që ata të drejtonin atë gjatë xhirimit të filmit sepse për të më shumë ishte një koncert sesa një film.

“Unë përdora natyrën e Agonës për të shprehur melankoliken në film ndërsa për editimin u inspirova nga mënyra se si Visari interpreton muzikën, prandaj edhe shikuesi ndonjëherë mund të jetë konfuz sepse Visari ka luajtur shumë instrumente në të njëjtën kohë dhe jo domosdo publiku ka dëgjuar atë se çka është xhiruar në atë moment”, shprehet Rama.

Në skenën e Kino Armata nuk munguan as edhe fjalët e vetë mjeshtrit të koncertit, Visar Kuçit i cili tregoi se dje e ka parë për herë të parë filmin dhe ishte çuditur me atë çka ka parë sepse nuk i mbante mend gjysmën e asaj se çfarë ka ndodhur.

“Ka pasur shumë momente ku nuk përshtatet ajo së çfarë dëgjohet me atë se çfarë shikohet sepse një instrument i incizuar ka qenë duke luajtur kurse në moment është shfaqur një instrument tjetër. Pra keni parë shumë skena që nuk keni mundur të dëgjoni atë se çka në të vërtetë po luhej. Prandaj mendoj se sonte është nata e Leartit”, përfundon Kuçi.

Kurse tutje për idenë e realizimit të këtij filmi, Noka tregon se burimi i inspirimit kishte rrënjë nga një eksperiment, të cilin vetëm Learti mund ta dokumentonte në formën e tij më të mirë.

“Në vitin 2009, në kohën kur krejt tentonin të mbushnin sallat, është formuar një eksperiment për të krijuar një performancë përballë një personi, kur atëherë ishte kritikuar mjaft shumë sepse ishte e pakuptimtë. Prandaj në pandemi na është kujtuar ky moment i një kompozitori”, shpalos Noka.

Premiera e filmit e xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit “DAM”, ku së pari u shfaq në DokuKino në Prizren, tanimë u shfaq edhe në Prishtinë me një frymë ndryshe por për shkak të masave parandaluese të Covid-19, numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësi të ishin pjesë e diskutimit me protagonistët, regjisorin dhe producentët. / KultPlus.com

“Visar Kuçi Trio” sjellin albumin e ri në zhanrin modern jazz

Treshja “Visar Kuçi Trio” së shpejti do t’i gëzojnë artdashësit e tyre nëpërmjet publikimit të albumit të tyre të dytë, shkruan KultPlus.

Ky album premiera e së cilës do të jipet më 22 dhjetor ka emrin “Departures” dhe do të promovohet nëpërmjet një koncerti në Kino Armata në Prishtinë.

I përbërë nga tetë krijime artistike të kompozuara nga Visar Kuçi, brenda albumit që i takon zhanrit modern jazz është edhe kënga “Departures”, nga i cili edhe e ka marrë emrin albumin.

Ky album është dedikim për Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve më të mëdhenj të trios,ndërkaq emërtimin e kanë simbolik dhe aktual me gjendjen e krijuar në glob.

“Departures”, në gjuhën shqipe, në terminologjinë e fluturimeve, përkthehet si “Nisjet”, mirëpo ka edhe kuptime të tjera si: largim ose shmangie. “Departures” (Nisjet) gjatë këtij viti ishin pothuajse plotësisht të ndaluara për të gjithë, gjë që e bën krijimin muzikor të hapësirave të reja nga trio edhe më domethënës”, thuhet në njoftimin e trios.

Në anën tjetër, albumi është incizuar në Stamboll në “Hayyam Studio” në nëntor të vitit 2019, teksa gjendja e krijuar nga pandemia bëri që planifikimet e publikimit në qershor të shtyheshin për në dhjetor.

“Albumi i takon zhanrit “Modern Jazz” dhe është një përfaqësim i shumë stileve apo nën-zhanreve të muzikës jazz. Kryesisht ka karakter minimal me tema të shtrira që krijojnë hapësirë meditative për dëgjuesin”, thuhet tutje për albumin e ri të Trios.

Përderisa albumi do të publikohet në formë të CD-së, ai do të jetë prezent edhe në platformën muzikore Spotify.

Dizajni i mbështjellësit është punuar nga Nita Salihu – Hoxha dhe është përfaqësim i drejtpërdrejtë i konceptit muzikor që ka ky album, teksa audio miksimi dhe masterizimi është realizuar në Prishtinë, nga Tomor Kuçi.

“Visar Kuçi Trio” u formua ne vitin 2013 nga Visar Kuçi në kitarë,  Enver Muhamedi në kontrabas dhe Enes Bajramliqi në tupana.

Këtu mund të gjeni linkun e promo videos për koncertin e trios: https://youtu.be/xALRlHn_1vk / KultPlus.com

Visar Kuçi e Lirika Pula, duo që përcolli ndjenja mallëngjimi në natën e katërt të ‘ReMusica’

Suada Qorraj

Udhëtimi pati rrugë të parë Amsterdamin, për të shkuar më pas larg, shumë më larg këtij metropoli, në kryeqytetin e një vendi të vogël, që ishte nikoqiri i natës së dytë të festivalit ‘ReMusica’, Prishtinën. Por, rrugën e gjatë që tashmë e kishte përpara, nuk e mbaroi këtu, shtegtimet, mbase më të shpeshta së një zog shtegtar, e sollën natën e tretë të ‘ReMusica’ në qytetin e muzikës dhe artit, Vjenë. Hijeshinë që vit pas viti festivali ndërkombëtar i kishte dhënë ‘Sallës së Kuqe’, nuk kishte si të mos e rikthente, dhe një herë në natën e katërt të këtij festivali, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e lehtë të violinës të shoqëruar me lojën e pianos, filloi si pa zë, të luhej sonata për violinë dhe piano e Claude Debussy. Historia e trishtë që përcolli jetën e kompozitorit, përgjatë kohës sa punonte për gjashtë sonatat për instrumente të ndryshme, i dha frymë ‘Sallës së Kuqe’, duke shënuar pak nga pak, në secilën notë, veprën që i mbeti në mes, e çastet e fundit të Debussys.

Ndonëse të ulur përballë ekraneve, kombinimi i duos Visar Kuçi dhe Lirika Pula, bëri që në secilin prej nesh të ngjalleshin, si me pahir, ndjenja mallëngjimi, por dhe emocione nga ato që as fjalët s’mjaftojnë për t’i përshkruar. Mjeshtëria me të cilën sollën përballë publikut veprat gjatë natës së mbrëmshme Lirika Puka dhe Visar Kuçi, bënë të dukej sikur secila prej tyre ishte kompozuar pikërisht për gishtat e tyre.

Violinisti, Visar Kuçi teksa rrëfente për përvojën e tij në edicionin e pazakontë e të mbushur përplot me surpriza të festivalit ‘ReMusica’, theksoi se nata e këtij festivali do të qëndronte gjatë dhe e palëkundur në memorien e tij. Ai madje e konsideron veten me fat që përgjatë kësaj kohe punoi së bashku me Lirika Pulën.

“ReMusica 2020 ishte një përvojë shumë e veçantë të cilën do ta mbaj me vete për një kohë të gjatë, ndoshta përjetësisht. Isha shumë me fat që në këtë edicion të luaj së bashku me Lirika Pula-Kasapollin me të cilën ishte shumë kënaqësi me punu për herë te parë si duo”, ka thënë Kuçi.

Edhe për pianisten Pula – Kasapolli pjesëmarrja në një format të tillë të festivalit ishte e mirëseardhur. Madje për të, bashkëpunimi me violinistin siç e quan ajo shumë dimensional e bëri që pa hezitim ti përgjigjej në mënyrë pozitive ftesës për pjesëmarrje në ‘ReMusica’.

“Fillimisht, kur mu bë ftesa për pjesëmarrje, patjetër që u ndjeva mirë, sepse mbas gjithë këtyre muajve pauzë nga paraqitjet koncertale, një paraqitje e tillë, qoftë edhe në format të tillë çfarë është, ishte e mirëseardhur, besoj për secilin artist do të ishte e tillë.  E aq me tepër, bashkëpunimi me një artist si Visar Kuqi, një muzikant shumë dimensional dhe profesionist i detajeve, më bëri që ftesës ti përgjigjesha pozitivisht”, është shprehur Lirika Pula.

Sikurse në netët paraprake edhe në natën e mbrëmshme, salla ishte bosh, ishte skena ajo që i jepte jetë e ngjyrë Prishtinës. Mbase publiku tashmë kishte filluar që dal nga dalë të mësohej, por për violinistin Kuçi kjo mungesë e bëri që të mësoj shumë. Ai ka theksuar se muzika që luhet në sallat e koncerteve nuk u takon vetëm atyre që e bëjnë, por edhe atyre që e dëgjojnë.

“Ishte Recitali i parë dhe ndoshta i vetmi për këtë vit si dhe hera e parë që luanim një recital pa publikë ne sallë. Mësova shumë nga kjo përvojë dhe e ndjeva jashtëzakonisht shumë mungesën e publikut sepse muzika që ndodhë në sallë gjatë një koncerti nuk i takon vetëm atyre që e bëjnë atë, por edhe atyre që e dëgjojnë”, ka pohuar për KultPlus Visar Kuçi.

Por, nuk ishte vetëm violinisti ai që publikun e konsideronte të nevojshëm, edhe Pula tregoi se për të publiku është vet frymëzimi dhe se loja në sallë pa publik nuk ishte e këndshme.

“Duhet cekur, që për artistin përformues publiku është një domosdoshmëri, është vet frymëzimi, prandaj edhe për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj drejtë, them se ndjenja e lojës në sallë pa publik nuk ishte fort e këndshme, mungesa e tij të krijonte idenë e provës me shumë se të interpretimit në skenë”, ka shtuar pianistja.

E veçanta e kësaj nate nuk ishin veprat premierë të kompozitorëve shqiptarë që kanë karakterizuar përherë ‘ReMusica’, por premiera e kompozitores greke-holandeze Calliope Tsoupak , ‘Thin Air’ e cila është shkruar në kohën e pandemisë dhe përmban një mesazh të fortë, atë të solidarizimit në kohë pandemie.

Ishte violinisti, Visar Kuçi, ai që solli premierën e kësaj vepre përball publikut shqiptar e të huaj. Violina e tij, por dhe talenti që posedon, jehuan në ‘Sallën e Kuqe’, veprën që do të udhëtoj në pesëdhjetë vende të ndryshme në Evropë, e nga festivali në festival.

Mirëpo në festivalin ndërkombëtar të muzikës nuk ka si të mungojnë veprat e kompozitorëve shqiptarë, edhe atëherë kur nuk vijnë si premierë përpara publikut. Nën tingujt e pianos ku e vetme në skenë luante Lirika Pula – Kasapolli, muzika e kompozuar nga Esat Rizvanolli, tashmë kishte marrë jetë, dhe për pak minuta, ngjalli skenën e kryeqytetit.

Krejt në fund Pula dhe Kuçi kanë thënë se shpresojnë që interpretimi i tyre të arrij tek secili që përcjellë koncertin online. Njëherësh ata kanë shprehur mirënjohjen e tyre kundrejt festivalit dhe përpjekjet e tyre për të sjellë një mori koncertesh interesante.

‘ReMusica’ rrugëtimin e saj do ta vazhdoj edhe në Francë e Gjermani, për të bërë kështu të mundshme edhe tre netë të tjera, që synojnë të përcjellin emocion, kënaqësi por edhe magjinë e të interpretuarit të veprave monumentale, që i qëndruan kohës./ KultPlus.com

Sonte në festivalin “ReMusica” interpretojnë Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula në piano

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti me artistët nga Kosova, Visar Kuçi në violinë dhe Lirika Pula Kasapolli në piano. Koncerti do të filloj në orën 21:00, shkruan KultPlus.

Visar Kuçi është koncert-mjeshtër i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës, pjesëtar i rregullt i Mannheimer Philharmoniker dhe ish profesor asistent në Universitetin e Prishtinës.

Si solist aktiv, mysafir si koncert-mjeshtër dhe pjesëtar i ansambleve të muzikës kamertale, Kuçi perfromoi me dirigjent dhe instrumentist të spikatur sic janë Tondre, Rave, Zado, Kowalsky, Messana, Briones, Büchler dhe Videnoff. Veçohen pjesëmarrjet në festivalet e Klangzeit, Münsterlandfest, Off Europa Festival, ReMusica, Dam and Chopin Fest.

Përderisa Lirika Pula Kasapolli, aktualisht është pianiste korepetitore pranë Fakultetit të Muzikës në Prishtinë. Ajo është një ndër pianistet kolaborative me të spikatura në vend.

I pëlqen të bashkëpunojë me instrumentistët harkor dhe jo vetëm, për te është gjithmonë kënaqësi të njohë dhe studiojë programe të reja e posaçërisht ato të këndimit lirik. Pas viteve te studimit ajo pati një numër të madh pjesëmarrjesh në festivale në Kosovë dhe rajon./ KultPlus.com

Visar Kuçi përformon sonte për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në këtë kohë izolimi ku e gjithë bota po përballet me pandeminë Covid-19, artistët kanë qenë plotësisht të përkushtuar që këto ditë të vështira, t’i bëjnë sa më të lehta për njerëzit, shkruan KultPlus.

Organizuar nga Unicef, instrumentisti i njohur Visar Kuçi do të sjell sonte një performancë me një qëllim krejt të veçantë. Ajo ju dedikohet fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara meritojnë një natë plot me buzëqeshje dhe muzikë, që do ta sjellim te ju përmes Visar Kuçit”, thuhet në njoftim.

Performanca vjen sonte në ora 18:00 live në faqen zyrtare të UNICEF në Facebook. / KultPlus.com

Visar Kuçi: Njerëzit këtu kanë filluar ta humbasin besimin në BE, sepse kaq shumë është premtuar dhe kaq pak ka ndodhur

Kosova është vendi i fundit në Europë, shtetasit e të cilit nuk u lejohet të udhëtojnë në zonën Shengen, pa vizë turistike. Vendi shpreson në Konferencën e Ballkanit Perëndimor.



Vendlindja e tij është si një burg, thotë Visar Kuçi. “Ndjehesh si një kriminel i cili duhet të kalojë nëpër një kontroll të detajuar. Dhe pastaj humb një kohë të gjatë për të na marrë një vizë”. Nëse fare e merr një të tillë.

Visar Kuçi nuk është kriminel, ai është mjeshtër koncertesh i Filarmonisë së Kosovës. Ai jeton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës – ose siç thotë ai: “Në mes të Europës, në vitin 2019 dhe jemi të izoluar, nuk mund ta kuptoj”. Shteti i vogël i ri, është edhe më tej i vetmi vend në Europë, shtetasit e të cilit në zonën Shengen të BE-së lejohen të udhëtojnë vetëm me një vizë turistike.

Kur të premten të zhvillohet Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Poznan, do të debatohet gjithashtu edhe për heqjen e mundshme të vizave për Kosovën. Në verën e vitit 2016, Komisioni Europian vendosi që vendi të përmbushë të gjitha kriteret për një regjim pa viza – por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. “Kjo po zgjat shumë kohë”, thotë Visar Kuçi. “Në ndërkohë, njerëzit këtu kanë filluar ta humbasin besimin në BE, sepse kaq shumë është premtuar dhe kaq pak ka ndodhur”.

Nuk mund të merret aq lehtë një vizë

Visar Kuçi e di që është shumë e vështirë për të marrë një vizë si kosovar apo kosovare. Ai udhëton shumë si muzicient. “Për mua është shumë e rëndësishme të udhëtoj në BE, në Gjermani, Austri, Francë – në vendlindjen e muzikës klasike”. Ai shpesh mban koncerte me kolegët europianë. Një herë është dashur ta anulojë një koncert për shkak se ai nuk kishte marrë termin në zyrë dhe për këtë arsye nuk ishte pajisur me vizë, megjithëse ai kishte aplikuar katër muaj më parë, shkruan “ZDF”.

Nuk ka termine – vetëm njëra nga shumë pengesat që duhet të tejkalosh në Kosovë, nëse doni të merrni një vizë: Duhet pasur një sasi relativisht të madhe parash në llogari. Gjithashtu nevojitet edhe mjaft kohë për të kaluar nëpër procesin e lodhshëm burokratik. Dhe duhet pasur parasysh se mund edhe të mos merret viza, edhe nëse plotësohen të gjitha kriteret. Ndodh shumë shpesh që shtetet e synuara po ua mohojnë vizat të rinjve – për shkak të frikës se nuk do të kthehen.

“Unë do të punoja më mirë në Kosovë sesa në Gjermani”

Visar Kuçi beson se shumica e njerëzve në fakt duan të qëndrojnë në Kosovë – të paktën nëse kanë të njëjtat të drejta si europianët e tjerë. “Por, nëse kjo nuk ndodhë, do të jetë një katastrofë e madhe, pasi shumica do të përpiqen të largohen ilegalisht”, thotë ai. Dhe: “Unë më me dëshirë do të punoja në Kosovë, sesa në Gjermani apo kudo tjetër në Europë”.

Konferenca e Ballkanit Perëndimor kthehet në iniciativën e Gjermanisë – të ashtuquajtur procesi i Berlinit. Çdo vit që nga viti 2014, dhjetë vende të BE-së janë takuar me vendet e Ballkanit Perëndimor për të nxitur zhvillimin e rajonit dhe për të mbështetur pranimin në BE. Ballkani Perëndimor përfshin Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Në procesin e pranimit në BE, Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuara dhe negociatat janë në vazhdim. Megjithatë, rajoni që u shkatërrua në shtete individuale pas rënies së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, është konsideruar si pikë qendrore e Europës. Mosmarrëveshjet etnike, territoriale dhe ekonomike nuk lënë vetëm Ballkanin Perëndimor./Zëri/ KultPlus.com

Visar Kuçi dëshmoi virtuozitetin e tij në koncertin që hapi sezonin e Filharmonisë së Kosovës

Gili Hoxhaj

Filharmonia e Kosovës me të gjitha ulëset e zëna e një koncert bindës mbrëm shënoi hapjen e sezonit të ri koncertal 2018/2019, shkruan KultPlus.

Ky koncert erdhi pikërisht në datën e humbjes së Bahri Çelës, njërit nga themeluesit e Filharmonisë së Kosovës. Për dirigjentin e madh kosovar, disa fjalë përkujtimi ndau drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, i cili tha se Çela do të mbahet në mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike si në edukimin e mesëm, ashtu edhe në fakultetin e muzikës në Prishtinë, ku ndikoi fuqishëm në krijimin e brezave të tërë të kuadrit profesional që nga vitit 1978 e deri në pensionimin e tij në vitin 2006. Ai tha se Filharmonia e Kosovës do ta mbaj në mend Bahri Çelën si një ndër themeluesit e këtij institucioni ndërsa për 3 vite radhazi realizoi koncerte me orkestrën kamertale të sapoformuar ndërsa me punën e tij të palodhshme, ai konsolidoi nivelin interpretativ të kësaj orkestre dhe vuri themelet drejt zhvillimit të mirëfilltë të orkestrës simfonike të Filharmonisë së Kosovës.

“Po ashtu do ta kujtojmë për mënyrën e tij jashtëzakonisht insistuese, të veçantë, shpesh herë jo dhe të lehtë në relacion me interpretët por gjithnjë në shërbim të përgatitjeve sa më cilësore të koncerteve korale, orkestrale dhe atyre vokalo-instrumentale”, tha ndër të tjera Jashari.

Bahri Çela

Pas një minutë heshtje në nderim të figurës dhe personalitetit të Bahri Çelës, orkestra simfonike përballë me dirigjentin spanjoll Fernando Briones veçse nisi rrugëtimin drejt zbërthimit të dy veprave kolosale. Ndryshe nga mbrëmjet e kaluara, mungonte karriga ku ulej violinisti e koncert-mjeshtëri Visar Kuçi, në vend të saj, pranë kolegëve erdhi e u pozicionua violinisti Kuçi, i cili ndryshe për më shumë se gjysmë orë në këmbë gjatë lojës së tij solistike me violinë, përcjellë nga orkestra mrekulloi publikun. Ata sollën veprën “Koncert për violinë dhe orkestër nr. 1 në a – mol, Op.77” të Dimtri Shostakovich, vepër kjo e kompozuar në vitin 1947-48, në kohën e viteve të pasluftës në Rusinë Sovjetike dhe si e tillë në atë kohë u ndesh me censurën, ndërsa kompozitori nuk e nxori në pah deri në zbehjen e mjedisit kufizues për veprën. Vepra si e tillë erdhi në katër pjesë: Nocturne: Moderato, Scherzo: Allegro, Passacaglia: Andante – Cadenza (attacca), Burlesque: Allegro con brio – Presto.

Violinisti Kuçi kishte përvjelur mëngët e këmishës, e në krah si zakonisht mbante violinën. Ndryshe nga kostumet me të cilat paraqitet zakonisht në ulëset së bashku me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës, kësaj herë identifikohej me këmishën e bardhë. Duartrokitjet me të cilat pritet në skenë do të jenë shumëfish më të fuqishme pas mbarimit të interpretimit të tij. Vepra e cila ecën me ritëm më të ngadaltë e ndjeshmëri të lartë në pjesën e parë, vjen e bëhet më e gjallë e me tinguj me të përshpejtuar. Kuçi me mjeshtëri artistike, lëvizte harkun mbi violinë, i cili ecte herë përmes skajeve të telave, e herë duke shtrirë harkun përmes tyre në lëvizje më të shpejta. Pas pjesës së parë vepra ecën me një implus më të shtuar ritmik. Shprehja e fytyrës së Kuçit luhatej bashkë me tingujt. Një buzëqeshje mes dirigjentit spanjoll e Kuçit ishte sinjali më i mirë që Kuçi të vazhdonte bindshëm në pjesën tjetër të veprës që ishte me ritëm më të përshpejtuar. Kulminante ishin momentet kur salla “pushtohej” në muzikalitetin e violinës, derisa dirigjenti pushonte lëvizjet e duarve, duke bërë instrumentistët të shkëputen nga instrumentet, e që e mbanin publikun të përqendruar tek violinisti Kuçi. Kuçi shpesh me sytë e mbyllur do ta bënte thellë të prekshme veprën, me vetullat e ngrysura e përkulje në njërin krahë së bashku me violinën, Kuçi dominonte qetësinë e sallës së përqendruar. Në pjesën “Passacaglia”, ai arrin ta transmetoj thellësinë emocionale të veprës, e arrin të nxjerrë lirinë shprehëse që kjo pjesë ia dhuron solistit. Me këtë muzikalitet, Kuçi arrin deri në finalen e Burlesque, ku tashmë publikun e gjente nën emocionin e mbarimit të veprës. Me më shumë se një minutë duartrokitje e buqeta lulesh, Kuçi së bashku me dirigjentin u kthyen përsëri në skenë, e cila bëri që gjithë orkestra të ngrihej në këmbë.

Kësaj vepre kërkuese, Kuçi i ishte përgjigjur me shumë përkushtim duke i kushtuar mjaft shumë kohë dhe i kishte kërkuar shumë koncentrim. Në një koncert të këtij formati, ai tashmë po prezantohet për të tretën herë ndërsa shton se ka më shumë se një dekadë që dëshiron ta luaj këtë vepër.

“Hera e parë kur e kam dëgjuar veprën ka qenë para 15-16 vitesh dhe që nga atëherë kam pasur dëshirë ta luaj por në atë kohë rrethanat ishin ndryshe ndërsa unë isha akoma student dhe gjithnjë e kam njohur si vepër dhe e kam ditur por kur e kam marrë ta ushtrojë që ishte para disa muajve, që nga muaji shkurt e kam ditur që është koncerti dhe kam filluar ta analizojë por që ta ushtrojë i kam pasur dy faza shtatë javëshe me punë intensive dhe në fund doli shumë mirë tërë puna. Kjo vepër ka qenë shumë e vështirë edhe për orkestrën por shumë mirë e kanë realizuar, duke pasur parasysh edhe një grevë gati dhjetë ditore”, tregoi Kuçi për KultPlus, ndërsa tha se puna me dirigjentin spanjoll ka qenë shumë produktive duke shtuar se Fernando Briones është një prej dirigjentëve me një energji pozitive dhe me një qasje e vizion krejt tjetër dhe është një nga ata që dëshiron shumë të kontribojë për Filharmoninë e Kosovës, ndërsa në kuadër të bashkëpunimeve me të Kuçi ka pasur një prezantim edhe në Spanjë dhe thotë se mund të kenë edhe bashkëpunime tjera në të ardhmen.

Pjesa e dytë e koncertit solli një vepër po ashtu të rëndësishme të Ludwig Van Beethoven “Simfonia Nr.7 në A-dur, op.93”, e cila konsiderohet po ashtu si një vepër impenjative e ndarë në katër pjesë. Kjo vepër ishte kompozuar në 1811 dhe 1812 dhe vet Beethoveni e konsideronte si një nga veprat më të mira të tij. Kjo simfoni e cila mbizotëroi sallën në pjesën e dytë të koncertit, erdhi në përzierje tingujsh të orkestrës, e më lëvizje e valëzim të shpeshtë të duarve të dirigjentit drejt tyre. Dirigjenti spanjoll Fernando Briones tashmë bashkëpunon për herë të dytë me Filharmoninë e Kosovës ndërsa ky bashkëpunim ishte më i lehtë pasi që tashmë veçse njiheshin më njëri tjetrin.

“Mendoj se si Beethoveni ashtu dhe Shostakovic kanë bërë revolucion në muzikë në elemente të ndryshme, ka qenë një punë shumë e madhe për ta sjellë këtë koncert dhe rezultati ishte shumë i mirë edhe pse gjithmonë ekziston mundësia për më mirë. Visari është një muzikant dhe person fantastik dhe ishte fantastik sonte”, u shpreh Briones.

Profesoresha Lejla Pula në një prononcim për KultPlus tha se përshëndet fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës, e cila në çdo koncert po e dëshmon interesimin e madh të publikut të moshave të ndryshme ndërsa mes fjalësh kujtoi edhe veprimtarinë e kolegut të saj Bahri Çela. Ajo tha se Kuçi gjithmonë e dëshmon angazhimin e përkushtimin e tij muzikor ndërsa mbrëmë me shumë përkushtim e virtuozitet veprën e Shostakovuic.

“Na tronditi dhe na pikëlloi lajmi për vdekjen e kolegut tonë Bahri Çelës i cili ishte edhe njëri nga themeluesit e Filharmonisë së Kosovës dhe ka kontribuar si koleg i imi në drejtimin e dirigjimit edhe në sukseset e korit dhe të orkestrës. Do të na mungojë shumë prezenca e tij dhe do të jetë i përhershëm kujtimi i tij. Pastaj u ndërlidh në program koncerti i Shostakovuic nr.2 në a-mol të cilin më shumë mjeshtëri dhe virtuozitet dhe përkushtim që e interpretoi violinisti ynë i mirënjohur që është edhe koncert- mjeshtër i Filharmonisë së Kosovës i cili sjellë një freski sa herë që paraqitet dhe unë e përshëndes angazhimin e tij dhe përkushtimin e tij muzikor që e ka treguar edhe sonte”, u shpreh Pula për KultPlus, duke thënë se ky koncert ishte me shumë kërkesa të mëdha muzikore dhe teknike, ndërsa dirigjenti me shumë kujdes e prirje diti të komunikoi me solistin dhe orkestrën ndërsa tha se u emocionua shumë nga interpretimi i veprës së dytë të cilën e adhuron që nga shkolla e mesme.

“Më mrekullon qetësia dhe koncentrimi i publikut, i cili ishte i përqendruar në një vepër e cila nuk ishte dhe shumë e lehtë, i përket pjesës së parë të shekullit 19-të dhe është e vështirë për ta përcjellur dhe me këtë përkushtim e meritojmë këtë sallë koncertale e cila është një projekt që po afrohet dhe shpresoj që të realizohet”, përfundoi Pula./ KultPlus.com

Genc Salihu e Visar Kuçi këtë radhë në ‘Tirana Sessions’ (VIDEO)

‘Tirana Sessions’ është një lëvizje promovuese me të cilën këngëtarë të ndryshëm lidhin këngën dhe artin e tyre me disa nga lokacionet më interesante të qytetit të Tiranës, shkruan KultPlus.

Kësaj radhë në këtë lëvizje promovuese të qytetit, kanë qenë pjesë Genc Salihu bashkë me Visar Kuçin, të cilët kanë interpretuar këngën ‘Këngë nga kopshti’. Kitara dhe violina padyshim që ishin pjesë e këtij interpretimi jashtëzakonisht të këndshëm nga artistët kosovar.

Ndërkohë në ‘Tirana Sessions’, kanë marrë pjesë edhe këngëtarët: Bojken Lako, Eneda Tarifa, Alban Ramosaj, Alban Nimani, Marsela Cibukaj…

“Ne besojmë që muzika ka fuqinë të n’a bashkojë, të n’a lidhi dhe të krijoji ndryshim. Ne mendojmë se duke bashkuar këngën me Tiranën ndërlidhim të dy palet”, thuhet në shkrimin e organizatorëve të cilët përfundojnë duke thënë se misioni i tyre është promovimi i qytetit duke e lidhur atë me artistët që e karakterizojnë atë./ KultPlus.com