Alberina Haxhijaj
Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa” ka hapur sot dyert e veta për të sjellë para publikut punën e artistit Visar Mulliqi. Kjo hapësirë nuk ka mjaftuar për të sjellë të tërësishme ekspozitën e Mulliqit të titulluar “Origjinaliteti” prandaj një pjesë e pikturave, të formatit të madh janë vendosur në objektin e ish-Rilindjes.
Mulliqi edhe këtë herë i ka qëndruar besnik pikturës abstrakte dhe ngjyrave të cilat i merr nga ambienti rrethues i vendlindjes së tij. Pikturat e reja të Mulliqit kanë një ngjashmëri edhe me punën e kaluar të artistit duke theksuar këtu ekspozitën “100% Origjinal” të hapur në vitin 2018. Madje ngjyrat e përdorura e që shkrihen mjeshtërisht me njëra-tjetrën të kujtojnë ato të kaluarat e që ishin bazuar në peizazhet panoramike të cilat autori i kishte parë gjatë udhëtimeve nëpër Kosovë. Kjo ngjashmëri vjen si rezultat se edhe kjo ekspozitë është vazhdimësi e ciklit me të cilin artisti ka pesë vite që punon.
“Peizazhesh prej rrethit kosovar që i kam parë gjatë udhëtimeve me makinë e që më kanë lënë mbresa i kam transmetuar në pëlhurë, në mënyrë abstrakte me kontura të figuracionit”, pohon artisti.
Tablotë e realizuara, sipas kuratorit Maliqi edhe pse janë abstrakte, madje paksa edhe kaotike mund të cilësohen edhe si lajmëtare të optimizmit. Kjo vërehet përmes emërtimeve si “Anija e Shpresës”, edhe pse në mes tyre mund të gjejmë edhe “The Big mask” apo “Vallëzimi i ndyer”.
“Edhe në veprat e mëvonshme, në përmasat dhe variacionet e ndryshme, shfaqet ky dualizmi bazik, kombinimi i abstraksionit të lirë dhe ekspresiv me ndërhyrje racionalizuese të figurshmërisë si shënjuese e botës dhe jetës reale. Andaj kompozicionet e Mulliqit deklarohen me dy çelësa: janë psikograme të kërkimit të artit puro me shtytës që dirigjohen nga nënvetëdija, por janë edhe vegime dhe impresione nga jeta dhe natyra, për realizimin e të cilave artisti e vë në veprim përvojën dhe traditën e begatshme figurative të mjeshtërisë prej piktori që di t’i harmonizojë format dhe ngjyrat edhe kur ato janë në dukje imazhe kaotike”, janë fjalët e Maliqit me të cilat ai e përshkruan këtë ndërthurshmëri.
Por sipas, kuratorit Shkëlzen Maliqi, Mulliqi shkon edhe me tej, ai sintetizon traditën e pikturës abstrakte duke aplikuar në mënyrë indirekte edhe përvojat e taborrit tjetër të modernizmit abstrakt, atë gjeometrik dhe konstruktivist. Një kombinim si ky, i dy rrymave abstakte, nuk është i rrallë në artin bashkëkohorë edhe pse vlerësohet se ka shumë rreziqe. Por piktori Visar Malliqit i realizon mjaftë bukur këto dy kombinime duke marrë aq sa ka nevojë nga këto dy rryma dhe duke sjellë kryevepra, realizmi i saktë i të cilave dëshmon se emri i tij qëndron lartë në piramidën e artit bashkëkohor në Kosovë.
“Shënimin i 11 viteve si shtet i pavarur ka shërbyer si një motiv shtesë për autorin që të ritheksojë se artin abstrakt nuk duhet konsideruar si të largët dhe alienuar nga realiteti”, thekson kuratori Shkëlzen Maliqi.
Ekspozita “Origjinaliteti” do të qëndrojë e hapur deri më 5 mars. / KultPlus.com