Çështja Camaj dhe Koliqi, nën vëzhgim

Nga: Visar Zhiti

Ndërsa kisha kujtuar se e kisha mbaruar librin tim “Kartela të Realizmit të dënuar”, ku merrem me letërsinë tjetër, atë që erdhi nga burgjet dhe internimet dhe me ata autorë që u përndoqën, që u dënuan me burgje e pushkatime e një pjesë u arratisën, gjej te “Peizazhet e Fjalës” një shkrim për shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, Martin Camaj e Ernest Koliqi, të dy të ikur pasi vendoset diktatura komuniste në Shqipëri. E lexova menjëherë. Jo se ishte e panjohur si çështje. Është folur dhe përfolur kolaboracionizmi i Ernest Koliqit, teksa Martin Camaj është lënë në heshtje dyshuese, duke ua mpakur edhe tani meritat e mëdha të tyre, vlerat themeltare që kanë për letrat shqipe, duke i europianizuar ato dhe duke qenë thellësisht kombëtare.  

Në librin në fjalë, flas paksa edhe për bashkëpunimin e shkrimtarëve me policinë sekrete dhe me Sigurimin e Shtetit; por u ula ta përditësoj këtë kartelë, sipas të dhënave që na u ofruan dje, me gjykimin tim, sipas përvojës nga vij, nga ajo e të persekutuarve, jo nga ajo e persekutorëve.

Ja, kartela:

BASHKËPUNËTORË TË POLICISË SEKRETE

DHE ABUZIMI ME ÇËSHTJEN…

Dhe përsëri rikthehen në fillim, te banalizimi, kalohet në sulme të tjera, të goditen figurat e burgut, simbolet e vuajtjes…

Dhe përflitet deri edhe në media se mjaft nga intelektualët, jo vetëm shkrimtarë të realizmit socialist, por edhe nga të persekutuarit, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe nxirrnin herë pas here emra, edhe kur nuk ishin hapur dosjet, sa ç’është lejuar të hapen tani…

Jo se s’ka të thyer në radhët e të persekutuarve, mbase dhe mjaft, për fat të keq, por së pari duhen goditur diktatura, ata që i thyen dhe si, me ç’tortura dhe të vihen para drejtësisë dhe të drejtën morale për t’i përçmuar, nëse do të duhet, e kanë, së pari, po bashkëvuajtësit e tyre dhe jo ata që ishin pjesë e diktaturës dhe që i vunë me dhunë nën shërbim, jo për çështje kombëtare a në zbulimin e armikut, keqbërësit, etj, por për përçarje dhe dënime të së tjerëve, për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit apo të atyre që donin të arratiseshin e deri në çështje të rëndomta ordinere, të paligjshme dhe të pamoralshme… etj.

Janë përdorur tortura të llahtarshme, fizike dhe psikologjike, uri e rrahje çmendurake, thesi në kokë si në mesjetë, varje nëpër çengela etj., deri te përdhunimet e grave e të vajzave të familjes së atij që i kërkohej bashkëpunimi dhe ku: në prani të tij! Turpi, rënia dhe degjenerimi më parë, e përsëris, janë të atyre që ua kërkuan bashkëpunimin me dhunë viktimave, sesa të vetë viktimave, dhe ndëshkimi që vonon, duhet të nisë tek ata.

Patjetër edhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit, cilëtdoqofshin, të veprojë drejtësia, sipas dëmit që u kanë shkaktuar të tjerëve dhe shoqërisë..

Njerëz që qëndruan dhe refuzuan bashkëpunimin me të keqen, për fat ka, dhe nuk janë pak, janë të shumtë dhe atje ku ishte tejet e vështirë, në burgje e internime. Vërtet ishte heroike,  e di në vetë të parë ç’sakrificë e rëndë është.

Lexojmë në shënimet postume që botohen, se edhe studiuesit të shquar Injac Zamputti, me origjinë italiane, i ishte kërkuar të informonte fshehurazi për kolegun e vet, dijetarin Eqrem Çabej. (Që thoshin se kishte qenë në burg, por jo, kishte pasur të shoqen). Profesor Injaci nuk pranoi kurrsesi, por u vetëmbyll e bënte jetë murgu mbi libra, gjithë ankth në pritje të arrestimit, me vite.

Studiuesi i zellshëm dhe korrekt Agron Alibali gjen në arkivat amerikane dokumente dhe i botoi së fundmi që tregojnë përpjekjet për bashkëpunime agjenturore të së huajve si me kritikun nga Kosova Krist Maloki dhe dijetarin Eqrem Çabej, etj, dhe qëndrimet e profesorëve kanë qenë dinjitoze dhe shembullore.

Krist Maloki vinte nga Austria dhe kishte nënshtetësinë e atij vendi; ikte prapë atje, por profesor Çabejin mund ta priste dhe burgu dhe më keq mbase, kur çështjet lidheshin me Enverin.

E vërteta duhet, është e domosdoshme. E vërteta është e rëndësishme. Më rëndësi ka njohja e së vërtetës se sa mbulimi i saj. E vërteta është kokëfortë, por jo studiuesi. Rëndësi kanë dhe qëllimi i asaj të vërtete dhe përdorimi ose shpërdorimi i saj, sa vlen ajo dhe sa ndikon dhe sa duhet, etj, etj. Dokumenti mund të jetë i vërtetë, por s’është ajo e vërteta.

Arrestimin fshehurazi, para se të arratisej, të shkrimtarit të shquar nga diaspora, Martin Camaj, e dëshmon dhe një studiues tjetër, Auron Tare, pasionant i zbulimeve agjenturore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai rinxjerr atë që e ka shpjeguar edhe studiuesi Kastriot Dervishi, dokumentin e vitit 1948, ku 23 vjeçari nga Dukagjini, pasi izolohet forcërisht, sillet në zyrat e Sigurimit të Shtetit dhe merret në pyetje nga kapteri II Fadil Kapisyzi. Pastaj studiuesi Tare e lë të qetë kapterin II dhe e vijon hetimin vetë: ç’ka bërë viktima më pas, ku ka shkuar dhe hamendësime të tjera përtej dokumentit dhe fakteve, pa na zbërthyer si e qysh ka vepruar Sigurimi mbi të arrestuarin, me ç’të drejtë dhe me ç’urdhra, shefat e tij, sistemi, koha, partia, kthetrat, pra lë bishat dhe merret me prenë.

Sipas deklaratës-fotokopje në dosje, Matin Camaj ka pranuar “përfshirjen e tij në ndihmesën për të arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit (sa ishin, 2, 5, 10, ndërroheshin me radhë ujqërit, ç’tortura përdornin, etj? – shën. imi) të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithashtu kundër disa prej mësuesve të vet fretër jezuitë (duhej etërit jezuitë, jo fretërit; shënimi im, V.Zh.), në veçanti Padër Fausti, Padër Dajani, Padër Roza. Duhet thënë se Padër Xhovani Fausti (jezuit italian, – shënimi im, V.Zh.) dhe Padër Danjel Dajani ishin dënuar ndërkohë me pushkatim në gyqin e famshëm të Shkodrës kundër klerit katolik.

Kaq, vetëm se duhet thënë që “ishin të pushkatuar” dhe jo pse dhe nga cilët? Po gjyqi paskësh qenë i famshëm dhe jo gjyq terroristësh të indoktrinuar? Dhe Camaj dëshmoi kundër mësuesve të tij? Po mbase tha atë të vërtetë, që ia kishin mësuar mësuesit e tij dhe që e pohuan në gjyq se ishin antikomunistë dhe në pushtet kishin ardhur me force një bandë vrastarësh. Mbas 5 ditësh Camaj “doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës… pasi pranoi të rekrutohej si informator” – na informon studiuesi dhe vazhdon: “në shtator të 1948 (pra mbas 4 muajsh, – shën. imi) Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë së bashku me një numër eksponentësh lokalë antikomunistë.” Janë 36 veta gjithsej, të rinj dhe burra malësorë, ndoca me gratë me motrat. Ikën dhe do të iknin dhe më pas. Ndryshe si do të mund të shpëtonin?

Jemi para një të vërtete me dokumente virtuale, që s’ka siguri se sa e mbartin ato atë të vërtetë. Dhe tjetër është e vërteta e të përndjekurit dhe tjetër e vërteta e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe në të njëjtat dokumente.

Na sillen për të pasur njohje apo për të arritur një njollosje të re? Nëse e vërteta është një njollë mbi lëkurë, a nuk duhet zbuluar dhe ai që ia bëri atë njollë ose ata? Dhe pse? Dhe kush është më pis, ai që njollosën apo ata që njollosnin? Po kur është plagë thike në mish? Mjeku merret me kurimin e saj, kriminalisti me zbulimin e çështjes, nëse është krim, etj. Studiuesi sjell të vërtetën e plotë, nëse duhet, për ata që u duhet. Hetimet e studiuesit në fjalë janë kapërcime që kanë për logjikë atë që do të donte hetuesi i Camajt, nëse do ta kishin arrestuar prapë.

Për Martin Camajn shkrimtar, autoritet i lartë i kulturës Kombëtare, duhet ditur shumëçka. E mbajtur larg ashtu si ai, e ndaluar dhe e panjohur e gjithë vepra e tij në vitet e diktaturës, ne na duhet zbulimi dhe njohja e vlerave të tij, pastaj, kur ai ishte 23 vjeç ç’bëri Sigurimi i shtetit me të duhet ta dimë, për të ditur dhe kuptuar se ç’bënte Sigurimi i shtetit, deri ku shkonte, ç’bënte me të rinjtë, me intelektualët e ardhshëm, sa dëmtonte vendin për të mbrojtur sistemin, etj.

Gjykoj se Martin Camaj shkrimtar, intelektual europian, është tjetër dhe s’ka asgjë të ngjashme me atë të dosjes së Sigurimit të shtetit, të 23 vjeçarit që u iku për të qenë i lirë dhe që të bëhej ai që u bë. Jeta e tij e mëtejshme dhe vepra nuk duken gjëkundi se kanë qenë në shërbim të Sigurimit të shtetit, të atij aksidenti, rrethanat e të cilit janë të paqarta nga studiuesi, por të qarta nga realiteti. Sigurimi i shtetit ishte shkatërrimtar dhe ai iku.

Tani është rasti dhe koha për të zbuluar dhe gjykuar Sigurimin e shtetit dhe të dënohet ky për dëmet e shkaktuara. Pastaj, e përsëris, të gjykohen dhe bashkëpunëtorët, sa dëm kanë sjellë ndaj të tjerëve, ç’karrierë kanë bërë, sa dekorata e famë morën apo ia mbathën edhe ata maleve, duke marrë arratinë.

Studiuesit që vazhdojnë të përndjekin viktimat dhe jo ndjekësit e atyre barbarë, bëhen pjesë e kësaj përndjekje dhe jo ithtarë të së vërtetës që na duhet.

Është e kuptueshme që ata që arratiseshin nga diktatura e tmerrshme e vendosur në Shqipëri, kudo që të shkonin, s’do të mund të ishin të qetë, as të lirë si emigrantë politikë, sidomos me të dalë në Jugosllavinë e Titos, që ose do t’i kthenin nga erdhën ose t’i mbanin siç do të donin. Ndërkaq përndjekja do të vazhdonte nga Sigurimi i Shtetit fantazmë dhe jashtë, në Jugosllavi, në Greqi e Itali, në Gjermani e deri në SHBA. Kështu del.

Teknologjia sa primitive, po aq dhe barbare e Sigurimit të Shtetit, tani ishte me përvojat e sofistikuara sovjetike dhe naziste dhe nuk përjashtohet dhe mundësia si fillesë e të qenit në shërbim e disa prej të arratisurve, por dhe shkëputja e menjëhershme e tyre, por dhe falsifikimet e dykahshme.

I arratisuri Reshat Agaj në kujtimet e veta “Vëllai i pengut” tregon se me të kaluar kufirin për në Greqi, kërkon atasheun ushtarak amerikan dhe i rrëfehet se e ka dërguar Sigurimi i shtetit, duke i mbajtur peng një vëlla në burg, të cilin para se ta pushkatonin, punonte me kazmë në tunelin sekret që lidhte nëntokë Komitetin Qendror me Kryeministrinë në Tiranë.

Pjetër Arbnori që nga burgu i Burrelit pati guximin e madh të dërgonte një letër lart në shtet, që nuk pranonte asgjë nga ato që mund të kish thënë gjatë torturave, në delirin e vdekjes.

Sigurimi i shtetit gjithsesi synonte përndjekjet dhe terrorin aq sa ishte e mundur edhe jashtë vendit ndaj të arratisurve. Qëllimi ishte, mendoj, i disadrejtimshëm: neutralizimi i armikut të ikur, i kundërshtarit, i veprimtarive të organizatave të tyre kundër sistemit diktatorial komunist në Shqipëri. Kërcënime të vazhdueshme atyre edhe duke u dëmtuar familjet e mbetura në atdhe, përhapjen me mënyra dhe mjete që i di veç Sigurimi, për t’i bërë të dyshimta ikjet dhe qëndrimet në vendet e huaja, në diasporë e më gjerë, duke dekonspiruar apo sajuar, me qëllim përçarjen e mëtejshme të diasporës dhe duke penguar kështu veprimtaritë e shteteve perëndimore, që mund të ndërmerrnin me diasporën kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës, përmbysjes së tij.

Sigurimi i Shtetit del se ka qenë hiperaktiv, duke kërkuar dhe arritur dhe zhdukjen fizike të personaliteteve më të spikatur jashtë, jo vetëm politikanë, por dhe shkrimtarë, duke ua ndërlikuar jetën dhe përkushtimin krijues, etj.

Natyrisht, ata s’mund të ishin aq të lirë si azilantë politikë, si shkrimtarë besoj se po. Plotësisht. Vepra e tyre shkencore e albanologjisë dhe ajo letrare ishte në shërbim të gjuhës dhe letërsisë shqipe, realitet shpirtëror shqiptar, mbetet kulturë dhe identitet kombëtar, ndërkaq mund të mos e kenë shmangur përfshirjen e tyre në veprimtaritë e hapura dhe të fshehta kundër sistemit tiranik të Enver Hoxhës së pathyeshëm, sipas nostalgjikëve të tij, kur ai vetë, Enveri, ka qenë dhe ka bërë edhe agjentin, aleatin e dyshimtë dhe kundër-aleatin ende më të dyshimtë, dhe shërbëtorin e të huajve deri në përulësi, vetëm që të sundojë duke e shtypur pa mëshirë popullin e tij, duke dëmtuar shpesh e më shpesh interesat e Shqipërisë.

Shkrimtarët e realizmit socialist të tij ai i përdori dhe i keqpërdori shume më rëndë se ç’mund të bënte armiku. Ai u shprishi dhe më të shenjtën e tyre, krijimtarinë. Vlerat duhen veçuar nga fati i autorit dhe duhen nderuar.

Dhe s’ka pse të turfullohet ndaj konferencave në Tiranë dhe në Prishtinë ku dalin vlerat si shkrimtarë dhe personalitete të kulturës të Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt, të cilët bënë art, ku te Koliqi s’ka asgjë fashiste dhe te Camaj s’ka asgjë antikomuniste. Këta ishin estetikisht kundështarë të realizmit socialist. Dhe kur veprat nuk ishin në shërbim të kauzës politike të sistemit, sipas sundimtarëve, ato ishin kundër.

Mendimi kritik i qytetëruar ka etikën e njerëzores dhe jo të vrasësve të saj. Thënë me terma të tanishëm, është në mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe nuk njeh si thyerje ato që janë arritur me forcë, me dhunë e tortura, psikike e fizike, ku Sigurimi i shtetit shqiptar ishte lavdimadh deri në tmerr dhe asgjësim në këtë drejtim.

Mendimi kritik i qytetëruar e njeh të vërtetën, madje do të thosha se nuk e ndjen nevojën e kërkimit të saj se ajo është e natyrshme brenda atij mendimi dhe veprimeve të përgjegjshme qytetare, del në mbrojtje të viktimës dhe jo anash e anash apo hapur në mbrojtje të persekutorëve..

Mund dhe duhet të mësohet dhe nga qëndrimi kritik që u mbajt me poetin amerikan Ezra Pound, ndër më të mëdhenjtë e poezisë moderne të shekullit XX në botë, por që ishte me bindje fashiste, madje mbas luftës e nxjerrin dhe në gjyq si të tillë. Por si poet çmohet nga të gjithë bota e kulturës.

Ka monstra të mrekullueshme, qenie njerëzore që kanë zgjedhur anën e gabuar të historisë me ide kriminale e krime ideologjike, por duke i dhuruar botës njëlloj copëza bukurie me artin e tyre.  Celine ishte antisemit,  Heidegger nazist, Caravaggio vrasës…” – shkruan një shkrimtar i ri italian dhe pyet për Ezra Pound-in nëse është e drejtë të gjykohet për të kaluarën  fashiste dhe jo për veprën e tij.

Shpesh ata janë viktima apo të gabuarit e ideologjive që marrin pushtet tiranik. Ne jemi shumë larg këtij të gjykuari, por dhe të atij realiteti. Shkrimtarët shqiptarë ndërkaq nuk kanë qenë të lirë. Edhe Ernest Koliqi ka shërbyer nën pushtimin fashist, edhe duke i besuar, gjithsesi në totatlitarizëm, kurse Martin Camaj ka qenë i përndjekur i regjimit komunist dhe të dy ikën nga atdheu, por jo nga dashuria për atdhe, as nga meraku për Shqipërinë dhe shërbimi ndaj saj.. Natyrisht këtë s’ka si ta ketë dosja armike e Sigurimit, por vepra e tyre, që  është jo vetëm e bukur dhe me rëndësi, por më shqiptare se ata që dolën në krye të Shqipërisë si fitimtarë dhe e atyre që i shërbyen realizmit socialist të tyre.

Ndërkaq vepra e tyre ka të ardhme. E kundërshtarëve të tyre ka vetëm të shkuar. Duket sikur Sigurimi i mbetur i shtetit vazhdon luftën ndryshe ndaj të ikurve, më parë duke i shpallur dezertorë, tradhtarë, të dënuar me vdekje, kurse sot dhe si të dërguar nga Sigurimi i shtetit, përndryshe të vënë në shërbim të agjenturave të huaja kundër regjimit, që e identifikojnë me atdheun.

Ata studiues agjenturorë do të ishin më të dobishëm, nëse do ta kishin parësore t’i shërbenin të sotmes dhe jo të djeshmes, të na zbulonin me dokumente se si ka vepruar diktatura dhe diktatorët, Sigurimi i tmerrshëm i shtetit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit, me ata vetë, nëse mëtojnë të kalojnë sinoret.

Studimi i asisojshëm i ngjan një hetuesie pas vdekjes me tortura kufomës.

Dosja e shkrimtarit Martin Camaj me ato dokumente ashtu nuk është vepër e tij, por e Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet gjykuar shkrimtari, por kapteri II, oficerët e sigurimit deri te shefi i tyre i lartë, Enver Hoxha. Kjo është vërteta reale.

*   *   *

Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën: më mirë të të vrasin komunistët, sesa të jesh komunist. E thotë dhe për nazistët. Mund ta vazhdonim, më mirë të të vrasë e keqja, se sa të jesh i keq.

Atëherë kemi ç’të nxjerrim më parë e ç’përgjegjësi. Dhe kurajën e ndëshkimit sipas fajit a dëmit. Shoqëria shqiptare të jetë e aftë që të shpalosë vlerat e larta morale deri në heroizëm tronditës, edhe aty ku janë mbuluar me gjak e baltë e përbaltje. Për vetedukim të tanishëm dhe të së ardhmes.

Nëse do të mundet.

*   *   *

Të gjithë kanë kryqin e tyre mbi shpinë, por disa e kanë në formën e drapër-dhe-çekanit /KultPlus.com

Europa e profesorëve

Nga: Visar Zhiti

Dy profesorë në Itali, para jo shumë ditësh, gjatë mbylljes globale nga shkaku i pandemisë së CoronaVirusit, mes atyre shqetësimeve dhe alarmit, krizës shëndetësore botërore, ku Italia e pati mjaft të rëndë dhe jo vetëm, kur dukej se po shpërthenin dhe nacionalizmat, mbylljet e kufijve dhe po jepeshin shenjtat e frikshme të një mënjanimi dhe ndarjeje dhe atavizmat e një rreziku të totalitarizmit, sidomos në Shqipërinë e gatëshme për çdo përkeqësim, dërguan një letër plot urtësi dhe dinjitet… dhe kujt? Europës, qytetarë të së cilës ata dhe janë.

Guximi intelektual, bukuria e kësaj letre, apeli që ata bënin, kushtrimi – thënë me shqipen e hershme, pati dhe përgjigje po aq të bukur, diplomatike ndërkaq, nga vetë Europa.

Profesorët që dërguan letrën janë  Matteo Mandalá, nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Palermos në Siçili dhe Francesco Altimari nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Kozencës në Kalabri, të dy akademikë të njohur për punën e tyre shkencore dhe humane, për arritjet e shkëlqyera në fushën e studimeve dhe të botimeve, në gjuhësi, letërsi, traditë, në medernitetin antropologjik të tyre, po kështu dhe veprimtarë të palodhur të kulturës, rilindas modernë, që sensibilizuan kolegë dhe intelektualë, por dhe vetë Europën në qendrën e saj drejtuese, në Bruksel, se letra i drejtohej Komisionit Europian dhe ishte në vëmendje të zonjës Ursula von der Leyen, prej së cilës, të ngarkuarit nga ajo, dhanë dhe përgjigje, që ashtu si vetë letra, duhet të gëzojë dhe të vërë në mendime çdo shqiptar. Aq më tepër që përmbajtet e tyre lidhen me vendin tonë tani, madje ai është thelbi i tyre, i letrës dhe përgjigjes, por nisma e profesorëve është shembull qëndrimi,  është nxitje e qytetarisë europiane, kumti është udhërrëfyes dhe gjithëpërfshirës.

Profesorët akademikë Mandalá dhe Altimari i drejtohen Europës së Popujve, “E dashur Europë”, – i thonë me aq shumë fisnikëri dhe familjaritet. Kemi marrë shkas, shkruajnë qysh në krye të letrës, nga Shqipëria, “me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga CoronaVirusi”, nga fjalimi kryeministror i Edi Ramës, duke i kërkuar Europës të vazhdojë këtë rrugë “bashkimi e dashurie”.

S’ka si të mos kujtohesh, i nxitur nga kjo letër, që Shqipëria së pari duhet të marrë shembull dhe prej vetes, të njohë virytet e saj dhe të dijë të bashkohet dhe të dojë veten, Europën e Bashkuar, familjen e saj të natyrshme, SHBA-në, aleatin jetik të kombit shqiptar, të mbijetesës, që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë dhe luftoi për Republikën e Kosoves, mbështetësit vendimtarë të demokracisë dhe të prosperitetit në të dy atdhenjtë tanë.

Qeveritë shqiptare dalin nga shqiptarët dhe janë për shqiptarët dhe të punojnë së bashku për vendin me përkushtim , s’e kam fjalën thjesht për qeveritë në Tiranë e në Prishtinë, por dhe qeveritë që pasojë njëra-tjetrën, ato që vijnë me ato që ikin e që do të vijnë, të njohin arritjet, magësitë e gabimet dhe të dinë të progresojnë, dua të them pozita me opozitën, të dyja janë qeveri, e para në pushtet, që qeveris aktualisht dhe e dyta është pushteti moral.

Ngutem të them, me statusin sublim të qytetarit, që qeveritë tona, që zakonisht marrin karakterin dhe huqet e shefave të tyre, të mos shtiren duke u kujdesur se si do të duken jashtë, ndërsa brenda, ku mungon, jo vetëm mirëkuptimi, se për bashkëpunim vështirë se mund të besosh, por bëjnë prepotentin, kritizerin deri në absurd banal, arrijnë të bëjnë dhe mashtruesin e zgjedhur me votat tona, madje dhe grabitësin, duke mos ndërtuar Shqipërinë, por oligarkinë e saj të pa mëshirshme.

Dhe kështu qeveria që pason, përsërit gabimet e së mëparshmes, kur përsëritja është dhe më e keqe, dora dotës shtohet urrejtja si një luftë klase në kushte të tjera, prapaskenat e interesave të dyshimta, pengesat që i bëjnë njëra tjetrës, kthehen në pengesa për jetën e qytetarëve, pra vetvetes, që quhet Shqipëri. Se opozitat tona, në kohërat e tyre të ndërsjellta, kur Shqipëria bëhej gati të niste negociatat me Këshillin e Europës për pranim, kanë arritur deri aty sa të kërkojnë ndërprerjen, pra mospranimin nëpërmjet një diplomacie trashanike, gjë që ka shkatuar humbjen e kohës së Shqipërisë dhe të besimit dhe kur kanë marrë pushtetin, në rotacion opozitat kanë kërkuar dhe bërë të kundërtën, pra në të dy rastet kanë qenë jo vetëm me taktika të ndryshme, por dhe strategji të ndryshme nga ato, kur binin në opozitë me atë kur ngriheshin në pozitë. Dhe kundërshtitë e tyre dukej se kanë konsistuar në këtë: ik ti, ta bëj unë atë që do të bësh ti, pra mjaft, më lërë radhën të përfitoj unë tani. Në këtë rëndomtësi të dëmshëm duket se është katandisur gjendja, duke krijuar zhgënjime gjenerale, indiferentizëm të përgjithshme, inteligjencë të flashkët dhe rritje të varfërisë, pasigurisë dhe ikjeve, që na kujtojnë eksodet e mëdha, ato të ca dekadave më parë, kur diktatura po binte dhe ndërroi sistemi dhe u përftua një diasporë e re që kërkon të pjesëmarrë në jetën e vendit, kërkon të votojë dhe s’mundet, apo ikjet e ca shekujve më parë, kur vendi pushtohej nga perandoria otomane dhe u përftua mrekullia arbëreshe.

Dhe pikërisht arbëreshë janë dy profesorët, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalá që i bënë letrën shëmbullore “Europës së dashur”, që i kërkojnë dhe kujdesin për Shqipërinë amë, përfshirjen në gjirin e saj duke nëpërmendur Manifestin e Ventotenes për një Europë të lirë dhe të njësishme dhe hartuesit e tij që gjatë Luftës së Dytë Botërore në internim, federalistët Ernesto Rossi dhe Alfiero Spinelli. Dhe s’ka si të mos më kujtohet mua miku i tyre shqiptar, Zai Fundo, filozofi antifashist, kundështar dhe i Stalinit, me diplomime në Sorbonë dhe në Moskë. i vlerësuar lart nga ideatorët e Europës së Bashkuar, me të cilin konsultoheshin, siç dëshmon diku tjetër  Spinelli, Pra ne paskemi dhe një shqiptar në vegimet e Europës së Bashkuar, që pasi ikën nga internimi në Ventotene, Zai kthehet të vazhdojë luftën në Shqipëri, por me urdhër drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha e vrasin partizanët, kur arrin në Kukës, por duhej t’i thyenin kockat më parë, sipas pusullës së Enverit, që s’u bë dot kurrë profesor.

Shqipëria diktatoriale e vrau Europën e shqiptarëve. Meqënëse jemi në fushën e letrave, kujtoj prapë një letër tjëtër të Enverit, 5 ditë pas pushkatimit pa gjyq të një grupi intelektualësh, mes tyre dhe një grua profesore, shkencëtare, Sabiha Kasimati, nga shkaku i asaj që quhet “Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë”, kur ishte vetëm ca dinamit në një gazetë, shpërthimi i së cilës, s’bëri asnjë dëm, vetëm theu ca qelqe dhe Enveri, çudia më e madhe, e pa besueshme, i kërkon falje në atë letër, jo familjeve të të vrarëve pa faj nga ai shkak, prindërve, bashkëshorteve, fëmijëve, shqiptarëve të gjithë, por Stalinit. I betohet atij që partia do të jetë e pamëshirshme për atë akt terrorist dhe “akti terrorist”, sipas Enverit, nuk janë pushkatimet e tij masive, por shpërthimi incognito në ambasadë të asaj që as bombë nuk ishte, që mbase Sigurimi mund ta kishe shkaktuar vetë.

Enveri është një përjashtim dhe shëmbulli më zi dhe i letërkëmbimit me Europën, kur Shqipëria ka një kancelari të shkëlqyer  që në mesjetën e saj, letrat e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, “mbrojtësit të paepur të qytetërimit Perëndimor”, siç cilësohet, me aleatët e tij europianë janë modele, ku shpaloset atdhedashuria dhe diplomacia e sinqertë, madje dhe letra e tij dërguar armikut, Sulltan Mehmetit në vitin1461. Një kryevepër!

Po kështu dhe letrat e Ali Pashë Tepelenës për Napoleon Bonopartin apo Rusisë cariste, që duhen studiuar nëper shkolla. Letra të Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, etj. Mund të bëhet një dosje e kancelarisë së Burrave të Shtetit Shqiptar.

Ndërkaq shkëlqejnë letrat e intelektualëve tanë, akademikë e profesorë, dërguar liderëve botërorë, presidentëve në Europë e SHBA, atyreve që kishin në dorë fate dhe histori të popujve, në mbrojtje të çështjes shqiptare, letra brilante të një antologjie guximi dhe zgjuarsie, ndërkaq dhe me njëri-tjetrin, Naim Frashëri dhe De Rada, Faik Konica e Imzot Fan Noli, At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Musine Kokalari, etj, e deri më sot, letrat e shkrimtarit Ismail Kadare presidentëve, në Francë, SHBA, Havelit, po kështu dhe të Presidentëve Rugova dhe Berisha e deri te kryeministri Edi Rama e të intelektualëve Mitrush Kuteli, apo sot Aurel Plasari, Maks Velo, që na la para ca ditësh, artikujt e tyre dhe të të tjerëve si letra të hapura si ato ambasadorëve të SHBA-së, të Bashkimit Europian, etj, e deri te ato të poetes Elida Buçapaj kancelares gjermane Merkel, etj.

Letra e re e intelektualëve Matteo Mandalá-së dhe Francesco Altimari-t dhe përgjigjia që ata kënë marrë, na bind se ka një “Europë të profesorëve”. Në atë letër përmenden dhe etërit themelues të Europës së Bashkuar De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak, kujtoj që Monnet ka thenë pak a shumë kështu se, nëse do të duhej ta rithemelonim edhe një herë Europën e Bashkuar, do ta fillonim jo nga ekonomia, por nga kultura. Se “Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët.” – thotë shkrimatri nobelist, hebreo-hungarez Imre Kertesz dhe pastaj thekson: “Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. – Ai I mbijetoi Aushvicit.

Shqipëria nuk mund të shkojë në Europë pa kujtesën e saj, duke harruar kampet e Tepelenës, burgun e Burrelit, të Spaçit e të Qafë Barit, etj dhe krimet e diktaturës komuniste, pa bërë reformat në drejtësi, pa ndëshkuar të keqen, pa sistemin e duhur zgjedhor, etj, ku vazhdimisht na mbin një parlament “parlatorësh” pa bukë. Dhe që nga aty na dalin president te Republikës, gjithnjë e më befasues, më të çuditshëm, jo vetëm për botën, por dhe për ne, nga ku dalin.

Është e pakuptueshme, e dëmshme, vrastare kur ata që vijnë në pushtet vetëm shajnë dhe rrënojnë punën e arritjet e pararendësve, ndërsa ata që ikin nga pushteti si opozitë vetëm shajnë dhe pengojnë ato që po bëjnë pasuesit e tyre, edhe nëse po vazhdojnë ato që nisën ata.

Nuk bëhet shtet me të shara e gogolizime, por me punë e mençuri e bashkëpunim, me pjesëmarrjen e të gjithëve, duke vlerësuar ato që u bënë e duke kritikuar për më mirë. Klima e sharjeve është bërë një epidemi tjetër e rrezikshme. Berisha si President dhe dy herë si kryeministër duhet parë si përvojë me rëndësi e shtetit demoktatik shqiptar, e reformave të duhura dhe të dhimbëshme, i atyre që s’u bënë a që duheshin bërë ndryshe, e Shqipërisë në NATO, e të djathtës së tij që ishte dhe e majtë, etj, po kështu dhe e ndërsjellta,  si  dhe  e majta e Edi Ramës tani që shfaqte dukuri të së djathtës e që ka rënë dhe në enverizëm, ndërkaq nuk ta kap truri se si një ish president si Bujar Nishani shan si ordiner atë kryeministër dhe qeveri që dekretoi vetë, që punoi me ta, kur ishte pjesa siperane e superstructures së saj, kurse sherri i pa ndërprerë i presidentit aktual Ilir Meta me kryeministrin aktual Edi Rama është vazhdim i asaj marrëzie të nishantë. Rama propozoi Metën, pra urdhëroi zgjedhjen e tij president, Meta e dekretoi atë si kryeminsitër dhe qeverinë tij. Mbyllën pazare kështu apo u prishën pazare, thonë njerëzit mes tyre.

Çështjeve të tilla nuk u japin përgjigjen e duhur gazetat, edhe kur investigojnë dhe sensibilizojnë me të drejtë, as klanet televizive, që aq sa në shërbim janë vënë, veç disinformojnë me profesionalizëm e propagandojnë keq, as politika, por drejtësia e re, vetingu, Spak-u, etj, nëse janë të vërteta, zgjedhet nëse do të jenë të lira dhe paraprakisht me një reformë zgjedhore të duhur, gjithpërfshirëse, nëse do ia dalin.

Ndërsa populli, intelektualët e tij, profesorët kanë të drejtë të plotë të protestojnë dhe ta shkundin vendin për shumë arsye dhe halle, për varfërinë stabile dhe korrupsionin galopant, për nomenklaturën e dikurshme të kudogjendur, urbanizimin çoroditës, shpesh pa identitet, për Teatrin Kombëtar që shëmbet natën si në një aksion ilegal guerilasish, megjithëse teatri i ri është i domosdoshëm dhe tejet I vonuar, për dhunën deri edhe te gazetari i njohu Alfred Lela,  përdhunimet, pedofilinë, duke tromaksur 15 vjeçaret, stresuar gjeneratën e re, për pedofilinë politike, deri te nëpërkëmbjet për të përndjekurit, kujtesën, shpifjet shtetërore, etj, etj, për Europën që na mungon, për aleancën me SHBA-në, për të qenë në lartësitë që meriton. Etj, etj.

Ja, si dialogon Europa e profesorëve, letrat në fjalë i përktheu për një artikull të tij studiuesi Pëllumb Xhufi, duke e vlerësuar intelektualisht këtë dialog dhe duke ia kundërvenë kahut tjetër jo të tij, ndërkaq dukuria është e përbashkët dhe ajo që na duhet më shumë, ja, si u përgjigjet Europa intelektualëve Matteo Mandalá dhe Francesco Altimari: “Të nderuar Profesorë, – ju falenderojmë… për thirrjen tuaj plot ndjenjë dhe solidarite, – pra nuk bëhet pa ndjenja dhe bashkëpunim, pa i nderuar profesorët e jo duke i harruar. Vazhdojmë me letrën: Shëmbulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një here rëndësinë e lidhjes strategjike mes bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret… dhe tregohen shëmbuj dhe shumat e eurove të caktuara, milionëshe për të përballuar tërmetet, krizat shëndetësore, deri dhe koferencat “Together for Albania”, etj. – ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra dhe e Shqipërisë, është në Bashkimin e Europian… – lidershipi shqiptar dhe politika ka për detyrë ta përshpejtojë ardhjen e kësaj të ardhmeje, pjesë e trazicionit të lodhshëm postdiktatorial. Që Ballkani Perëndimor t:e quhet seriozisht Europa Jug-lindore. – Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë… për të mirën e shtetsave të Shqipërisë.”

Kjo është e rëndësishme. Shpresa ka. Ndërkaq duhet të ndërgjegjësohemi dhe Shqipëria duhet ta kuptojë, që mes të tjerash, sa shumë e ka rrënuar kulturën  e bisedës me veten dhe me të tjerët, institucionin e vlerave, prandaj dhe duhet të bëjë përpjekje të mëdha edukuese të ngrihen, patjetër, politika shqiptare dihet të mësojë nga Europa e profesorëve. /KultPlus.com

Edhe mbi gërmadha është poezia e jetës

Nga: Visar Zhiti

Nga vuajtjet dhe persekutimet, nga drama e tyre e përbashkët, të nxjerrësh poezinë, se burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shëmben, por drama mbetet dhe katedralja e poezisë është më e parrëzueshmja se të gjitha,

Duke parë gërmadhat e Teatrit Kombëtar sot, në kohën e pandemisë së “Covid-19”, kujtoj pandeminë ideologjike, “Comunism 45-91”, mbylljet, jo nëpër  shtëpira me familjarët e dashur, por në burgje të rënda dhe të egra, ku kanë vdekur dhe aktorë, regjisorë, vepra të ndaluara, tragjediani themeltar, parësori, Et’hem Haxhiademi, etj. Ndërsa vetë burgjet, ato të kënetave, të aeroportit, të themeleve, stadiumeve etj, as që nuk kanë një memorial dhe të fundmit, Spaçi e Qafa e Barit tashmë janë shkatërruar. Telat me gjëmba i morën banorët përreth për të thurur kopshtet vetiake, një metaforë e bukur kjo, u shkulën gurë e dyer e pragje, por dhe kujtesa kolektive.

Dy revoltat e mëdha të të burgosurve në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit, të vetmet kryengritje politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, përkujtohen vetëm nga shoqatat e ish të burgosurve apo nga Istituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, kur veprimtaritë për to duhej të ishin shtetërore, duhej të kishte konferenca, ekspozita, botime të reja, shfaqje teatrore, homazhe për të rënët dhe njëri burg, të paktën, duhej të ishte muze, siç ka bërë bota e qytetëruar, Polonia, psh.

Muzeumet e tanishme, BunArt 1 dhe BunkArt 2, Shtëpia me Gjethe, Vila e diktatorit Enver Hoxha apo ndonjë tjetër, dëshmojnë diktaturës, forcën e saj, ku nuk mungon një si adhurimi i fshehtë, do të thosha, por ende nuk kemi muzeume të qendrës kundër diktaturës, duke filluar qoftë dhe një apartament të ngushtë, psh, ku dëgjoheshin fshehurazi “Zëri i Amerikës”, RAI, Vatikani, edhe “Radio Prishtina” në Veri. Jo më pastaj madhështia infernale e burgjeve. Gërmadhat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës janë një akuzë kundër mashtrimit postdiktatorial apo shtëpia e Musine Kokalarit në Tiranë, ku e arrestuan, shkrimtare dhe e para para grua opozitare në Europën Lindore, pas Luftë…

Jetojmë në një teatër shëmbjesh, ku harresa ka thirrur në duel kujtesën dhe befas u bie mbi kokë e gjithë skena. Dramat janë nëpër rrugë.

Megjithatë kujtesa krijon të çara dhe fut ujin e vet në  Titanikun e harresës, që do të mbytet gjithsesi.

Mjafton dhe një poezi për të çarën e ferrit. Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjëmba, se karakollet e përbindhme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, në fund të fundit dhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. S’e kam fjalën vetëm për poezinë e shkruar, por dhe të pashkruarën, që mërmëritet, që është bisedë njerëzore, çast buzëqeshjeje, vetë buzëqshja, që është miqësi burrash në ferr, besë, dashuri.

Ne nxorëm poezi nga burgjet. Ca copa letrash të trishta, të grisura, bërë pis nga duart që punonin si skllevër nëpër minierat e zeza, shtynin vagona si të ishin arkivolet e tyre, po ato copa letrash sfidojnë gjithë socrealizmin e bujshëm, raftet e tij që nga Komiteti Qendror e deri dhe në postat e humbura kufitare.

Në burg, kujtoj flitej për poezitë e atij që kishte qenë në burg dhe më pas u arratis, shkoi në SHBA, Prof. Arshi Pipa. E kam parë për një çast librin e tij, kur e sollën në Bibliotekën Kombëtare, u ndodha aty, – më tregonte në burg miku im, artisti Maks Velo, – s’ma lanë as ta prek me dorë, jo më ta shfletoja, qoft:e dhe për një poezi. Ishte një libër me kapakë gri, vazhdonte të tregonte Maksi, i botuar në Itali, në Romë në 1959 dhe u fut drejt e në fondin e zi të Biblioteksës. Gri në të zezë ishte dhe vet:e koha.

Dhe unë shkruaja fshehurazi poezi në burg. Nuk jam i vetëm… M’i ruanin dhe shokët e paktë atje. Ç’mrekulli që nuk më tradhtoi asnjëri, që janë gjallë, se edhe poezitë vriten, nuk m’i zbuloi dot kthetra e shefit të policisë së burgut në asnjë kontroll të çmendur, e ato, poezitë dolën, u liruan para meje, e kam treguar në burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ca fletore të zbehta janë, të mjera që dëshmojnë… poezinë e qendresës së përditëshme, njeriun në humnerë. Familjarët e mi i fshehën nën tokë. Mbase ia dhuroj ndonjë muzeu. Janë autentike, të rralla… Eështë revolta jonë e pambarimtë.

Poezitë tona kanë dramë tjetër, në teatro të tjerë të shkatërruar.

Pastaj pashë në shtëpinë e  Prof. Arshi Pipës në Uashington poezitë e burgut të tij në kënetën e Maliqit, të shkruara imët mbi fletë të holla cigaresh, të gjitha ishin sa një kuti shkrepseje, më dhuroi dhe librin me autograf. Ato sonete ishin ferri dantesk i poezisë shqipe, thashë, kur botuam disa sa u lejua shtypi i parë opozitar në fillim të viteve ’90, shekullin e kaluar natyrisht. Dhe sa shumë harrohet kujtesa.

Pjesën më të madhe të poezive, të poezive të mia të burgut, e kam botuar, edhe janë përkthyer në italisht, anglisht, rumanisht, frengjisht, gjermanisht, në të gjitha gjuhët sllave të Ballkanit, në hebraisht, madje edhe kinezçe disa, janë bërë dhe k:eng;e në Itali nja dy, etj, etj, por desha të thosha se kjo është hakmarrja jonë, poezia. Fola për pjesën time, për aq sa munda, thjesht;e është jona, sa për të dhënë ca shpresë.

Le të shkatërrohen burgjet, le të shëmben teatro, të rinj do të ngrihen, kujtesa do të mbetet, është poezia e tyre, jo vetem në vargje, drama e romane, memuaristikë, gjithsesi poezi jete, ja ashtu e tretur me ajrin, si ajri, futet në krahërorët njerëzore dhe do të ruhen aty sa të jetë njeriu. Herë pas here do t’i shfletojë… /KultPlus.com

Sot dua të flas italisht

Nga Visar Zhiti

E bukura Itali, e dashura Itali!

Ti, kënga e botës dhe goja e botës. Ti, kitara e botës dhe zemra e botës!

Të dua shumë! Ndjej dhimbje dhe vuaj me Ty.

Më lër të flas si i dehur për Ty, plot me Ty… edhe pse jam larg.

Shoh hartën Tënde në lajmet televizive, duket si çizmja elegante e një balerine…

Vallëzimi yt, me krahët e engjëjve dhe dëshirat e fëmijëve…

Ndërsa sot trupi yt, Itali, më duket si trupi i Krishtit në kryq, i anuar fort nga dhëmbja…

Itali, ti do të ngrihesh përsëri, do të bëhesh më e bukur.

Italia jemi ne, e gjithë bota…

Nëse shikojmë horizontin nga perëndimi i diellit, pas Italisë fillon Krienti. Dhe nëse shikojmë horizontin nga fillon lindja e diellit, alba, nga Shqipëria ime për shembull, që ju i thoni Alba-nia,- me Italinë nis Oksidenti.”In medio stat virtus”, thoshin latinët, “në mes është virtyti”…

Pa Italinë nuk ka Evropë, nuk ka Amerikë, nuk ka botë, nuk ka kulturë njerëzimi.

Me Danten rizbuluam Parajsën e dashurisë, me Danten kemi njohur Ferrin e mëkateve.

Italia na ka dhuruar shpikje superbe me Leonardo Da Vinçin bashkë me misterin e buzëqeshjes së Mona Lizës. Italia na ka dhënë qiellin Mikelanxhelojan, mëshirën hyjnore, pavdekësinë e njeriut.

Italia shpiku guximin, dashurinë, dialogun mes njerëzve, midis popujve, midis së kaluarës dhe të ardhmes…. na dha radio që na bashkon…

Italia, zemra e botës, ne jemi me Ty, siç ke qenë Ti gjithmonë me ne, me botën. Je qytetrimi antik, je Rilindja e re, je poezi, je dashuria e Zotit, kënga më e bukur në botë! Je dhimbja jonë, je shpresa jonë! Unë nuk mund të të shoh të mbyllur, nuk mund të të shoh të trishtë. Hape dritaren, fute diellin në sytë e Tu dhe na shiko në sy. Njeriu shpëtohet me ty. Kurajo! Durim. Solidaritet. Korajo.

Në zemër të Romës, të Italisë, është Selia e Shenjtë. Le të lutemi së bashku me Papa Françeskun. Zoti do të na dëgjojë… Ne jemi dashuria e Tij. Po lutem edhe me zërin e nënës time Shën Terezës së Kalkutës, të djalit tim që ishte student në Universitetin Katolik të “Zemra e Shenjtë” në Milano, me ëndrrën e tij…

Italia është dashuria e Zotit dhe dashuria jonë.

Italia është çdo italian, jemi të gjithë, ne jemi Italia dhe Italia është bota.

Harta e Italisë tani i ngjan një krahu që zgjatet për të mbrojtur jetën.

Hape dorën tënde, Itali, hidh yje mbi tokë si farat e grurit dhe mbill shpresë…

Shkrimi është botuar dje në revistën katolike italiane në Romë, “Frammenti di pace” / KultPlus.com

Pantera e zezë

Nga: Visar Zhiti

Është e trishtë dhe e rrezikshme gjëndja, kur e mendon përmirësimin jo nga drejtësia dhe dashuria, nga morali, ndërgjegjia kombëtare, etj, por nga vdekja dhe urrejtja, nga vdekja e dikatorit, e vejushës së tij, e bashkëpunëtorëve të së keqes, etj, kur diktatura mbetet, e copëzuar, në mendësi, në veprime, në biseda, në qeverisje deri dhe në të ngazëllyerit në nekromani, duke harruar frymën e së keqes, kutërbimin kalbëzues të gjendjes. Mos jemi popull me kujtesë të gjymtuar, që të paktën të lexonte? Jo thjeshtë libra, por të kaluarën e vet, përsëdytjen e historisë në të tashmen ndryshe… Me interes janë bisedat e të burgosurve, përsiatjet e tyre. Gjejmë rastin dhe sjell grimca të tilla nga dy burgologjitë e mia, “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të botuara 10-15 vjet më parë, për vejushën e diktatorit, për diktatorin dhe pasardhësin e tij, pra për vetë diktaturën e tyre, që pasi pllakosi mbi kryet dhe shpinat e një populli, pasi ra, u rrokullis dhe u shkri me gjithë aciditetin e saj në mendësinë kolektive, që siç thoshin në burg, nga P.P.SH. u bë ADN e së keqes.

1.
Ne dimë dhe ç’do të ndodhë, pse do të sundojë pas Enverit ai, Ramizi. Është dhe çështje grash. E shoqja e diktatorit, Nexhmija, e do Ramizin e ky patjetër duhej të mbetej vejan. Po Mehmet Shehu i tmerrshëm? Ai jo, kthen ai, ka kokë më vete, vjen ca si perëndimor. Po Enveri pse nuk do që ta vrasë Ramizin, për meritë të këtij të fundit, do të dijë ai të jetë dhelparak e ka për të mbijetuar, apo sepse është aq qullac sa s’ia vlen ta vrasësh? Të dyja. Që, duke mos pasur zotësinë e mjaftueshme për të sunduar, njerëzit do t’i marrë malli menjëherë për Enverin dhe do të kërkojnë hijen e tij, që t’i udhëheqë. Të shoqen? Panterën e zezë, siç e quajnë në burg? Të shohim, është ende shpejt.
2.
Rruga është e hapur për Ramiz Alinë. Që s’është i zoti për të qenë diktator. As liberal e reformator. Ky u duhet njerëzve të Enverit si pasardhës, që ta tërheqin prej hunde, e ndërkohë populli të zhuritet nga malli për madhështinë e Enverit. Gruaja e diktatorit, Pantera e Zezë, do të udhëheqë postmortum si tani. Enver Hoxha ka mbi 15 vjet që nuk është në gjendje. I sëmurë është dhe nga trutë. Dhe të burgosurit vazhdonin të rrëfenin se Mehmet Shehu vrau veten me 2–3 plumba kokës me revolen e Enver Hoxhës. Kanë arrestuar dhe të shoqen e kryeministrit, drejtoreshë e Shkollës së Partisë. Dhe dy djemtë ia kanë arrestuar, i treti vrau veten. Kush, më i vogli? Jo, jo. Jo ai shkrimtari. Do t’ia ndalojnë librin dhe atij. Nuk i sjellin këtu ata. Do t’i izolojnë, s’dihet se ku, e do t’i helmojnë.
3.
Rreshtat s’mbaronin, zgjateshin e zgjateshin si një gjarpër i madh, vinin nga të gjitha vendet, nga fabrikat dhe repartet ushtarake, nga universiteti, spitalet, çmendinat, akademia, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, kooperativat bujqësore, i sillnin me autobusë, trena, me makina të rastit, zjarrfikëse, ambulanca, autoburg, më këmbë, me kuaj, me vig, nga shpellat, nga gërxhet, tunelet, llogoret, bunkerët, qanin me kuje, spikeri i televizionit, komandanti i burgut, kurajë, dhembjen ta kthejmë në forcë, siç porosiste Enveri. Partinë na e la të pastër dhe të fortë. Ngaqë iku vetë. Ta bëjmë Shqipërinë siç e donte Enveri. Foli dhe Pantera e Zezë, vejusha tashembrapa
e diktatorit, e mban veten, e zonja ajo, sa i shkon zia, po Ramiz Alia endet si zot shtëpie, kot e ka që e trash zërin, sa frikë ka nga arkëmorti, mortja atij, nuk shikon dot andej…
4.
– Po sikur dhe ju, edhe pse të burgosur, tanët jeni, – po na thoshte një uniformë oficeri, – t’i bëni një letër Enverit?
– Po ai s’është, – thanë ca nga ne.
– Jo, t’ia dërgoni vejushës së tij, Partisë, njerëzore është, njerëz jeni dhe ju, t’i shprehni ngushëllimet….
– Që jemi në burg, që po riedukohemi me mësimet e tij? Operativi, komisari, policë të tjerë po prisnin në këmbë miratimin. Rreshtat tanë heshtnin.
– Hë, fol ti. Ç’thua? – iu drejtuan më plakut.
– As dëgjoj nga veshët, – u tulat ai, – as shoh nga sytë. As në shtëpinë time nuk çoj më letra.
– Je apo s’je dakord?
– S’flas dot, s’kam dhëmbë të mitë, janë të shtetit e më kanë vrarë.
– Po ti ç’thua, – iu drejtua operativi një të gjati të zymtë.
– Kam 21 vjet që ha këtë gjellë burgu, – u përgjigj. – Po ti, i dënuar?…
– Jam i dënuar, s’di gjë.
– Po ti?
– Kur më vdiq baba, unë s’mora ngushëllime as nga Ramiz Alia as nga Komiteti Qendror, as nga Nexhmija e Enverit, prandaj s’kam si i prish zakonet, s’mund t’u çoj unë… S’jemi të një sëre. – Mjaft! Ju jeni armiq të pandreqshëm, s’keni ndjenja. Njëri thotë s’dëgjoj e s’flas dot, kur dëgjon ç’i thamë e përgjigjet… Kush qeshi? Shpejt në birucë! Këtu do të ngordhni, – ulëriu komisari
5.
Diktator është edhe ai, i vërtetë, tamam. I jep porosi Pantera e Zezë që të bëjë sikur diku po e zbut dhe diku tjetër, si gjakatar, ta forcojë. Ja, nuk po dënojnë më, hëpërhë ndoshta, për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit, por po i vrasin ata që kapin në kufi, kur me ligj s’po e quajnë më tradhti ndaj atdheut, por shkelje pa leje të kufirit. I tërheqin zvarrë.
6.
Dhe në vendin e tij sollën një atentator, që, sipas akuzës, donte të vriste Ramiz Alinë. “E sheh? – duan t’i thonë zëvendësdiktatorit. – Armiku i brendshëm, i lidhur me atë të jashtmin, vepron.” Dhe Pantera e Zezë ia mpreh dhëmbë e kthetra e thonj bashkëluftëtarit të Enverit. Absolutisht të mos zbutet gjendja – Ke të drejtë. Ramiz Alia kërkon t’i mbushë mendjen Ramiz Alisë se Shqipëria ka nevojë prapë për diktator e diktaturë. Dhe burgjet të hapen, jo për të nxjerrë, por për të futur. /KultPlus.com

Agron Tufa zbulon letrën e Visar Zhitit nga azili: Jeta jonë prapë mbeti e vështirë

Ish-drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ka publikuar një letër të shkrimtarit të njohur Visar Zhiti drejtuar atij pas largimit familjarisht nga Shqipëria drejt Zvicrës.

Zhiti shprehet i shqetësuar për largimin e tij dhe vlerëson punën e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, siç thotë ai “plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet shfarosëse aushviciane”.

LETRA E PLOTË
Letër nga shkrimtari Visar Zhiti
I dashur Agron,
Së pari, Ju dëshirojmë të jeni mirë, kudo qofshi, bashkë me Elvanën dhe fëmijët, që meritojnë çdo sakrificë dhe gëzime pa fund.
Edhe pse jemi shumë larg, përtej oqeanit, në SHBA, Eda dhe unë jemi vendosur afër Chicago-s, në një vend të heshtur dhe të veçuar, pa shumë lajme, ku dimri tashmë ka ardhur, me temperaturat minus – dhe jo vetëm ato janë minus për ne, – bashkë me dimrin, pra, na erdhi dhe lajmi i ikjes Tuaj familjarisht nga atdheu.
Edhe pse mua më dukej se pritej një ndodhi kësisoj, pa na befasuar dhe aq, se kështu është realiteti ynë, dramatik dhe i pabesë, gjithsesi na ka shqetësuar, shqetësim i natyrshëm për Ju, fëmijët dhe vendin.

Ikja sigurisht që pati një shkak dhe lutemi që pasojat të jenë për mirë.
Puna Juaj e madhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit mbetet e rëndësishme, plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet shfarosëse aushviciane, etj., nga epoka e diktaturës më të egër në Europë dhe e gjitha kjo u shndërrua dhe në një akuzë të hapur, vazhdim i duhur i ofshamave dhe akuzave tona ndaj sundimtarëve, krimi shtetëror i të cilëve kishte nisur që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku fitimtarët, nga çlirimtarë të vendit, u shndërruan menjëherë në pushtues të tij, u çlirua Shqipëria dhe shqiptarët u robëruan më keq se kurrë. Më parë se universitetet ata hapën burgjet dhe institucionalizuan dhunën duke mos e ndërprerë persekutimin, duke iu ngazëllyer si sadistë atij, duke e shitur me gjakun tonë si fitore të përgjithshme.
Të rrëfyerit e kësaj, me një polifoni të dhimbshme sot, një kor më tragjik se ai i antikitetit kështu, kjo hata e madhe nuk mund të durohej dot as si libër në shekullin XXI në Shqipërinë tonë të vogël nga ata që e bënë apo i shërbyen asaj diktature dhe nga bijtë e tyre, deputetë, ministra, gazetë, televizion, pedagogë, antilibra, opinion klanor, presidentë, grupe të kamufluara terrori, etj., të pasuruar të gjithë, ndoca pas emigrimit të fshehtë duke u bërë dhe qytetarë të Europës e më tej, etj., etj., kur ne duhej ta duronim diktaturën e tyre si vuajtje reale në jetë dhe pas saj, si të braktisur dhe të harruar deri në nëpërkëmbje në postdiktaturë, kur Shqipëria jonë është, si të thuash, në sistemin demokratik që ëndërruan ish-të përndjekurit, ish-të burgosurit, por, për paradoks, pa i dashur ata vetë, gjithandej, me mosdashuri edhe mes nesh. Idetë dhe dëshirat dhe aleatët idealë të ish-të persekutuarve, BE-ja dhe SHBA-ja po, i duan, por jo neve, ish-të persekutuarit dhe mbi vuajtjen tonë vazhduan, pa asnjë ndjesë a dënim moral, ndryshimin e të dikurshmes në shpëtim dhe dobi të vetes:
e kam thënë, ne kemi një demokraci me kundërshtarët mizorë të demokracisë, një kapitalizëm me armiqtë e kapitalizmit, të cilët nga ithtarë të rremë ose jo të pronës sociale, të përbashkët dhe të askujt, u bënë pronarë të ethshëm, të dyshimtë, oligarkë të Shqipërisë.
Jeta jonë prapë mbeti e vështirë, në fund të fundit si e të shumtëve, por shpesh më e pa durueshme, pa drejtësi dhe pa përgjegjës, pa kujtesë dhe të vërtetat, me moral të rrëzuar. Të mbetur në vetmitë tona që shqetësojmë dhe vetëm me pranitë, mjafton që jemi dhe shndërrohemi në akuza të gjalla…
I dashur Agron,

S’e di pse u zgjata, nga nevoja për të përsëritur shqetësimet e paqetësuara, ngaqë e ndjej ikjen Tuaj duke kërkuar azil politik në Zvicër, i sulmuar banalshëm dhe i kërcënuar deri dhe me jetë, që s’je i vetëm, i bindur që e ndjeni shumë dhe fatin tonë, të ne që jemi, si të thuash, “lënda e parë” e Institutit që drejtonit me dinjitet dhe guxim, i pësimit dhe dëshmive të rënda tonat.
Kur detyrohen të ikin studiuesit e persekutimit nga Shqipëria, ç’duhet të bëjnë të persekutuarit e mbetur gjallë, që ende u dhembin kockat nga prangat?
Agron,
Kujto atin, kujto të ikur e mëdhenj të mëparshëm, kujto persekutimin e tejmë dhe merr forcë, na kujtoni ne, nëpërkëmbjen që na bëjnë dhe sulmet e herëpashershme, edhe mua kujtomë, Mik i dashur, kur më sulmuan me të padrejtë Presidenti i Republikës, ish-oficeri me armë i diktaturës apo ish-shefi i ikur i policisë së burgut, shtypësi me hekur dhe gjak i revoltës tonë në burg e të tjerë barbarë me klanin e tyre e censorët e dikurshëm të poezive tona e deri te vrasja më e fundit afër shtëpisë së bashkëvuajtësit tonë, që e kishte të shkruar mbi lëkurën e vet dëshminë dhe akuzën kundër krimit shtetëror, etj., etj. Ne u ndjemë sërish të hedhur në arenë si gladiatorët mes bishave.
Ne e kujtojmë që pas sulmit, Ju u ngritët në mbrojtjen tonë, akuzuat si ne duke rrezikuar.
Prandaj keni dhe mirënjohjen.
Shembujt janë të shumtë.
Kujto prapë revoltat e reja të ish të burgosurve në posdiktaturë, grevat e reja të urisë, vetëdjegiet martirizuese, heshtjen e tyre të madhërishme, ikjet e tyre të mëpastajme drejt lirive të tjera dhe merr forcë si Anteu.
Kujto dhe tërmetin e tanishëm, të vrarët dhe gërmadhat e tij që na dhembin, dimrin jashtë, fëmijët e trembur, njerëzit që bashkohen, mundin e rimëkëmbjes, botën që s’na lë vetëm në pikëllimin dhe mynxyrën tonë. Kujtohu që është e pamundur të jesh vetëm, qoftë për mirë, qoftë dhe për keq.
Bota është bërë e vogël, themi shpesh, por të bëhet i madh njeriu, shtoj unë.
Agron,
Ju sërish ngritët një alarm të ri tani duke ikur, të rëndësishëm dhe të duhur dhe, për fat, të shumtë janë mbështetësit dhe bashkëluftëtarët e kauzës së përbashkët.
I bindur që do të vazhdoni betejën, si shkrimtar dhe qytetar i lirë në një botë të lirë, veprimtar i palodhur i të vërtetës dhe i të drejtës, i përulur para dhimbjes njerëzore, krah për krah me të vuajturit dhe të persekutuarit siç ishe dhe vetë nga burgu i atit Tuaj, për ta treguar me kurajo e kulturën e duhur të keqen tonë që ajo të njihet nga të gjithë për të mos u përsëritur ndër të tjerë, te askush në askund.
SHBA tani ka shtuar dhe Ditën e Kujtesës Botërore, 7 Nëntorin, në nderim të 100 milionë viktimave të komunizmit, ku janë dhe martirët tanë, që kundërshtuan heroikisht.
Edhe kujtesa jonë duhet t’i shërbejë përvojës dhe përpjekjes për pajtimin e drejtë dhe paqen e drejtë me historinë dhe veten. Është ende e vështirë. Mjafton të kujtojmë ceremoninë e rivarrimit të një patrioti të madh dhe intekektuali të madh, bir i Frashërllinjve që ribënë Kombin, se si u hodhën egërshane mbetjet e diktaturës, që as vdekja nuk i qetëson. Por nuk duhet sprapsur. Përpara për të afruar një të ardhme më të mirë se tonën te fëmijët.
Është detyrë ruajtja e tyre, rritja dhe edukimi me dashuri; “Mësomë të dua” lutej Shenjtja jonë Nënë Terezë dhe Ju bëtë një detyrë ndaj fëmijëve Tuaj, me përkushtimin dhe sakrificën prindërore. Askush nuk ka të drejtë të qortojë kërkesën Tuaj për azil, ndërkaq meritoni mbështetjen tonë dhe të të gjithëve.
Ne Ju urojmë mbarësi dhe forcë, durim dhe gëzime bashkë me gëzimet e fëmijëve, punë dhe art dhe dhimbje që së bashku të bëjmë më të mirën tonë për vendin…
Siç Ju thashë unë jam larg, edhe nga jeta tani, edhe nga bota, siç e dini, jam vetëm dhimbje, që e ndjen dhimbjen nëpërkudo…
Përqafime vëllazërore,
Visar Zhiti / KultPlus.com

“Mos i bëni asnjë lëshim”, publikohet për herë të parë shënimi i Ramiz Alisë që burgosi Visar Zhitin

Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç kemi parë dhe në mjaft dokumente të tjera të botuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Komiteti i Arteve etj., herë pas here dërgonin në Komitetin Qendror të PPSH-së raporte, informacione e relacione të ndryshme që kishin të bënin me krijimtarinë artistike, kryesisht ato të librit artistik dhe botimet e tjera që këto mbulonin në rrugë zyrtare.

Kjo gjë, pra diktati që ushtronte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ka qenë evident në mënyrë permanente që nga krijimi i Lidhjes, por u vendos si rregull kryesisht që nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha lëshoi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, gjë e cila i parapriu një furtune të vërtetë mbi shkrimtarët dhe artistët, ku shumë prej tyre me në krye dy shefat kryesorë, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist e shumë të tjerë u shkarkuan nga funksionet e postet që mbanin dhe u dërguan “për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore”. Në këtë kuadër, pra në vazhdën e informimit të Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me problemet e botimeve që e shqetësonin atë sektor, aty nga fundi i muajit korrik të vitit 1979, shefi i shtypit pranë atij aparati, Miti Tona, u ka dërguar eprorëve të tij një raport-informacion prej tetë faqesh, të titulluar “Mbi disa probleme të dorëshkrimeve në poezi”. Siç do të shohim edhe nga raport-informacioni në fjalë, problemi që ngrihet aty ka të bëjë jo me krijimtarinë artistike të botuar, por me vëllimet që dergjeshin prej kohësh sirtarëve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe nuk e shikonin dritën e botimit, pasi ata konsideroheshin me “gabime ideore”! Ndër këto vëllime, shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, ka zgjedhur si “më problematikët” librat e katër autorëve të njohur siç ishin: Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, ku ky i fundit asokohe ishte një poet i ri nga provinca (familja e tij gjysmë e internuar në Lushnje) dhe nuk kishte as emrin dhe jo e jo famën e tre kolegëve të tij, që kishin botuar prej vitesh libra me krijimtarinë e tyre.

Por që çuditërisht siç do ta shikojmë edhe nga dokumenti me raport-informacionin në fjalë, ai (Zhiti), do ta pësonte më shumë se tre kolegët e tij që bëhet fjalë në atë dokument, madje duke përfunduar prapave hekurave të burgut. Në analizën e bërë poezive të këtyre katër autorëve, (që me shumë gjasa është bërë nga kritikët apo redaktorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”) shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, Miti Tona, si një kritik i vërtetë letrar, ka analizuar me detaje deri në figuracione artistike disa nga poezitë e tyre, duke i konsideruar ato me probleme ideore dhe të pabotueshme. Ajo që bie në sy është fakti që: edhe pse raporti i tij (Miti Tona), nuk është shumë i ashpër, madje krahasuar me shumë raporte, informacione e relacione që përmbajnë dokumente të tjera që kemi publikuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, është disi i butë dhe aty në përfundim të tij, ai u ka bërë me dije eprorëve të tij, se: “Pavarësisht nga këto të meta, në tërësi poezia jonë ka përmbajtje të shëndoshë ideore, është mbështetur fuqimisht në mësimet e Partisë dhe të shokut Enver dhe kryen me dinjitet misionin e vet”. Pra, tek ai raport duket se mbizotëron ana pozitive e problemit, që është trajtuar dhe marrë në analizë, apo siç thuhej rëndom asokohe në raporte të ndryshme (jo vetëm tek ato të letërsisë dhe arteve) se: “E përgjithshmja është pozitive”. Por siç duket, i atij mendimi nuk ka qenë Ramiz Alia, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte artet, kulturën dhe propagandën, i cili në raport-informacionin në fjalë, (në faqen e parë), mes të tjerash ka shkruar: “Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin”. Përveç këtij shënimi, në faqe të parë të dokumentit që ka qenë një praktikë e njohur për të gjithë titullarët partiakë dhe shtetërore të cilëve iu adresohej, ajo që vihet re në atë korrespodencë shkresore të Ramiz Alisë me vartësit e tij, (si psh. Jakup Mato, Miti Tona etj.) është edhe një letër gati një faqe me një shënim të gjatë të tij, ku te fjalia e fundit, ai (Ramizi), ka shkruar: “Jam dakord me masat që propozohen. Të zbatohen. Për ndonjërin dhe çojeni deri në fund, bashkë me organizatat e tjera këtë problem”.

Gjë e cila duket se ka rezultuar fatale për poetin e ri Visar Zhiti, pasi atij jo vetëm që nuk iu botua vëllimi poetik që kishte dërguar që nga viti 1972 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, por ai përfundoi prapa hekurave të burgut, si “armik i popullit” dhe pikërisht për ato poezi…! Gjë tjetër që vihet re edhe nga faksimilet përkatëse të këtyre dokumenteve arkivore që po publikojmë për herë të parë në këtë pjesë të librit, është edhe fakti se në korrespodencën shkresore për raport-informacionin në fjalë, ku merren në analizë poezitë e Zhitit dhe tre kolegëve të tij, në një shkresë përcjellëse që në fund mban firmën e Ramiz Alisë, (i cili në ato ditë u nis për në Paris për të shoqëruar Hysni Kapon të sëmurë rëndë), atë ditë kanë firmosur edhe gati gjysma e Byrosë Politike si: Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Foto Çami, Xhelil Gjoni dhe Miti Nito e Mehmet Karakushi, instruktorë në Komitetin Qendror për artin, kulturën dhe propagandën. Këtë letër Ramiz Alia ia ka dërguar fillimisht vetëm Hekuran Isait dhe Simon Stefanit, dy sekretarëve të sapozgjedhur të Komitetit Qendror, (asokohe zëvendësuan Hysni Kapon, që sapo kishte vdekur), gjë e cila do të thoshte se: me personin e përmendur në atë raport, tashmë kishin punë organet e Diktaturës së Proletariatit, si Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, prokuroria dhe gjykatat, që i mbulonin në rrugë partie, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Nuk dihet me saktësi se përse nga ata katër shkrimtarë: Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Visar Zhiti, u përzgjodh ky i fundit, “për t’i shkuar deri në fund problemit” siç sugjeronte në shënimin e tij Ramiz Alia. Ky fakt, aq sa pikëpyetje ngrinte asokohe, aq edhe i thjeshtë dhe i lexueshëm bëhet kur e shikojmë dhe analizojmë sot që kemi dhe dimë mjaft gjëra, që asokohe as nuk i shkonim nëpër mend. Pasi: ndërsa Agim Gjakova ishte me origjinë kosovar dhe në ato vite Tirana zyrtare duket se po kalonte “muajt e mjaltit” me “miqtë kosovarë” dhe Agim Isaku e Rudolf Markun kishin përkrahjen e Dritëro Agollit, (në atë kohë Agolli shkoi vetë në Lezhë dhe bisedoi me sekretarin e parë për Rudolf Markun), Visari nuk kishte përkrahje fare dhe i vetmi njeri, Xhevahir Spahiu, që e kishte ndihmuar e përkrahur duke i botuar disa poezi te “Nëntori”, tashmë po kalonte për vete ditë të vështira, pasi ishte kritikuar personalisht nga Enver Hoxha. Po kështu “përzgjedhja” e Zhitit për t’u dënuar ndoshta lidhej edhe me faktin se ai ishte më i ri në moshë se tre kolegët e tij dhe nuk kishte libra të botuar, gjë e cila në një farë mënyre e kursente shtetin, duke mos çuar libra për karton dhe të mos hiqte nga qarkullimi tekste mësimore ku ishin emrat e Gjakovës, Isakut dhe Markut. Por ajo më kryesorja që tre poetët u shpëtuan hekurave të burgut apo internimit (si shumë kolegë të tyre në ato vite) dhe ai “fat” i ra vetëm Zhitit, ishte ana biografike, pasi Visari kishte pasur babanë (Hekuran Zhiti) në burg dhe një nga xhaxhallarët, (ish-mësues që nga koha e Monarkisë dhe poet që shkruante dhe botonte poezi që nga fillimi i viteve ’30-të), i cili ishte arrestuar menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kishte vdekur nga torturat në qelitë e Degës së Brendshme të Beratit në vitin 1945, pa dalë në gjyq! Kjo gjë “mjaftonte” që pas shënimit të Ramiz Alisë, vartësit e tij ta kishin më të lehtë për ta “përzgjedhur” atë, siç dhe ndodhi në të vërtetë. Por atë gjë, si duket ua “lehtësoi” edhe vetë Visari, pasi që nga viti 1973 kur ai e dërgoi për herë të parë atë vëllim poetik pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e deri në vitin 1979 që ai u arrestua, redaktorët dhe shefat e sektorit të poezisë ia kthyen atë disa herë “për përmirësim”, por ai jo vetëm që nuk e “përmirësonte”, por ua dërgonte atë më me shumë probleme. Gjë e cila citohet edhe në raport-informacionin e firmosur nga Miti Tona dhe atë “kokëfortësi” Zhiti e pagoi shtrenjtë, “duke shkuar me këmbët e tij në burg”. Por siç thotë populli, “jo çdo e keqe vjen për keq”, pasi ndërsa gjatë periudhës së vështirë të hetuesisë, Visari i shkruante poezitë në mendjen e tij, pasi hetuesi jo rrallë e kontrollonte edhe aty, duke i thënë; “Çfarë po mendon tani”, apo në zgafellat e thella të minierave të Spaçit a Qafë-Barit, ku ai kaloi vite të tëra, poezitë i fshihte në shoje këpucësh apo çorape leshi që kundërmonin nga çizmet dhe policët nga ndonjëherë “lëshonin pe” dhe nuk i kontrollonin, pas viteve ’90-të, Zhiti u bë një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur, ku shumë nga librat e tij janë botuar dhe vazhdojnë të botohen e përkthehen edhe jashtë vendit e për të ka shkruar jo rrallë edhe shtypi i huaj. Si psh,. gazeta prestigjioze italiane, “La Republica”, e cila në një nga numrat e saj në vitin 1998, midis të tjerash shkruante: “Para këtij volumi doli në italisht më 1998 ‘Shkrimtarë nga burgu’ (Feltrineli), përkthim i ‘This Prison Whehre I Live’ (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë nga Cassell Academic në Londër, për të shënuar 75-vjetorin e Pen Klubit dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë, që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë viteve”. Tani ja kjo përmbledhje e dytë, që edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin”. Më pas po në këtë artikull të “La Respublica”, autori i saj duke cituar shkrimtarin me famë botërore, Umberto Eko, shkruan: “Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese ‘të trishtuara dhe hermetike’, e pra kundër regjimit. Pastaj, praktika ia kaloi automatikisht Komitetit Qendror të partisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkaktonte frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit për trëndafila”. Kështu e ka përkufizuar shkrimtari i famshëm fatin tragjik të Zhitit nën regjimin komunist, gjë e cila bën fjalë edhe në këto dokumente arkivore, që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri. (Dokumentet botohen me shkurtime dhe të plota do të jenë në librin “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”.

Raporti i shefit të shtypit, Miti Tona, për Komitetin Qendror
INFORMACION
MBI DISA PROBLEME TË DORËSHKRIMEVE NË POEZI

Muajt e fundit, siç raporton drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, asaj i kanë ardhur disa dorëshkrime me poezi, të cilat krahas poezive të shëndosha ideologjikisht dhe me nivel artistik, ka edhe disa krijime me recidive të poezisë formaliste, hermetike, me figuracion të paqartë e të errët, pra me disa nga ato të meta dhe dobësi që u kritikuan në Plenumin e IV të K.Q. të Partisë për Letërsinë dhe Artet.
Pikërisht këto poezi, një pjesë e të cilave janë edhe të autorëve të njohur, nuk janë botuar. Për këto në adresë të redaksisë së poezisë, disa krijues, kryesisht poetë, kanë filluar të flasin se: “në sirtarët e Shtëpisë Botuese qëndron ‘poezia e mirë’”, “në redaksinë e poezisë ka tendencë për të qenë brenda’, “se nuk po inkurajohet talenti i vërtetë”.
Autorët e këtyre thënieve janë ose autorët e vetë dorëshkrimeve të pabotueshme, ose recensentë. /KultPlus.com

Epilogu

Poezi nga Visar Zhiti

E megjithatë unë shkruaj poezi

pa m’i lexuar askush.

Ndoshta dhe era e natës nuk i lexon fare yjet,

mbase dhe shkëmbi në bregun e detit

s’ndien asgjë nga dufi i dallgëve

E megjithatë unë shkruaj poezi

të cilat ma prishën jetën. 7 vjet

trupin ma mbështollën telat me gjëmba.

Ma shqyen lëkurën dhe rrodhën rrëkera jete

……… si rrëkera gjaku

……… deri në fund të këmbëve të mia

Po shpirtin, jo të gjithë shpirtin

nuk munda dot, veç një grimëz, e nxora

nga të çarat e trupit

……… dhe e çova

……… te dashuria

……… te poezia.

Me grimca shpirti jetoj tani

të vogla

si bletë të humbura

…………..

dhe të mendosh

që edhe mbishkrimet e varreve

kanë lexues…

Atëherë poezia është më shumë se sa shpresat! /KultPlus.com

Dedikuar të birit sa qe në këtë jetë, nga Visar Zhiti

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e
gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë
përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i
dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.

Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj
vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje
ëndrrën tënde.

Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe
emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte
ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.

Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe
në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi
lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…

“Njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu”

Poezi e shkruar nga Visar Zhiti.

Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.

Dy poezi nga Ibrahim Kodra

Poezi nga IBRAHIM KODRA.

NJË LULE

Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…

O NËNË

Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.

( Sot është datëlindja e piktorit Ibrahim Kodra. Ka pirë uiski me Heminguein, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin “Nobel” si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze. Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita… )

Vazhdimisht tradhtohet njeriu

Poezi e shkruar nga Visar Zhiti

Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.
Tradhtohet njeriu
Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.
Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.