Monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Vithkuq

Vithkuqi është një prej fshatrave më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ndau në rrjetet sociale pamje nga kisha e Shën Mëhillit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qarkut Korçë dhe dëshmi e gjallë e pasurisë kulturore dhe historike të kësaj zone.

Kisha e Shën Mëhillit është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës dhe artit fetar që ka karakterizuar këtë zonë për shekuj me radhë.

“Nga Kisha e Shën Mëhillit në Vithkuq deri tek qyteti i Korçës, trashëgimia kulturore e kësaj zone është një pasuri që vazhdon të jetojë, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare”, shkruan Filo.

Vithkuqi është vendtakimi mes natyrës mbresëlënëse, artit mesjetar dhe mikpritjes.

Vizitorët vendas e të huaj e identifikojnë Vithkuqin si fshatin e kishave e manastireve, sepse dikur ka pasur më shumë se 24 të tilla, mes të cilave Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Mërisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Thomait dhe Kishën e Shën Gjergjit.

Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtërit e pikturës, vëllezërit Zografi./atsh/KultPlus.com

Piktura murale e kishës së Shën Gjergjit në Vithkuq, në proces konservimi

Restauratorët e artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë janë në proces konservimi të pikturës murale në kishën e Shën Gjergjit në Vithkuq.

Ndërhyrja po realizohet në pjesën e apsidës së kishës. Si pasojë e lagështisë ndër vite, piktura murale, në këtë pjesë, kishte pësuar dëmtime dhe shkëputje të suvasë.

Pjesa e dëmtuar e pikturës murale u zhvendos me teknikën e operimit për të vazhduar me punën konservuese në ambientet e DRTK Korçë.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeengjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait e shumë të tjera, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije.

Kishat e Vithkuqit dhe të Voskopojës janë monumente me vlera arkitektonike dhe artistike, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin. Ato janë cilësuar si “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. /atsh / KultPlus.com