Agolli në vitin 2000: Ne kemi krizë burrash shteti

Një intervistë e Dritëro Agollit e shkruar për “Zërin e Kosovës” në 22 dhjetor të vitit 2000, ku ai shpreh dëshirën dhe besimin se Kosova do të arrijë lirinë e plotë.

Në këto rreshta, botuar në Facebook nga e bija Elona Agolli, shkrimtari flet gjithashtu për krizën e kombit tonë për udhëheqës. “Krizë burrash shteti”. Ai shprehet gjithashtu se e ardhmja e kombit përveçse njerëzve të ditur ka nevojë edhe për njerëz kurajozë, për të përballuar rreziqet.

Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë nëpër një periudhë të gjatë tranzicioni, lodhëse dhe rraskapitëse. Në periudha të tilla të mbushura plot ankth dalin sipër shoqërisë shumë lapanjozë dhe batakçinj që drejtojnë makinerinë kolosale të prodhimit të gjerë të degjenerimit, të krimit, të prostitucionit, të korrupsionit dhe të injorancës. Të gjitha këto ngjallin frikë dhe pesimizëm. Megjithatë jeta e individit, kolektivit dhe kombit është krijim, e mbushur me gjëra të reja paçka se kalon përmes rrezikut dhe ankthit. Individi apo kombi, që kërkon të ndërtojë diçka të re, duhet të dijë t’i përballojë këto rreziqe, ankthe dhe pesimizma. Dhe këto, siç thotë një sociolog, nuk përballohen vetëm me diturinë dhe inteligjencën, po edhe me kurajën. Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë. Dhe shqiptarët mendoj se i kanë këto tri dhunti, që i duhen realizimit të projektit të së resë. Puna është të gjenden ata arkitektë dhe kryearkitektë, që t’i organizojnë këto tri dhunti: diturinë, inteligjencën dhe kurajën, në një fjalë, të dalin udhëheqës shteti jo vetëm të ditur, të zotët dhe kurajozë po edhe organizatorë, largpamës dhe atdhetarë idealistë. Ta themi me guxim të vërtetën: ne kemi krizë udhëheqësish, krizë burrash shteti, krizë arkitektësh qeverish mendjendritur si rilindasit për një Rilindje të Re. Nëse vijnë të gjitha këto që thashë, edhe kultura, gjuha dhe tërë pasuria shpirtërore do të marrin një shkëlqim të ri dhe do të lindë qytetërimi i vërtetë për mbarë shqiptarët. Unë i lutem Natës që ndërron shekujt që, duke ikur, të ftojë ditët dhe vitet e qytetërimit tërësor të Shqipërisë, që Drini, ky lumë i bekuar të kalojë vërtetë “mespërmes Shqipërisë” dhe të sjellë vetëm ujë të kristaltë pa asnjë pikë gjaku. Dua të le edhe emër të mirë, të ruaj miqtë dhe shokët. Jam krejtësisht i bindur se shekulli pa u bërë burrë dhe pa u plakur, domethënë, që në moshë fare të re do ta shohë Kosovën me lirinë e plotë të saj. Madje unë vesoj se ky shekull që fëmijë do të luajë valle me lirinë e Kosovës. Shekulli i ri do t’i thotë të atit që shkoi: -Or atë, e pashë lirinë e plotë të Kosovës; e pashë atë që ti pe përgjysmë!

Dituria dhe inteligjenca, kur bashkohen me kurajën bëhen të pathyeshme në luftën e asaj të reje që duam të ndërtojmë.

Agolli në vitin 2000: Seleksionimi i veprave të totalitarizmit, një tjetër skematizëm

Në një intervistë të vitit 2000, shkrimtari Dritëro Agolli flet për letërsinë në kohën e diktaturës komuniste. Në këtë artikull, Agolli thekson se gjykatësi më i mirë për letërsinë e tij të krijuar në atë periudhë mund të jetë vetëm koha.

Me gjithë kushtet e vështira që krijoi totalitarizmi u zhvillua një letërsi shumë e madhe, një letërsi e fuqishme që nuk ishte krijuar më parë. Së pari u plotësuan të gjitha ciklet e gjinive. Dikur para 60 vjetësh në kohën e monarkisë romani s’ishte zhvilluar fare. Në këto vite u krijua romani ynë si romani evropian dhe dëshmi për këtë është botimi i letërsisë shqipe jashtë shtetit. Përshembull, ¾ e veprës së Kadaresë filloi të botohej jashtë, po kështu edhe veprat e mia apo të të tjerëve. E pra kjo krijimtari e kësaj periudhe u bë pronë e të tjerëve, por edhe sikur kjo të mos ndodhte kjo letërsi nuk mund të mohohet. Ka pasur skarcitete, ka pasur vepra skematike, por këto vepra edhe sikur të mos vinte demokracia ishin gati të harruara sepse nuk i lexonte njeri. Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë. Përshembull po të ngrihet një kritik të bëjë seleksionimin e veprave të kësaj periudhe, natyrisht unë do t’i them “kush je ti?”, biles për mua kritikët shqiptarë janë fajtorët më të mëdhenj që është orientuar një letërsi e tillë, ndaj me të drejtë them që koha është seleksionuesi më i madh dhe me kalimin e kohës ju e keni parë se si gjërat humbasin apo fitojnë vlerën e vërtetë të tyre. Dua të them edhe diçka tjetër, të rrish me laps në dorë për të seleksionuar do të thotë të kalosh në një skematizëm tjetër, pra të përsërisësh kohën e Realizmit Socialist kur seleksionoheshin veprat e të tjerëve që nuk publikoheshin. Nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, pra që të mos lejohet publikimi i veprave të filanit sepse ka qenë komunist, ne s’bëjmë gjë tjetër, veçse përsërisim atë kohë. Letërsia është pasqyrë e jetës e epokave dhe nuk pyet se çfarë pikëpamjesh ka shkrimtari. Kështu përshembull, Balzaku ishte ruajalist, por kjo s’do të thotë që ai të mos përshkruante revolucionin borgjez. Pastaj ne ngatërrojmë metodën e realizmit socialist me letërsinë socialiste që është krijuar. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Të gjitha ato vepra që janë shkruar sipas metodës së Realizmit Socialist nuk bëjnë si në atë kohë ashtu edhe sot.

Koha për mua është gjykatësi më i mirë, askush tjetër s’ka të drejtë të gjykojë./ KultPlus.com