Sot fillon viti i ri akademik në institucionet e arsimit të lartë

Viti i ri akademik 2020/2021, fillon sot në institucionet e arsimit të lartë, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë me vonesë.

Viti i ri akademik për institucionet e arsimit të lartë ka filluar sot në formën online dhe të kombinuar. Për shkak të pandemisë, shumë njësi akademike e kanë filluar mësimin online, ndërsa ato që kanë specifika të veçanta, mësimin e organizojnë në klasë. Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, i cili ka marrë sot mandatin e tij, ka folur për Radio Kosovën rreth obligimeve që ka marrë menjëherë për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe prioritetet e tjera..

“Qysh sot do të fillojë të merrem me problemet, ku kam caktuar mbledhjen e senatit në ora 13:00 për tu njoftuar me përbërjen e ekipit. Ndërsa, nga dita e nesërme do të fillojmë të adresojmë problemet e mundshme për fillimin e vitit të ri akademik. Do ta kemi edhe një mbledhje të kolegjiumit, ku do të njoftohem nga afër nga të gjithë dekanët për problemet specifike.”

Sahiti, tha se mësimi do të organizohet i kombinuar.

“Pjesët e tjera të procesit mësimor, që kërkojnë përfshirjen praktike të studentëve, do të organizohen në mënyrë fizike.”
Ndërkohë, ekspertët thonë se organizimi i mësimit varet edhe nga situata pandemike në vend. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se do të ishte mirë që mësimi të zhvillohet me praninë fizike në klasë, por jo të gjitha institucionet e kanë një mundësi të tillë.

Elbasan Geci, nga Paqja Studentore, tha për Radion se studentët kanë kërkuar që disa njësi akademike të mbajnë mësimin me praninë e studentëve në klasë, për shkak të specifikave që kanë.

Provimet pranuese për kandidatët e rinj dhe provimet e tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, ndërsa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet e tjera do të organizohen në distancë. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave. / KultPlus.com

Viti i ri akademi fillon 1 tetor, ligjëratat do të mbahen online

Studentët e vitit të parë nuk do të fillojë ligjëratat për shkak që akoma nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit.

Më 1 tetor do të fillojë viti i ri akademik në universitetin më të madh publik.

Por kësaj radhe jo për të gjithë.

Studentët e vitit të parë në Universitetin e Prishtinës, pritet të fillojnë studimet më vonë për shkak se akoma nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit.

Megjithatë objektet e fakulteteve do të qëndrojnë të zbrazëta.

Kjo pasi që ligjëratat priten të mbahen edhe tani virtualisht.

Ndonëse ka vonesa për shkak të procesit të regjistrimit, Bytyqi thotë që edhe studentët e vitit të parë pritet që të fillojnë ligjëratat pjesën e dytë të tetorit.

E përgatitjet për të filluar vitin e ri akademik kanë përfunduar në Fakultetin Juridik.

Dekani i këtij fakulteti po thotë që kjo mënyrë e mbajtjes së ligjëratave ka qenë mjaft e përshtatshme për studentët e mësimdhënësit.

Sipas Gashit, për studentët e vitit të parë, zgjidhja më e mirë është nëse zgjatet semestri, në mënyrë që të kompensohen ligjëratat e humbura.

Që nga fillimi i pandemisë, në Universitetin e Prishtinës të gjitha ligjëratat janë mbajtur virtualisht, për të parandaluar përhapjen e COVID-19./ gazetaexpress/ KultPlus.com

Studentët e rinj, nuk nisin vitin akademik më 1 tetor

Viti i ri akademik 2020/2021, do të fillojë më 1 tetor, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë më vonesë, thotë Xhavit Rexha, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës.

“Viti akademik do të fillojë me vonesë për studentët e vitit të parë, për shkak të vonesës se realizimit të maturës shtetërore. Vonesa në maturë, pasi është kërkesë ligjore për kalim në arsimin e lartë, shkakton vonesë zingjirore në shpalljen e konkursit për pranim të studentëve, shpalljet e rezultateve” , tha Rexha.

Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, mësimi në institucionet e arsimit të lartë do zhvillohet në mënyrë të kombinuar.

Provimet pranuese për studentët e rinj dhe provimet tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, derisa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet tjera do të zhvillohen në distancë.

Megjithatë, Rexha thotë se të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qoftë publike apo private, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për respektimin e masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Afati i parë i Testit Shtetëror të Maturës është mbajtur më 29 gusht 2020. Këtë test e kanë kaluar 17.105 maturantë nga 25.362 sa kanë marrë pjesë në të, ndërsa për 8.257 maturantë që nuk kanë arritur të kalojnë, testit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen më 10 tetor, kurse rezultatet do të bëhen publike më 16 tetor 2020.

Në një komunikatë të mëhershme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thuhet se nga data 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shtetërore për këtë vit.

UP: Vonesa nuk do ketë dëmtim në rrjedhën normale të procesit mësimor

Pavarësisht vonesës se përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore, zyrtarë të rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “UP-ja do të angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë, si dhe të mos ketë dëmtim në rrjedhën normale të procesit mësimor”.

Vendimi për fillimin e vitit të ri akademik në formë të kombinuar-virtuale dhe fizike, sipas tyre, është marrë për shkak të ruajtjes se shëndetit publik.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës ka 14 njësi akademike dhe llogaritet universiteti më i madh të Kosovës, më rreth 42 mijë studentë aktivë, dhe 1364 pjesëtarë të stafit akademik, të rregullt dhe të angazhuar.

Parlamenti i studentëve të UP-së, kundër formës online

Bledian Geci, kryetar i Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, thotë se mbajtja e ligjëratave në formën viruale nuk sjell rezultate të duhura. Megjithatë, ai vlerëson se jo të gjitha fakultet e UP-së, duhet të zhvillojnë mësimin përmes platformave elektronike.

“Unë e kam kundërshtuar në mënyrë të rreptë mësimin në formë elektronike, sepse ne nuk kemi kushte përmes platformës së drejtëpërdrejtë. Realisht, nëse flasim për Universitetin e Prishtinës, duhet të jenë specifike edhe drejtimet. Për shembull, Fakulteti Juridik, Filozofisë, ai Ekonomik mund të zhvillojnë ligjëratat online. Por, Fakulteti i Mjekësisë është i lidhur më praktikë dhe me punën që bëjnë në Qendra Mjekësore dhe kjo nuk mund të mbahet online. Jo të gjitha fakultetet mund të funksionojnë online” , thotë Geci për Radion Evropa e Lirë.

Situata e pandemisë ndryshoi mënyrën e mësimdhënies, duke mbyllur institucionet e arsimit të lartë në muajin mars, kur në Kosovë u paraqiten rastet e para më koronavirus. Vitin akademik 2019/2020 studentët e kanë përmbyllur në platformën “Google Meet” dhe jo si në të kaluarën, në salla të fakulteteve.

Pupovci: Mësimi virtual nuk është mësim i mirëfilltë

Edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci vlerëson se bazuar në situatën epidemiologjike me pandemi, alternativa më e përshtatshme e fillimit të ligjëratave, është forma e kombinuar. Ushtrimet dhe puna e praktika, thotë Pupovci, duhet të organizohet që të mbahen në fakultetet përkatëse.

Pupovci thekson se mbajtja e mësimit virtual është proces i imponuar për shkak të situatës me pandemi, por jo efektiv. Nuk ekziston ndonjë autoritet qendror që e përcakton se si duhet të jetë, apo e mbikëqyr procesin mësimor.

“Mësimi varet nga përgatitja e vetë institucioneve, disa kanë bërë përgatitje më cilësore dhe janë në gjendje të ofrojnë mësimin online në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë jo të sinkronizuar.

Ndërsa të tjera, thjeshtë siç kanë vepruar gjatë pranverës mund të ofrojnë mësim online në formë që nxënësit të mbahen në klasë dhe për pjesën tjetër të transmetohen përmes platformave të ndryshe. Pra, nuk është mësim i mirëfilltë”, thotë Pupovci.

Numri i studentëve në institucionet publike dhe private vitin e kaluar ishte 73.517. Në Kosovë janë të akredituara nëntë universitete publike dhe 22 kolegje private, kryesisht në rajonet më të mëdha të vendit.

Ndryshe, mësimi në institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur më 14 shtator me prezencë fizike të nxënësve në objektet e shkollës. Por, numri i nxënëseve të një klase është ndarë në dy grupe, me qëllim të krijimit të distancës, si një nga masat mbrojtëse për parandalimin e koronavirusit./ radioevropaelire/ KultPlus.com

Viti i ri akademik do të fillojë në formë të kombinuar

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 14 gusht, shqyrtoi procesin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/21, në situatën e vazhdueshme të pandemisë COVID-19.

Në këtë konferencë u theksua gatishmëria e të gjitha universiteteve publike të Kosovës, që vitin akademik ta fillojnë me kohë, më 1 tetor.

Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar, në atë virtuale dhe fizike.

Disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e ri, duke respektuar masat antiCovid-19.

Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj., do të vazhdohen në formatin online.

Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për datën 29 gusht, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj.

Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor. / KultPlus.com