Rafet Rudi
Sot bëhen 300 vjet nga premiera e Operës SCANDERBEG.
Në verë të vitit 1718 (më saktësisht më 22 korrik), me rastin e rihapjes së sallës së renovuar të teatrit “Dela Pergola” të Firencës, u shfaq premiera e operës “Scanderbeg” e kompozitorit të madh të barokut italian, Vivaldit (Antonio Lucio Vivaldi 1678-1741).
Sipas kronistëve të kohës, në premierën e kësaj vepre, e cila korri sukses të madh, iu lejua të merrte pjesë edhe popullit të thjeshtë të Firencës e jo vetëm klasës së privilegjuar të qytetit. Shënimet e tjera lidhur me këtë ngjarje të jashtëzakonshme për historiografinë tonë janë të pakta, meqë, u mor vesh, kjo temë dhe të tjerat të këtij tipi nuk kanë qenë në sferën e interesimit të madh, të muzikologjisë shqiptare. Ato pak të dhëna që ekzistojnë janë të sistemuara dhe i gjejmë në shënimet e muzikologut tonë të mirënjohur prof. Ramadan Sokoli (të thuash i vetmi që i kushtoi kësaj teme kujdes sa pati mundësi).
Opera ka tri akte të ndara në 38 pjesë, shkruar sipas manirit të asaj kohe. Libreti i saj, që ruhet në Bibliotekën nacionale të Romës me shifrën 37-7-B-31, është shkruar nga Antonio Salvi dhe është botuar me titull Scanderbeg – Drama per musica da representarsi in Firenze nel Teatro Dela Pergola nell’ estate anno MDCCXVIII. Dorëshkrimi, sipas shënimeve të prof. Sokolit, gjendet në Bibliotekën Nacionale të Torinos.
Në biografinë e Vivaldit shënimet e përfshira në enciklopedi dhe libra relevante të historisë së muzikës, vepra e përmendur nuk figuron askund, por kjo vetvetiu nuk do të thotë shumë, meqë është fjala për venecianin e famshëm, Vivaldin e madh (siç e konsideronte me respekt të jashtëzakonshëm Johan Sebastian Bahu), që kishte një opus jashtëzakonisht voluminoz, prandaj është e kuptueshme që një numër i madh i veprave të tij nuk përmenden fare, pos në punimet tejet të veçanta profesionale.
Përveç kësaj, Vivaldi, përkundër faktit se ka shkruar mbi 90 opera (!) prej të cilave deri më tash janë gjetur gjithsej 19, njihet më tepër si kompozitor i muzikës instrumentale, para së gjithash si kompozitor i koncerteve për një mori instrumentesh (447 koncerte – 221 prej tyre për violinë).
Pse duhet ta veçojmë këtë operë? Para së gjithash pse, ndryshe nga kompozitorët e tjerë, si François Francoeur, François Rebel e ndonjë tjetër, që u morën me temën e Skënderbeut, Vivaldi është emër me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e muzikës, kështu që vetvetiu vepra ka peshë dhe domethënie të veçantë (natyrisht, supozojmë edhe cilësi të veçantë).
Pse Vivaldi e zgjodhi pikërisht jetën e Skënderbeut si syzhe të operës, cilat ishin njohuritë e tij për të dhe për popullin, të cilit i takonte, cili ishte afiniteti apo entuziazmi i tij për kryetrimin tonë? Përgjigjja në këtë pyetje duhet të bëhet lëndë e rëndësishme për muzikologjinë tonë. Marrë nga postimi i Rafet Rudit në Facebook. / KultPlus.com