Nesër në Parlamentin Evropian votohet për vizat e Kosovës

Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian do të votojë për liberalizimin e vizave të kosovarëve.

Ky do të jetë edhe votimi përfundimtar për heqjen e vizave.

Zhvillimi i nesërm në PE vjen pas draft-agjendës së miratuar në Konferencën e Presidentëve që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian.

Pas votimit të 18 prillit, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ishte ai i cili e ka propozuar që të hidhet në votim pika e liberalizimit të vizave.

Para PE-së, pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars votoi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, duke thënë se lëvizja e lirë për kosovarët mund të ndodhë nga 1 janari i vitit 2024.

Kujtojmë se ditë më parë, blloku njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, heqja e vizave për kosovarët bëhet realitet më 1 janar 2024.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Lajmi i fundit për vizat: Ambasadorët e BE-së i japin dritën jeshile liberalizimit

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.

“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.

Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024./ Insajderi / KultPlus.com

Von Cramon reagon për vizat: Nuk ka asnjë arsye që të mos jepet menjëherë liberalizimi për qytetarët e Kosovë

Për Kosovën edhe një herë tjetër nuk pati konsensus për liberalizimin e vizave, shkruan KultPlus.

Për këtë ka reaguar edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon.

Cramon ka thënë se nuk ka arsye që të mos liberalizohet përmbajtja e vizave për gjuhën e Kosovës.

“Epo, pse vetëm nëntor 2023? Nuk ka asnjë arsye që të mos jepet menjëherë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Edhe pse së fundmi është raportuar se ka sinjale të mira për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë akoma nuk po ndodhë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani për vizat: Duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Malta, George Vella, foli për marrëdhëniet mes dy shteteve, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se vizita e Vellas në Kosovë “është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet shteteve tona”.

“Ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës, që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, tha ajo.

Osmani e falënderoi Maltën për “mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës”.

Ajo tha se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Maltës “kanë një potencial të madh për tu thelluar më tej”.

Osmani e përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave. 

“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave. Duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ky proces. Prandaj shpresojmë që vendimi të merret më së largu në nëntor, gjatë presidencës çeke, e që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme duke mos përcaktuar kritere të reja teknike të cilat vetëm do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ajo.

“Rruga euroatlantike e Kosovës është orientim strategjik i vendit tonë. Kosova asnjëherë nuk ka shiquar e as flirtuar me ndonjë alternativë tjetër. Orientimi strategjik i popullit dhe vendit tonë është i padiskutueshëm  dhe Kosova ka përafërim 100 për qind me vendimet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte vendim që ndihmon në ngritjen e nivelit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim gjinie, etnie, religjioni”, tha Osmani.

Presidentja Osmani kërkoi “që përkrahja e Maltës do të vazhdojë në këtë drejtim”.

“Kosova shumë shpejtë do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian përderisa jemi të vetëdijshëm që ky është një proces që zgjat, ky do të ishte një hap i parë ku Bashkimi Evropian do ta rikonfirmonte edhe një herë që orientimi ynë euroatlantik e mbi të gjitha perspektiva jonë evropiane janë jo vetëm në të mirë të qytetarëve tanë dhe të vendit tonë por janë interes gjeostrategjik i vetë BE-së”, u shpreh Osmani. /Express/ KultPlus.com

“Këtë muaj merret vendimi final për vizat”

Profesori dhe anëtari i LDK-së, Valon Murtezaj, i cili jeton dhe vepron në Francë ka folur rreth qëndrimit të Parisit për çështjen e liberalizimit të vizave.

Murtezaj ka thënë se takimi që ka ndodhur në tetor ka qenë një takim pune dhe se aty s’ka pasur të merret ndonjë vendim për heqjen e liberalizimit të vizave.

Muretzaj ka thënë se vendimi përfundimtar e që është politik merret në muajin dhjetor.

Ai në një intervistë për Frontal të T7 ka thënë se është optimist për qëndrimin e Francës.

“Vendimi përfundimisht, politik, ai është kryesori. Merret diku në dhjetor. Unë jam optimist që do të merret pozitiv. E pastaj data se kur mund të udhëtosh, është periudhë disa mujore”, ka thënë Muretzaj. / KultPlus.com

Ambasada e SHBA-së del me njoftim për punën e vizave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë një paralajmërim rreth Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë, program ky që është në kuadër të Lotarisë Amerikane.

Nga Ambasada kanë bërë thirrje që të bëhet kujdes ndaj mashtrimeve që bëhen nga persona që pretendojnë se mund të ndikojnë në rritjen e shanseve për përzgjedhje nga ky sistem i vizave amerikane.

Nga Ambasada amerikane sqarojnë se përzgjedhja në këtë program bëhet krejtësisht në mënyrë të rastësishme nga aplikimet që pranohen dhe s’ka kurrfarë tarife.

“Çdo individ ose shërbim që pretendon se mund të rrisë shanset tuaja për t’u përzgjedhur është i pandershëm. Përzgjedhja e DV-së kryhet krejtësisht në mënyrë të rastësishme nga hyrjet e pranueshme dhe NUK ka tarifë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. / Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Do të punojmë ngusht me partnerët tanë që gjatë presidencës çeke të përmbyllet çështja e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë.

Në takim me ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, Presidentja ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, në rajon dhe më gjerë, si dhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të vendit tonë me atë të BE-së.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë me partnerët evropian për procesin integrues të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë gjatë presidencës çeke të BE-së në mënyrë që të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ta avancojmë rrugëtimin tonë evropian, e të forcojmë më tej sundimin e ligjit dhe demokracinë.”, ka thënë Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Ministrja gjermane Baerbock: Po punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se shteti që ajo përfaqëson po punon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave edhe këtë e thash shumë qartë. Për mua nuk është në pikëpyetje se neve na duhet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe paqen e krijojmë vetëm së bashku me njerëzit”, tha Baerbock.

“Ne po përpiqemi dhe po punojmë me tërë forcën në mënyrë që këtë çështje ta çojmë përpara së bashku”, shtoi ajo. /Express/ KultPlus.com

Qeveria e Holandës kundër liberalizimit: Kosova e zhytur në korrupsion

Qeveria e Holandës ka konstatuar se Kosova është e zhytur thellë në korrupsion, dhe si rezultat i kësaj thonë se e kundërshtojnë liberalizimin e vizave. Sipas MPJ-së së këtij shtetit, Kosova vuan nga një nivel i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të njëjtët kanë thënë se në Këshill nuk ka përkrahje të mjaftueshme që Kosovës t’i liberalizohen vizat, shkruan Schengenvisainfo.com.

Ministria theksoi gjithashtu se “liberalizimi i vizave është një proces teknik, që udhëhiqet nga standardet, në të cilin një vend duhet të përmbushë të gjitha parakushtet përpara se Këshilli të vendosë të heqë vizat”.

 Këtë qëndrim për liberalizimin e vizave Holanda e mban për vite me radhë, duke u shndërruar kështu në një prej vendeve skeptike.

Liberalizimin e vizave nuk e përkrah ende as Franca e Emmanuel Macron, duke thënë se ende s’janë plotësuar kushtet./Express/ KultPlus.com

Edhe artistët pjesë e letrës së hapur dërguar Bashkimit Evropian për heqjen e vizave

Emra të njohur të shoqërisë civile dhe mediave iu janë drejtuar me anë të një letre Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian me anë së cilës kanë kërkuar që të miratojnë vendimin për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Kësaj kërkese i janë bashkangjitur edhe artistë, shkruan KultPlus.

Për: Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian

Letër e hapur nga shoqëria civile e Kosovës

Të nderuar komisionerë, europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian,
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit.
Ka kaluar një dekadë, që kur vendi ynë i është nënshtruar reformave dhe plotësimit të kushteve specifike në kuadër të procesit të liberalizimit.
Mijëra studentë, personalitete të suksesshme të artit, kulturës, sportit ende duhet t’i nënshtrohen regjimit të vizave, që kufizon qëndrimin për një afat të përcaktuar kohor. Familje të tëra nuk kanë mundësi të vizitojnë familjet e tyre, vende e qytete.
Po ashtu, nuk kanë mundësi të njihen me vlerat kulturore europiane, ndërsa në teori i mësojnë fëmijët e tyre se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
Shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet evropian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave.
Në Kosovë ekziston perceptimi se BE-ja ka parashtruar kërkesa të veçanta dhe është duke e diskriminuar Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Kemi kaluar nëpër një bllokadë politike për tre vjet radhazi për shkak të çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kriter ky i vendosur gjatë procesit të liberalizimit. Kjo çështje, përveç se ka polarizuar skenën politike, ka ndarë edhe qytetarët, ka rritur pasigurinë dhe besimin e qytetarëve ndaj partive politike kosovare dhe autoriteteve të Brukselit. Me gjithë ndjeshmërinë e lartë të kësaj çështjeje ne kemi gjetur modalitetin e aprovimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, meqë ka qenë kriter i kërkuar specifikisht për liberalizimin e vizave.
Tani, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ju jeni para marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ne, si shoqëri civile e Kosovës, ju bëjmë thirrje që të merrni vendim PËR liberalizimin e vizave për Kosovën, ndër të tjera, për këto arsye:
1. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit, nga i gjithë rajoni, ndaj të cilëve aplikohet regjimi i vizave Shengen, me gjithë vullnetin tonë shoqëror që kemi për procesin e integrimeve europiane.
2. Si shoqëri jemi duke humbur shanse të mëdha për transformim të bazuar në modele evropiane për shkak se jemi të privuar nga mundësia që të shkëmbejmë përvoja me qytetarët e shteteve anëtare të BE-së.
3. Kemi konstatuar se izolimi i të rinjve ka qenë faktor shtytës për përfshirje në organizata radikale e ekstremiste, sidomos ato me bazë në Lindjen e Mesme.
4. Dhe, më e rëndësishmja, ne mendojmë se Kosova ka plotësuar kriteret e matshme të dala nga procesi i liberalizimit të vizave.
Presim që raporti final vlerësues për liberalizimin e vizave të jetë pozitiv dhe i bëjmë thirrje Parlamentit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe veçanërisht shteteve anëtare të BE-së që të votojnë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështesim synimin e BE-së për të vendosur kontroll në rrjedhën e migracionit dhe për të futur mekanizmat për pezullimin e liberalizimit të vizave, ashtu siç është i aplikueshëm për shtetet e tjera. Konsiderojmë se Kosova nuk përbën një rrezik migrimi për BE-në.
Duke marrë parasysh se Bashkimi Evropian do të mbajë zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm, shpresojmë shumë që ky vendim të merret në qershor të këtij viti, me qëllim që qytetarët – mbajtësit e pasaportave biometrike të Kosovës – të gëzojnë të drejtën e udhëtimeve afatshkurtra dhe pa viza në Zonën e Schengenit.
Çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim europian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.
Prandaj, të nderuar europarlamentarë dhe ministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE-së që ta miratojnë vendimin sa më parë që të jetë teknikisht e mundur dhe të vendosin PËR liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Deklarata është përkrahur nga:
Adriatik Kelmendi, Publicist
Arijana Qosja, Aktiviste e Sh.C.
Artan Demhasaj, Aktivist i Sh.C.
Astrit Gashi, Publicist.
Berat Buzhala, Publicist.
Dastid Pallaska, Avokat.
Dushan Radakovic, Aktivist i Sh.C.
Eliza Hoxha, Artiste.
Fadil Vokrri, President tek FFK.
Fahredin Spahija, Fotograf.
Igballe Rugova, Aktiviste e Sh.C.
Imer Mushkolaj, Publicist.
Ismet Kryeziu, Aktivist i Sh.C.
Jehona Lushaku, Politologe
Jeton Neziraj, Rexhisor .
Kushtrim Sadiku, Gazetar.
Lulzim Peci, Aktivist i Sh.C.
Majlinda Kelmendi, Xhudiste, fituese e Lojërave Olimpike.
Oda Haliti, Artiste.
Petrit Zogaj, Aktivist i Sh.C.
Sibel Halimi, Sociologe.
Uta Ibrahimi, Alpiniste e Kosovës – FBAK.
Zake Prelvukaj, Artiste./KultPlus.com

Vizat bëhen shkak që Kosova të mos paraqitet në një festival rumun

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”, e cila është dashur të jepet sot, me datë 21 maj në ora 17:00, në Teatrin Hungarez në Timisoara të Rumanisë, si pjesë e festivalit TESZT – Euroregional Theatre Festival Timișoara, është anuluar.

Fatkeqësisht, siç thuhet në njoftim, një pjesë e ekipit të shfaqjes nuk ia doli që t’i siguroj vizat për të udhëtuar në Rumani.

“Këto dy muajt e fundit, stafi i Qendrës Multimedia kemi qenë në një përpjekje shumëfrontëshe për të siguruar vizat për krejt ekipin, por përpjekjet tona janë ndeshur me burokracinë dhe trajtimin poshtërues të disa prej ambasadave Evropiane në Kosovë. Jam i shokuar nga fakti se mbas krejt këtyre prezentimeve ndërkombëtare (mbi 100 sosh) të shfaqjeve tona, regjimi i vizave Schengen për artistët tanë është bërë më rigjid, më i egër dhe më jo-dashamirës. E provuar në lëkurën tonë, dhe jo vetëm këto dy muaj, por përgjatë krejt këtyre viteve të fundit, zona e Schengenit, për ne është shndërruar në një zonë të “fashizmit të butë”, me të cilin birokracia rregullative evropiane e konvertuar në “viza Schengen” shtypë, keqtrajton dhe poshtëron”, thuhet në njoftim.

Paradoksalisht, thuhet tutje, por para dhjetë ditësh, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë më ndau mirënjohjen “Evropiani i vitit”, për “promovimin e ideve dhe vlerave Evropiane”.

“Dhe ja, dhjetë ditë pas, mua dhe ekipit të shfaqjes na u pamundësua udhëtimi në Rumani. Dhe prandaj, po pyes, nëse këto “vlera e ide Evropiane” përfshijnë edhe këtë qasje raciste e poshtëruese që disa prej ambsadave të shteteve të EU-së në Kosovë kanë ndaj nesh kosovarëve? Sepse, atëherë më me dëshirë do të rrija pa këtë kurorë ‘evropiane’, atëherë më me dëshirë do të rrija artist që përpiqet dhe lufton kundër rregullave që shtypin të voglin, të pafuqishmin, të ndryshmin, artist që është kundër privilegjeve të disa qytetarë evropian në kurriz të disa të tjerëve ‘jo-evropian’”, thuhet në komunikatën dërguar nga Jeton Neziraj.

Kjo është hera e dytë që një shfaqje e Qendrës Multimedia pamundësohet të jepet jashtë Kosove. Para disa vitesh, autoritetet kineze patën anuluar vizat për ekipin Kosovar, dhe pjesmarrja e trupës kosovare në festivalin Shanghai International Experimental Theatre Festival (SIETF) qe pamundësuar.

“Sot ndërsa është hera e dytë që na pamundësohet të japim shfaqjen tonë, sërish si rezulltat i komplikimeve birokratike e politike me viza. Por përderisa herën e parë, komplikimet dhe anulimi i shfaqjes kishin njëfar kuptimi “logjik”, duke e pasur parasyshë që Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pamundësinë e pjesmarrjes tonë në një festival Evropian e shohim me shumë shqetësim. Evropa dhe zona e saj e schengenit dhanë sot një shembull të vogël (por domethënës) se, kur jan në pyetje kosovarët, me Kinën i ndanë vetëm gjeografia:, thuhet në fund. / KultPlus.com