800 mijë turistë vizitojnë Beratin në vitin 2024

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/ KultPlus.com

​Mbi 2 milionë kosovarë vizituan Selanikun pas liberalizimit të vizave

Pas liberalizimit të vizave në Kosovë, numri i turistëve që kanë vizituar qytetin e Selanikut në Greqi, ka arritur në mbi 2 milionë. Ndërkaq, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 20 për qind të turizmit në këtë vend.

Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Marketingut në Organizatën e Turizmit të Selanikut, Grigoris Toulias thotë se për herë të parë, gjatë këtij dimrin kanë shënuar shifra të konsiderueshme të turistëve, për çka shtoi se edhe Kosova ka pasur rol në këtë aspekt.

“Kemi një rritje shumë të ndjeshme të turizmit në Selanik, të ardhjeve turistike, mendoj se një rritje prej gati 20 për qind gjatë vitit të kaluar. Dhe, numri aktual është mbi 2 milionë turistë që vijnë në Selanik nga Kosova. Kemi shumë e shumë njerëz që vijnë direkt në qytet ose nga Pieria Katerini, të gjithë nga Halkidiki, ku ata vizitojnë për të parë diellin për pushimet verore. Pra, nëse marrim parasysh se ata sapo vijnë brenda një dite në Selanik, mendoj se shifrat janë vërtet shumë të larta, janë rreth qindra mijëra njerëz nga Kosova”, thotë Toulias.

Sipas tij, në dy vitet e fundit e kanë futur Kosovën në hartat e tyre, sa i përket turizmit.

Ai potencon se shifrat e turistëve në Selanik po rriten nga viti në vit.

Rreth 1 milion turistë vizituan Shqipërinë vetëm në dy muajt e parë të 2024-ës

Rritja e Shqipërisë Turistike nuk ndalet, u shpreh sot kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë ndau sot pamje nga turistët e shumtë që kanë mbërritur këtë fillimviti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

“Muaji shkurt, me 55% më shumë vizitorë se shkurti i vjetshëm, ka bërë që Shqipëria të presë rreth 1 milion turistë të huaj vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024”, theksoi Rama.

Ditën e djeshme Rama u shpreh se, “në shkurt 2024, ne mirëpritëm 577,515 udhëtarë, një rritje prej 69% nga viti i kaluar. Nga janari deri në shkurt 2024, shifrat u rritën në 1,202,785, duke shënuar një kërcim 59%”, u shpreh Rama në një postim në rrjetin social X.

Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria është bërë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.

Në këtë panair, Shqipëria prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.

Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nisi ditën e sotme janë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, të cilat prezantojnë programet e tyre të promovimit.

ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh i Turizmit në botë./atsh/KultPlus.com