Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një vizitë në “Parkun Arkeologjik- Ulpiana” ku nga afër kanë parë rezultatet e ekspeditës së këtij viti nga arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja.
Ministri Çeku me këtë rast ka thënë se janë është duke u zgjeruar hulumtimi dhe gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi, dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.
“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti i pamë nga afër rezultatet e ekspeditës së këtij viti, takuam arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja në këtë hapësirë.
Kjo është bërë më e lehtë tashmë që është marrë vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave përreth dhe ato janë në pronësi të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani e ka vizituar ekspozitën “Thinking of You”, në Hagë, ekspozitë kjo e realizuar nga Alketa Xhafa Mripa.
Ekspozitën, Osmani e quajti të “fuqishme” e cila tha se “merr vëmendjen ndërkombëtare që meriton”.
Ky instalacion i jashtëzakonshëm, i cili ishte gjithashtu pjesë e #WPSRKS2024, dhe premierë në #IDESVC, sipas Osmanit, e ka shndërruar Hagën në një homazh prekës për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, raporton Klankosova.tv.
“Çdo fustan, fund dhe këmishë—dhuruar nga mbi 20 vende—tregon një histori guximi dhe qëndrueshmërie. Kjo ekspozitë, ku mori pjesë edhe e dërguara ime speciale Vasfije Krasniqi, si dhe Shyrete Tahiri dhe të tjerë të panumërt, është e përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin global për këtë çështje kritike, duke fuqizuar të mbijetuarit të gjejnë zërin e tyre dhe të ndajnë të vërtetën e tyre”, ka thënë Osmani në një postim në X.
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, figura kryesore që solli ndërhyrjen e NATO-s në ndalimin e gjenocidit serb, do të jetë në Kosovë në ditën e paqes e cila më 12 qershor shënon edhe Çlirimin e Kosovës.
Kështu i është konfirmuar Klan Kosovës, kur u pyet nëse në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Blair, do jetë prezent apo do i drejtohet popullit të Kosovës virtualisht.
‘’Do jetë prezent’’, është përgjigjur Ilir Kërçeli, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Zhvillimi vie meqë në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit, si pikë e parë e rendit të ditës është paraparë caktimi i një seance solemne, ku Tony Blair do i adresohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
”I. Caktimi i Seancës solemne për adresimin e ish Kryeministrit të Britanisë së Madhe, SH. T. Z. Tony Blair, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Më datë 23 mars 1999, kryeministri britanik Tony Blair iu drejtua Parlamentit Britanik për politikën e NATO-s ndaj Kosovës me fjalët:
”Çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë. Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Ka raporte që burrat i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”.
Si i pari lider europian, Tony Blair për shqiptarët do mbahet mend gjithmonë si njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit në vitin 1999-të.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar varrin e dijetarit të shquar Sami Frashërit, me rastin e 174 vjetorit të tij të lindjes, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti tha se nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij, porse mbi të gjitha ai konsiderohet thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar.
Ai më tej tha se Frashëri ishte një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij, i cili duhet të jetë shembull për kombin, mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:
Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij. Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar. Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare, dhe nga idetë iluministe evropiane. Ai la një trashëgimi të pazëvendësueshme, e cila mbetet bashkëkohore ende sot. Mjafton të lexosh veprën e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të kuptuar largpamësinë socio-politike dhe mendimin e mprehtë me shprehjet e thukëta. Një gur që ngulit e skalit të vërtetën dhe të drejtën në mendjen tonë.
Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës.
Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, vizituan Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.
Aty u mirëpritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Sipas njoftimit, vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.
“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri.
Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.
”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim të vizitës së Qendrës Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:
“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”.
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj sot ka vizituar shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Presidenti Begaj me këtë rast është shprehur se pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet.
“Në shtëpinë e Presidentit Rugova, misionarit paqësor që punoi për Pavarësinë e Kosovës “si pika e ujit që bën vendin në gur”. Pa udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet”, ka shkruar Begaj./KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj është nisur sot në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.
Zyra e shtypit e Institucionit të Presidencës bënë të ditur se, “Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqe dhe Siguri që zhvillohet në Prishtinë ditën e nesërme, në datën 15 prill 2024.
Po ashtu, njoftohet se kreu i shtetit do të ketë një takim kokë më kokë me Presidenten Osmani si edhe disa takime bilaterale me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare./rtsh/KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas zbulimit historik ka vizituar Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, meqë rast ka thënë se çdo gërmim në Ulpianë zbulon thesare të fshehura të kaluarës tonë si dhe zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani thënë po ashtu se këto zbulime janë evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.
“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.
Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.
Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, thuhet në postimin e presidentes në facebook./KultPlus.com