Turistët vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shfaqin interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën me dije se përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, muzetë kombëtarë në Shqipëri kanë mirëpritur 455 267 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndër këto institucione, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka vijuar të thyejë rekorde, duke mirëpritur vetëm gjatë muajit nëntor 10 003 vizitorë.
Kjo rritje e ndjeshme e vizitave reflekton interesin në rritje për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe përpjekjet për promovimin e muzeve si destinacione të rëndësishme për turizmin kulturor. /atsh/ KultPlus.com
Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT).
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona (7,190,410), me një rritje prej 26.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në gusht, që është kulmi i sezonit turistik, në vend hynë rreth 2 milionë shtetas të huaj, ose 18.3 % më shumë se sa gushti i një viti më parë.
Që nga qershori në vend hynë mbi 1 milion shtetas të huaj, për të arritur në 1.77 milionë në korrik, duke e kaluar për herë të parë pragun e 2 milionëve në gusht.
Gjatë gushtit 2023, ku ndodhi fluksi i madh i turistëve të cilët kryesisht u vendosën në zonat bregdetare të Shqipërisë, numri më i lartë i turistëve ishin nga kontinenti i Evropës me 1,951,489 shtetas. Europa u pasua nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori me përkatësisht 40,106 dhe 12,335 shtetas.
Shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë pjesën më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, me rreth një të tretën. Këtë vit, për herë të parë italianët kaluan të dytët me rreth 10 %, të ndjekur nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Nga ana tjetër, gjatë këtij tetëmujori, dalja e shqiptarëve jashtë vendit u rrit me 18.9 %. 4,577,753 shqiptarë dolën nga vendi gjatë kësaj periudhe.
Sipas INSTAT, numri i daljeve të shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2023 është 842,940 dhe krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2022 është rritur me 8.9 %./KultPlus.com
Parku natyror Korab-Koritnik po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj me bukuritë e tij natyrore dhe peizazhet mbresëlënëse.
Në muajt janar-qershor ka pasur një fluks të shtuar të vizitorëve në këtë park, që shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga 1 janari deri më 30 qershor ky park është vizituar nga 8415 vizitorë, nga të cilët 5930 vendas dhe 2485 të huaj”.
Një ndër shtigjet e preferuara për turistët është Shtegu i Ngjyrave, i cili kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit.
Ardian Musaj, guidë turistike në këtë qytet thekson se “vetëm në shtegun e ngjyrave ka pasur një numër të lartë vizitorësh vendas si dhe të huaj kryesisht gjerman, belg, amerikanë, zviceranë dhe anglezë”.
Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.
Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë./atsh/KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-qershor të këtij viti.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “në janar-qershor Berati u vizitua nga 300 mijë vizitorë vendas e të huaj”.
“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 50% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Merdani.
Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.
“Lagjja Mangalem, kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.Por përveç këtyre turistët tregojnë interes edhe për Kanionet e Osumit, muzeun “Onufri”, objektet e kultit, kishat dhe xhamitë”, theksoi Merdani.
Vitet e fundit qytetarët beratas i kanë kthyer shtëpitë e tyre në lagjen Mangalem dhe Goricë në bujtina dhe hotele për të mikpritur vizitorët e shumtë, të cilët tashmë qëndrojnë nga dy ditë ose edhe më shumë për t’u njohur më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia, si festivale, teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, ekspozita, etj.
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat, por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com
Muzeu natyror i Divjakës me koleksionin e tij prej 400 fluturash dhe specie të tjera vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj që prej hapjes së tij dy vjet më parë.
Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila tha për ATSH-në se “ky muze nga janari deri në fund të qershorit u vizitua nga rreth 4000 vizitorë vendas e të huaj”.
“Ndër vizitorët vendas numrin më të lartë e zënë nxënësit dhe studentët. Por ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtjen edhe të shumë biologëve të pasionuar pas natyrës”, tha Hila.
Për krijimin e këtij muzeu Hilës i është dashur mbi 20 vite përkushtim.
“Ky koleksion përveç konservimit, dokumentimit, njohjes së pasurisë së një vendi , synon mbi të gjitha edukimin e brezave te rinj me pasuritë e vendit tonë”, shton Hila.
Në këtë muze unik vizitorët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla.
Hila tregon se “muzeu është edhe dy herë më i madh, por për arsye të vendit, hapësirës nuk mund t’i ekspozojë. Siç janë shpendët, zvarranikët, butakët, merimangat e shumë të tjera. Sepse hapësira është ambient i vogël i shtëpisë së tij”.
Ai i bën thirrje autoriteteve që ta ndihmojnë në përmirësimin dhe zhvillimin më tej të kësaj pasurie sepse siç shprehet Hila tashmë ky ambient nuk është më as i Altinit, as i Divjakës, por i gjithë Shqipërisë.
Në Divjakë – Karavasta jetojnë 95% e specieve kombëtare. Ky ambient ka vlera kombëtare tashmë duke qenë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan ( Danaus Krispus) e cila emigron nga Afrika dhe vjen këtu në Divjake duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën ashtu si pelikani apo flamingot.
Po ashtu mes molusqeve specieve detare ndodhet edhe midhja me e madhe e ujërave te bregdetit tone Pina nobilis. Kjo specie tashmë është në rrezik zhdukje në shkallë botërore. Po ashtu dhe shumë të tjera që tashme ndodhen në librin e kuq.
Hila thekson se “Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.
Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.
Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën nga 1 janari deri më 15 qershor 2023.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, thotë se vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për këtë periudhë kanë ardhur gjithnjë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madje, rritja kësaj here llogaritet në 122,6%.
50 mijë vizitorë janë regjistruar gjatë kësaj periudhe ose 27541 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një vit më parë nga 1 janari-15 qershor u regjistruan rreth 22 mijë vizitorë vendas e të huaj.
Kalaja mesjetare e Gjirokastrës është nga më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit. Për herë të parë Gjirokastra dhe kalaja përmenden në 1336. Kalaja ka formën e një anijeje të madhe të gurtë, e cila shtrihet në një hapësirë prej 335 metrash, mbi kodër, nga ku mund të shihet qyteti./atsh/KultPlus.com
Muzeu “Onufri” në Berat ka zgjuar interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe gjatë tre muajve të parë të vitit, me vlerat artistike dhe të trashëgimisë.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat ka bërë të ditur se, “në tre muajt e parë të vitit 2023, Muzeun e Ikonografisë Onufri e vizituan 2894 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton të jetë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm që ishte 1876 vizitorë, një rritje rreth 154%”.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Kalaja e Rozafës në Shkodër gjatë muajit mars është vizituar nga një numër i lartë vizitorësh.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, “gjatë periudhës 1-31 mars shifra e vizitorëve arriti në 4689 ose 959 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të 2022”.
Sipas DRTK, gjatë marsit të 2022 kalaja e Rozafës u vizitua nga 3730 vizitorë vendas e të huaj.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./atsh/KultPlus.com
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se mbi 65,000 vizitorë kanë vizituar nga janari deri në nëntor muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilët u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”.
“Vetëm gjatë festave të nëntorit muzeu u vizitua nga 2 mijë vizitorë vendas, por nuk mungonin edhe të huajt”, theksoi Hafizi.
Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./ atsh / KultPlus.com
Numri i vizitorëve në muzetë e vendit këtë vit ka shënuar një rritje domethënëse duke arritur në rreth 90 mijë vizitorë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e gjashtëmujorit të parë, të cilat sipas saj, “janë optimiste sa i takon numrit të vizitorëve në muze”.
“Krahasuar me një vit më parë, shumë më shumë vizitorë kanë shijuar pasuritë e muzeve tanë”, tha ministrja Margariti.
Sipas statistikave të publikuara nga ministrja, në 6-mujorin e parë të këtij viti, muzetë e vendit u vizituan nga 89 218 vizitorë. Ndërkohë për të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistrohen 31 387 vizitorë.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2020, u regjistruan 11 840 vizitorë.
Këto atraksione janë më të preferuarit gjatë kësaj periudhe për turistë e huaj pasi ata shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë. / atsh/KultPlus.com
Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina” e ka shndërruar kryeqytetin në një vend ku arti po jeton në çdo cep të saj e vizitorët po i mbushin hapësirat ku artistë nga gjithë bota kanë intervenuar për t’i dhënë kështu një tjetër dimension këtyre hapësirave.
Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rreth 6,500 vizitorë kanë qenë vetëm gjatë fundjavës së hapjes të Manifesta 14 Prishtina!
“Keni ende mjaft shumë kohë për të vizituar 25 hapësirat në të gjithë qytetin”, thuhet nga MKRS të cilët në këtë formë ju bëjnë thirrje që ta përqafoni artin dhe mos ta humbisni rastin t’i vizitoni këto intervenime artistike krejtësisht të veçanta. / KultPlus.com
Photos by Atdhe MullaPhotos by Atdhe MullaPhotos by Atdhe Mulla
Turistët e shumtë vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shijojnë freskinë dhe bukurinë e zonave të mbrojtura që nga Lugina e Valbonës në veri e deri tek Syri i Kaltër në Sarandë.
Këto zona tashmë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me publikimin e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për numrin e vizitorëve nga janari-shtator 2019.
“Më shumë se 916,660 vizitorë në zonat e mbrojtura në janar -shtator 2019, 28% më shumë krahasuar me janar-shtator 2018”, shprehet Rama.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.
Këto vitet e fundit (pas krijimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura Mjedisore), tashmë vizitorët (turistët), të cilët janë pjesë e vizitave dhe ecjeve në natyrën shqiptare, kanë në shumicën e rasteve informacionin e duhur për destinacionet e veçanta që duhet të vizitojnë në këto hapësira.
Turisti në çdo rast merr informacionin e detajuar për resurset natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, për vendndodhjen dhe vlerat e larta natyrore, kulturore, historike, biologjike e trashëgimore të tyre si; shpella, ujëvara, kanione, maja shkëmbore, shtigje kalimi, objekte kulti etj, që ka zona e mbrojtur. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë punonjësit e AdZM ve (veçanërisht Rengersat) në terren, që orientojnë vizitorët drejt këtyre pikave. Po kështu, në ndihmë të tyre vijnë dhe tabelat e ndryshme informuese e orientuese që janë vendosur në hyrje dhe vende të dallueshme.
Prioritet në këto zona po merr dhe turizmi i vëzhgimit të shpendëve, sidomos i atyre ujorë. Shquhen Laguna e Karavastasë, Nartës, Kune-Vain, Liqeni i Shkodrës, Prespës etj./atsh / KultPlus.com